Më 24 mars mbahet seancë, me rastin e 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

Të enjten, më 24 mars 2022, në orën 11:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë solemne, në shënim të 23-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe. Ndërkaq në orën 13:00, do të mbahet seancë e rregullt plenare, njofton Kuvendi.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi pritet të debatojë për politikën e jashtme.

“Tutje, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe atë për Pronën Publike, ndërsa në lexim të dytë Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, si dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e dy raporteve: raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, si dhe ato lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.

Do të votohet po ashtu për propozimin e GP të Listës Serbe për emërimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe pritet të zgjidhen anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seanca do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin dërguar mediave, transmeton Express.

“Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, si dhe atë për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve Medicinale.

Kryesia po ashtu vendosi që në bazë të rekomandimit të Komisionit Ad-hoc, të shpallet konkursi për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare”, përfundon njoftimi. /Express/ KultPlus.com

Kurti nga Prekazi kujton bombardimet e NATO’s: Drejtësia nuk është vënë në vend për familjen Jashari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kabinetin qeveritar ka nisur ditën e dytë të punës në krye të Qeverisë duke bërë homazhe në Prekaz.

Kurti nga Prekazi ka thënë se ka shkuar me kabinetin që ai udhëheq në vendin e flijimit dhe të bashkimit, ku është bërë edhe ngritja heroike e kombit shqiptar.

“Dje pranuam detyrën si Qeveri e re që u votua në Kuvendin e Kosovës të hënën mbrëma. Sot në ditën e parë të punës me zëvendëskryeministrat dhe ministrat erdhëm herët në mëngjes në Prekaz në këtë vend të flijimit dhe të bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, mirëpo, rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare që me 24 mars dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjeneciodal siç ishte Serbia e Millosheviqit”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar tutje se drejtësia ende nuk është vënë në vend për familjen Jashari e për shumë familje tjera.

“I kujtojmë me shumë dhëmbie e mall, Shaban, Hamëz e Adem Jasharin e të gjithë pjesëtarët e kësaj familje, gjysma e të cilëve ishin gra e fëmijëve, drejtësia nuk është vënë në vend ashtu si për shumë dëshmorë e martir të tjerë. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë, ne kthehemi në Prekaz për të kuptuar nga vijmë e për të ditur se nga duhet të shkojmë”, ka thënë Kurti./GazetaExpress/ KultPlus.com