AKV “Gjilani” kthehet nga Shkupi me çmim të parë

Ansambli i këngëve dhe valleve “Gjilani” po radhit suksese te njëpasnjëshme nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu ndodhi edhe në festivalin ndërkombëtar “Shkupi Folk-Fest 2018”, ku zuri vendin e parë.

AKV “Gjilani” këtu u paraqit me potpuri këngësh të kombinuara nga të gjitha trevat shqiptare. Me këtë rast interpretuan këngëtaret tashmë të njohur: Avni Latifi, Qemajl Musliu, Afrim Haziri, Nazim Gagica, Adnan Leka, Nehat Ferati, Kaltrina Hajdari, Eronita Qerimi dhe Rinesa Zahiri, nën përcjelljen e orkestrës profesionale të artistëve gjilanas me përzgjedhjen e këngëve dhe udhëhequr nga maestro Murat Ismajli, në bashkëpunim me këshillin artistik te Ansamblit.

Gjithashtu AKV “Gjilani” u paraqit me “Kolazh vallesh” nga grupi i mrekullueshëm i valltarëve me koreografi të Qemajl Musliut.

Festivali “Shkupi Folk-Fest2018” është organizuar nga SHKA “Shqiponja” dhe komuna Saraj – Shkup. Është hera e dytë që mbahet dhe, sipas organizatorit, pritet të jetë tradicional. Ka karakter garues. Këso here në të morën pjesë mbi 20 ansamble dhe grupeve të tjera.

U mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit për pullën postare të Kosovës dedikuar Nënës Terezë në Itali (FOTO)

Danillo Bogoni, drejtor dhe ekspert i Fialtelisë së Italisë, pati njoftuar zyrtarisht se pullës postare dedikuar Nënës Terezë i është ndarë çmimi i parë, shkruan KultPlus. Kësisoj pas pak ditësh u bë edhe ceremonia e ndarjes së këtij çmimi që është bërë enkas për të.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha bashkë me drejtorin e Shitjes dhe Marketingut, Bashkim Mustafa, ku shpalosën këtë ngjarje edhe përmes fotografive.

“Ndihem krenar me pritjen dhe falënderimet nga personalitete të shquara ndërkombëtare në këtë ngjarje të paharrueshme. Në shenjë mirënjohjeje, presidentit të organizatës i dhurova pullën postare të punuar në pllakë bronzi. Ky është çmimi i dytë ndërkombëtar për pullat tona postare gjatë këtij viti”, ka shkruar Hoxha në rrjetin e tij social Facebook.

Pulla postare paraqet në pamje të parë imazhin e Nënë Terezës të shoqëruar nga fjalët e saj, me poezinë Lamtumirë, të shkruar nga vetë ajo gjatë rrugës për mërgim “tani jam e lidhur me heshtjen e vetmisë”. Këtë poezi ajo e shkroi në bordin e anijes që po udhëtonte nga Mesdheu për në Kalkuta. Një udhëtim që zgjati pesë javë./ KultPlus.com