Hoti pret nga Serbia të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pret që Serbia të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, Hoti përmes Facebook-ut ka kujtuar të zhdukurit nga lufta në Kosovë.

“Sot, si rrallëkush në historinë e vonshme të Evropës, vendi ynë vazhdon të ballafaqohet me plagën e madhe të të zhdukurve. Qindra familje tona ende presim me ankth ndonjë lajm për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët u tretën pa shenjë gjatë krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë, më 1998-’99. Bota e di çfarë ka ndodhur këtu; e di mirë kush ka qenë agresori, e kush viktima! Me gjithë pengesat e mëdha, dëshmitë e këtyre krimeve të kryera në zemër të Evropës, vazhdojnë të dalin në dritë! Prandaj, pohojmë fuqishëm se provat e çmendisë serbe në Kosovë nuk mund të zhbëhen, sepse ato janë parë dhe janë evidentuar nga mbarë komuniteti ndërkombëtar”, shkroi Hoti.

Këtu Hoti ka shtuar se kërkimfalja, është kusht elementar human për të ecur drejt pajtimit mes dy shteteve.

“Duke e mbajtur përherë në kujtesë, tragjedinë që ka përjetuar, Republika e Kosovës është e përkushtuar për të ardhmen paqësore të rajonit dhe integrimin në familjen e kombeve të lira demokratike euro perëndimore. Por, po ashtu, ne presim nga fqinji ynë verior, Serbia, të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer, të kërkojë falje për djegien e kufomave të civilëve shqiptarë, për varrosjen dhe zhvarrosjen e disahershme të tyre. Përveçse një akt moral, kërkim falja është edhe kusht elementar human për të ecur përpara kah pajtimi dhe mirëkuptimi në mes dy shteteve tona”, përfundoi Hoti./ Koha.net / KultPlus.com

Osmani: Serbia duhet ta pranojë gjenocidin ndaj shqiptarëve, krimi s’mund të fshihet

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, në seancën e veçantë për nderim të viktimave të krimit të gjenocidit, tha se duhet edhe njëherë të ngritët zëri për krimin gjenocidal të kryer nga regjimi serb i Millosheviqit.

Duke iu drejtuar edhe familjarëve të viktimave të këtij krimi serb, Osmani ka përmendur edhe shifrat e të zhdukurve.

“Jemi mbledhur, pra, për ta ridëshmuar plagën tonë të pambyllur, për vrasjen e mbi 13.000 njerëzve tanë, shumica prej të cilëve civilë, gra, pleq e fëmijë, mbi 1.600 nga të cilët ende mbajnë statusin e “personave të pagjetur”. Por, ata nuk janë thjesht të pagjetur. Ata janë “të pagjetur të fshehur” nga pushteti pasardhës i regjimit që kreu gjenocid mbi ta”, u shpreh Osmani.

Osmani tutje ka shtuar se dhuna mbi viktimat e gjenocidit serb, është sistematike, nga vrasja e tyre në fshehjen e tyre e në thirrjen e regjimit të sotëm serb për mosdhënie të informative për ta.

“Serbia duhet ta pranojë peshën historike të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Ajo duhet të detyrohet që të japë informata për dhunën sistematike ndaj viktimave. Ajo duhet t’u përgjigjet thirrjeve për ofrim të informatave mbi krimet e kryera mbi viktimat dje dhe mbi ta e mbi familjet sot”, u shpreh Osmani.

U.d e presidentes, tha gjithashtu se krimi i kryer nga Serbia nuk mund të fshihet.

“Fshehja e krimit është krim i ri, po aq i tmerrshëm sa ai i pari, për t’i dëshmuar vetes e botës se rrëfimi mbi gjenocidin është i domosdoshëm, sepse ai dëshmon të kaluarën tonë. Ikja nga të rrëfyerit për përjetimin është mohim i ekzistimit të tij”, tha tutje ajo.

Osmani ka shtuar gjithashtu se Kosova do dialog, por vetëm me njohje reciproke.

“Ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Mbi të gjitha, duke kërkuar me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik. A është Serbia e gatshme? Jo”, u shpreh Osmani në këtë seancë të veçantë./ Koha.net/ KultPlus.com

Andin Hoti: Mjafton loti i nanave për 21 vite, që krimineli Tasiq të dënohej me burg të përjetshëm

Gjykata e Apelit ia ka përgjysmuar dënimin prej 22 vjetësh që kishte marrë Gjykata Themelore në Prizren në 11 vjet kriminelit të luftës në Kosovë, Darko Tasiq.

Të irrituar nga ky vendim krushjanët, familjarë të viktimave të Tasiq, kanë protestuar sot kundër këtij vendimi.

Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit, ka reaguar sot përmes një statusi në Facebook, duke u shprehur se gjenocidi nuk falet.

Ky është statusi i tij i plotë:

KRIMI NUK FALET!

– Gjenocidi NUK falet!

– Vrasjet e fëmijëve, grave, pleqve e burrave NUK falen!

– Djegia e trupave dhe hudhja në lumë NUK falen!

– Djegia e shtëpive NUK falet!

