Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” do të paraqiten me koncert në Shkup

Në datën 30 Mars, salla e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut do të shndërrohet në një fushë të magjisë muzikore, pasi në atë skenë do të ngjitet Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” për të dhuruar një koncert të mrekullueshëm, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje paraqet një moment të veçantë për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike dhe për ata që janë të interesuar të eksplorojnë talentin e rinisë në muzikë.

Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, ky koncert po vjen pas një pune të mrekullueshme dhe një viti të filluar mbarë me nxënës të talentuar nga shkollat e ulëta të muzikës në Prishtinë “Prenk Jakova” & “Amadeus” & Tony Drum Studio të cilët janë gati të ndajnë pasionin e tyre për muzikën me publikun.

Kjo është një mundësi e rallë për të kuptuar dhe për të vlerësuar punën e palodhshme dhe talentin e këtyre fëmijëve që, përkundër moshës së tyre të re, kanë arritur të bëhen pjesë e një koncerti të tillë të nivelit të lartë.

Koncerti do të mbahet më datë 30 Mars, në ora 19:30, në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup. / KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Amadeus” solli koncert dedikuar fëmijëve të komuniteteve pakicë

Shkolla e Muzikës “Amadeus”, në kuadër të projektit “Identifikimi i talentëve nga radhët e komuniteteve pakicë”, organizon koncert dedikuar fëmijëve nga këto komunitete, shkruan KultPlus.

Ky projekt ka filluar rreth dy muaj më parë dhe ka për qëllim identifikimin e talenteve të muzikës nga radhët e fëmijëve nga komunitetet pakicë, thuhet në një njoftim të shkollës së Muzikës “Amadeus”.

Projekti “Identifikimi i talentëve nga radhët e komuniteteve pakicë” është projekt i cili është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, ku fëmijët dhe të rinjët e këtyre komuniteteve do të përfitojnë duke mbajtur mësime të muzikës, teori dhe njohuri të instrumenteve muzikore, si dhe mësime të baletit.

Gjjatë realizimit të projektit, fëmijët dhe prindërit e tyre kane qenë shumë entuziastë. Mësimdhënësit gjithashtu janë shprehur shumë të kënaqur më fëmijët dhe me mënyrën e realizimit të projektit nga ana e shoqatës.

Në kuadër të këtij projektit i cili është duke u realizuar tash e dy muaj, e me rastin e festës së flamurit, sot me datë 24.11.2018 duke filluar nga ora 11:00 Shoqata e Artisteve të vegjël dhe të rinj “Amadeus”, në bashkëpunim me Shkollën e Muzikës Amadeus organizoi koncert dedikuar këtyre fëmijëve”.

“Në këtë mënyrë fëmijët do të shofin prej së afërmi moshatarët e tyre të cilët tashmë ndjekin mësimet për instrumente muzikore. Kjo gjithashtu do të ju ndihmojë fëmijëve të shprehin preferencat e tyre për ndonjë instrument në veçanti. Shoqata e artistëve të vegjël dhe të rinj, planifikon gjithashtu që fëmijët e komunitetit pakicë, ti inkorporojë në të ardhmen si pjesëmarrës/performues në koncertet e radhës”, shkruhet në njoftim. / KultPlus.com