21 vjet nga bombardimet e NATO-s

Sot mbushen 21 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore.

Ish – kancelari gjerman Gerhard Schröder pohon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ka pasur për bazë mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB, sepse Rusia ka qenë kundër ndërhyrjes. Por Schröder dhe kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit. Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si “ndërhyrje humanitare” dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe.

Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.

Debati për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë është riaktualizuar në Gjermani dhe qarqet perëndimore pas krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Krimesë dhe Kosovës. Shumica e analistëve gjermanë janë të mendimit se këto ndërhyrje nuk mund të krahasohen dhe se mes tyre s’ka asnjë ngjashmëri veç faktit, se për to s’ka pasur mandat nga Këshilli i Sigurimit. Në dallim nga Kosova dhe shqiptarët, në Ukrainë nuk ka pasur dëbime dhe dhunë masive ndaj rusëve. Ukraina në dallim nga Jugosllavia e dikurshme nuk ndodhet në proces shpërbërjeje. Nga ana tjetër ndërhyrja në luftën e Kosovës nuk kishte synim aneksimin e saj nga një vend tjetër as nga SHBA-ja, as nga Gjermania apo ndonjë vend tjetër. Ndërsa ndërhyrja ruse në Krime ka për qëllim shkëputjen e këtij territori nga Ukraina si shtet sovran dhe bashkimin e tij me Rusinë.

Bilanci i sulmeve

Mediat kujtojnë edhe bilancin e sulmeve të NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.

Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1.200 – 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe. Por janë goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si “dëme kolaterale”.

Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra njerëz edhe më tej llogariten si të zhdukur. Ndërkohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë.

Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende – 30.000 nga vendet e NATO-s. Ndërkohë numri i ushtarëve të huaj në Kosovë është zvogëluar në rreth 5.000. / KultPlus.com

24 Marsi, gëzim dhe ankth për shqiptarët

2

4 Marsi i vitit 1999 na kujton gëzimin dhe ankthin e madh, për atë çfarë do të ndodhte në Kosovë. Forcat e mëdha politike dhe ushtarake ndërkombëtare tashmë kishin marrë vendimin për fillimin e bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore serbe, me qëllimin e vetëm, ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve që po e bënte Millosheviqi me ushtrinë dhe paramilitarët e vet. Pas shumë përpjekjeve diplomatike, e vetmja zgjidhje për të ndalur ofensivat e Serbisë mbi popullin e Kosovës, ishte intervenimi ushtarak nga NATO-ja.

Në mërgimtarët e kemi përjetuar dyfishë qoftë gëzimin për fillimin e bombardimeve, por poashtu edhe ankthin e vërtetë se çfarë do të ndodhte nga hakmarrja serbe mbi civilët e pafajshëm shqiptarë. Shumë prej nesh kemi pasur familjet dhe farefisin në atë gjendje lufte e tmerri dhe jeta për ne në mërgim ishte rënduar shumë.

Megjithatë, roli i mërgimtarëve kanë qenë shumë i rëndësishëm, sepse shumë grupe të shqiptarëve, të organizuar në forma të ndryshme, kishin njoftuar dhe kishin sensibilizuar vazhdimisht opinionin ndërkombëtar për krimet që po ndodheshin në Kosovë. Në Suedi për shembull, shqiptarët kanë organizuar dhjetëra protesta, shumë tubime e manifestime, të cilat kanë pasur synim të vetëm, që të bëhej më shumë jehonë për çështjen e Kosovës.

Në librin “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare” në Suedi, është shkruar për ato zhvillime në hapësira të veçanta ku janë publikuar shumë dëshmi për gjithë ato përpjekje që janë bërë. 91 shkrime e publikime të mediave suedeze për Kosovën janë identifikuar dhe faktuar deri në librin e 9-të të librit Thesar Kombëtar…Ndërkaq, në numrin e 8 janë botuar mbi 500 faqe me lista të kontributdhënësve për fonde të ndryshme për Kosovën.

