Ujëvara e Niagarës në Kanada ndriçohet kuq e zi

“Ujëvara e Niagarës, simboli i Kanadasë, i njohur në mbarë botën u ndriçua kuq e zi, me ngjyrat e Flamurit Kombëtar mbrëmjen e 28 nëntorit, në nderim dhe respekt të 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si edhe Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Ontario”.

Kështu u shpreh sot ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça, ndërsa ndau pamjet spektakolare të Ujëvarës së Niagarës veshur kuqezi.

Ambasadori shprehu mirënjohjen e sinqertë për autoritetet përkatëse kanadeze për bashkëpunimin dhe gjestin fisnik”.

“Gëzuar Pavarësinë Shqipëri!”, u shpreh ambasadori Muça.

Ditën e djeshme, një urim i veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët në 108-vjetorin e Pavarësisë ka ardhur nga Dubai i Emirateve të Bashkuara Arabe, ku ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa është veshur kuqezi për nder të Ditës së Flamurit. /dp/ KultPlus.com

SBASHK: Në kalendarin e Ministrisë e hëna është pushim dhe nxënësit nuk humbin asgjë

Qeveria e Kosovës tha të premten se ditën e hënë do të punohet dhe nuk do të pushohet për shkak të festës së 28 nëntorit. Por SBASHK’u thotë se e hëna do të jetë ditë pushimi për shkollat.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, thotë se ata ‘nuk po kundërshtojnë askënd’ por se po zbatojnë kalendarin e Ministrisë së Arsimit’.

“Të premten mësimdhënësit në orët  para kanë folur për festën e Flamurit dhe datëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe u kemi thënë nxënësve se e hëna është ditë pushimi”, tha Jasharaj.

“Deklarata e kryeministrit se të hënën do të punohet për t’u solidarizuar me punëtorët shëndetësorë dhe policinë ka ngjallur huti dhe ne kemi dal publikisht dhe jemi përgjigjur duke u thirrur në kalendarin e Ministrisë së Arsimit ku e hëna është ditë pushimi në shenjë respekti për Ditën e Flamurit”, shpjegoi ai për RTV Dukagjini.

“Ne nuk jemi kundër nëse Parlamenti i Kosovës do ta ndryshojë ligjin”, shtoi ai.

Sipas Jasharit nxënësit nuk do t humbin asgjë dhe se mësimit do i kthehen të martën.

“Në kalendarin e Ministrisë e hëna është pushim dhe nxënësit nuk humbin asgjë”, tha Jasharaj. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Historia e vajzës që qëndisi flamurin kombëtar, Marigo Pozios

Marigo Pozio është emri i vërtetë i vajzës që qëndisi flamurin kombëtar, sipas një modeli të Dom Mark Vasës, për pajën në rininë e saj.

Ajo e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 – 40 cm.

Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe.

Pas shpalljes të pavarësisë, ajo lufton për krijimin e shoqërive patriotike dhe mirëbërëse dhe ia arrin qëllimit në muajin mars të vitit 1914 duke themeluar shoqërinë “Shpresa Kombëtare”, në të cilën ajo, si gruaja më e ditur e qytetit zgjidhet sekretare.

Lufta e Parë Botërore paralizoi veprimtarinë e shoqatës “Shpresa Kombëtare” dhe 23 janari i vitit 1921 shënoi rifillimin e aktiviteteve, duke pasur në krye Marigo Pozion, e cila kreu detyrën e drejtoreshës të përgjithshme të gazetës së parë të gruas shqiptare  “Shpresa e Kombit”, e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, dhe ku qëllimi kryesor ishte të grumbullonte rreth vetes të gjitha gratë dhe vajzat të cilat me bindje e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike shkollimin dhe lartësimin e femrës shqiptare.

Në motivacionin e dekorimit të parë më 7 Mars 1960 pohohet pikërisht fakti se ka punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës dhe për çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare, duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare. Dekorata është me urdhrin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e muzeut të pavarësisë në Vlorë. /CEO/ KultPlus.com

NATO uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

Aleanca Veriatlantike, NATO ka uruar Pavarësinë e Shqipërisë në 108 vjetorin e saj, shkruan KultPlus.

Në faqen zyrtare të NATO-së në facebook, NATO ka uruar shtetin shqiptar, duke i ftuar të tjerët në festimin e kësaj dite.

“Bashkohuni me ne në festimin e Aleatit tonë #Albania në Ditën e Pavarësisë së tyre.

#Ne jemiNATO”, ka shkruar Alenaca Veriatlantike.

Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009. / KultPlus.com

Edi Rama për Adem Jasharin: Legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nëpërmjet një postimi në facebook ka kujtuar komandatin legjendar, Adem Jashari, shkruan KultPlus.

