Dy botë paralele “takohen” me njëra-tjetrën në Charles III

Uranik Emini

Në një cep të largët të Bjeshkëve të Nemuna në Kosovë, Edith, një kushërirë e largët e mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar, filloi një ekspeditë të jashtëzakonshme kërkimore. Kërkimi i saj e çoi në thellësitë mistike të maleve shqiptare, ku u ndesh me një botë me aventura, folklor dhe legjenda të lashta. Gjatë rrugës, ajo u përplas me personazhet mitikë nga Eposi i Kreshnikëve, një sagë e njohur për përdorimin deri në pikën e fundit të hiperbolës dhe satirës, shkruan KultPlus.

Produksioni teatror “Charlesi III”, i sjellë në jetë nga dyshja dinamike e regjisorit Agon Myftari dhe dramaturgut Jeton Neziraj, është një kryevepër komike që tërheq paralele mes dy botëve të kundërta: të shkuarës, të vendosur 300 apo 400 vjet më parë dhe të ditëve të sotme.

Kasti i “Charles III” dha një performancë magjepsëse, derisa ylli i shfaqjes në mënyrë absolute ishte Albina Krasniqi dhe mënyra se si ajo u mëshirua nga një rol në një tjetër, pavarësisht faktit se nuk ishte roli kryesor. Merita kanë padyshim Vjosë Tasholli dhe Dukagjin Podrimaj, ashtu si edhe pjesa tjetër e kastit, mes tyre Blend Sadiku dhe Dardan Gashi, shfaqën një kimi të madhe mes vete që dukej sikur ata ishin përgatitur për këto role gjatë gjithë jetës së tyre. Edhe pse u zhvilluan vetëm një muaj provë për këtë shfaqje, mbrëmë në Teatrin “Oda” u dha një performancë që la një ndikim të qëndrueshëm te audienca.

Regjisori i shfaqjes, Agon Myftari, tregoi se gjatë provës gjeneralë kanë ftuar disa miq për ta parë shfaqjen, megjithatë premira e ka të vetën.

“Po ndjehem shumë mirë, shumë çlirë. Sot po e shohim si një test të parë, por te aktorët premiera shihet më shumë sesa te unë, natyrisht ata janë në skenë dhe i kanë për detyrë me i realizu të gjitha detyrat që u kam dhënë gjatë një muaji, natyrisht që i kanë më të rëndë se sa unë që jam në publik, por kaluam shumë mirë”, thotë Myftari.

Tutje, ai thotë se është i kënaqur me produktin final të shfaqjes.

“Me aq sa unë kam mujt me pa ka qenë një shfaqje që vjen me kohë, pra po mendoj shumë dimensionale, shumë shtresore, e normalisht ka qenë e vështirë për me i nda edhe ato detyrat që i përmenda. Ka qenë një proces shumë intensiv”, u shpreh ai.

“Gjithçka nisi në tym e mjegull”, thotë Myftari duke shpjeguar takimin e tij të parë para një vit për bisedën rreth kësaj shfaqje me autorin Jeton Neizraj.

“Procesi mes meje dhe Jetonit ka nisë qysh para një viti, kemi pas një landë jashtëzakonisht të gjërë përpara, megjithë ato kangë kreshnike, megjithë ato legjenda ka ta çojmë si shfaqje, ka ta çojmë si material kemi bo hulumtime të mëdhaja, por me mbërri me pas në një draft që ka qenë finale dhe sonte si dramë të përfundume, si shfaqje të kryer në skenë”.

Ideja, sipas regjisorit, e gjithë shfaqjes ka qenë që të flasim për veten, të merremi me veten, t’i kthehemi vetes dhe siç thotë ai, pa dramë kombëtare dhe pa u marrë me vete nuk mund të ketë identitet arti kombëtar.

“Jam i lumtur që është realizu një ide e kamotshme që të merremi me gjërat tona, ato çka na dallojnë dhe na ndryshojnë prej popujve tjerë, si të mira e të këqija që i kemi, me fjalë të tjera, kemi dashtë ta kritikojmë veten, tu e dashtë veten. E gjithë këto duartrokitje frenetike dhe i gjithë ky entuziazëm prej publikut na lë me shpresë për reprizat e tjera, thotë ai.

Në anën tjetër, Dukagjin Podrimaj protoganisti kryesor në këtë shfaqje, tregon se ka qenë një shfaqje e vështirë në thelb, por janë të kënaqur me realizimin e saj.

“Kemi fillu me tekst copa-copa, fillimisht një skenë e më pas një tjetër. Megjithatë, Jetoni e ka marrë dhe e ka formësu që të vijë te ne më pas. Teksti ka shumë kreacion, ku janë diku rreth 18 skena, të cilat fillimisht kanë qenë tym e mjegull për neve, por më pas doli si satirë shumë e bukur”, tregon Podrimaj.

