Presidenti Begaj viziton shtëpinë e presidentit Rugova: Pa një udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj sot ka vizituar shtëpinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Presidenti Begaj me këtë rast është shprehur se pa një udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet.

“Në shtëpinë e Presidentit Rugova, misionarit paqësor që punoi për Pavarësinë e Kosovës “si pika e ujit që bën vendin në gur”. Pa udhëheqës vizionar si ai, kombi ynë nuk do të kishte sot këtë realitet”, ka shkruar Begaj./KultPlus.com

Presidenti Begaj: Gratë kanë bartur barrën e konflikteve, Kosova dy presidente gra

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka çmuar kontributin e grave në proceset e shtet ndërtimit duke përfshirë periudhën e luftës e deri te pozitat e udhëheqësisë shtetërore.

“Historia shqiptare ka parë se gruaja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm, në të gjitha sferat e jetës. Edhe Shqipëria edhe Kosova kanë shënuar përparim të dukshëm të përfshirjes se gruas në te gjitha proceset. Kosova ka pasur dy presidente gra ne 15 vjeçarin e parë të Pavarësisë së vendit”, ka thënë Begaj.

Tutje ai ka thënë se gratë në të kaluarën kanë bartur barrën më të madhe të konflikteve.

“Gratë kanë bartur barrën më të madhe të konflikteve, duke bartur barrën e poshtërimit e spastrimit etnik. Ky forum shërben jo vetëm si kujtesë kolektive, duke ndarë historitë e shkuara, por edhe është një burim shprese për një te ardhme ku gruaja e forcon paqen dhe sigurinë”, ka deklaruar Begaj.

Presidenti shqiptar ka përmendur arsimimin dhe edukimin e grave, si mjetet nëpërmjet të cilave fuqizojnë dhe rrisin kapacitetet e tyre.

“Lufta për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas kërkon angazhim të të gjithëve, le t’i kujtojmë vuajtjet dhe dhunën ndaj grave shqiptare, nga pushtuesi serb, dhe krimi nuk duhet të mbetët i pandëshkuar”, ka thënë Begaj.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj viziton Kosovën

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj është nisur sot në Kosovë me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.

Zyra e shtypit e Institucionit të Presidencës bënë të ditur se, “Presidenti Bajram Begaj do të mbajë një fjalë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqe dhe Siguri që zhvillohet në Prishtinë ditën e nesërme, në datën 15 prill 2024.

Po ashtu, njoftohet se kreu i shtetit do të ketë një takim kokë më kokë me Presidenten Osmani si edhe disa takime bilaterale me personalitete të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare./rtsh/KultPlus.com

Presidenti Begaj liron rreth 700 të burgosur

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, e ka nënshkruar sot dekretin “Për dhënie amnistie”.

Nga vendimi i Begajt, do të përfitojnë rreth 700 të burgosur, raportojnë mediat shqiptare transmeton Klankosova.tv

Ky ligj u miratua të enjten e kaluar më 4 prill.

110 deputetë votuan pro kur socialistët dhe deputetët opozitarë të Rithemelimit bashkuan votat bashkë dhe me dy deputet/ të grupit demokrat Basha.

“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, firmosi sot dekretin nr. 139, datë 09.04.2024, “për shpalljen e ligjit nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”’, thuhet në njoftimin e presidencës.

Presidenti Begaj për Pashkët: Të festojmë së bashku me besim dhe shpresë për një të nesërme më të mirë

Presidenti shqipar, Bajram Begaj, ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.

Përmes një shkrimi në facebook, Presidenti Begaj ka thënë që kjo festë të festohet, me shpresën që e nesërmja të jetë më e mirë.

“Për shumë mot Pashkën, të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë!
Në këtë ditë të bekuar, le të gëzojmë e të festojmë të gjithë së bashku me besim dhe shpresë te Zoti për një të nesërme më të mirë.
Gëzuar, dhe qoftë për të gjithë Pashkë e Shenjtë!”, ka shkruar Presidenti Begaj./KultPlus.com

Presidenti Begaj reagon për kalimin e Raportit për anëtarësimin e Kosovës në KiE: Arritje e merituar

Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka reaguar pasi ka kaluar pika e Raportimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës të mbajtur në Paris të Francës.

Përmes një shkrimi, Presidenti Begaj ka deklaruar se kjo arritje e merituar dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane.

“Arritje e merituar e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.

Kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane” thuhet në shkrimin e Presidentit Begaj./KultPlus.com

Presidenti Begaj: Heroizmi i UÇK-së dhe viktimat e luftës ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza për ndërhyrje në Kosovë

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, ka përkujtuar 24 Marsin e vitit 1999, ku 25 vite më parë NATO ndërhyri për të shënuar fundin e gjenocidit serb në Kosovë.