Rama ka shkruar për Jasharin që nga lindja e tij, e që përkon pikërisht me Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, jetës së tij për hir të atdheut si dhe vrasjes së gjithë familjes Jashari, duke lënë pak pasardhës prapa.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Edi Ramës:

ADEM JASHARI erdhi në këtë botë mu në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë pasi e la trupin pa jetë si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar.

Historia e vdekjes që i dha përjetësinë atij e trungut të prerë të familjes së tij, i tejkalon kufijtë e të besueshmes dhe i ngjan më shumë një versioni të legjendës së Gjergj Elez Alisë, ku plagët në trup janë më shumë se nëntë e janë vetë trupat e njerëzve të gjakut të heroit, copëtuar nga plumbat e një bajlozi të stërmadh sa një ushtri e tërë armike që mësyu mizorisht mbi shtëpinë ku zhvillohet rrëfimi mitologjik.

Sikur ajo shtëpi e sharruar nga zjarri armik të mos ishte ende aty, sikur familjarët e vrarë të Adem Jasharit të mos ishin banorë të asaj shtëpie, që figurojnë një më një, në gjendjen civile të komunës Prekaz dhe sikur vetë Adem Jashari të mos ishte një njeri i gjallë deri në 7 marsin e vitit 1998, i cili figuron edhe si klient në regjistrin e hotelit “Arbëria” në Tiranë, do të ishte realisht e pamundur t’i besohej vërtetësisë së historisë mitike të komandantit legjendar të luftës së Kosovës.

Madje edhe vetë Besarta, shtojzovallja e mbijetuar e asaj masakre të pabesueshme, do të dukej si rrëfimtarja e përhumbur e një përralle, nëse familja Jashari nuk do të kishte qenë aty, mes një komuniteti të tërë shqiptarësh të zakonshëm prej të cilit u nda, e gjitha, menjëherë, në terrin mes dy ditëve të zakonshme mbi pllajën baritore të Prekazit.

Madje madje edhe ajo pllajë, e kthyer sot në një varrezë unikale dëshmorësh me një trung të vetëm familjar, nëse nuk do ishte aty, pjesë reale e gjeografisë së Kosovës, do të dukej si pejsazhi i krijuar nga peneli i imagjinatës për të qenë skena magjike e zhvillimit të gojëdhanës së lashtë, për një kreshnik me emrin Adem Jashari e familjen e tij.

Mirëpo jo, e gjitha është thjesht e vërtetë, e vërteta e pabesueshme e kulmimit epik të Luftës së fundit Çlirimtare në mes të Europës, bash në fund të shekullit XX, ku një popull i mohuar në të drejtën e tij për liri nga një diktaturë e urrejtjes etnike dhe i poshtëruar prej harresës së gjatë të botës demokratike, ngriti krye kundër urrejtjes e harresës dhe triumfoi kundër të gjitha paragjykimeve e parashikimeve.

Adem Jashari lindi në 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë . / KultPlus.com

“Mora fjalë” kumboi në Prekaz

Për hir të 28 Nëntorit, zëri i njohur shqiptar, Shkurte Fejza ka qenë e pranishme pranë memorialit të kompleksit Adem Jashari në Prekaz, shkruan KultPlus.

Nga vendi i heroizmave të një familje të madhe që dha jetën për lirinë, Shkurte Fejza interpretoi këngën e madhe që na rrëqeth ndër vite “Mora fjalë”.

Ajo ndodhej pranë varreve të Jasharajve dhe pranë shtëpisë së dikurshme të tyre, teksa i jepte zë fjalëve “Çohu Adem”.

Ashtu sikurse dedikimi i kësaj kënge, edhe tingujt e saj do të mbeten përherë një thesar kombëtar që na sjellin emocione të shumta. / KultPlus.com

28 Nëntori, shënuesi i ngjarjeve të mëdha përgjatë epokave të ndryshme

Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.

Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.

Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.

KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:

1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.

1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.

1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.

1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com

Hyrja e Ministrisë së Kulturës zbukurohet me motivet kuq e zi

Krahas ndërtesave të Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës në të cilat janë vendosur flamujt kombëtar, edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë një pamje tjetër, shkruan KultPlus.

Dera hyrëse, pemët, shkallët që janë afër kësaj Ministrie tanimë janë mbështejllur me flamurin kuq e zi në pragë të 28 Nëntorit. Kombinimi i dy krenares së bukur me flamurin e Kosovës në këtë institucion ka dëshmuar edhe një herë vëllazërinë mes kombit shqiptar.

Këtë ndërrim të pamjes e ka shpërndarë ministrja për Kulturë, Vlora Dumoshi në profilin e saj në facebook.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Dumoshit:

Dita më domethënëse kushtuar lirisë së popullit tonë, sot këndojmë për të gjithë patriotët që mbrojtën Atdheun shqiptar.

Në festën tonë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndriçon nga dy flamujt vëllazëror 🇦🇱🇽🇰.

