Osmani: Komunat e zhvilluara e bëjnë shtetin e zhvilluar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, derisa njoftoi se nga sot do të fillojë seria e vizitave nëpër komunat e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Një ditë intensive me përplot takime në Gjilan”, ishte përshkrimi i Osmanit në statusin e saj të fundit në “Facebook”.

“E nisa nga këtu serinë e vizitave nëpër komunat e Kosovës, në një takim me kryetarin energjik, z. Alban Hyseni. Shqetësimet, preokupimet dhe problemet do t`i adresojmë bashkërisht. Në shkollën “Nazmi Hoxha”, prej sot nxënësit me nevoja të veçanta do ta kenë më të lehtë qasjen falë një projekti të UNICEF-it, të cilin e përuruam sot”, shkruan tutje presidentja.

Ajo gjithashtu njoftoi se është takuar me përfaqësues të strehimores dhe të shoqërisë civile, me ç’ rast diskutuan për pozitën e grave, eliminimin e dhunës mbi baza gjinore, fuqizimin e grave dhe përfshirjen në vendimmarrje.

“Kurse te bizneset, pashë përkushtimin e tyre që të punojnë parreshtur edhe në këtë kohë kur përballemi me kriza. Do të vazhdojmë me vizitë në Dobërçan të Gjilanit ku pritemi nga familja e dëshmorit Nusret Hajdari. Komunat e zhvilluara e bëjnë shtetin e zhvilluar.Shihemi në komunën e radhës!”, shkruhet në fund të postimit. /KultPlus.com

Ballkani fiton 3-0 në tavolinë ndaj Gjilanit pas dhunës në stadium

Ndeshja e fundit në Superligën e Kosovës mes Gjilanit dhe Ballkanit u përcoll me zhvillime të shumta, përfshirë këtu edhe dhunën, shkruan KultPlus.

Suharekasit kishin udhëtuar në Gjilan për të zhvilluar takimin e tyre të radhës, mirëpo e gjithë ndeshja u “vendos” në minutat e fundit të ndeshjes kur edhe Enea Koliçi (portieri i Gjilanit), shënoi për të barazuar shifrat në 1-1.

Me të hyrë goli, tifozët janë futur në fushë dhe njëri prej tyre ka sulmuar portierin tjetër në fushë, atë të Ballkanit, Stivi Frashërin, i cili më pas edhe u dërgua në spital. Ndeshja u mbyll me rezultat 1-1, mirëpo gjithçka mbeti në duart e Komisionit të Garave.

Këta të fundit, kanë vendosur gjatë ditës së sotme që të dhurojnë 3 pikë për Ballkanin dhe rrjedhimisht rezultati i ndeshjes në mënyrë automatike të jetë 3-0.

Infografika: TopSporti

Kur mbetur edhe 6 ndeshje për t’u mbyllur stinori aktual i Superligës së Kosovës, “Xhebrailat” janë në vendin e parë me 57 pikë dhe favorit për t’u shpallur kampion.

Në anën tjetër, skuadra e udhëhequr nga Ismet Munishi, mbetet me 49 pikë në vendin e tretë dhe kjo ndeshje mund edhe të përcaktojë përfundimisht punën e kampionit. /KultPlus.com

Qendrat e Kosovës marrin një pamje të re, gati të presin Vitin e Ri me stolitë e tyre

Stolisja e qyteteve është diçka që shumë qytetarë e presin me ngazëllim të madh, e madje për këtë gjë edhe kanë kërkesa të mëdha që të fillojë puna sa më herët, shkruan KultPlus.

Disa vende në Kosovë kanë arritur që të transformojnë qendrat kryesore plotësisht në atmosferë festive.

Qyteti i Prishtinës, si çdo vjet, ka vendosur që edhe këtë vit të bëjë dekorimin e shesheve kryesore dhe kësisoj t’i jap një pamje të re vendit.

May be an image of outdoors and text that says 'N 2022'
FOTO: Marjan Komani
May be an image of 1 person, christmas tree and outdoors
FOTO: Marjan Komani

Edhe qyteti i Gjilanit i ka dhënë një pamje krejtësisht të re hapësirës kryesore në qendër, me ç ‘rast është bërë edhe dekorimi i qytetit.

FOTO: Lumi Press 06
FOTO: Lumi Press 06

Edhe një tjetër qendër e madhe e Kosovës, qyteti i Ferizajit, ka shndrruar atmosferën e tyre, duke mirëpritur vendosjen e bredhave dhe dritave.

May be an image of outdoors
May be an image of 1 person and sky

Me shtëpitë e vogëla prej druri dhe vendosjen e dritave dekoruese në vend, Podujeva pak ditë përpara festave të fundvitit u dekorua, ku edhe kryetari Shpejtim Bulliqi bëri shpërndarjen e disa fotografive në rrjetin social “Facebook”.

