Ramë Likaj: Prej nesër mësimi zhvillohet në mënyrë të kombinuar

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka njoftuar përmes një statusi në rrjetin social Facebook, se prej nesër më datë 21 shtator, nxënësit do të kthehen në shkollë me mësim të kombinuar, edhe nxënësit e klasave të shtata, teta, nënta dhe njëmbëdhjeta e dymbëdhjeta, përcjellë KultPlus.

Përveçse nëse menaxhmenti i shkollës dhe task forca e secilit institucion, pasi të ketë vlerësuar situatën, mund të vendosin për ndonjë skenar tjetër, në mënyrë që të respektohen strikt rregullat e Udhëzuesit për organizimin e mësimit në kushte pandemie’, njofton tutje Likaj.

Likaj poashtu apelon që nxënësit të jenë më të vëmendshëm dhe të respektojnë rregullat dhe rekomandimet për mbrojtje nga Covid.

‘’Ministria e Arsimit dhe të gjitha institucionet tjera relevante do të jenë në çdo kohë afër juve.
Të gjithë bashkë, mund t’ia dalim që të mbajmë shkollat hapur për Ju, për Kosovën!’’ thuhet ndër të tjera në njoftimin e ministrit. / KultPlus.com

Avdullah Hoti: Opsionet e organizimit të mësimin nga 1 shtatori janë drejt finalizimit

Kryeministri, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedë me ministrin e arsimit, Rame Likaj por dhe institucionet tjera relevante, kurse janë duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga 1 shatori.

Hoti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se janë duke zhvilluar udhëzuesit dhe rregullat të veprimit për cilëndo situatë që mund të paraqitet. Më poshtë gjeni statusin e tij të plotë:

“Sot, bashkë me zëvendëskryeministrat, diskutuam me Ministrin Likaj dhe bashkëpunëtorët e tij për fillimin e vitit shkollor. Ministri Likaj, me ekspertë të fushës, si dhe në konsultim me komunat, SBASHK-un, Këshillin e Prindërve dhe akterët e tjerë, është duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga data 1 shtator.
– Komunat dhe drejtorët e shkollave do të kenë udhëzime të qarta se si duhet të organizohet mësimi varësisht nga kushtet që kanë në shkollat e tyre.
– Mësimi online do të jetë gjithmonë aktiv.
– Janë duke u zhvilluar protokolle të veprimit se çfarë masa duhet të ndërmerren në çdo situatë që paraqitet.
– Do të ndërmerret një fushatë informuese për nxënësit dhe arsimtarët për masat mbrojtëse që duhet të zbatojnë.
– Mësimdhënësit janë duke u trajnuar për mësimin online, si dhe po punohet që të kemi listë rezervë të mësimdhënësve që mund të angazhohen sipas nevojës.
– Inspeksioni i arsimit do të jetë në mbështetje të shkollave për t’i udhëzuar për masat që duhet ndërmarrë, por edhe për të mbikëqyrë zbatimin e atyre masave.” / KultPlus.com

KB: Gati gjysma e shkollave në botë kanë mungesë të ujit dhe sapunit për duar

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 43% e shkollave në mbarë botën nuk kanë qasje në ujë dhe sapun për larjen e duarve.

Raporti i ri publikohet në kohën kur vendet po shqyrtojnë mundësitë se si të bëjnë hapjen e shkollave në mënyrë të sigurtë për shkak të pandemisë së COVID-19, raporton AP.

Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) thotë se më shumë se një e treta e 818 milionë fëmijëve në mbarë globin, të cilët kishin mungesë të pajisjeve themelore për larjen e duarve në shkollat e tyre, janë në Afrikën sub-Sahariane.

Raporti thotë se autoritetet duhet të balancojnë shqetësimet shëndetësore me ato ekonomike dhe sociale kur marrin vendim për hapjen e shkollave.

Raporti vë në dukje edhe efektet negative që ka tek fëmijët mbyllja e shkollave.

Raporti gjithashtu thotë se një në tre shkolla në të gjithë botën, ka furnizim të kufizuar ose nuk ka fare ujë të pijshëm.