Gëzuar ditën e madhe të Fitores👐🏼

28.11.1912 💪🏼

Vlora e Kosovës . / KultPlus.com

Flamuri kuq e zi vendoset para Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi ka bërë të ditur që flamuri kombëtar ka marrë vendin para ndërtesës së Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Krahas flamurit të Kosovës dhe atij të Evropës, tanimë në këto dy institucione të vendit përgjatë festës kombëtare do të qëndroj edhe flamuri kuq e zi.

KultPlus ua sjell shkrimin e Osmanit:

Për nder të Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe para zyrës se Presidentit të Republikës, është vendosur flamuri kombëtar shqiptar, krahas atij shtetëror të Republikës së Kosovës.

Flamuri do të qëndrojë aty përgjatë festës së 28 Nëntorit.

Urime të gjithëve Dita e Flamurit! / KultPlus.com

Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” rikujtoi figurat e shquara të 28 Nëntorit

40 nënshkruesë të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë erdhën nëpërmjet punimeve artistike të Arben Morinës në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë” në Muzeun Hitsorik Kombëtar, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila solli 40 figura të rëndësishme të historisë shqiptare nëpërmjet pikturave të piktorit Arben Morina, u shoqëruan me artefaktet e këtyre nënshkruesve në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se kjo ekspozitë është një kombinim i përkryer i portreteve në pikturë të etërve tanë të 40 firmëtarëve të pavarësisë dhe objekteve të tyre personale që ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar. Tutje ai përmendi se të ekspozuara janë edhe një kopje të aktit të shpalljes së pavarësisë dhe disa objekte të Luigj Gurakuqit, Kristo Floqit, për të bërë të mundur këtë lloj harmonie në pasqyrimin e kësaj ekspozite në kombinim me veprat e prezantuara në pikturë të shumë të talentuarit Arben Morina.

Në anën tjetër, protagonisti kryesor i cili rikujtoi nëpërmjet artit rëndësinë e këtyre personaliteteve, Arben Morina falenderoi Muzeun Historik Kombëtar për këtë ekspozitë.

“Për mua kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë dhe kam ndjerë gjithçka që kam bërë pasi vet gjyshi im Zihni Abas Kanina Hamzaraj ishte një nga nismëtarët e shpalljes së pavarësisë”, tha artisti Morina.

Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” u organizua në kuadër të manifestimeve të nëntorit. / KultPlus.com

Rama për 28 Nëntor: Hyri Dita e Flamurit Kuq e Zi në errësirën që na rrethon

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përkundër dhimbjes për jetët e humbura nga tërmeti që ndodhi ditën e martë në Shqipëri, sot ka uruar shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit, ani pse kësaj radhe festa është kthyer në zi, përcjellë KultPlus.

Kryeministri Rama përmes një postimi në faqen e tij në Facebook ka uruar Ditën e Flamurit duke këtë ditë si një errësirë.

 “Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudoqofshin pa asnjë dallim”, shkruan Rama në Facebook.

Ai gjithashtu ka reaguar edhe me një tjetër thirrje në këtë ditë të shënuar për shqiptarët, duke kërkuar që kjo festë të kthehet në solidaritet.

“Dhe me adresën unike shtetërore për adresimin e çdo kontributi, në https://e-albania.al/dhuro ju uroj të gjithëve Ditën e Pavarësisë dhe uroj që këto ditë festash tradicionale kombëtare, të kthehen në DITË të shënuara SOLIDARITETI KOMBËTAR, në respekt të atyre që s’janë më dhe në mbështetje të familjeve që sot kanë nevojë për TË GJITHË NE”, ka përfunduar Rama. / KultPlus.com

Disenjatorja e syzeve Laura Imami uron 28 Nëntorin me syzet Kuq e Zi

Laura Imami tashmë brendin e saj e ka shndërruar si një brend shumë prestigjioz sa i përket syzeve, pasi që, syzet e saj tashmë i kanë blerë edhe shumë yje botërore, shkruan KultPlus.

Disenjatorja Imami e cila jeton në Londër, sonte ka prezantuar një dizajn të syzeve të realizuara me ngjyrat e flamurit kombëtare, kuq e zi, ku me këtë foto ajo ka uruar festën gjithë shqiptarëve. / KultPlus.com

Në Prizren sot është zbuluar mozaiku i Skënderbeut

Alberina Haxhijaj

Qendrës së Prizrenit sot i është shtuar një mozaik i ri i cili paraqet imazhin e Skënderbeut. Ky mozaik i realizuar nga Besart Gashi ka për qëllim që të kthej vëmendjen qytetarëve -të cilët do të kalojnë nga pjesa ku është vendosur mozaiku- të një figurë e shquar për kombin shqiptarë.

Realizimi i kësaj pikturë, para të cilës dhjetëra qytetarë ndaluan sot dhe realizuan edhe fotografi në nderim të Gjergj Kastriotit Skënderbe, e bënë shumë krenar realizuesin e saj, Besart Gashin.