“Dëshmitarët kanë dëshmuar se ata panë Tasic dhe babanë e tij duke drejtuar një kamion portokalli që mbante trupa të pajetë, duke i vënë flakën dhe duke e shtyrë atë në Lumin Drini pas masakrës në Krusha e Vogel / Mala Krusha në Mars 1999”

Mjafton loti i atyre nanave për 21 vite me radhë, që Krimineli Darko Tasic të dënohej me burg të përjetshëm! Lëre më krimet e dëshmuara të tij, ndaj familjarëve të ktyre nanave!

Në foto 1 më 1998: Ragip Hoti (axha Dëshmor), Andin Hoti, Sejfullah Sejfullahu

Në foto 2 më 03 Dhjetor 2020: Fatos Malsori (djali i Dëshmorit Muhamet Malsori), Andin Hoti, Sejfullah Sejfullahu, Etrit Hoti (djali i Dëshmorit Ragip Hoti) / KultPlus.com

Rrëfimi i dhimbshëm i plakut shqiptar, tregon se çfarë e detyruan serbët (VIDEO)

Në kohën e luftës në Kosovë, çetnikët serbë me në krye kryekriminelin Sllobodan Millosheviq e kishin detyruar një të moshuar shqiptar që të flas keq për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë një interviste të realizuar me dhunë, serbët e udhëzojnë shqiptarin që të shprehet se UÇK-ja në Reçak është në fakt ajo që po kryen krime.

“Çfarë po bëjnë ata, UÇK në fshat, fol”, dëgjohen ushtarët serbë ndërsa e udhëzojnë të moshuarin shqiptar të flasë në gjuhën serbe.

Pamja e dhimbshme e plakut fisnik shqiptar i cili refuzon të flas keq për UÇK-në dhe shqiptarët do të mbetet pa dyshim një imazhet më të tmerrshme të asaj që regjimi gjenocidal i Millosheviqit bëri në Kosovë.

Por, megjithatë ky nuk është rasti i vetëm. Pasi kemi parë dhe dëgjuar se raste të tilla të detyruar nga kriminelët serbë kemi me qindra. / KultPlus.com

Ja se si e detyronin çetnikët Serb të flasë plakun "ME THIKË NË FYT"

Gepostet von Dardania Sacra am Mittwoch, 20. Juli 2016

Kur Edith Durham i shkruante George Bernard Shawit, për krimet serbe në Kosovë

Historiani serb, Aleksandar Rastoviq, në librin e tij ‘Velika Britanija i Srbija 1903 – 1914’ (Britania e Madhe dhe Serbia, 1903-1914), një kapitull ia kushton Edith Durhamit. Në këtë kapitull, sikur edhe në tjerët, libri përmban mjaft pallavra dhe gënjeshtra. Por, çuditërisht, ka edhe disa trajtime të ngjarjeve dhe interpretime të fakteve që bëhen në mënyrë reale apo shkencore.

Shembull i trajtimit real është letra e titulluar ‘Common sense about the war’ të cilën Edith Durham më 1914 ia dërgon dramaturgut të njohur botëror, George Bernard Shaw (fitues i Çmimit Nobel për Letërsi më 1925). Në këtë letër Durham i shpjegon masakrat serbe ndaj shqiptarëve që ndodhën gjatë luftërave ballkanike, më 1912-1913. Ky është interpretimi i Rastoviqit:

‘Një hapësirë të letrës Durham ia kushton Kishës Pravosllave (Ortodokse) Serbe duke bërë me dije se kjo kishë është ndër më të përgjakshmet dhe më jotolerantet ndër të gjitha kishat për shkak se i ka detyruar myslimanët dhe katolikët që të konvertohen ose të vdesin. Ajo [Durham] ka shkruar që myslimanët e mjerë nuk kanë patur mbrojtje dhe u janë nënshtruar torturave, terrorit dhe therjeve. Ajo ka sjell edhe rastin e priftit françeskan të Gjakovës të cilin e kanë zhveshur lakuriq, e kanë rrahur dhe në fund e kanë therr me bajoneta për shkak se ka refuzuar të heqë dorë nga feja e tij. Ajo ka vënë në pah se austriakët kanë insistuar që të hetohet ky rast. Trupi është zhvarrosur dhe është vërtetuar tregimi i dëshmitarëve për këtë vrasje. Katolikët dhe myslimanët e shkretë kanë mundur të shpëtojnë jetët e tyre vetëm nëse e pranonin fenë pravosllave. Në vazhdim të letrës, në mënyrë që ta vërtetojë tezën e saj për qëllimet që kishte Serbia për të shkaktuar luftë botërore, ajo i citon fjalët e disa banorëve të Malit të Zi dhe Shkupit me të cilët ka biseduar: ’Ne jemi serfbofilë dhe i kemi mundur turqit. Ne jemi fuqi. Ne jemi rrezik për Evropën. Ne dëshirojmë ta djegim tërë Evropën. Do të fillojmë në Bosnjë me Sarajevën. Do të marshojmë deri në Vjenë. E kemi përkrahjen e plotë të Rusisë’ (faqe 344-5).

Ky libër do të ishte serioz sikur t’i trajtonte të gjitha rastet sikur këtë letër të Durhamit. Por, për fat të keq, pjesa dërmuese është joshkencore. Shumica e historianëve serbë, por edhe shqiptarë, mendojnë të jenë edhe shkencëtarë e edhe patriotë./KultPlus.com