Për të dytin vit radhazi, Musmurati realizon më së shumti premtime në Komunën e Prishtinës

Organizata joqeveritare GAP ka bërë vlerësimin e punës së Komunës së Prishtinës dhe premtimeve të bëra në fushatë. Ashtu si vitin e kaluar, edhe sivjet Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës e ka pasë performancën më të mirë sa i përket përmbushjes së premtimeve.

Drejtoria e Arsimit e udhëhequr nga Besianë Musmurati, ka realizuar apo është në proces të realizimit të 18 nga 23 premtime gjithsej, ndërsa 5 premtime tjera nuk kanë filluar ende. Përkthyer në përqindje, i bie se 80% e premtimeve në fushën e arsimit janë përmbushur ose janë drejt përmbushjes.

Janë edhe tri drejtori të tjera që ia vlen të përmenden, e që janë Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Bujqësisë dhe ajo e Shërbimeve Publike. Që të trija i kanë përbushur ose janë në proces të realizimit të rreth 70% të premtimeve.

Ndërsa në përgjithësi, Kryetari Përparim Rama nga 206 premtime gjithsej, 85 nuk i ka filluar ende. Kjo do të thotë që Komuna e Prishtinës ka filluar realizimin e përgjithshëm të vetëm 40% të premtimeve./ Nacionale / KultPlus.com

Zgjidhet problemi i çantave të rënda të fëmijëve, nis shpërndarja e dollapëve personal nëpër shkolla

Pas ankesave të vazhdueshme të prindërve për peshat e rënda të çantave të shkollës, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati, ka bërë të ditur se nga sot do të fillojë furnizimi me dollape të fëmijëve për klasat e para deri në klasat e pesta, shkruan KultPlus.

Ajo përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka treguar se cilat do jenë shkollat e para që do të furnizohen, si dhe ka treguar se sipas një hulumtimi në një shkollë fillore të Prishtinës është hasur në mospërputhshmëri peshash që Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon dhe asaj që fëmijët deri më tani kanë qenë të detyruar të bartin.

Postimi i plotë i Musmuratit:

Mëngjes tejet i lumtur sepse sot po fillojmë furnizimin me dollape të fëmijëve për klasët e para deri në klasët e pesta 🎒📚. Në çdo takim me prindërit e fëmijëve të kësaj grupmoshe kam marrë ankesa për peshën e rëndë të çantave.

Sipas një hulumtimi të bërë nga një shkollë fillore e Prishtinës, nxënësi i klasës së parë, që ka peshë trupore rreth 23 kilogramë, e bart çantën mesatarisht 4 kilogramë e 170 gramë. Ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesha fizike që bartin fëmijët nuk duhet të jetë mbi 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve, pra 2.3 kilogramë.

Pasojat në shëndet prej çantave të rënda janë të mëdha, prandaj edhe kemi reaguar që të ruajmë shëndetin e fëmijëve. Kemi blerë dollapë metalik që i rezistojnë kohës dhe që janë tejet të përshtatshëm për fëmijë. Po fillojmë me shkollat Hasan Prishtina, Ismail Qemaili dhe Naim Frashëri që të vazhdojmë në të gjitha shkollat e Prishtinës. #BashkëeNdreqim

Neve i urojmë nxënësit dhe prindërit e tyre për këtë lajm të gëzueshëm dhe shpresojmë që një shembull të tillë të fillojnë ta ndjekin edhe të gjitha shkollat nëpër komunat tjera të vendit. / KultPlus.com

Ardianë Pajaziti dhe Besianë Musmurati, anëtaret e reja të Trupit Këshilldhënës të Fakultetit Filologjik

Në mjediset e Fakultetit të Filologjisë, të hënën u mbajt mbledhja e radhës e Trupit Këshilldhënës të këtij fakulteti, ku pas ndryshimit të strukturës së TK-së, për shkak të ndryshimit të fushëveprimit të disa anëtarëve të TK-së, u bë plotësimi i këtyre pozitave me anëtarë të rinj.

Anëtare të reja të TK-së u zgjodhën Ardianë Pajaziti nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus” dhe Besianë Musmurati nga DKA e Prishtinës me të cilat u nënshkrua edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit.

Në takim, përveç tjerash, u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Fakultetit të Filologjisë dhe institucioneve të tjera e akterëve relevantë në fushën e arsimit dhe të punësimit për të diplomuarit e këtij fakulteti.

Trupi Këshilldhënës (TK) i Fakultetit të Filologjisë është themeluar në vitin 2015 dhe është njësi këshilldhënëse dhe jofitimprurëse, e paanshme dhe e besueshme ndaj vizionit të UP-së, duke u bazuar në vullnetin e mirë të anëtarëve të saj dhe përkushtimit të njësive akademike për ngritjen e cilësisë në veprimtarinë e përgjithshme të fakultetit./ KultPlus.com