Presidenti Begaj ka thënë se ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi, duke krijuar kornizë të sigurtë për gjithë rajonin.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Presidentit Begaj:

Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA!

25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.

Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.

Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.

Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin.

Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik.

Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.

Akti historik i NATO-s na kujton se nuk duhet t’i ndalim përpjekjet tona për të krijuar një rajon që rrezaton harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet.

Teksa falënderojmë ndihmën e paçmuar të Aleancës më të fuqishme të botës dhe të partnerit tonë strategjik, SHBA-së, sot përkujtojmë edhe sakrificat e kombit shqiptar, luftën heroike të UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.

Ata ndërtuan piedestalin ku u ngrit kauza e drejtë e ndërhyrjes në Kosovë. Nder përjetë heronjve të kombit!/KultPlus.com

580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Begaj: Bashkimi është forca përballë çdo kërcënimi

Presidenti Bajram Begaj  e cilësoi Besëlidhjen e Lezhës si dëshmi e unitetit, guximit për liri dhe shembull të qëndresës në fjalën e mbajtur në ceremoninë e kremtimit të 580-vjetorit të kësaj ngjarjeje madhore historike në Lezhë.

“580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës shënon një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë mbarëkombëtare. 2 Marsi 1444 qëndron si dëshmi e unitetit, guximit dhe përkushtimit të shqiptarëve për liri e pavarësi. Nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut ne mbetëm të gdhendur në kronikat më të rëndësishme evropiane të kohës e shekujve më pas, si shembull i qëndresës dhe guximit për të gjithë Evropën”, u shpreh Presidenti Begaj.

Sipas Presidentit, bashkimi i shqiptarëve në Lezhë 580 vjet më parë mbetet një lajtmotiv evropian i qëndresës së përbashkët kundër çdo agresioni.

“Sot, faktori shqiptar në Ballkan vijon të luajë rol thelbësor në paqen dhe orientimin perëndimor të rajonit. Në kushtet e sotme gjeopolitike, ku sfidat dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të popujve, përfshi atyre të Ballkanit, dhe integritetit territorial evropian, janë aktuale, veçanërisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, Besëlidhja e Lezhës e roli i historik i shqiptarëve marrin një rëndësi të veçantë”, shtoi ai.

“Ato na kujtojnë se bashkimi dhe solidariteti janë thelbësorë për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe të lirisë. Ato na mësojnë se përballë sfidave nuk mund të qëndrojmë të ndarë, por vetëm të bashkuar”, u shpreh Presidenti Begaj.

Presidenti u ndal edhe tek historia e arbëreshëve dhe përpjekjeve të tyre për të ruajtur identitetin kombëtar.

“Arbëreshët, duke ruajtur gjuhën, zakonet dhe kulturën shqiptare, janë dëshmi e gjallë e bashkimit dhe forcës së identitetit shqiptar që mbijeton pavarësisht kufijve dhe kohës. Ata tregojnë se edhe larg dheut amë, zemra shqiptare rreh me të njëjtin ritëm të guximit dhe ndershmërisë, të krenarisë dhe respektit për tjetrin”, tha Begaj.

“Prania e tyre këtu sot, për të festuar së bashku, është simbolikë e një ure që lidh të kaluarën me të tashmen, duke i dhënë kuptim të ardhmes sonë.  Akti i Besëlidhjes dhe shembulli i arbëreshëve na kujtojnë se bashkimi është forca që çdo ëndërr për liri dhe prosperitet e bën të mundur dhe të pashmangshme”, shtoi Presidenti.

“Ne kemi detyrë të mbajmë gjallë historinë tonë, ku Besëlidhja e Lezhës qëndron si kujtesë e dashurisë për lirinë dhe njëri-tjetrin”, u shpreh ai.

Begaj shfrytëzoi momentin për të theksuar  në këtë ditë të shënuar të historisë shqiptare, rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe vijimit me bindje të rrugëtimit tonë drejt integrimit të plotë në BE.

“Padyshim që duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat shqiptarët përballen brenda vendit e kudo në rajon, por le të mos harrojmë se një ditë si kjo e sotmja provon aftësinë tonë  për të adresuar çdo sfidë”, tha Begaj.

“Me orientimin tonë të palëkundur evropian, le të vijojmë të ndërtojmë mbi themelet e shëndosha të vendosura 580 vjet me parë, duke qenë gjithmonë të gatshëm të përqafojmë ndryshimet demokratike”, vijoi ai.

