Jahjaga kërkon mbështetje për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kërkuar mbështetje nga të gjitha institucionet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, për të iu ofruar atyre drejtësi si dhe një ri-integrim më të lehtë në shoqëri. KultPlus.com

Këto komente ajo i ka bërë gjatë pjesëmarrjes së saj në konferencën “Speak Up on Time” të organizuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Në konferencën “Speak Up on Time” të organizuar nga Insituti i Mjekësisë Ligjore fola për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit të të gjithë akterëve relavantë në mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri. Theksova se, për të bërë këtë, ne kemi punuar, por duhet të punojmë akoma më shumë në disa rrafshe: në aspektin ligjor, atë institucional, social, ekonomik dhe në ofrimin e qasjes në drejtësi për të mbijetuarit”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Fillon fushata ‘Ma thuaj me kohë – dhuna seksuale është krim’

Instituti i Mjekësisë Ligjore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, organizojnë tryezën me temën ‘Ma thuaj me kohë – dhuna seksuale është krim’, me të cilën nis fushata në lidhje me ruajtjen e provave biologjike në rastet e dhunës seksuale.

Në këtë tryezë merr pjesë edhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Fushata ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për situatat e mundshme që i ekspozojnë kategoritë e ndjeshme në rrezikun e të qenit viktimë e dhunës seksuale/KultPlus.com

Delegacioni i Kosovës dëshmon në Parlamentin Italian për dhunën seksuale gjatë luftës

Një delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga në përbërje të cilit ishin deputetët Mexhide Mjaku-Topalli, znj.Saranda Bugujevci si dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Znj Vasfije Krasniqi-Goodman, të mërkurën me 26 qershor dëshmoi për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës në dy dhomat e Parlamentit Italian, transmeton KultPlus.

Takimi i parë i delegacionit u zhvillua në Senatin e Republikës, me kryetaren e Komisionit Parlamentar të Hetimeve mbi Feminicidin (vrasje e grave) si dhe mbi të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, senatore Valeria Valente, Ndërsa gjatë pasdites delegacioni u prit nga Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Deputetëve, ku përvec kryetares Marta Grande merrnin pjesë edhe disa anëtarë të këtij Komisioni. Ish-presidentja Jahjaga në fjalën e saj, pasi prezantoi shumë fakte rreth krimeve të luftës të kryer nga forcat serbe në Kosovë, në të dy takimet foli në emër të grave të dhunura gjatë luftës, dhe kërkoi nga Parlamenti Italian të ndihmojnë Kosovën në betejën ndërkombëtare për drejtësi të këtyre grave. Ajo kërkoi që të ushtrohet presion mbi Serbinë e cila vazhdon të mohojë krimet e luftës dhe strehon kriminelët. Zonja Jahjaga kërkoi miratimin e një Rezolute nga Parlamenti Italian ku të njihen dhe dënohen krimet e dhunet seksuale që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës, dhe të ushtrohet presion mbi Serbinë rreth kësaj cështjeje. Ajo shpjegoi edhe betejën me shoqërinë Kosovare e cila deri vonë këtë temë e ka konsideruar si tabu.
Më pas në të dy takimet, foli e mbijetuara e dhunës seksuale znj. Vasfije Krasniqi Goodman, e cila me emocione të shumta shpjegoi historinë e saj. Ajo shpjegoi edhe betejat me drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë, fillimisht me UNMIK-un i cili e kishte humbur dëshminë e saj dhe më pas me EULEX-in. Ajo tha se dy dhunuesit e saj ende nuk janë dënuar nga Gjykata, edhe pse ajo i ka denoncuar dhe se do të vazhdonte të luftonte për drejtësi. Zonja Krasniqi-Goodman kërkoi që serbët të dënohen për krimet që kanë bërë, po kështu shteti Serbi të kërkojë falje për ato krime.
Ndërsa kryetarja e Grupit të Grave Deputete znj. Mexhide Topalli Mjaku tha se në Kosovë nuk kanë ndodhur krime vetëm në vitet 1998 – 1999 por edhe më përpara duke rikujtuar represionin dhe shkeljen masive të të drejtave të njeriut nga pushteti serb për dekada me radhë. Ajo i ftoi deputetët italianë të vizitojnë Kosovën dhe për të pare realitetin nga afër.
Deputetja tjetër e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci rrëfeu historinë e vrasjes së familjes së saj dhe betejën për drejtësi që ka zhvilluar me ndihmën e shtetit britanik. Ajo kërkoi që shteti italian që është prezent në Kosovë të ndokojë që kriminelët e luftës të sillen përpara drejtësisë si dhe të ndihmojë në rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale.


