Hoti: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi, jo pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Andin Hoti, i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, tani po angazhohet drejtpërdrejtë në mënyrë institucionale për zbardhjen e fatit të babait dhe të gjithë personave që Serbia i mori dhunshëm dhe për fatin e të cilëve ende nuk dihet.

I emëruar ditë më parë në krye të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe drejtues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje të personave të zhdukur, Andin Hoti thotë është i gatshëm të përballet me palën serbe.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë presion ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të tregojë vendndodhjen për 1,632 personat e zhdukur dhe të vihet drejtësi.

Andin Hoti, në një bisedë me KosovaPress, ka thënë se këto dy emërime nuk i sheh si pozitë pune, por obligim moral për të bërë më shumë drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

“E kam marrë si obligim moral e kombëtar që e ndjej të jap kontribut, të jap maksimumin tim drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, jo për faktin që babai im konsiderohet i zhdukur por për faktin që Kosova ende e ka një plagë të rëndë që e bartë me vete prej 22 vite tashmë, dhe që ende 1632 familje vuajnë dhe e kanë një plagë të hapur për këtë çështje, them kështu sepse e kam edhe rast personal, ende secila prej këtyre familjeve zgjohet prej gjumit me shpresën mos ndoshta sot do ta kemi një njoftim, një lajm se çka ka ndodh me fatin e familjarit që është kidnapuar prej luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Hoti.

Hoti ka theksuar nevojën për rritje të presionit nga faktori ndërkombëtar mbi palën serbe, meqë siç thotë ai, Serbia është adresa e vetme për personat e zhdukur.

“Ne kemi nevojë shumë për përkrahjen dhe trysninë e faktorit ndërkombëtar. Në këtë rast, adresa e vetme për personat e zhdukur me forcë është Serbia, Qeveria e Serbisë, sepse ne e dimë që gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë e ka bërë qeveria e atëhershme e Serbisë dhe adresa e vetme edhe për zbardhjen e fatit të këtyre personave është qeveria e Serbisë, por ne edhe si delegacion do të tentojmë të bashkëpunojmë me komisionin homolog që e kemi në Serbi atje, komisionin qeveritar të tyre për personat e zhdukur, në mënyrë që Serbia duke e pas përsysh edhe presionin ndërkombëtar, që po shpresojmë ta rrisim, të hap arkivat e luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.

Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, Hoti ka thënë se është çështje humane dhe duhet të trajtohet si e tillë, por sipas tij, për Serbinë vazhdon të jetë politike andaj shton se presioni i faktorit ndërkombëtar mbetet rruga e vetme që Serbia të bindet për hapjen e arkivave.

Hoti ende nuk e di kur do ta ketë takimin e parë me palën serbe, por thotë se do ta tejkalojë aspektin emocional dhe prioritet do ta ketë zbutjen e plagës së secilit familjar që ende pret të dëgjojë lajm për më të dashurit e zhdukur.

“Si do të jetë përballja ime me palën serbe duke pasur parasysh që, nuk po them direkt që është ajo aty është e përfshirë, por duke pasur parasysh që ata përfaqësojnë diçka që më kanë zhdukur prindin mua dhe 1632 persona të tjerë në Kosovë, mirëpo për mua, dhe mendoj që për të gjithë qytetarët e Kosovës, interesi primar, kryesor, është zbardhja e fatit të personave të zhdukur, pas parasysh edhe përvojën profesionale, mendoj dhe jam i bindur që në aspektin emocional mund ta tejkalojë, dhe aspektin emocional mund ta kem si ndihmesë time në mënyrë që të mund të jem ballëhapur sepse unë jam ballë hapur para palës serbe, neve jemi viktima, ata janë agresori në këtë rast, dhe të kërkojmë drejtësinë për 1632 personat e zhdukur”, ka thënë Hoti.

I biri i Ukshin Hotit ka thënë se e ka marrë mbështetjen e familjeve të personave të zhdukur dhe zotohet se do të jetë zëri i tyre në çdo takim.

Ai ka vlerësuar se çështja e personave të pagjetur duhet të jetë prioriteti kryesor i institucioneve të Kosovës, pa zgjidhjen e së cilës thotë se nuk duhet të ndodh marrëveshja finale me Serbinë.

“Institucionet e Kosovës nuk është që po bëjnë zero punë, por nuk po bëjnë mjaftueshëm punë në mënyrë që të rrisin trysninë ndaj faktorit ndërkombëtar. Me sa unë e kam parë, dy takimet e fundit që kanë qenë në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, në të dyja ka qenë prioritet çështja e të zhdukurve, këtë gjë e kam kërkuar edhe në vitin 2017 kur kam qenë deputet, që çështja e të zhdukurve në dialogun Kosovë-Serbi jo vetëm të jetë prioritet, por të jetë kusht për përfundimin e një marrëveshje Kosovë-Serbi. Nuk konsideroj dhe nuk besoj që duhet të ndodh marrëveshja finale e Kosovës me Serbinë pa zgjidhur fatin e personave të zhdukur në Kosovë”, ka thënë Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Andin Hotin kryesues të Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur dhe kryetar të delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në kuadër të grupit punues për persona të zhdukur./ koha.net / KultPlus.com

Andin Hoti emërohet Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Andin Hotin Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet prioritare të Qeverisë së Kosovës, dhe emërimi i sotëm tregon që kjo temë shkon përtej politikës.

