Festivali Botëror i Arkitekturës, lista e ngushtë për vitin 2021

Çmimi i Festivalit Botëror të Arkitekturës shpall listën e ngushtë të vitit 2021, duke festuar ndërtesat dhe peizazhet e përfunduara në të gjithë botën midis 2019 dhe 2021.

Lista e ngushtë prej 200 personash është përzgjedhur nga më shumë se 700 aplikime. Tema për festivalin 2021 është: Rivendosja e qytetit: Gjelbërimi, Shëndeti dhe Urbanizmi, transmeton KultPlus.

Më poshtë mund të gjeni disa nga objektet garuese për çmimin e Festivalit Botëror të Arkitekturës./KultPlus.com

Tirana në Bienalen e Venecias, Veliaj: Prezantojmë një pjesëz të historisë tonë

Një pjesë e mjedisit urban të Tiranës do të shkojë në Bienalen e Venecias. Në edicionin e 16 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës, në Bienalen e Venecias 2018, Shqipëria do të përfaqësohet me projektin “Hapësira zero”, i cili ka zgjedhur portat e vjetra të marra nga banesa në kryeqytet, si element për të shpjeguar Tiranën ku bashkëjetojnë e vjetra me modernen.

I pranishëm në prezantimin e këtij projekti, që mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi idetë e prezantuara dhe pritshmërinë e lartë për pavionin shqiptar.

Ai u shpreh i entuziazmuar për përfaqësimin e vendit tonë në Bienalen e Venecias, si një mundësi për të prezantuar një pjesëz të Shqipërisë në botë.

“Me çelësin e dyerve do të takohemi në Venecia. Është një fabul fantastike. Historia jonë duhet treguar. Jemi të lumtur që do shkojmë ta tregojmë historinë tonë falë këtij grupi historik dhe që jam i sigurt se do të na bëjnë shumë krenarë”, nënvizoi ai, përcjell GSH.

Veliaj shtoi se Tirana është një nga qytetet më me jetë, i mbushur me plot sfida dhe ku ia vlen që të jetosh.

“Në punën time qëllon që takoj shpesh shumë kryetarë bashkie të qyteteve më të zhvilluara, të cilët kanë infrastrukturën, pra tramin, metrotë, ndërtesat luksoze, rrugët me infrastrukturë shumë moderne, por s’kanë njerëz, s’kanë jetë. Nëse do të kisha një zgjedhje midis kësaj Tirane me shumë sfida në infrastrukturë dhe një qyteti me infrastrukturë perfekte, por pa jetë, ku çdo gjë mbyllet në orën 17, do të zgjidhja Tiranën. Kam përshtypjen se, për të gjithë ne që kemi zgjedhur Tiranën, si vendin ku të jetojmë e ku kemi familjet tona, kjo vepër është konfirmimi i kësaj zgjedhjeje që kemi bërë. Kemi zgjedhur të jetojmë me shumë sfida në infrastrukturë, por me jetë kudo”, tha kreu i Bashkisë.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nënvizoi se projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë bienale sjell jo vetëm një ide, por mbi të gjitha qytetari.

“Erioni e ndërton dhe e zhvillon bashkë me ekipin e tij në Bashki, ndërsa Ministria e Kulturës ka marrë përsipër përgjegjësinë ta transformojë në një projekt, që përmes arkitekturës ta përcjellë artistikisht në një publik ndërkombëtar, me një kalendar shumë të ngjeshur 6-mujor, duke synuar që të shkojmë jo vetëm në Venecia, por përtej Venecias, përtej Italisë, të bëjmë një ekspozitë shëtitëse. ‘Kati zero’, që ne në shqip i themi kati përdhes, atje ku ndodh gjithçka, ku është Tirana jonë me zhurmë, me ndryshim, pa zhurmë, me imazhe, me zërin e njerëzve që çdo ditë të jetojnë, çdo ditë të gëlojnë nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë bashkë duam ta çojmë si një pasaportë në këtë ekspozitë botërore të arkitekturës”, deklaroi Kumbaro.

Seria e dyerve, e instaluar në “Hapësirën zero” linjëzon kalimin mes të brendshmes dhe të jashtmes në urbanistikën bashkëkohore të Tiranës, karakterizuar nga prania e shumë dyqaneve, punishteve, kafeneve, të pranishmë kudo nëpër qytet dhe pothuaj 24 orë në shërbim të qytetit.

Pasuri e një kulture antike, e adaptuar në mënyre kreative me nevojat e përditësuara të qytetarëve për një hapësirë totalisht në dispozicion, një hapësirë të lirë për publikun. Për këto arsye, “Hapësira zero” e Tiranës ridimensionon qytetin në shkallë njerëzore, duke u kthyer tashmë në këtë hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten./ KultPlus.com

“Hapësira zero” përfaqëson Shqipërinë në Bienalen e Venecias 2018

Projekti “Hapësira zero” përfaqëson Shqipërinë në Bienalen e 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës, Venecia 2018.

Ministria e Kulturës shpall projektin që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2018. Projekti fitues është “Hapësira zero”, i paraqitur nga Commonsense, Studio/PRGBR Architektur FABLAB, Tirana.

Ky projekt u përzgjodh nëpërmjet një thirrjeje të hapur për projekt-propozime (2 gusht – 3 nëntor 2017), shpallur nga Ministria e Kulturës në rolin e komisionerit të pavijonit të Shqipërisë, në vijim të tre fazave të procesit selektiv, nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga: Gëzim Qendro, Bekim Ramku, Simon Battisti, Adelina Greca dhe Arta Dollani.

Anëtarët e jurisë arritën në përfundimin se ky është projekti më i mirë dhe ekipi më bindës për realizimin e suksesshëm të pavijonit shqiptar në Bienale, i cili përmbush kriteret e paraqitura në thirrjen e hapur.

Juria u frymëzua nga lidhja e propozuar nga ekipi midis Venecias dhe Tiranës për të sjellë një pjesë të mjedisit urban të Tiranës në Venecia, një pjesë që Tirana po humbet në procesin e zgjerimit urban / rindërtimit.

Projekti “Hapësira zero”

Ridimensionimi i Tiranës, i qytetit në shkallë njerëzore, duke u kthyer në një hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten. Ekipi përkthen dhe interpreton natyrën e çastësishme të jetës së Tiranës, kap një moment nga fluksi i saj dhe ja dorëzon atë publikut të Biennales. Një instalacion që interpreton pozitivisht një fenomen që lind si social, por që përkthehet në një energji që modelon nëpërmjet arkitekturës së qytetit të gjithë mënyrën tonë të jetës, në një pikëtakimi domethënëse të njeriut me hapësirën. Tirana hap dyert e saj komode, plot ngjyra dhe tinguj primordialë, në Biennalen e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës./ KultPlus.com