Në Komisionin për Punë të Jashtme pasi edhe diskutime nga deputetët prezentë mes të cilave deputetja Laura Boldrini, ish-kryetare e parlamentit, e cila foli sesi ajo vetë kishte takuar me dhjetëra gra pas luftës në Kosovë që ishin dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga paramilitarët e Arkanit, dhe se do të angazhohej në zbardhjen e së vërtetës për këto krime monstruoze, dhe se është e vërtetë se nuk ëhstë bërë asgjë për këto krime.
Deputetë të tjerë që morën fjalën u shprehën se ishin të prekur nga dëshmitë e rënda që dëgjuan nga dy të mbijetuarat e luftës dhe i inkurajuan ato për guximin e treguar.
Edhe Ambasadorja Lama bëri një pasqyrë të shkurtër përpara këtij komisioni në lidhje me iniciativën e hapjes së gjykatës për krime luftë në Kosovë menjëherë pas luftës, por që nuk u themelua nga ndërkombëtarët me arsyetimin se do të ndikonte negativisht në armiqësimin e mëtejshëm të shqiptarëve dhe serbëve dhe vecanërisht me nënvlerësimin e krimeve të dhunës seksuale nga misionet ndërkombëtare. Ajo kërkoi që tani që ekziston një atmosferë tjetër edhe në nivelin ndërkombëtar rreth dhunës seksuale të përdorur si taktikë lufte, Italia të angazhohet në kushtëzimin e Serbisë në procesin e integrimit europian, në mënyrë që të njohë këto krime dhe të bashkëpunojë për të sjellë kriminelët përpara drejtësisë.

Këto aktivitete u realizuan nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali, në kuadër të internacionalizmit të njohjes së dhunimeve seksuale në Kosovë si mjet lufte, të nënshtrimit dhe poshtërimit të popullit të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit./KultPlus.com

Jahjaga: Madeleine Albright, njëra nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë

Madeleine Albright, ish-sekretarja e SHBA-ve, zonja më e respektuar për shqiptarët, sapo ka arritur në Kosovë për të ju bashkuar festimeve për shënimin e 20-të vjetorit të lirisë së shtetit kosovar, ku me këtë rast ajo nesër do të mbajë një fjalim për ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka pritur në aeroport Madeleine Albright prej ku ka ndarë edhe disa fotografi të cilat i shoqëroi me një falënderim të veçantë për ish-sekretaren e SHBA-ve për gjithë kontributin e saj dhënë për vendin tonë në kohën më të vështirë. Ajo është shprehur krenare që ka pritur Albright duke e konsideruar si një nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe Pavarësinë e vendit tonë.

“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright- njërën nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen.

Përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Jahjaga në Facebook. / KultPlus.com

Jahjaga fton qytetarët në festimin e 20 vjetorit të NATO-s në Kosovë

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, udhëheqëse e fushatës “Për lirinë tonë”, ka deklaruar se për të shënuar 20 vjetorin e hyrjes së NATO-s, janë ftuar miq të shtetit të Kosovës, ku të pranishmit do të jenë ish-presidenti i ShBA, Bill Clinton dhe ish-sekretarja e shtetit, Madeleine Albright dhe shumë personalitete të rëndësishëm.

Jahjaga në një konferencë për media ka thënë se më 12 qershor në orën 11:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të mbahet manifestimi qendror.

“Në këtë ngjarje ftojmë të jenë të pranishëm edhe qytetarët e Kosovës, sepse është një datë historike për vendin tonë”, tha Jahjaga.

Ajo shtoi se ftesa kanë dërguar edhe te të gjithë vendimmarrësit në rajon, ndër ta edhe ish-kryeministri, Sali Berisha. /rtv21 / KultPlus.com



Në mesin e grave të portretizuara në instalacionin “Rimarrje” edhe Vasfije Krasniqi Goodman

Bujar Meholli

Përmes instalacionit “Rimarrje” portretet e 99 grave dhe vajzave u vendosën në monumentin e Newbornit, dhe do të qëndrojnë nga sot  (7 qershor ) deri më datën 14 qershor. Kjo seri interaktive e portreteve feston forcën, këmbënguljen e kontributin e grave nëpër sektorë të ndryshëm për drejtësi e barazi, shkruan KultPlus.

20 vjet pas përfundimit të luftës, gratë kosovare po rivendosin rrëfimet e tyre si lidere, inovatore, edukatore, artiste e atlete.

Në mesin e grave të portretizuara në ketë instalacion janë disa nga figurat e rëndësishme si: Vasfije Krasniqi Goodman, Atifete Jahjaga, Feride Rushiti, Jeta Xharra, Fëllanza Beqiri – Hoxha, Adelina Berisha etj.

E pranishme gjatë këtij aktiviteti ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila përgëzoi projektin të cilin e cilësoi si të domosdoshëm për rolin e gruas.

“Ky projekt është i domosdoshëm për rolin e gruas në Kosovë, rol të cilin e ka luajtur dekada me radhë dhe po inaugurohet në një moment shumë të rëndësishëm. Jemi vetëm disa ditë afër shënimit të 20-vjetorit të lirisë së Kosovës dhe ky projekt na pasqyron ne si shtet i ri. Jo rastësisht është vendosur përballë  monumentit të Heroinave, që po ashtu ka rëndësinë e vet për rolin e gruas në Kosovë, për angazhimin e saj, përkushtimin, e kontributin në këto dekadat e fundit dhe kjo përfaqëson më së miri se sa ka dhënë gruaja për Kosovën sepse ajo ka qenë pjesë e të gjitha proceseve në të cilat shteti ka kaluar, jo vetëm gjatë periudhës së rezistencës dhe luftës por veçanërisht edhe gjatë proceseve të shtet ndërtimit të Kosovës”, tha Jahjaga.

Ajo bashkëbisedoi me gratë dhe vajzat e pranishme në këtë ngjarje, derisa grupe fëmijësh bënë fotografi me të para monumentit të Ne7bornit, që gjatë këtyre ditëve do të ketë pamje të re dhe të veçantë./KultPlus.com