Larja e duarve, sipas ekspertëve shëndetësorë është një ndër masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Numri i të infektuarve në botë ka arritur në mbi 20 milionë, ndërsa 749,372 kanë vdekur. / KultPlus.com

Letër MASHT-it nga nxënësit e klasës së katërt: Ju lutemi na lejoni të kthehemi në bankat tona

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në komisionin për Arsim ka thënë se klasa e parë dhe e dytë do të kthehen në objektet shkollore. Gjithashtu përparësi i është dhënë edhe nxënësve të klasave të gjashta pasi kanë kaluar nga sistemi me një mësimdhënës në atë me shumë mësimdhënës, si dhe nxënësit e klasës së dhjetë.

Pas këtij konfirmimi nga ana e ministrit Likaj, kanë reaguar përmes një letre, nxënësit e klasës së katërt të cilët kërkojnë kthimin në shkolla.

KultPlus ju sjell letrën e plotë:

Letër MASHTIT nga nxënësit e klasës së katërt!

Ju përshëndesim nga zemra, ju Ministër i nderuar por edhe po ju lusim nga zemra, keni mëshirë për ne nxënësit e klasës së katërt, të cilët të ardhmen e kemi në duart e juaja! Mos na leni të gjymtë, mos na i theni ëndrrat, mos na shuani shpresën. Edhe ne jemi shkollarë të vegjël, edhe ne kemi të drejtë të ulemi nëpër bankat tona. Ju lutem mos filloni prapë me skena aktrimi. Ju lutem mos na detyroni të luajmë shfaqje teatrale, mos na detyroni të dëgjojmë rekomandime (gjysmë të gabuara e të përqeshura nga shoqëria), vetë ju t’i zgjidhni model dhe ti paguani shtesë. Po na e humbni durimin. Besoni nuk është tjetër veçse një shfaqje teatrale amatore me një tufë akterësh amaterë. Po u infektuan shkalla e parë le të infektohemi edhe ne, por ju lutemi na lejoni të kthehemi në bankat tona! Kemi shumë punë për të bërë. Jemi lodhur nga skenat e rreme, jemi lodhur nga dekorimet e rreme. Na lejoni të mësojmë, ju premtojmë që do t’i ndjekim të gjitha rregullat. Kësaj radhe ju lutem mos përfitoni! Bëjeni për ne kinse jemi fëmijët tuaj. Shëndet! Klasa 4/B . / Nga mësuesja Arguriana Alaj / KultPlus.com

Konfirmohet: Klasat e para dhe të dyta do të kthehen më 1 shtator në shkolla

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në komisionin për Arsim ka thënë se klasa e parë dhe e dytë do të kthehen në objektet shkollore.

Ai ka thënë se do të dezinfektohen hapësirat shkollore dhe do të zbatohen masat tjera.

Ndryshe edhe drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në takim me kryeministrin është dakorduar që nxënësit e klasës së parë të kenë prioritet në shfrytëzimin e bankave shkollore pasi sipas tij ata kanë nevojë të familjarizohen edhe me mësimdhënësin.

“Edhe nxënësit e klasës së dytë duhet të jenë të favorizuar në këtë drejtim pasi gjysmë vjetorin e dytë ata nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin mësimet në shkolla. Edhe nxënësit e klasave të gjashtë do të kenë përparësi për shfrytëzimin e bankave shkollore pasi kanë kaluar nga sistemi me një mësimdhënës në atë me shumë mësimdhënës. Edhe nxënësit e klasës së dhjetë do të kenë të njëjtën përparësi pasi kalojnë nga shkolla fillore në atë të mesme”, tha Ibrahimi. / KultPlus.com

Dilemat për kthim në shkolla në kohë të koronavirusit

Shtetet në gjithë botën janë duke u përballur me dilema rreth mënyrës së kthimit të fëmijëve nëpër shkolla, teksa vazhdon të ketë raportime për shpërthime të reja të koronavirusit.

Në Shtetet e Bashkuara, vendin e prekur më së keqi në botë nga ky virus, me më shumë se 4.7 milionë persona të infektuar, udhëheqësit e distrikeve shkollore janë duke analizuar një varg qasjesh.