Ne mërgimtarët shqiptarë në Suedi i jemi mirënjohës në veçanti shtetit suedez, që na siguroi strehë, ushqim, punë dhe jetë. Kështu ishim në gjendje të ndihmonim, aq sa ishte e mundur, edhe njerëzit tanë në Kosovë, në kohërat më të rënda që po kalonin.

Sot shqiptarët i janë mirënjohës NATO-s dhe aleatëve të saj përjetësisht. Por, ajo histori nuk guxon të harrohet. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, do të vazhdojë të shkruaj e të ndriçojë edhe më tutje historinë nëpër të cilën ka kaluar

populli shqiptar bashkë me shumë miq tanë. Por, Shoqata jonë, inkurajon edhe të tjerët, krijues e studiues të ndryshëm, të shkruajnë dhe të lënë gjurmë për historinë e dhembshme që ka kaluar Kosova jonë.

Zoti e bekoftë NATO-n dhe aleatët e saj,
Zoti i bekoftë SHBA dhe miq tjerë perendimorë,
Zoti e bekoftë popullin shqiptar.

Hysen IBRAHMI,

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, 24 mars 2019. / KultPlus.com

“Prisnim me padurim aeroplanët, trupi na dridhej nga emocionet”

Nga Gani Mehmetaj

Bombardimet e NATO-s, 24 mars 1999

Qyteti u fundos në errësirë. Dritat u fikën. Alarmi ajror nisi të ulërinte si të paralajmëronte fundin e botës. Kurrë më parë nuk e kisha dëgjuar këtë sinjal, kurrë nuk kisha imagjinuar çfarë tingulli do të nxirrte disa metra larg meje një aparat i tipit të borisë, prandaj më dridhen tingujt e parë mu si korrenti kur ta përshkon befas trupin. Shkallët e pallateve nisën të shungullonin nga vrapi i banorëve që mësynin në bodrume a në strehimore. Pastaj u shua çdo zhurmë brenda apartamenteve. Qetësia bëhej edhe më torturuese, në pritje të shpërthimeve. Koha nuk ecte. Prisnim me padurim aeroplanët. Trupi na dridhej nga emocionet. Shikonim të mpirë në horizont, andej nga shpresonim se do të paraqiteshin bombarduesit e parë. 
Asnjëherë nuk e kam qartësuar, e dëgjuam më parë zhurmën e aeroplanëve apo i pamë shkreptimat e predhave, sepse shkreptimat na hutuan, duke na shpërqendruar nga aeroplanët që dëgjoheshin si zukamë e largët bletësh. Tensioni nervor na i mpiu shqisat e të dëgjuarit, zhurmat e shkreptimave nuk i dëgjova as unë, nuk i dëgjoi as shoku im, i cili pati të njëjtën ndjenjë të shurdhërisë. Kështu, fillimi i bombardimeve e bëri copë e grimë errësirën e shurdhërinë. Vezullimet e forta të shpërthimeve shkreptinin me ngjyrim të kuqërremtë në të përgjakur. Pak çaste më vonë shpërthimet verbuese e dridhnin qytetin. Jehona e klithmat ngjethëse të alarmit nuk dëgjoheshin më, të mbytura nga shpërthimet që barteshin tej në horizont, ngriheshin në qiell, sikur donin të ktheheshin në trajtën tjetër andej nga vinin predhat e mëdha të piketuara nga avionët. 
Kur ra predha e parë në stacionin e policisë, në qendër të qytetit, zemra më gufoi. Krisma që shungulloi pas flakës a gati njëkohësisht me flakën, më shkarkoi nga një pjesë e mllefit për godinën famëkeqe. Gazavaji na mbërtheu të dyve, shihnim njëri-tjetrin dhe qeshnim, qeshnim e qanim duke u gajasur. Shpërthimet “e kërpudhave” të kuqërremta e ndiqnin njëra-tjetrën. Errësira bëhej më e thellë, kur vdirrej drita e kuqërremtë. Nuk pipëtinte frymë njeriu. 
Duke e ndjekur hartën e shpërthimeve në horizont, nisëm të hamendësonim cakun:
– Kjo është depoja e municionit, – më tha shoku im, kur shpërtheu bomba e parë. 
– Ua! – lëshova tingull të pakontrolluar. Pastaj e mbylla gojën si i zënë në faj. 
Disa minuta më vonë ishim të sigurt se po digjej qendra stërvitore e policisë. Nga aty vinin policët e trajnuar që na dërmonin në çdo demonstrim pakënaqësie, nga ajo qendër shpërndaheshin trupat ushtarake që e masakronin popullatën deri para disa ditësh. Nga gjoksi më dilte ndonjë shfrim mllefi me pamjet që i shikoja. 
Shpërthimet shtriheshin drejt veriut, duke e kaluar pikëvështrimin tonë dhe njohuritë që kishim për caqet e goditura. 
– Duhet të jetë ndonjë depo armësh përtej kufirit, në Serbi, – më thoshte ai i sigurt, megjithëse as unë dhe as ai nuk merrnim vesh nga gjeografia. 
Në pushimet në mes të shpërthimeve dëgjohej frymëmarrja e rënduar e një rezervisti, me hapat e ngathtë të vrapit që ushtonte trotuareve. I zënë në befasi nga bombardimet e furishme, i frikësuar nga e papritura, i vetëm në rrugën e gjerë, ai kërkonte strehim. E shikonim nga lart, vraponte si në filmat e animuar: i ngathtë e i frikësuar, me gojën që e hapte si peshku dhe me njërën dorë në gjoks sikur donte ta ndihmonte ajrin të futej brenda në kraharor. Asnjë derë nuk i afronte mikpritje, asnjë dritare nuk u hap t’i tregonte se më afër e kishte strehimoren aty pranë sesa vrapin e pafund që ua cingëriste nervat banorëve prapa perdeve të mbyllura nga errësimi i urdhëruar.