“Për mua është nder e krenari që kam pas fatin që për herë të parë për qytetin e Prizrenit ta punoj një figurë për heroin tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, është shprehur Gashi për KultPlus.

Mozaiku është punuar me një konstruksion metali dhe me një lloj druri që është rezistues ndaj kushteve atmosferike. Në brendi të mozaikut janë të vendosur edhe dritat për ndriçim të cilat do e bëjnë të identifikueshme këtë vepër edhe gjatë natës. Dimensionet në të cilat është punuar ky mozaik janë 3m × 4m.

“Ideja për realizimin e këtij mozaiku me lindi pasi që më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare të Kastriotëve. Për mua si artist më ka motivuar që po në këtë datë 28 Nëntor 2018 mbas 575 viteve të punoj një vepër arti për këtë hero kombëtar pasi që ky vit edhe është shënuar si viti jubilar i Skënderbeut”, ka treguar Gashi për KultPlus.

Kjo vepër artistike nuk është e vetmja që Gashi e ka realizuar. Ai u bë i njohur edhe për portretin e Adem Jasharit të cilin e realizoi me 200 mijë gëzhoja fishekësh. Këtë mozaik ai e përfundoi më 5 mars për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për realizimin e kësaj vepre, Besart Gashi, është ndihmuar nga mërgimtarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Amerikë./KultPlus.com

Gazeta franceze në vitin 1912: Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë, pritet të vijë Isa Boletini

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Le Gaulois”, ka botuar, të premten e 29 nëntorit 1912, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë

Romë, 28 nëntor.

Na shkruajnë nga Vlora, me datë 28, se Ismail Qemal beu, i cili, sapo ka mbërritur në këtë qytet, ka vizituar konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

Njoftojnë se sot kuvendi i delegatëve shqiptarë do të shpallë në Vlorë pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë dhe do të formojë një qeveri të përkohshme.

Do të ngrihet flamuri shqiptar. Një komision do t’u dërgohet sa më shpejt të jetë e mundur qeverive evropiane, duke filluar me Italinë, për t’u kërkuar atyre njohjen e Shqipërisë.

Delegatët shqiptarë që kanë mbërritur deri më tani janë gjithsej 80. Priten të vijnë të tjerë, përfshirë Isa Boletinin, me forca të armatosura.

Thuhet se Ismail Qemal beu, në bisedimet e tij me konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë, ka deklaruar se pavarësia e Shqipërisë bazohet në parimet e integritetit territorial dhe neutralitetit, dhe se Shqipëria ka besim në dashamirësinë e të gjitha fuqive dhe në mbështetjen e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-gaulois-1912-shpallja-e-menjehershme-e-pavaresise-se-shqiperise-pritet-te-vije-isa-boletini/.

28 Nëntori, festë në Parlamentin e qytetit të New York-ut

Shqiptarët që jetojnë në qytetin e New York-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festuan festën e 28 Nëntorit në Parlamentin e qytetit.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, për këtë festim tha se ishte një nder dhe privilegj për të festuar pavarësinë shqiptare, ai po ashtu e falënderoi kryetarin dhe të gjithë antarët e Dhomës e së Këshilli së New York-ut.

“Urime për të gjithë shqiptarët që festojnë këtë ditë të rëndësishme në historinë, trashëgiminë, kulturën dhe kontributet që shqiptarët amerikanë kanë bërë këtij qyteti të mirë”, u shpreh Gjonaj nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Aty performuan disa valltarë për të pranishmit vallet shqiptare.I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ushtari i Marinsave Amerikane, Mark Kepi, i cili në rrjetin social Twitter ndau disa momente nga ky manifestim, shkruan RTKLive.com

Ai nëpërmjet kësaj uroi festën e Pavarësisë së Shqipërisë. “Sot Parlamenti i qytetit të Nju Jorkut ishte kuq e zi. Gëzuar pavarësinë Shqipëria jonë e dashur”, ishin fjalët që tha ai në postimin e tij në Twitter./KultPlus.com

Era dhe Nora Istrefi: Krenarë kudo që jemi

Këngëtarja Era Istrefi është duke qëndruar këto ditë në Greqi ku është takuar edhe me motrën e saj, këngëtaren Nora Istrefi.

Dy këngëtaret nuk kanë harruar që gjatë kësaj ditë të festojnë edhe për 28 nëntor. Ato kanë shpërndarë një fotografi së bashku ku shihen duke mbajtur plisin në kokë dhe duke krijuar figurën e shqiponjës me duart e tyre.

Era Istrefi e cila e ka shpërndarë këtë fotografi në Instagram ka shkruar “Krenarë ku’do që jemi”./ KultPlus.com

Artistët urojnë 28 Nëntorin si zëvendës-kryeministri Enver Hoxhaj

Sot në të gjitha trevat shqiptare shënohet 106 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërkohë urime të shumta po bëjnë qytetarët shqiptarë. Ndër këto urime vjen edhe një mjaft i veçantë nga artistët e Kosovës.

