Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” rikujtoi figurat e shquara të 28 Nëntorit

40 nënshkruesë të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë erdhën nëpërmjet punimeve artistike të Arben Morinës në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë” në Muzeun Hitsorik Kombëtar, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila solli 40 figura të rëndësishme të historisë shqiptare nëpërmjet pikturave të piktorit Arben Morina, u shoqëruan me artefaktet e këtyre nënshkruesve në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se kjo ekspozitë është një kombinim i përkryer i portreteve në pikturë të etërve tanë të 40 firmëtarëve të pavarësisë dhe objekteve të tyre personale që ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar. Tutje ai përmendi se të ekspozuara janë edhe një kopje të aktit të shpalljes së pavarësisë dhe disa objekte të Luigj Gurakuqit, Kristo Floqit, për të bërë të mundur këtë lloj harmonie në pasqyrimin e kësaj ekspozite në kombinim me veprat e prezantuara në pikturë të shumë të talentuarit Arben Morina.

Në anën tjetër, protagonisti kryesor i cili rikujtoi nëpërmjet artit rëndësinë e këtyre personaliteteve, Arben Morina falenderoi Muzeun Historik Kombëtar për këtë ekspozitë.

“Për mua kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë dhe kam ndjerë gjithçka që kam bërë pasi vet gjyshi im Zihni Abas Kanina Hamzaraj ishte një nga nismëtarët e shpalljes së pavarësisë”, tha artisti Morina.

Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” u organizua në kuadër të manifestimeve të nëntorit. / KultPlus.com