“580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës është një ftesë sa historike, aq dhe aktuale për të ripërsëritur përkushtimin tonë ndaj kombit shqiptar.  Mbi të gjitha, le të përulemi me mirënjohje dhe të nderojmë sakrificat e atyre që para nesh u angazhuan për atdheun që ne gëzojmë sot e të ecim në rrugën që ata çelën: rrugën e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit mbarëkombëtar”, përfundoi Presidenti Bajram Begaj.

Në aktivitetet e organizuara me rastin e 580-vjetorit të Kuvendit të Lezhës merr pjesë me ftesë të Presidentit Begaj edhe një delegacion i zgjeruar arbëresh./atsh/KultPlus.com

Presidenti Begaj: Kosova, faktor pozitiv për sigurinë në rajonin tonë

Presidenti Bajram Begaj uroi sot Kosovën për 16 vjetorin e Pavarësisë duke theksuar se “sot është ditë e veçantë për të festuar. 17 shkurti shënon kurorëzimin e ëndrrave të popullit shqiptar, të Kosovës për liri dhe pavarësi”.

“Pavarësia e Republikës së Kosovës hapi një faqe të re në historinë e kombit shqiptar.
Shqiptarët do t’u jenë gjithnjë mirënjohës miqve tanë Euro-Atlantikë që na ndihmuan dhe na mbështetën në realizimin e aspiratave shekullore. Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shënoi kthesën vendimtare për popullin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës”, theksoi Begaj.

Kreu i Shtetit u shpreh se “faleminderit atyre që iu ndodhën pranë kombit shqiptar dhe zgjodhën veprimin, jo indiferencën ndaj Kosovës. Kjo ditë është rast shumë i mirë për të nderuar e vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e Kosovës, që nga Presidenti largpamës dhe i paqtë i saj, Rugova, deri te heronjtë e UÇK-së, e veçanërisht familja e Jasharëve, e cila është shndërruar në simbolin e luftës për çlirim”.

“Lindja e shtetit më të ri në Evropë ishte një sfidë, por vetëm në më pak se dy dekada, Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve dhe të një shoqërie demokratike dhe multietnike. Përmes përpjekjeve, arritjeve dhe shumë vështirësive Kosova ka sot një perspektivë zhvillimi dhe begatimi në horizont. Sot Kosova është histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara”, nënvizoi Begaj.

Presidenti Begaj tha se Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë.

“Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike të mirëqeverisjes. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy shteteve tona janë natyrshëm strategjike, me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën tonë të përbashkët Euro-Atlantike e të të gjithë rajonit”, theksoi Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh se “bashkëpunimi duhet të theksohet në aspektin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Ekonomitë e vendeve tona duhet të jenë komplementare teksa shfrytëzojnë avantazhet krahasuese për të qenë më konkurrentë në rajon e më gjerë. Natyrisht, në kontekstin e një situate sigurie të përkeqësuar në botë, prioritet duhet të marrë bashkëpunimi në fushën e sigurisë”.

“Sulmi terrorist kundër policisë së Kosovës në Banjskë, i pak muajve më parë, tregon se sa e brishtë është paqja dhe siguria në rajon.Bashkëpunimi dhe koordinimi sa më i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-në dhe BE-në është thelbësor. Po me kaq rëndësi është edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. I ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, vazhdimi i dialogut është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve, si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare”, theksoi Begaj.

Begaj tha se “dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën. Ne do të vijojmë të punojmë për njohje të vazhdueshme ndërkombëtare dhe bashkërisht të promovojmë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të mbështesim aspiratat e popullit shqiptar për një të ardhme më të begatë”./atsh/KultPlus.com

Presidenti Begaj përkujton ish-presidentin Rugova: Është e do të mbetet modeli i politikanit frymëzues

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së tij.

Presidenti Begaj përmes një postimi në Facebook, tha se Rugova ishte lideri paqësor e paqëtues, dhe do të mbetet modeli i politikanit frymëzues për politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ibrahim Rugova, Presidenti historik i Kosovës, lideri paqësor e paqëtues, është e do të mbetet modeli i politikanit frymëzues për politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës”, ka shkruar presidenti Begaj./KultPlus.com

Presidenti Begaj: Gjithmonë krenarë e të përunjur para veprës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka kujtuar heroin kombëtar Gjergj Kastriotin- Skënderbeun në 556 vjetorin e vdekjes, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Presidenti Begaj, Skënderbeun e ka quajtur ideator të bashkimit kombëtar dhe mbrojtës të qytetërimit perëndimor.

