Dy botë paralele “takohen” me njëra-tjetrën në Charles III

Uranik Emini

Në një cep të largët të Bjeshkëve të Nemuna në Kosovë, Edith, një kushërirë e largët e mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar, filloi një ekspeditë të jashtëzakonshme kërkimore. Kërkimi i saj e çoi në thellësitë mistike të maleve shqiptare, ku u ndesh me një botë me aventura, folklor dhe legjenda të lashta. Gjatë rrugës, ajo u përplas me personazhet mitikë nga Eposi i Kreshnikëve, një sagë e njohur për përdorimin deri në pikën e fundit të hiperbolës dhe satirës, shkruan KultPlus.

Produksioni teatror “Charlesi III”, i sjellë në jetë nga dyshja dinamike e regjisorit Agon Myftari dhe dramaturgut Jeton Neziraj, është një kryevepër komike që tërheq paralele mes dy botëve të kundërta: të shkuarës, të vendosur 300 apo 400 vjet më parë dhe të ditëve të sotme.

Kasti i “Charles III” dha një performancë magjepsëse, derisa ylli i shfaqjes në mënyrë absolute ishte Albina Krasniqi dhe mënyra se si ajo u mëshirua nga një rol në një tjetër, pavarësisht faktit se nuk ishte roli kryesor. Merita kanë padyshim Vjosë Tasholli dhe Dukagjin Podrimaj, ashtu si edhe pjesa tjetër e kastit, mes tyre Blend Sadiku dhe Dardan Gashi, shfaqën një kimi të madhe mes vete që dukej sikur ata ishin përgatitur për këto role gjatë gjithë jetës së tyre. Edhe pse u zhvilluan vetëm një muaj provë për këtë shfaqje, mbrëmë në Teatrin “Oda” u dha një performancë që la një ndikim të qëndrueshëm te audienca.

Regjisori i shfaqjes, Agon Myftari, tregoi se gjatë provës gjeneralë kanë ftuar disa miq për ta parë shfaqjen, megjithatë premira e ka të vetën.

“Po ndjehem shumë mirë, shumë çlirë. Sot po e shohim si një test të parë, por te aktorët premiera shihet më shumë sesa te unë, natyrisht ata janë në skenë dhe i kanë për detyrë me i realizu të gjitha detyrat që u kam dhënë gjatë një muaji, natyrisht që i kanë më të rëndë se sa unë që jam në publik, por kaluam shumë mirë”, thotë Myftari.

Tutje, ai thotë se është i kënaqur me produktin final të shfaqjes.

“Me aq sa unë kam mujt me pa ka qenë një shfaqje që vjen me kohë, pra po mendoj shumë dimensionale, shumë shtresore, e normalisht ka qenë e vështirë për me i nda edhe ato detyrat që i përmenda. Ka qenë një proces shumë intensiv”, u shpreh ai.

“Gjithçka nisi në tym e mjegull”, thotë Myftari duke shpjeguar takimin e tij të parë para një vit për bisedën rreth kësaj shfaqje me autorin Jeton Neizraj.

“Procesi mes meje dhe Jetonit ka nisë qysh para një viti, kemi pas një landë jashtëzakonisht të gjërë përpara, megjithë ato kangë kreshnike, megjithë ato legjenda ka ta çojmë si shfaqje, ka ta çojmë si material kemi bo hulumtime të mëdhaja, por me mbërri me pas në një draft që ka qenë finale dhe sonte si dramë të përfundume, si shfaqje të kryer në skenë”.

Ideja, sipas regjisorit, e gjithë shfaqjes ka qenë që të flasim për veten, të merremi me veten, t’i kthehemi vetes dhe siç thotë ai, pa dramë kombëtare dhe pa u marrë me vete nuk mund të ketë identitet arti kombëtar.

“Jam i lumtur që është realizu një ide e kamotshme që të merremi me gjërat tona, ato çka na dallojnë dhe na ndryshojnë prej popujve tjerë, si të mira e të këqija që i kemi, me fjalë të tjera, kemi dashtë ta kritikojmë veten, tu e dashtë veten. E gjithë këto duartrokitje frenetike dhe i gjithë ky entuziazëm prej publikut na lë me shpresë për reprizat e tjera, thotë ai.

