‘Intertitles’,  eksplorimi nëpër normat dhe hierarkitë e zakonshme të shoqërisë përmes skicave

Të enjten e 23 gushtit, në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita ‘Intertitles’ nga Bekim Zeqiri, përcjell KultPlus.

Vetë titulli ‘Intertitles’, term ky që u përdor për herë të parë në kohën e filmave pa zë, edhe në këtë ekspozitë që shfaqte piktura të mëdha me prapavijë të zezë e me skica të bardha, shfaqte në një mënyrë ose tjetër të fshehtat e skenës.

Frymëzuar nga mekanizmat e teatrit, para publikut që kishin zënë hapësirat e Galerisë Kombëtare, u paraqitën skenografi të skicuara, udhëzime skenike të shkruara në skenar dramatik dhe dialogu mes aktorëve.

Skicat e Bekim Zeqirit, ndonëse me vetëm dy ngjyra, tentojnë të eksplorojnë normat dhe hierarkitë e zakonshme të shoqërisë tonë për humorin dhe ironinë për t’i përmbysur këto konventa.

Vetë artisti Bekim Zeqiri, tha për KultPlus se duke e marrë parasysh që piktura është një prej mediumeve më të përdorura, e cila edhe  e ka definuar kulturën botërore, ai mundohet që të gjejë të jashtëzakonshmen te e zakonshmja për t’i paraqitur në pikturat e tij.

“Rrëfimi në pikturat e mia është i ndryshëm, përpiqem të kem diçka më të natyrshme, që na ikë prej momentit, diçka me të cilën jemi të mësuar dhe nuk i kushtojmë vëmendje, e ajo më intereson shumë, ajo nënvetëdija jonë. Diçka që e kemi krijuar në rutinë, diçka që është njerëzore dhe shumë e natyrshme”, tha Zeqiri duke shtuar mes tjerash se thjeshtësia vjen më shumë prej vizatimit dhe idesë së procesit të punës.

Ndërkaq, kuratorja, Carolyn London, e cila vjen për herë të parë në Kosovë, shpjegon për KultPlus konceptin e ekspozitës.

“Koncepti i ekspozitës është ‘Intertitles’ dhe kjo frazë vjen nga bota e filmit pa zë dhe kjo është një frazë që përdorej në atë kohë sepse paraprinte veprimin ose disa personazhe ose atë që do të ndodhë në skenë pa asnjë zë, pa asnjë dialog. Pra, një pjesë e madhe e asaj ndjenje pezullimi, shumë e asaj ndjesie pritje po reflektohet në këto piktura. Dhe nëse shikoni nëpër kanavacë ju do të shihni që ka karaktere që flasin frazat e tyre të vogla, fjalët e vogla të tyre.”, u shpreh London.

Ndërkaq, ju kujtojmë që të gjithë të interesuarit që duan ta vizitojnë ekspozitën ‘Intertitles’, aoj do të jetë e hapur në GKK deri më datë 20 prill 2023./ KultPlus.com

Më 23 mars në GKK hapet ekspozita ‘Intertitles’ nga Bekim Zeqiri

Më 23 mars, në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita ‘Intertitles’ nga artisti Bekim Zeqiri.

Përmes një koleksioni pikturash të mëdha të punuara me ngjyrë të zezë, akrilik dhe ngjyra të shtëpive, Intertitles përçon tensionin mes mungesës dhe të menjëhershmes. Fraza Intertitles për herë të parë u prezantua në periudhën e filmave pa zë dhe i referohet një fjale ose një grup-fjalësh të cilat shfaqen në ekran gjatë filmit por që nuk janë pjesë e skenës. Fjalët dhe frazat e tilla zakonisht përdoren për të treguar dialogun e rradhës, për të përshkruar një veprim ose për të dhënë kontekst rreth skenës.

Frymëzuar nga mekanizmat e teatrit – skenografi të skicuara, udhëzime skenike të shkurara në skenar dramatik dhe dialogu mes aktorëve – në punët e Zeqirit fjala e shkruar është një element që përvijon veprimin përpara e e pezullon, duke trubulluar hapësirën mes pikturës dhe performancës.

Duke u përpjekur që vazhdimisht të sfidojë supozimet e vizitorëve për atë që është “e vërtetë” dhe atë që është e konstruktuar. Imazhet e Zeqirit eksplorojnë normat dhe hierarkitë e zakonshme shoqërisë tonë për humorin dhe ironinë për t’i përmbysur këto konventa.

Shkalla e punës së Zeqirit kërkon një reagim fizik. Sipërfaqet e mëdha të hapësirës negative ilustrojnë zbrazëtirën. Madhësia e pikturave ngjallë një ndjesi të menjëhershmërisë, sikurse jeni ulur në rendin e parë në kinema dhe imazhi është duke ju afruar. Duke shtuar intertitles në një imazh të pikturuar, gjuha na ofron një kontekst shtesë për pikturën dhe e fton publikun të angazhohet në aspektin vizual dhe në atë të shkruar të imazhit.

Në botën e Intertitles, fjalët janë edhe të çmuara edhe të tepërta; ato tregojnë veprime dhe njëkohësisht e lënë shikuesin në një gjendje pushimi të përhershëm.Ekspozita është e kuruar nga Carolyn London, shkrimatare, drejtoreshë kreative dhe kuratore nga qyteti i Nju Jorkut.