“Gjithmonë krenarë e të përunjur para veprës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ideator i bashkimit kombëtar, udhëheqës i Aleancës Evropiane, mbrojtës i qytetërimit perëndimor”, ka shkruar Presidenti Begaj në facebook./KultPlus.com

Presidenti Begaj niset drejt Bullgarisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të zhvillojë këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në Sofje, me ftesë të homologut bullgar, Rumen Radev.

Agjenda parashikon takimin ‘kokë më kokë’ të kryetarëve të të dyja shteteve, takimin e delegacioneve përkatëse si dhe konferencën e përbashkët për shtyp të Begajt me Radev.

Marrëdhëniet dypalëshe, roli i Shqipërisë dhe i Bullgarisë në rajon dhe me gjerë si pjesë e NATO-s dhe i organizmave të tjerë ndërkombëtare  e rajonale si dhe bashkëpunimi në kuadër të Bashkimit Evropian do te jenë në fokus të bisedës se Presidentit të Shqipërisë dhe homologut të tij bullgar, raporton Abcnews.al.

Begaj do të pritet edhe nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov.

Gjithashtu, ai do të zhvillojë një vizitë te trupat ushtarake shqiptare që janë të pozicionuara në Novo Selo, si pjesë e programit të NATO-s “Enhance Vigilant Activity”./Abcnews.al./KultPlus.com

Begaj:Të Drejtat e Njeriut, ideal i përbashkët për të cilën luftojnë popujt

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, duke e cilësuar si një ideal të përbashkët për të cilin luftojnë të gjithë popujt që çdo individ të gëzojë të drejtat dhe liritë themelore në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.

Ai, në një postim në rrjetin social, Facebook, thotë se ky dokument themelor ka shënjuar historinë e të drejtave të njeriut.

Presidenti Begaj përmend edhe rastësinë e bukur që në këtë 75-vjetor Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut, përkon sot me 75-vjetorin e krijimit. Deklarata e të Drejtave të Njeriut është ideali i përbashkët, për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet, që në mënyrë të sigurt çdo individ të gëzojë i barabartë dhe pa diskriminim liritë dhe të drejtat themelore njerëzore.  Është një përkim i bukur që në 75-vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB. Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë dhe promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë”, ka shkruar Begaj.

85-vjetori i Radio Tiranës, Begaj: Promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi zërat që kanë informuar shqiptarët përmes Radio Tiranës dhe figurat e gazetarisë që kontribuan ndër vite në ngritjen e radiofonisë shqiptare.

Presidenti e vlerësoi kontributin e Radio Tiranës për mbajtjen gjallë të lidhjeve me bashkatdhetarët jashtë vendit, të gjuhës shqipe, të patriotizmit dhe njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Radio Tirana me programet e saj për bashkatdhetarët ishte mundësia e vetme e mbajtjes së kontakteve me shqiptarët në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Radio Tirana ishte i vetmi burim informacioni në gjuhën shqipe për ta. Roli i saj në vitet 1980, me fillimin e protestave në Kosovë, ishte shumë i rëndësishëm për informimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, tha Begaj.

“Ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në unifikimin e gjuhës shqipe ndër shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, sikurse edhe në ruajtjen e pastërtisë së saj. Ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe ka qenë dhe mbetet thelbësore për identitetin tonë”, u shpreh Begaj.

“Duke qenë një ndër radiot e pakta që transmeton në disa gjuhë të huaja, ajo është,  gjithashtu, një promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj”, theksoi Begaj.

“Ky institucion mediatik e ka nisur transmetimin më 28 nëntor 1938 si radioja e parë në Shqipëri. Përgjatë këtyre viteve, Radio Tirana ka kaluar një seri peripecish, si: pushtimin italian, pushtimin gjerman dhe regjimin diktatorial, deri kur pas viteve ’90 u shndërrua në një media të lirë”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh se, “duke qenë mjeti i vetëm informativ për disa dekada, ajo u përdor nga regjimet e ndryshme si mjet propagande, por kjo nuk ia ul asaj kontributin. Radio Tirana është një pasuri që duhet mbrojtur dhe kultivuar”, dhe inkurajoi punonjësit ta kryejnë këtë mision për të gjithë dëgjuesit shqiptarë e të huaj./atsh/KultPlus.com

Presidenti Begaj: Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon

Presidenti Bajram Begaj ka organizuar një pritje në Pallatin e Brigadave në kuadër të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit.

Në fjalën e tij, Begaj pati edhe një mesazh për politikën, duke i kërkuar që të gjejnë kompromisin për t’i shërbyer qytetarëve.