Ata kanë publikuar një fotografi bashkë me regjisoren Zana Hoxha Krasniqi, teksa kanë bërë shqiponjën (simbolin kombëtarë), ashtu siç e bëri zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj gjatë mbledhjes së dy qeverive, Kosovë – Shqipëri, shkruan KultPlus.

Për shqiponjën e Enver Hoxhajt, është folur mjaft shumë nëpër rrjete sociale ndërsa artistët zgjodhën ta urojnë 28 Nëntorin, ashtu si Hoxhaj./ KultPlus.com

Sot në të gjitha trevat shqiptare shënohet Dita e Flamurit

Sot në të gjitha trevat shqiptare shënohet 106 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.

Pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës janë paraparë aktivitete të ndryshme për shënimin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.

Aktivitet fillojnë me homazhet që do të bëhen tek varret e dëshmorëve, për të vazhduar pastaj me aktivitete tjera.

Shqipëria shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Kryeministër i parë u zgjodh Ismail Qemajli, i cili edhe udhëhoqi procesin dhe ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Në deklaratën e shpalljes, kufijtë e Shqipërisë përfshinë dhe trojet shqiptare që sot nuk i takojnë Shqipërisë gjeografike, por që në konferencën e Londrës, Shqipërisë iu morën më shumë se 60 % e territoreve të saj.

Nxënësit e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago kremtuan Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

Me një program të pasur kulturo-kombëtar nxënësit e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago kremtuan 28 Nëntorin-Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në qendrën kulturore kishin ardhur prindër, veprimtarë dhe mësuesit e shkollës për të kremtuar bashkërisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse jashtë atdheut në Amerikën e largët dhe me moton “Se nuk ka tjetër atdhe” me recitime, këngë dhe valle shqiptare e bekuan programin kulturor në Çikago.

Të vegjlit shqiptarë të veshur kuq e zi dhe tingujt, recitimet dhe këngët shqiptare që aq bukur shqip i shtonin duartrokitjet, për rendësin e kësaj ditë të madhe kombëtare foli drejtoresha e shkollës Qëndresë Brahimi, e cila ndër të tjera foli për rrugëtimin e plakut të urtë Ismail Qemali dhe për Shqipërinë e lirë në vitin e pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Kjo ditë e bekuar për kombin shqiptar, tha në fjalën e saj zonja Brahimi, ka qenë dhe do të jetë për tërë kombin tonë kudo që jetojnë dhe këtu në Amerikën e largët në atdheun e dytë për ne, simbol i bashkimit, të unitetit, të krenarisë, të qëndresës dhe vendosmërisë për liri e pavarësi të atdheut.

Shqiptaro-amerikanët dhe të vegjlit që kanë lindur e po rritën në Amerikën e lirë dhe fidanishte të demokracisë, theksuan se ky vend mik i përjetshëm me dekada ka qenë gardianë i lirisë dhe i pavarësisë së Shqipërisë dhe shtetit më të ri në Evropë të Kosovës.

Mësuesit dhe të vegjlit shqiptarë e nderuan kryetarin e qendrës shqiptare dhe fetare Hasan Ramushi, i cili e ka përkrahur programin festiv, ndërsa prof. Skënder Karaçica, drejtor ekzekutiv i SHSHA-së duke uruar nëntorët historik për kombin shqiptar ka theksuar se pikënisje për pavarësinë e Shqipërisë ishte Kongresi Manastirit(1908)dhe Alfabeti i Gjuhës Shqipe me shkronja latine dhe udha e kombit drejt Evropës aty ku me shekuj ka dhënë vlera të qytetërimit me popujt tjerë europianë dhe më gjërë. Këto dy festa janë dy ngjarje të mëdha kombëtare që na nderojnë sot e gjithmonë dhe i paçim për jetë jetëve, ka thënë Karaçica. Kremtimin e festës së flamurit në Çikago e ka nderuar me një fjalë rasti Lirie Mehmeti, kryetare e Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane dhe veprimtare dhe biznesmene e dalluar që për disa vjet e pati mbajtur gjallë fjalën e gjuhës shqipe përmes valëve Radio-Jeta.

Në kremtimin e sotëm festiv morën pjesë veprimtarë të dalluar të çështjes shqiptare në diasporën në Çikago si prof. Ilaz Kadriu, Mahmut Skenderi, Tefik Abdullahu, Vllaznim Sherifi, Nuri Ibrahimi, Riza Milla, Halil Gashi, Vullnet Dervishi e tjerë.