Eksperti i Qeverisë amerikane për Sëmundje Infektuese, Anthony Fauci, ka thënë përgjatë një interviste më 3 gusht se dëshiron që fëmijët të kthehen në shkollë, mirëpo një gjë e tillë duhet të bazohet në kushtet lokale.

“Pozicioni fillestar është që të tentoni sa më shumë për hapje të shkollave”, ka thënë Fauci.

“Mund të jenë disa zona kur shkalla e virusit është aq e lartë andaj kthimi i fëmijëve në shkollë nuk do të ishte praktik”, ka thënë Fauci.

“Prandaj nuk mund të kemi një deklaratë për kthim të fëmijëve në shkollë në SHBA. Varet ku jeni”.

Presidenti amerikan, Donald Trump është duke bërë presion për rihapje të shkollave, duke e bërë këtë një prej çështjeve kyçe para zgjedhjeve të muajit nëntor, pavarësisht pse territori amerikan ka regjistruar rreth 155,000 vdekje.

Kthimi i fëmijëve në shkolla konsiderohet kusht edhe për kthim të prindërve në punë, ndonëse ka shqetësime se nxënësit mund të infektohen dhe të dërgojnë virusin nëpër shtëpi.

Viti i ri shkollor fillon këtë javë në disa shtete, duke përfshirë Xhorxhian, Luizianan, Misisipin dhe Tenesin.

Në mesin e mundësive të ofruara për vitin e ri shkollor janë: shkuarja në klasa, mundësia e mësimit në distancë përmes platformave online, apo kombinimi i të dyja qasjeve.

Megjithatë rritja e numrit të rasteve me koronavirus ka nxitur disa zona që të shtyjnë mësimin nëpër klasa, të paktën në javët e para të fillimit të mësimit, duke përfshirë Llos Angjellesin, Filadelfian dhe Uashingtonin.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka thënë se do të njoftojë më vonë gjatë kësaj jave, nëse do të rihapen shkollat në këtë shtet.

Në Indiana, ku shkollat janë rihapur javën e kaluar, rritja e numrit të të infektuarve ka ndikuar në mbylljen e dy institucioneve shkollore, duke vënë në pah edhe një herë sesa i vështirë është kthimi në normalitet.

Ndërkohë që shkollat bëjnë plane, shumë mësues kanë dyshime për kthim në klasa.

Mësimdhënësit e dhjetëra shkollave kanë protestuar nga makinat e tyre rreth planeve të disa guvernatorëve për kthim në klasa gjatë kohës së pandemisë.

Për dallim nga SHBA-ja, pavarësisht pse shqetësimet për shpërthime të reja të koronavirusit janë në rritje në Evropë, dhjetëra mijëra nxënës gjermanë janë kthyer të hënën në shkollë, pas përfundimit të pushimeve verore në landin verior, Mecklenburg-Vorpommern.

Ky është landi i parë, nga 16 sa janë në total, që ka rihapur shkollat prej kur ka nisur përhapja e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, në mesin e muajit mars.

Në Amerikën Latine, pothuajse i gjithë procesi mësimor është duke u kryer përmes platformave online, apo televizionit, meqë pandemia vazhdon të rëndojë gjendjen në këtë rajon.

Meksika ka njoftuar që më shumë se 30 milionë fëmijë meksikanë do të nisin mësimin në distancë më 24 gusht, ndërkohë që ky shtet regjistron mbi 48,000 të vdekur nga COVID-19.

Sekretari për Edukim, Esteban Moctezuma Barragan, ka thënë se nxënësit do të mësojnë nga televizioni sepse 96 për qind e familjeve kanë nga një pajisje të tillë dhe se mësimi në ambiente shkollore është shumë i rrezikshëm në këtë pikë.

Në zonat rurale, nxënësit do të mësojnë përmes radios.

Moctezuma ka thënë se shumë shkolla që janë hapur, janë detyruar të mbyllen shpejt për shkak të infektimeve në rritje me koronavirus. Në Bolivi, qeveria ka njoftuar për dhënie fund të vitit shkollor, duke thënë se ka qenë i pamundshëm garantimi i edukimit në shtetin ku zonat rurale kanë probleme me qasjen në internet./REL/ KultPlus.com