Përkujtohet Besëlidhja e Lezhës

Sot, Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar Besëlidhjen e Lezhës, përcjell KultPlus.

578 vite më parë, më 2 mars 1444, në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt “Besëlidhja e Lezhës”. Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.

Vendimet e kuvendit ishin:

  1. Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
  2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
  3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
    Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.

/ KultPlus.com

Albin Kurti nga Lezha: Është koha që populli shqiptar të përfaqësohet me njerëzit më të mirë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat nga Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti nga Lezha me rastin e 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, deklaroi se liderët politikë duhet të veprojnë e të mendojnë sikurse do të vepronte e mendonte heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu dhe dëshmorët e luftës së fundit të Kosovës.

“Sot më 2 mars teksa shënojmë përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës të besëlidhjes që është akt politik, publik i besatimit, i lidhjes së dëshirës së përbashkët, ne duhet të mendojmë e të veprojmë, duke menduar se si do të mendonin e do të vepronin nga Skënderbeu te Rilindasit tanë e deri te luftëtarët e dëshmorët ne veçanti të luftës së fundit në Kosovë”, tha Kurti.

Ai po ashtu deklaroi se tani shqiptarët duhet të përfaqësohen nga njerëzit më të mirë në mënyrë që të vijë përparimi i gjithmbarshëm.

“Duhet të ndjekim pishtarin që është bartur gjatë historisë nga brezi në brez në mënyrë që populli shqiptar të përfaqësohet me njerëzit më të mirë dhe në këtë mënyrë krizën e shumëfishtë qe e ka pllakosur ta bëjë me zhvillim e përparim të gjithanshëm. Sot këtu te flamuri kombëtar te Besëlidhja e Lezhës zotohemi për angazhim të përhershëm”, nënvizoi Kurti. / indeksonline / KultPlus.com

Kur Gjergj Kastrioti bindi princat shqiptarë të pajtohen

Një nga ndodhitë më të rëndësishme në kohën kur Skënderbeu erdhi në Arbëri ka qenë edhe Beslidhja e Lezhës, aty ku u kërkua që Arbëria të bashkohej dhe mos të luftohej më kundur njëri- tjetrit, po kundër një armiku të përbashkët, Perandorisë Osmane.

Thirrësi dhe drejtuesi i këtij kuvendi ishte padyshim Gjergj Kastrioti, biri i vogël i Gjon Kastrtiotit, që ishte larguar nga oborri i Perandorisë Osmane për të ardhur e për të çliruar trojet e tij, dheun e të parëve.

2 marsi i 1444 është njëra prej datave më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, pa dyshim se është edhe Besëlidhja e Lezhës, e njohur edhe si “Lidhja Shqiptare e Lezhës”, Kuvendi i Lezhës, apo Liga e Princërve Shqiptarë.

Besëlidhja e Lezhës u mblodh më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë. Organizatorë të kuvendit ishin prijësi i Principatës së Kastriotëve Gjergj Kastrioti. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë principatave të vendeve të Ballkanit e më gjerë të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit.

Princërit më të dëgjuar që morën pjesë ishin këta: Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë; Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjer në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan Çernojeviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues.

Krijimi i një Besëlidhje mbarëshqiptare ishte bërë mbi principe të gjuhës, dokeve dhe traditave të veçanta, në krye me Skënderbeun. Besëlidhja parashihte formimin një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si Kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e Besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe Garda personale e Skënderbeut.

Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtarë, ushqime dhe para, me qëllim për t’u mbrojtur kundër Sulltan Muratit të Dytë. Të ardhurat e ushtrisë së Besëlidhjes, në vit, vinin nga pagesat e princërve të principatave.

Lidhja e Lezhës ishte një aleancë politike ushtarake e cila bazohej në vendimet me shumicë nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes armiqësitë mbi zotërimi e tokave do të ndaleshin apo do të i paraqiteshin lidhjes e cila me vendime në bazë të shumicës do ti zgjidhte.

Kjo arrihej me lehtësi pasi që të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës forcat e tyre ushtarake i kishin vënë nën komandën e Gjergj Kastriotit i cili ato sipas marrëveshjes do të i fuste në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.

Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.

Mbi parimet e Lidhjes së Lezhës, katër shekuj më vonë ishte themeluar edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Besëlidhje të tjera autentike kombëtare, të cilat bazoheshin në kodeksin shqiptar të organizimit për mbijetesë në kushte dhe rrethana të caktuara të historisë. /konica.al/ KultPlus.com