May be an image of 3 people and outdoors
Podujeva gati për Vitin e Ri
May be an image of 12 people and outdoors
Podujeva gati për Vitin e Ri

Të bashkuar komuna me fëmijët, Vushtrriasit ishin të gatshëm të bënin vendosjen dhe ndezjen e dritave për festat e fundvitit.

Dritat festive janë vendosur në shumë vende të tjera të Kosovës, të cilat po shënojnë suksese të përmbylljes së këtij viti dhe gjithashtu po presin edhe kremtimin e përfundimit të një viti dhe festës së Vitit të Ri. /KultPlus.com

May be an image of outdoors

‘Bub Rrenci’ do bëjë trajtimin e çështjeve dhe problemeve kulturore nga vendi

Artistët Bekim Korça dhe Erson Zymberi kanë krijuar një strip të quajtur “Bub Rrenci” në prag të festave të fundvitit, shkruan KultPlus.

Bub Rrenci do të vazhdojë të prodhohet në baza javore duke sjellur e trajtuar qështje e probleme kulturore nga vendi.

“Përkundër klithjes së tij dhe reagimit publik se ka hequr dorë nga pija, kësaj radhe, në vigjilje të vitit të ri, ai nuk mundi ti rezistojë tundimit të pijes”, thuhet në njoftim

Në fund ata kanë njoftuar se së shpejti do të jepet edhe festivali i dramës shqipe. /KultPlus.com

Flakadani i ‘Flakës së Janarit’ do të vazhdojë të ndizet, Gjilani në bashkëpunim me MKRS

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe sekretari i përhershëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022”.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka falënderuar MKRS-në për mbështetjen e këtij Manifestimi, i cili nëpërmjet vlerave kulturore, nderon dëshmorët e heronjtë e kombit.

“Sot kam nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Sekretarin e MKRS-së për bashkëfinancim të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”. Në këtë edicion shënohet 40-vjetori i “Flakës së Janarit” si dhe i rënies së Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Rëndësia e kësaj ngjarje tejkalon qytetin e Gjilanit e shtetin e Kosovës. Ai është mbarëkombëtar. Flakadani i Flakës së Janarit, i Kadriut, Jusufit e Bardhoshit sikur tash e 40 vite, do vazhdojë prapë të ndizet!”, ka thënë kryetari Hyseni.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2022” i cili mbështetet në katër shtylla, artin pamor, artin letrar, artin skenik dhe artin muzikor, nis më 11 janar me ndezjen e flakadanëve, ndërkaq përfundon më 31 janar me festivalin e muzikës popullore “Fest Flaka”.

Manifestimi mbarkombëtar i kulturës “Flaka e Janarit” u themelua më 18.01.1992, në 10-vjetorin e shënimit të rënies së heronjve Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, ndërkaq konsiderohet si Manifestimi më unik dhe i vetmi i këtij lloji në trevat e Ballkanit. /KultPlus.com

Bëri thirrje për më shumë hapësirë për mërgimtarët, Komuna e Gjilanit sërish me njoftim: Dilni sa të doni

Komuna e Gjilanit, sot gjatë ditës u ka bërë thirrje banorëve të komunës që të përmbahen nga daljet e panevojshme për t’ju lënë më shumë hapësirë mërgimtarëve që ndodhen në pushime.

Pas këtij njoftimi, komuna ka dalë sërish me një sqarim në faqen e tyre zyrtare, ku thuhet se njoftimi ka qenë në frymën e asaj që qytetarët të tregojnë më shumë kujdes për vetën e edhe për mërgimtarët.

Ndërsa krejt në fund të njoftimit, komuna u drejtohet qytetarëve duke u thënë “dilni sa të doni, duke respektuar masat në fuqi”. / KultPlus.com

Komuna e Gjilanit thirrje qytetarëve: Mos dilni pa nevojë, lejoni më shumë hapësirë për mërgimtarët


Fotografia: Fatlum Kosumi

Komuna e Gjilanit, u ka bërë thirrje banorëve të komunës që të përmbahen nga daljet e panevojshme për t’ju lënë më shumë hapësirë mërgimtarëve që ndodhen në pushime.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në këtë komunë ka kërkuar nga qytetarët e Gjilanit që të përmbahen nga daljet pa nevojë gjatë kohës sa aty janë mërgimtarët.

“Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, ndërkohë që ka kërkuar nga qytetarët rezident që të përmbahen nga daljet pa nevojë në qytet, gjatë kohës derisa janë këtu mërgimtarët, për t`iu lënë më shumë hapësirë e mundësi atyre që t`i shijojnë pushimet në vendlindja”, thuhet në njoftimin e kësaj komune./ KultPlus.com

@Fatlum Kosumi

Gjilani nënshkruan marrëveshje për përmirësimin e cilësisë së arsim

Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi Caritasin zviceran në Kosovë për implementimin e projektit “Vendosja e standardeve parashkollore të cilësisë së lartë duke përforcuar arsimin, shkencën dhe ekonominë – Shpresë”.