Fragment nga romani ” Boritë e Apokalipsit”. / KultPlus.com

Gani Mehmetaj

Dy dekada nga bombardimet e NATO-s


Sot mbushen 20 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore.

Ish – kancelari gjerman Gerhard Schröder pohon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ka pasur për bazë mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB, sepse Rusia ka qenë kundër ndërhyrjes. Por Schröder dhe kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit. Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si “ndërhyrje humanitare” dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe.

Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.

Debati për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë është riaktualizuar në Gjermani dhe qarqet perëndimore pas krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Krimesë dhe Kosovës. Shumica e analistëve gjermanë janë të mendimit se këto ndërhyrje nuk mund të krahasohen dhe se mes tyre s’ka asnjë ngjashmëri veç faktit, se për to s’ka pasur mandat nga Këshilli i Sigurimit. Në dallim nga Kosova dhe shqiptarët, në Ukrainë nuk ka pasur dëbime dhe dhunë masive ndaj rusëve. Ukraina në dallim nga Jugosllavia e dikurshme nuk ndodhet në proces shpërbërjeje. Nga ana tjetër ndërhyrja në luftën e Kosovës nuk kishte synim aneksimin e saj nga një vend tjetër as nga SHBA-ja, as nga Gjermania apo ndonjë vend tjetër. Ndërsa ndërhyrja ruse në Krime ka për qëllim shkëputjen e këtij territori nga Ukraina si shtet sovran dhe bashkimin e tij me Rusinë.

Bilanci i sulmeve

Mediat kujtojnë edhe bilancin e sulmeve të NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.

Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1.200 – 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe. Por janë goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si “dëme kolaterale”.

Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra njerëz edhe më tej llogariten si të zhdukur. Ndërkohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë.

Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende – 30.000 nga vendet e NATO-s. Ndërkohë numri i ushtarëve të huaj në Kosovë është zvogëluar në rreth 5.000. / KultPlus.com

Sot bëhen 19 vite nga fillimi i bombardimeve të NATO-s

Data 24 mars shënon sot 19-të vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Bombardimet zgjatën nga 24 marsi 1999 deri me 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATOs, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.

Sipas Human Rights Watch, 60 për qind e rreth 528 të vrarëve ishin nga Kosova, derisa Serbia doli me numra se bëhej fjalë deri në 5700 të vrarë. Tre gazetarë kinezë u vranë në bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës. / KultPlus.com