Programin festiv të ditës së flamurit në Çikago, nxënësit e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” e nisën me një fragment të kohës së Ismail Qemalit dhe populli shqiptar para flamurit kuq e zi në ditën e pavarësisë në Vlorë. Me këtë rast defiluan artistët e vegjël si Darisi, Hadi, Erina, Besniku, Milena, Eraldini, Alena që begatuan programin “Zemra rreh për Shqipëri” për të vazhduar me recitime, këngë dhe valle shqiptare.

Duartrokitjet i gëzuan shumë artistët e vegjël shqiptarë të shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” në Çikago. /KultPlus.com

Në Vlorë nisin punimet restauruese në shtëpinë e Marigosë së flamurit

Në shtëpinë e patriotes Marigo Posio, e cila qëndisi shqiponjën në flamurin që u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali vijojnë punimet restauruese në kuadër të projektit të restaurimit të qendrës historike të qytetit bregdetar.

Marigoja me dorën e saj qëndisi shqiponjën e flamurit që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 Nëntor të 1912.

Ky projekti i rëndësishëm synon t’i kthejë këtij qyteti shkëlqimin e dikurshëm.
Shoqata TID Vlora ( Zona për Zhvillimin e Turizmit), një organizatë jo-fitimprurëse që përfaqëson interesat e bizneseve dhe pronarëve të zonës bën të ditur se “ndërkohë që festat e Nëntorit po afrojnë, vijojnë punimet restauruese tek shtëpia e patriotes Marigo Posio e cila qëndisi shqiponjën në flamurin️ që ngriti plaku i mençur Ismail Qemali në Vlorë, më 28 Nëntor 1912”.

Projekti për restaurimin të qendrës historike të qytetit bregdetar është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit.

Pranvera e ardhshme është koha, kur veç banorëve të Vlorës, këto ndryshime t’i shijojnë edhe turistët.

Projekti përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave përveç Shtëpisë së Marigosë edhe Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Kush është Marigoja

U largua nga vendlindja e saj Hoçishti i Korçës dhe u vendos në Vlorë. Shkak i braktisjes së vendlindjes ishte persekutimi që po i bëhej atdhetarëve nga reaksioni osman. Në vitin 1904, bashkë me të shoqin u vendos në një shtëpi të lagjes Muradie, në rrugën që mban emrin e gazetarit francez Justin Goda. Shpejt ajo u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare, por edhe me qëndismat që bënte.

Kur solli plaçkat nga Korça në fund të sëndukut kish vënë një flamur të qëndisur me dorën e saj. E kishte mbuluar me gazeta të vjetra të ngjitura me brumë, që të mos diktohej në rast kontrolli. Ajo u thoshte vajzave vlonjate: “Dëgjoni vajza. Në pajën tuaj duhet të keni medoemos një flamur, atë u a qëndis unë”.

Kjo intelektuale e shquar, patriote e flaktë, gjente kohë të lexonte libra e shfletonte gazeta. Ishte e vetmja grua që aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës, duke u bërë edhe një shembull për masën e grave. Në shtëpinë e Marigosë, që u bë vatër atdhetare, hynin e dilnin Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Ibrahim Shyti, Jani Minga, Musa Çakërri. Në shtypin e kohës citohet se Marigo Posio, mori pjesë në Komitetin e parë që u formua në Vlorë për shpëtimin e Atdheut dhe ndihmoi me të holla.

Sipas të thënave, shoqet e fëminisë, Marigonë e thërrisnin Shqiponja. Kishte një arsye që e thërrisnin kështu. Dhe një arsye më shumë, ishte se ajo qëndiste qindra shqiponja me duart e saj.

Gazeta “Arbëria”, që botohej në Gjirokastër, në kohën e saj shkruan: “Flamurin Kombëtar, që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga dora e Ismail Qemalit, është hartuar nga duart e Marigo Posio, mbi copën e blerë tek tregtari Diamant. Qëndisja është bërë sipas modelit të shqipes, që kishin vizatuar patriotët Don Mark Vasa dhe Petro Fotografi. Këtë fakt e dinin edhe shumë patriotë të tjerë. Me të hollat e saj, ajo punoi edhe 500 flamuj për t’i vendosur në zyrat e shtetit të ri shqiptar./ KultPlus.com

Tirana ‘vishet’ me flamuj Kuq e Zi

Atmosfera festive ka nisur që të ndihet në kryeqytet. Apelit të Kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i janë përgjigjur me qindra familje në Tiranë.

Thuajse çdo pallat apo shtëpi private ka filluar që të vishet me ngjyrat kombëtare dhe është vendosur edhe simboli ynë kombëtar, flamuri kuq e zi.

Festa e madhe e Pavarësisë pritet që ta kthejë për të dytin vit radhazi sheshin “Skënderbej” në një pikëtakimi për të gjithë ata që ndihen patriotë, atdhedashës, e që e duan dhe e nderojnë tokën tone.