“Dhimbja dhe ankthi me të cilën familjet përballen që 23 vite, rritet çdo ditë e më shumë, andaj është obligim i yni si Qeveri që të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ua zbutur këtë gjendje duke u angazhuar më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Për Qeverinë e Kosovës është e rëndësishme që të kemi një front të përbashkuar karshi Serbisë, në kërkesat tona për ballafaqim me të kaluarën”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës/KultPlus.com

Andin Hoti: Dialogu Kosovë-Serbi s’ka kuptim nëse nuk e ka prioritet çështjen e të zhdukurve

Në 22 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hotit, djali i tij, Andin Hoti ka shkruar  se dhimbja për të është dyfish më shumë kur edhe pas 22 vitesh nuk dihet për fatin e tij, përcjell KultPlus.

Ai tha se presin që të dijnë mbi fatin e tij, nëse frymon diku apo nëse së paku kanë vend ku të vendosin lule.

Tutje, Hoti shtoi se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka kuptim nëse nuk e ka prioritet çështjen e të zhdukurve.

Më poshtë mund të lexoni postimin e tij:

Dhimbja për mungesën e babit, nuk është vetëm sot, me 16 maj, në daten e kidnapimit të tij nga forcat serbe në burgun e Dubraves, dhimbja është çdo ditë, e dyfish më shumë kur ende pas 22 vitesh presim të dijmë mbi fatin e tij, nëse ende frymon diku, apo së paku të kemi vend ku të vendosim lulet.

Por, ditët si sot, kur lexoj reagime të shumta, mesazhe mbështetëse, postime e mijëra komente në faqe të ndryshme, më ngjallin një krenari të madhe, një vetbesim, sikur frymoj më lirshëm, një ngrohtësi që vetëm populli shqiptar din ta jep.

Mijëra falenderime për secilin që sot keni ndarë dhimbjen me ne, që sot jeni bërë ne dhe po kërkoni bashkë me ne zbardhjen e fatit të babit, dhe fatit të shumë të zhdukurve tjerë në Kosovë.

Dialogu Kosovë – Serbi, nuk ka kuptim nëse nuk e ka prioritet çështjen e të zhdukurve.

Nëse Serbia nuk është e gatshme të bisedoj për diçka kaq humane, ajo nuk e ka lëshuar rrugen e vjetër të regjimit të Millosheviçit, dhe si pasoj, nuk ka kuptim të bisedohet për asnje çështje tjetër, me një mendësi të tillë./ KultPlus.com

Andin Hoti: Mjafton loti i nanave për 21 vite, që krimineli Tasiq të dënohej me burg të përjetshëm

Gjykata e Apelit ia ka përgjysmuar dënimin prej 22 vjetësh që kishte marrë Gjykata Themelore në Prizren në 11 vjet kriminelit të luftës në Kosovë, Darko Tasiq.

Të irrituar nga ky vendim krushjanët, familjarë të viktimave të Tasiq, kanë protestuar sot kundër këtij vendimi.

Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit, ka reaguar sot përmes një statusi në Facebook, duke u shprehur se gjenocidi nuk falet.

Ky është statusi i tij i plotë:

KRIMI NUK FALET!

– Gjenocidi NUK falet!

– Vrasjet e fëmijëve, grave, pleqve e burrave NUK falen!

– Djegia e trupave dhe hudhja në lumë NUK falen!

– Djegia e shtëpive NUK falet!

“Dëshmitarët kanë dëshmuar se ata panë Tasic dhe babanë e tij duke drejtuar një kamion portokalli që mbante trupa të pajetë, duke i vënë flakën dhe duke e shtyrë atë në Lumin Drini pas masakrës në Krusha e Vogel / Mala Krusha në Mars 1999”

Mjafton loti i atyre nanave për 21 vite me radhë, që Krimineli Darko Tasic të dënohej me burg të përjetshëm! Lëre më krimet e dëshmuara të tij, ndaj familjarëve të ktyre nanave!

Në foto 1 më 1998: Ragip Hoti (axha Dëshmor), Andin Hoti, Sejfullah Sejfullahu

Në foto 2 më 03 Dhjetor 2020: Fatos Malsori (djali i Dëshmorit Muhamet Malsori), Andin Hoti, Sejfullah Sejfullahu, Etrit Hoti (djali i Dëshmorit Ragip Hoti) / KultPlus.com