Dy role të shkrira në një aktor

“Po, fillimisht kemi qenë gjashtë aktorë, e më pas në mungesë të një aktori unë kam luajtur të dy rolet, atë të Charles III dhe Mujës. Nuk ka qenë aspak e lehtë me u realizu, por reagimet e publikut kanë qenë tepër të mira dhe tash po dëgjoj fjalë që po na motivojnë edhe më shumë”, thotë ai në fund.

Shfaqja mori reagime pozitive gjatë premierës së saj dhe autori shpreh krenarinë për rezultatin dhe shpreson për sukses në të ardhmen.

“Fillimisht dua të them se nuk e kam parë asnjë provë, me qëllim. Ishte hera e parë që pashë të plotë premierën dhe vërtet kalova mirë. Natyrisht, nuk më takon mua me dhënë komente për shfaqjen, po vërtet kishin bërë një punë të jashtëzakonshme para së gjithash Agoni, por edhe aktorët. Teksti është ai që është”, thotë Neziraj.

Partneriteti i regjisorit Agon Myftari dhe dramaturgut Jeton Neziraj përkundër që është i rastësishëm, është një bashkëpunimi artistik që i dhanë jetë personazheve të Mujës dhe Halilit nga epopeja e Kreshnikut, duke futur humor dhe satirë në portretizimin e tyre. Rezultati ishte një eksplorim komik që shtyu kufijtë dhe shfaqi dy pasqyra të kompleksuara të dy botëve, shekuj larg njëri-tjetrit.

“Me Agonin punojmë kështu, domethënë nisemi me folë në hava, në mjegull, e kështu kemi punu edhe për audiencën e Vasllav Havellit, kur s’ka pasë kurrgjë. Kështu kemi punu edhe tash në këtë rast, thjesht kemi nis me diskutu çka po dojmë me ba diçka, një ide me bo diçka bashkë, prapë kemi nisë me diskutu për këngët kreshnike, për heronjtë e atyre këmbëve kemi nisë me diskutu për tema të ndryshme të mitologjisë ë përrallave, por mandej procesika nisë, domethënë na ka sjellë këtë këtë materie që është, që e pamë sonte, kështu punojmë me Agonin”, shprehet autori i shfaqjes.

“Charles III” shërben si një urë lidhëse midis së kaluarës dhe së tashmes, duke ofruar një humor përmes së cilës mund të shikohet zhvillimi i vazhdueshëm kulturor. Në një botë ku shprehja “They/them” është bërë tanimë e zakonshme si një formë e vetëidentifikimit, aftësia e shfaqjes për të sipërfaq realitetin bashkëkohor e duke u thelluar edhe në kontekste historike është e jashtëzakonshme.

Të padiskutueshme ishin duartrokitjet dhe ovacionet në fund për të gjithë aktorët në krye me regjisorin që qëndron pas kësaj vepre magjike teatri.

Agon Myftari dhe Jeton Neziraj, si një binom i pathyeshëm, kanë demonstruar edhe një herë aftësinë e tyre për të mahnitur dhe ndriçuar publikun duke kritikuar në vazhdimësi përmes fuqisë së komedisë. “Charles III” jo vetëm që krahason dhe kontraston dy botë, por gjithashtu nënvizon domethënien e thellë të kritikës siç përcillet përmes mediumit të teatrit. /KultPlus.com

​Kurorëzimi i Mbretit Charles III/ Mbi 2 mijë të ftuar nga 203 vende, mes tyre Begaj e Osmani

Më shumë se 2.200 të ftuar, përfshirë krerë shtetesh, emra të famshëm dhe organizata humanitare nga 203 vende si dhe anëtarë të familjes mbretërore, do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit të Britanisë së Madhe, Charles III.

Mbreti Charles dhe gruaja e tij Camilla do të kurorëzohen sot në Westminster Abbey në Londër. Në kurorëzimin e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1953 morën pjesë më shumë se 8.200 të ftuar.

Princi William dhe gruaja e tij Kate, si dhe motra dhe vëllai i mbretit Charles, Princesha Anne dhe Princi Edward, do të marrin pjesë në ceremoni.

Princi Harry ka konfirmuar se do të marrë pjesë në ceremoni, por jo edhe gruaja e tij Meghan. Në mesin e të ftuarve që do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit do të jenë edhe liderë botërorë dhe figura të rëndësishme politike.

Përveç kryeministrit britanik Rishi Sunak, në ceremoni do të marrin pjesë ministra dhe anëtarë të Dhomës së Lordëve si dhe ish-kryeministrat britanikë si Liz Truss dhe Tony Blair si dhe kryeministri skocez Hamza Yusuf.

Në mesin e figurave politike që do të marrin pjesë në ceremoninë që do të mbahet në Londër janë presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri australian Anthony Albanese, kryeministri i Zelandës së Re Chris Hipkins dhe presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE) Ursula von der Leyen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjithashtu do të jenë të pranishëm në këtë ceremoni.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, por gruaja e tij Jill Biden do të jetë e pranishme në emër të vendit të tij. Gjithashtu në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe udhëheqësit fetarë dhe përfaqësuesit e Komonuelthit të Kombeve.