Sikurse është bërë tashmë traditë, me rastin e festive kombëtare Tirana mbledh qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit si dhe nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Festimet do të kulmojnë me Natën e Bardhë, e cila rezervon një larmishmëri aktivitetesh në Tiranë. Ekspozita, opera, filma, koncerte deri në orët e para të mëngjesit si dhe një superkoncert me të ftuar special.

Të gjithë ndjehen të përshkuar nga një lloj entuziazmi dhe euforie, ku pa dyshim sundojnë dozat e krenarisë kombëtare./ KultPlus.com

Dokumentari se si festohej 28 nëntori kur Kosova e Shqipëria ishin një (VIDEO)

Shikojeni dokumentarin se si festohej 28 Nëntori kur Kosova e Shqipëria ishin një, shkruan KultPlus.

Gjithashtu tregohet se si u ndihmuan shqiptarët nga gjermanët për ta krijuar Shqipërinë etnike!
Për detaje më shumë mund ta përcillni videon mëposhtë./KultPlus.com

Ansambli “Shota”, mbrëmë solli një koncert të fuqishëm artistik në TKK (FOTO)

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, për nderë të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, mbrëmë solli një koncert të pasur artistik i cili ishte titulluar “Festa e Bashkimit”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Ky koncert barte dedikime të rëndësishme që lidhen me historinë e kombit shqiptar, pasi që mbrëmë ky koncert iu kushtua edhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari dhe 20 vjetorit të daljes publike të UÇK-së.

Të gjithë që ngjiteshin në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës bartnin një mesazh të veçantë të simbolikës së këtij koncerti festiv, me veshje kombëtare të interpretuesve, e shqiponjën që reflektohej mbi njërin skaj të skenës, të krijonte ndjesinë e vërtetë të një festë të madhe kombëtare dhe të rikujtimit të përpjekjeve heroike të Adem Jasharit dhe UÇK-së. Tingujt, zëri, lëvizjet e trupit e të instrumenteve që vinin në një koordinim më njëra-tjetrën krijonin një harmoni të përsosur ku dukej që gjithçka po frymonte shqip.

“Mora Fjalë” e interpretuar nga Sarandë Aliu, ishte një nga këngët e para që në këtë koncert i kushtohej Adem Jasharit, e që arriti të nxjerrë emocionet e publikut që më shumë përkushtim e duartrokitje po e përcillnin këtë program. Po ashtu këngë dedikuar figurës historike të Adem Jasharit, solli edhe këngëtarja Majlinda Cikaqi me interpretimin e këngës “Po ku je, heu, burrë i dheut”, dhe më pas dhe grupi polifonik “Bilbili”, me interpretimin e këngës “Cili je ti more burrë”. Grupi polifonik “Bilbili” erdhi nga Vlora për ta pasuruar këtë program me interpretimin e dy këngëve.

Dukej se koncerti arrti kulmin me këngën “Heu Drenicë, heu trungu i lisit” që erdhi në interpretimin e Denik Prizrenit, e që plotësohej mrekullueshëm nga kori i ansamblit, i cili dirigjohej nga Ylber Asllani. Emocionet u shumëfishuan në momentin kur njëri nga pjesëtarët e ansamblit solli flamurin kuq e zi në skenë.

Po ashtu Trupa e Ansamblit “Shota”, prezantoi tri valle të fuqishme të cilat erdhën në koreografinë e Fehmi Shaqirit, vallja “Festa e Bashkimit” është ajo që bëri publikun të krijonte një muzikalitet edhe më të fuqishëm përmes duartrokitjeve të ngadalta, e shpesh fishkëllimave të zgjatura. Të gjithë interpretuesit u pritën dhe u përcollën me orkestrën që qëndroi pa lëvizur në skenë. Kjo valle arrin në momentin më të bukur kur pasi burrat përfundojnë vallen e tyre, vihen përballë njëri tjetrit dhe me duart e ngritura lart duartrokasin lojën e valltareve të cilat të vendosura në një rreth lëvizin lehtë duart e tyre. Plisi dhe shamia e kuqe ishin dy simbole që nuk u mungonin pothuajse asnjërit nga interpretuesit.

Po ashtu me interpretime të fuqishme erdhën edhe këngëtare e njohur si Violeta Kukaj–Retkoceri, Mirvete Bajrami- Haziri, Riza Bytyçi e Liridon Sadriu.

Koreografi Fehmi Shaqiri tha për KultPlus, se edhe pse ka një jetë që merret me art, kjo natë i solli emocione të jashtëzakonshme.