Në anën tjetër, Dukagjin Podrimaj protoganisti kryesor në këtë shfaqje, tregon se ka qenë një shfaqje e vështirë në thelb, por janë të kënaqur me realizimin e saj.

“Kemi fillu me tekst copa-copa, fillimisht një skenë e më pas një tjetër. Megjithatë, Jetoni e ka marrë dhe e ka formësu që të vijë te ne më pas. Teksti ka shumë kreacion, ku janë diku rreth 18 skena, të cilat fillimisht kanë qenë tym e mjegull për neve, por më pas doli si satirë shumë e bukur”, tregon Podrimaj.

Dy role të shkrira në një aktor

“Po, fillimisht kemi qenë gjashtë aktorë, e më pas në mungesë të një aktori unë kam luajtur të dy rolet, atë të Charles III dhe Mujës. Nuk ka qenë aspak e lehtë me u realizu, por reagimet e publikut kanë qenë tepër të mira dhe tash po dëgjoj fjalë që po na motivojnë edhe më shumë”, thotë ai në fund.

Shfaqja mori reagime pozitive gjatë premierës së saj dhe autori shpreh krenarinë për rezultatin dhe shpreson për sukses në të ardhmen.

“Fillimisht dua të them se nuk e kam parë asnjë provë, me qëllim. Ishte hera e parë që pashë të plotë premierën dhe vërtet kalova mirë. Natyrisht, nuk më takon mua me dhënë komente për shfaqjen, po vërtet kishin bërë një punë të jashtëzakonshme para së gjithash Agoni, por edhe aktorët. Teksti është ai që është”, thotë Neziraj.

Partneriteti i regjisorit Agon Myftari dhe dramaturgut Jeton Neziraj përkundër që është i rastësishëm, është një bashkëpunimi artistik që i dhanë jetë personazheve të Mujës dhe Halilit nga epopeja e Kreshnikut, duke futur humor dhe satirë në portretizimin e tyre. Rezultati ishte një eksplorim komik që shtyu kufijtë dhe shfaqi dy pasqyra të kompleksuara të dy botëve, shekuj larg njëri-tjetrit.

“Me Agonin punojmë kështu, domethënë nisemi me folë në hava, në mjegull, e kështu kemi punu edhe për audiencën e Vasllav Havellit, kur s’ka pasë kurrgjë. Kështu kemi punu edhe tash në këtë rast, thjesht kemi nis me diskutu çka po dojmë me ba diçka, një ide me bo diçka bashkë, prapë kemi nisë me diskutu për këngët kreshnike, për heronjtë e atyre këmbëve kemi nisë me diskutu për tema të ndryshme të mitologjisë ë përrallave, por mandej procesika nisë, domethënë na ka sjellë këtë këtë materie që është, që e pamë sonte, kështu punojmë me Agonin”, shprehet autori i shfaqjes.

“Charles III” shërben si një urë lidhëse midis së kaluarës dhe së tashmes, duke ofruar një humor përmes së cilës mund të shikohet zhvillimi i vazhdueshëm kulturor. Në një botë ku shprehja “They/them” është bërë tanimë e zakonshme si një formë e vetëidentifikimit, aftësia e shfaqjes për të sipërfaq realitetin bashkëkohor e duke u thelluar edhe në kontekste historike është e jashtëzakonshme.

Të padiskutueshme ishin duartrokitjet dhe ovacionet në fund për të gjithë aktorët në krye me regjisorin që qëndron pas kësaj vepre magjike teatri.

Agon Myftari dhe Jeton Neziraj, si një binom i pathyeshëm, kanë demonstruar edhe një herë aftësinë e tyre për të mahnitur dhe ndriçuar publikun duke kritikuar në vazhdimësi përmes fuqisë së komedisë. “Charles III” jo vetëm që krahason dhe kontraston dy botë, por gjithashtu nënvizon domethënien e thellë të kritikës siç përcillet përmes mediumit të teatrit. /KultPlus.com

Rezistenca e shqiptarëve ndër vite nëpërmjet shfaqjes “Zjarri i ilegales”, publiku shpërthen në lot

Xhemile Hysenaj

Nën tingujt e ‘Rrjedhë në këngë e ligjërime’ nga zëri kumbues i Vaçe Zelës, në skenën e Teatrit Oda zuri vend një ngjarje që historisë së vendit tonë i dha kthesën më të madhe.