Ndër anëtarët e familjeve mbretërore të vendeve të tjera, të cilët janë në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, do të jenë Princi Albert i Monakos dhe gruaja e tij Princesha Charlene, Mbreti i Spanjës Felipe dhe gruaja e tij Mbretëresha Letizia, Princi i Kurorës së Japonisë Akishino dhe gruaja e tij Princesha Kiko.

Mbreti Charles dhe gruaja e tij Camilla ftuan 850 përfaqësues të komunitetit në ceremoninë e kurorëzimit për shkak të punës së tyre humanitare./top channel

Osmani uron Mbretin Charles III: Besojmë se lidhjet tona do të vazhdojnë të forcohen

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar mbretin Charles II për ngjitjen në fronin e Mbretërisë së Bashkuar, shkruan KultPlus.

Në një postim në rrjetet sociale, Osmani ka thënë se është mirënjohëse për përkushtimin e Madhërisë së Tij në aleancën Kosovë-Britani e Bashkuar.

“Urime të përzemërta mbretit Charles III për ngjitjen në fron.

Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e Madhërisë së Tij ndaj aleancës Kosovë-Mbretërinë e Bashkuar, siç u konfirmua gjatë vizitës së tij në vitin 2016. Ne kemi besim se lidhjet tona do të vazhdojnë të forcohen nën sundimin e tij”, thuhet në postimin e Osmanit. /KultPlus.com

Charles III në adresimin e parë si mbret: Nëna ime dha një shembull dashurie të përjetshme

Charles III bëri adresimin e tij të parë si mbret, pasi u zyrtarizua si i tillë.

Ai tha se nëna e tij, Mbretëresha Elizabeth II dha një shembull të dashurisë së përjetshme.

“E gjithë bota e ndan me mua dhimbjen për humbjen e përjetuar. Të gjithë neve si familje, si për këtë mbretëri dhe për familjen më të gjerë, nëna ime dha një shembull dashurie të përjetshme dhe shërbim vetëmohues”, tha ai.

Tutje, ai u shpreh se mbretërimi i nënës së tij ishte siç tha ai i pashoq, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Mbretërimi i nënës sime ishte i pashoq dhe plot përkushtim”, u shpreh mbreti Charles III./ KultPlus.com

Charles III shpallet zyrtarisht mbret i Mbretërisë së Bashkuar

Charles III është shpallur mbret në një ceremoni në Pallatin St James, transmeton KultPlus.

Charles u bë mbret menjëherë pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II, por një takim historik konfirmoi zyrtarisht rolin e tij të shtunën.

Këshilli i Aderimit, një organ i përbërë nga politikanë të lartë, gjyqtarë dhe zyrtarë, e shpalli atë si monark në Apartamentet Shtetërore.

Është hera e parë që ceremonia historike transmetohet në televizion./ KultPlus.com

Mbreti Charles III i adresohet popullit britanik për herë të parë, zotohet t’i shërbejë kombit me devotshmëri

Mbreti Charles III i është drejtuar për herë të parë popullit Britanik, pasi ka marrë postin më të lartë mbretëror, edhe pse do të zyrtarizohet ditën e shtunë.

Gjatë fjalimit të tij para popullit Britanik ai premtoi se do t’iu shërbejë me besnikëri gjithë qytetarëve.

Ndërkohë Mbreti Charles III i cili do të ngjitet në fron në moshën 74-vjeçare, ia ka trashëguar titullin Princ i Uellsit, djalit të tij të madh Ëilliam dhe bashkëshortes së tij Kate Middelton.

Mbreti ka kujtuar edhe nënën e tij, Mbretëreshën Elizabeth II, e cila vdiq dje, duke u kthyer prapa në vitin 1952, kur ajo ishte bërë mbretëreshë e Britanisë së Madhe.

“Kur mbretëresha erdhi në fron, Britania dhe e gjithë bota përballeshin ende me pasojat e Luftës së Dytë Botërore dhe jetonin në konditat e kohërave të mëhershme. Në kursin e 70 viteve që pasuan, shoqëria jonë është bërë e kulturave dhe besimeve të shumta”, është shprehur ai.

Mbreti Charles është zotuar për shërbim të pakushtëzuar popullit britanik.

“Siç ka bërë edhe vetë Mbretëresha duke shërbyet me devotshmëri, edhe unë zotohem solemnisht që për kohën sa më ka falur Zoti, do t’u përbmahem parimeve kushtetuese që janë në zemër të kombit tonë”, ka thënë ai.

Adresimi i tij është mbyllur me një dedikim nënës së tij.

“Dhe nënës sime të dashur, derisa nisni rrugëtimin tuaj të madh për t’iu bashkuar babait, dua vetë të të them: faleminderit. Faleminderit për dashurinë dhe përkushtimin ndaj familjes sonë dhe familjes së kombit të cili i ke shërbyer me diligjencë për gjithë këto vite”, ka thënë ai. /Express/ KultPlus.com