“Në nëntor kemi dy tregime shumë të mëdha, nëntori për ne është histori, është gjakosje për atë liri që në mënyrë të padrejtë na e kanë mohuar. Kam tetë vite që punoj me “Shotën” dhe më bëhet shumë qejfi sepse ishin kombinuar shumë bukur edhe me vokalin pasi që Ylber Asllani ka punuar jashtëzakonisht mirë. Programi ka qenë shumë mirë i menaxhuar sepse nuk është e thjeshtë që koncerte tematike të momente të tilla siç është Pavarësia e vendit apo figura historike si është heroizmi i Adem Jasharit dhe e them me sinqeritet se kam një jetë që kam kaluar me art por sonte jam emocionuar jashtëzakonisht shumë. Në Kosovë gjej një mbështetje të jashtëzakonshme dhe është një ndjenjë e përkryer të punosh me ansamblin “Shota”, puna e tyre është vërtetuar edhe me trofetë ndërkombëtare që kanë marr ata dhe janë pikërisht këta që përfaqësojnë kulturën kombëtare të gjithë kombit”, pohoi Shaqiri, duke vazhduar të thotë se edhe pse ka shumë vite që punon me valltarët këtë natë ishte i magjepsur nga loja e tyre.

“U ndjeva jashtëzakonisht i kënaqur dhe ndonjëherë më hidhej të ngjitesha në skenë dhe t’i përqafoja të gjithë”, tha përplot emocion koreografi Shaqiri.

Drejtori artistik i këtij programi, Ylber Asllani tha për KultPlus, se ansambli “Shota” edhe me këtë koncert e dëshmoi që dita e ditës po rritet në aspektin kualitativ mirëpo ai po ashtu theksoi se kjo mbrëmje do duhej të vinte pikërisht në Ditën e Flamurit, gjë që atyre u pamundësohet për shkak të mungesës së një salle.

“Ansambli si ansambël shtetëror e ka strukturën e vet dhe organizimi nuk është aspak probleme për neve, problemi ynë kryesor është salla sepse gjithmonë duhet të kërkojmë lejë. Nuk varet preje neve se ku dhe kur do ta bëjmë koncertin, është një detaj i vështirë për neve për arsye se ky koncert i konceptuar në këtë mënyrë ishte dashur të jetë pikërisht në Ditën e Flamurit dhe të transmetohet drejtpërdrejt. Ansambli po rritet dita e ditës në aspektin kualitativ dhe veçantia e këtij koncerti është gjithnjë reagimi i publikut për punën tonë për fat të mirë ne artistët dimë të ngopemi me ato duartrokitje më se të domosdoshme për neve sepse ansambli nuk paguhet aq sa duhet përkundër punës që e bën”, tregoi Asllani për KultPlus.

Valltari Besnik Grajçevci tregoi për KultPlus, disa detaje rreth organizimit të këtij koncerti ndërsa theksoi se sonte çmimi më i madh që morën janë duartrokitjet e publikut.

“Ansambli “Shota” është në kontinuitet të punës së përhershme mirëpo gjithmonë para eventeve të caktuara këshilli artistik e përpilon programin i cili duhet t’i përshtatet karakterit të manifestimit dhe mbi atë përgatitje dhjetë ditë bëjmë përgatitje teknike, komisionale dhe artistike për nivelin e duhur që prezantuam sot. Jemi munduar që edhe në këtë program t’i përmbahemi qëllimit të festes së 28 Nëntorit, daljes publike të UÇK -së dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jasharit. Për artistin çmimi më i madh është duartrokitja e publikut, andaj mendojmë që sonte kemi sjellë emocion dhe kemi shprehur vlera që publiku u nda i kënaqur dhe ka festuar me zemër”, tha Grajçevci për KultPlus.

Koncerti i radhës nga ansambli “Shota” do të shfaqet në Gjilan më 27 Nëntor, me rastin e zbulimit të shtatores së Idriz Seferit./ KultPlus.com

ShKA Agimi sonte sjellë koncertin “Në mbrojtje të vlerave kulturore dhe artistike të shoqërisë’’

Sot më 26 nëntor në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, me fillim nga ora 19:30, vjen koncerti i ShKA Agimit, kushtuar 28 Nëntorit Ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.

Veçantia e koncertit të sivjetmë për Ditën e Flamurit është rikthimi pas shumë vitesh i emrave të njohur në repertorin e Agimit. Koncerti vjen me një program shumë cilësor, me performancës të korit nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, oktetit nën udhëheqjen e Besim Berishës, orkestrës nën udhëheqjen e Kastriot Markut, grupit të valltarëve nën udhëheqjen e Luljeta Brahës dhe Blerim Gashit, valltarëve veteranë nën udhëheqjen e Mazllum Karamanit dhe rapsodëve udhëhequr nga Tomë Sokoli. Një numër solistësh, emra të njohur të artit në Kosovë si Rina Bilurdagu, Neki Emra, Elizabeta Krasniqi, Denik Prizreni dhe Agim Tejeci do të jenë gjithashtu pjesë e programit të koncertit.

Koncerti për nder të Ditës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA Agimit. Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piedestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, në mbrojtje të vlerave kulturore dhe artistike të shoqërisë, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve./ KultPlus.com