Ndëraq, Para-premiera për media dhe gazetarë mbahet më 23 mars nga ora 18:00 deri 19:00./ KultPlus.com

Rezistenca pjesë fundamentale e artit bashkëkohor, Behluli: Ajo tenton të duket sa më autentike dhe e sinqertë

Uranik Emini

Përpara Teatrit të Qytetit të Gjilanit po mbledheshin një grup i njerëzve që kishin shprehur interesim për të parë ekspozitën e kuratorit Mehmet Behluli, i cili përmes një diversiteti artistësh po bëhej gati që të prezantonte përpara publikut ekspozitën e tij të titulluar me shumë kujdes, “Rezistenca”, shkruan KultPlus.

Rezistenca e vazhdueshme e komunitetit artistik, e shprehur sidomos gjatë kohës së luftës dhe masave të dhunshme në vitet e 90-ta, ndikuan që Teatri i Gjilanit të marrë statustin e atij profesionist vetëm pak kohë pasi të përfundonte lufta.

Me një elaborim të rezistencës në aspektin teorik, si dhe qëndrueshmërinë e paraqitur ndër vite përmes artistëve dhe rrugëtimit të tyre, kuratori Mehmet Behluli e bëri hapjen e kësaj ekspozite.

“Vitet 90-ta ishin të tmerrshme nga ardhja e Millosheviqit në pushtet, kur çdo gjë shqiptare pushoi së funksionuari dhe si pasojë e represionit të regjimit të tij të radikalizuar dhe agresiv, u imponua domosdoshmëria e rezistencës, pasi njerëzit u larguan nga objektet publike me dhunë, e që në mënyrë të natyrshme shtoi ‘rezistencën’. Edhe artistët paraqitën rezistencën e tyre në mënyrë artistike, ndonëse nuk ishte hera e parë që ata tentuan që përmes artit të tyre si mjet e vegël, të rezistonin, siç ishte rasti i bacë Adem Demaçit, i cili pikërisht me artin e tij letrar iu kundërvu represionit të kohës”.

Ai tregoi se “Rezistenca” e pas luftës së vitit 1999, ishte rezistencë ndaj shumë padrejtësive e sfidave, në kohë tranzicioni të gjatë, dhe duke kulmuar me rezistencën e sotme të artistëve bashkëkohorë, si rezistencë ndaj vetes.

Artistët e mirënjohur Jakup Ferri, Abedin Azizi, Brilant Milazimi, Agron Blakçorri, Fidan Bejtullahu dhe Bekim Zeqiri, përmes mediumeve të ndryshme sikurse videove, pikturave, instalacioneve u munduan të përçonin jo vetëm aspektin e jashtëm aritstik, por një mori kuptimesh që vizitorët mund t’i sendërtonin në përputhje me personalitetin e tyre, traditat kulturore dhe shoqërore që përfaqësonin dhe aspektet profesionale në sfondin e tyre individual.

Në një prononcim për KultPlus, Behluli tenton që të shpjegojë gjithnjë se politika dhe arti nuk duhen të përzihen me njëra tjetrën, pasi as njëra e as tjetra nuk luftojnë mes vete.

“Politika dhe arti e konsiderojnë njëra tjetrën sikurse armiq, por realisht kjo gjë nuk qëndron aspak”.

Duke tentuar që fjalën “Rezistencë” ta paraqes gjithnjë si një “luftë” më vetvete, Behluli tha se Rezistenca dhe koncepti i saj nuk është rezistenca me armikun ose me të tjerët.

“Ajo ka të bëjë pikërisht me vetvetën, si të jesh sa më shumë autentik, sa më i sinqert dhe i drejtpërdrejt dhe si rrjedhojë e kësaj të jesh normal”.

Tutje, Behluli përmendi edhe faktin se ai është munduar që përmes diversiteteve dhe mediumeve të ndryshme, të paraqes këtë ekspozitë për herë të parë në qytetin që ka lindur.

“Për mua është interesant që të prezantojë veprat e mija përpara publikut të Gjilanit, nuk kam pasur asnjëherë mundësi. Varg e Vi si komunitet artistik e ka bërë të mundur një gjë të tillë, i kam të dashtun dhe përzemër për shkak se janë entuziastë të rrallë që tentojnë t’ia shtojnë Gjilanit edhe një vlerë tjetër, siç është arti bashkëkohor. Qytetet tona e kanë problem që të kuptojnë se arti bashkëkohor është për vetvetën”, u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i Varg e Vi, Avni Shkodra, tha për KultPlus se termi Rezistencë është më autentik për të gjithë ne, kjo edhe lidhet me Flakën e Janarit.

“Realisht, themelimi i Flakës së Janarit erdhi e gjitha si rezistenë kombëtare ose si rezistencë ndaj shtypjes për kulturën dhe artin shqiptar. Ne jemi munduar që edhe tani të bëjmë një rezistencë ndaj asaj të vjetrës, duke ndryshuar në procesin organizativ, por asnjëherë duke mos humbur trashëgimin kulturore të këtij Festivalit”.

Në fund, Shkodra u shpreh i kënaqur me këtë ekspozitë dhe me gjithë reagimin e publikut, i cili nuk ishte në masë të vogël përkundër temperaturave të ftohta në vend.

E gjitha kjo ekspozitë ishte organizuar për herë të parë nga organizata kulturore, Varg e Vi, e cila në kuadër të Flakës së Janarit, gjegjësisht Penelit të Flakës”, bëri edhe prezantimin e ekspozitës në bufenë e Teatrit të Gjilanit. /KultPlus.com

May be an image of 12 people, people standing and outdoors