Bëhet fjalë për ngjarjet e vitit 1968, kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë dhe disa të rinj patriot që ishin pjesë e Organizatës Ilegale për çlirimin e Kosovës nga okupimi Jugosllav po bëheshin bashkë kundër këtij sistemi që i kishte rrënjët thellë në Kosovë e që e vetmja mënyrë për t’i shkëputur ato rrënjë, ishte rezistenca, shkruan KultPlus.

‘Zjarri i ilegales’ nën regjinë dhe skenarin e Lirak Çelaj, solli para publikut një rrëfim të ndjeshëm e tejet të rëndësishëm që ndahej në tre periudha dhe jetësohej në tre gjenerata. Kosova si pjesë e Jugosllavisë, Kosova në demonstratat e vitit 1981, Kosova në luftën e saj të fundit dhe pas luftës. Ngjarje këto që ishin vendimtare në historinë e Kosovës dhe shqiptarëve.

Mirëpo, ajo çfarë e bënte më të fuqishëm mesazhin e kësaj shfaqjeje, ishte pyetja: Çka nëse?! Çka nëse rezistenca e shqiptarëve nuk do të ndodhte? -Çka do të ndodhte pa atë grup njerëzish që kanë mbajtur gjallë zjarrin e rezistencës?!

Regjisori Lirak Çelaj, ka treguar për KultPlus se komplet realizimi i kësaj shfaqjeje ka zgjatur pak më shumë se që është paraparë si pasojë e situatës pandemike dhe poashtu edhe për shkak të vdekjes së Ukshin Krasniqit, pasi ky i fundit ishte edhe kryetekniku në Teatrin Oda.

Kjo shfaqje fliste për një zjarr që brez pas brezi kishte qëndruar i ndezur. Një temë të cilën Çelaj e kishte trajtuar me delikatesë duke arritur kështu të ngjallë emocione të mëdha tek publiku.

“Brezat e rijnë edhe ne që e kemi përjetuar kemi filluar të harrojmë dhe nganjëherë po shfryjmë vrerë në shtetin tonë duke harruar për sakrificat dhe ato që kemi përjetuar në të kaluarën. Kam tentuar t’ua risjell në kujtesë të gjithëve se ku kemi qenë dhe ku jemi sot”, ka theksuar Çelaj për KultPlus.

‘Zjarri i ilegales’ që për këtë vit shënoi premierën e parë të Teatrit Oda, erdhi dhe si dedikim për dy humbjet e mëdha të këtij teatri. Atë të Ukshin Krasniqit dhe Etrit Mehmetit. Një humbje që preku të gjithë ata që i njohën, e veçanërisht ata që punuan në këtë shfaqje.

‘Vdekja e tij na ka prekë shumë, pasi ai ka qenë dashtë me qenë atje lart e të na ndriçoj neve këtu poshtë’, theksoi aktorja Blerta Gubetini për KultPlus. Gubetini ndër të tjera, deklaroi se për rolin e Dritës, ka punuar me shumë mund, vullnet e gëzim dhe se nga gjithë ato duartrokitje ajo ka përjetuar emocione të mëdha.

‘Zjarri i ilegales’ bëri bashkë aktorët si: Allmir Suhodolli, Blend Sadiku, Blerta Gubetini, Florent Salihu dhe Gentrit Shala, të cilët me një lojë të jashtëzakonshme të artit skenik, përçuan emocione të mëdha tek publiku, duke bërë që shumica prej tyre të linin sallën me lot në sy e me duartrokitje që nuk u ndalën për minuta të tërë. Një ngjarje që secilin e ktheu pas në kohë, duke rikujtuar kështu edhe njëherë se kush ishim ne si popull dhe sa shumë sakrifikuam e humbëm për të gëzuar lirinë.

 ‘Zjarri i ilegales’ do të jetë për një kohë të gjatë në repertorin e Teatrit Oda dhe do të shfaqet çdo të enjte, nga ora 19:00. / KultPlus.com