“Bëj thirrje për përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend që kokulur të punoni për një Shqipëri që sundohet nga ligji, që ka prioritet të mirën e të gjithëve. Në jetën tuaj parlamentare të udhëhiqeni nga interesi kombëtar mbi dallimet ideologjike, nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi, nga përgjegjësia për të ardhmen dhe dashuria për Atdheun”, tha Begaj.

Për kreun e shtetit, 28 Nëntori është ditë kujtese, teksa theksoi se Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit.

“28 Nëntori është dita e kujtesës dhe nderimet për të shkuarën dhe frymëzimin për të ardhmen. Sot është dita që të kujtojmë me mirënjohje sakrificën e shkruar me gjak të patriotëve shqiptarë. Një vend i vogël, aktor paqeje në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit. Këto kanë të bëjnë së pari me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe finalizimit të integrimit në familjen europiane. Zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare kanë treguar se paqja nuk është asnjëherë e sigurt dhe mirëqenia asnjëherë e mjaftueshme”, theksoi Begaj.

Presidenti bëri thirrje edhe për bashkëpunim sa më të ngushtë me Kosovën.

“Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon. Bashkëpunimi me Kosovën, në pozita të barabarta si dy shtete të një kombi, duhet të jetë sa më i ngushtë, simetrik dhe përplotësues”, u shpreh Begaj./ RTSH/KultPlus.com

Në Tiranë hapet ekspozita për nder të Nënë Terezës, marrin pjesë Osmani e Begaj

Në oborrin e Pallatit Presidencial në Tiranë, është hapur ekspozita me rastin e përvjetorit të vdekjes së Nënës Terezë.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë të dy presidentët: Bajram Begaj, president i Shqipërisë dhe Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Në këtë ekspozitë janë të shfaqura fotografi e dokumente nga arkivat e 3 vendeve shqipfolëse (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut), e që kanë të bëjnë me humanisten shqiptare.

Pas këtij aktiviteti presidentet do të vendosin kurora në monumentin ‘Nënë Shqipëri’.

Kjo ngjarje po organizohet në kuadër të vizitës dy ditore të shefes së shtetit të Kosovës në Tiranë./KlanKosova/KultPlus.com

Presidenti Begaj përkujton Prof. Eqrem Çabej në 115-vjetorin e lindjes: Meriton mirënjohjen e brezave

Presidenti shqiptar Bajram Begaj, sot ka përkujtuar Prof. Eqrem Çabej, sipas tij emrin më përfaqësues të shkencave albanologjike, në 115-vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Presidenti Begaj përmes një postimi në facebook ka thënë se Eqrem Qabej për kontributin e dhënë për kombin shqiptarë meriton mirënjohjen e brezave shqiptarë në shekuj.

“Shpreh gjithë nderimin dhe mirënjohjen time si President i Republikës së Shqipërisë për Prof. Eqrem Çabejin sot në 115-vjetorin e lindjes së tij, jeta dhe vepra e të cilit e bëjnë akademikun tonë të madh emrin më përfaqësues të shkencave albanologjike.

Për gjithçka i dha vendit, popullit dhe kombit tonë, Eqrem Çabej meriton e do të meritojë përjetë nderimin dhe mirënjohjen e brezave shqiptarë në shekuj”, thuhet në shkrimin e presidentit Begaj në facebook./KultPlus.com

Presidenti Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit Charles lll

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj do të jetë pjesë e ceremonisë së kurorëzimit të  Mbretit Charles III, në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan KultPlus.

Lajmin për pjesëmarrjen e presidentit Begaj në cerëmoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles, e ka bërë të ditur ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, përmes një postimi në Twitter.

“Shumë mirë të takohesha me presidentin Bajram Begaj para vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla si një dëshmi e marrëdhënies së fortë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. I gëzuar që presidenti Begaj do t’i bashkohet liderëve botërorë për të shënjuar këtë ngjarje historike”, shkroi ambasadori King-Smith në Twitter./KultPlus.com

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj: Ermonela Jaho është ambasadore e shkëlqyer e Shqipërisë në botë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar sopranon shqiptare me famë botërore, Ermonela Jahon për çmimin “Artistja e Vitit” nga International Classical Music Awards, shkruan KultPlus.

Presidenti Begaj me këtë rast ka thënë Ermonela Jaho është ambasadore e shkëlqyer e Republikës së Shqipërisë në botë.

“Urime Ermonela Jaho, për çmimin “Artistja e Vitit” nga International Classical Music Awards! Ju jeni një Ambasadore e shkëlqyer e Shqipërisë në botë, ndaj arritjet tuaja artistike kanë duartrokitjet dhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve!”, thuhet në urimin e Presidentit Begaj/ KultPlus.com