Marrëveshja ka për qëllim që të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe ofrimin e shërbimeve në nivelin e  arsimit parafillor në komunën e Gjilanit, përmes përmirësimit të shërbimeve të qëndrueshme për trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të edukatorëve parafillor në nivel komunal si dhe duke krijuar një mjedis miqësor ndaj fëmijëve, në klasat e arsimit parafillor.

Ky projekt përfshin organizimin dhe ofrimin e trajnimit për edukatorët ekzistues të nivelit parafillor dhe  zyrtarëve në Komunën e Gjilanit, organizimin e sesioneve për monitorim të cilësisë dhe mentorim për edukatorët e trajnuar parafillor, mobilizimin e pikave përkatëse kontaktuese për arsimin në nivel komunal, avokimi në nivel komunal për arsimimin e mëtejshëm të edukatorëve në arsimin parafillor, sikurse edhe ofrimin e pajisjeve dhe materialeve didaktike për pesë  klasat e përzgjedhura.

Marrëveshjen e kanë nënshkruar drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica dhe drejtori i Caritasit zviceran për Kosovë, Kreshnik Basha.​ / KultPlus.com

Në shenjë solidariteti me Shqipërinë, Gjilani anulon aktivitetet festive

Në shenjë solidariteti me viktimat e tërmetit në Shqipëri dhe familjet e tyre, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka anuluar të gjitha aktivitetet festive të parapara të mbahen të martën dhe të mërkurën, në kuadër të shënimit të 28 nëntorit.

“Askush më shumë se gjilanasit nuk e bashkëndjejnë tragjedinë nga tërmeti i sotëm në Shqipëri. Lutemi për viktimat dhe familjet e tyre. Të lënduarve iu urojmë shërim të shpejtë. Gjilani dhe Kosova sot është me Shqipërinë. Në shenjë solidariteti me viktimat dhe familjet e tyre, i kam anuluar të gjitha aktivitetet dy ditore festive”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Komuna e Gjilanit do t’i mbaj aktivitetet e parapara vetëm të enjten, më 28 nëntor./KultPlus.com

Karnavalet dhe panagjyret e Gjilanit

Deri në mesin e viteve ‘60-të të shekullit të kaluar, në Gjilan organizohej karnavali i qytetit. Ky karnaval ka qenë i vetmi në Kosovë. Njerëzit më të moshuar se unë e mbajnë mend më mirë këtë ndodhi interesante, që sillte gjallëri festive në qytet.

Panagjyrat (panairet) janë organizuar dy herë brenda vitit. Një në fillim të pranverës kurse tjetri në përfundim të verës. Panagjyri ka qenë një lloj pazari (tregu) i madh ku vinin mallra të llojllojshme dhe njerëz apo shitës dhe blerës nga të katër anët. Qyteti bëhej edhe qendër e argëtimit, pasi që vinin hulaçkat (ringishpillat) dhe lojërat e ndryshme, përfshirë Murin e Vdekjes ku ekzibicionistët me motoçikleta krijonin spektakël. Edhe panairi u ndalua në fillim të viteve të ‘80-ta të shekullit të kaluar.

Sot askush nuk di të flas gjerësisht apo të tregoj si filluan dhe pse u ndaluan këto dy organizime që në fakt nuk ishin vetëm ndodhi pazari dhe argëtimi, por edhe ngjarje kulturore. Për këtë temë nuk ka asgjë në internet, pos kësaj fotografie e cila paraqet pamje të karnavalit. Kjo edhe për shkak se neve nuk na intereson asgjë nga e kaluara jonë.

Megjithatë, Gjilani (atëherë Gilani) ka qenë më shumë qytet seç është sot./ Telegrafi/ KulPlus.com

Komuna e Gjilanit shpall të hapur propozimet për çmimin letrar Beqir Musliu

Mbështetur në Rregulloren e Kuvendit komunal të Gjilanit , për dhënien e titujve të nderit, Çmimeve si dhe Mirënjohjeve institucioneve apo personave që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të jetës sonë dhe, në të mirë të qytetarit e në veçanti të Komunës sonë, shpallim të hapura propozimet për Çmimin letrar “Beqir Musliu”, për vitin 2019 dhe atë nga data 10 – 25 maj.

Inkurajohen asociacionet e ndryshme letrare, brenda e jashtë komunës, shtëpitë botuese si dhe institucionet bibliotekare që t’i përgatisin dhe përcjellin propozimet e veta në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, përmes Qendrës për Shërbim Qytetar, sipas Rregullores dhe afatit të paraparë.

Të interesuarit mund t’i propozojnë shkrimtarët e gjithë hapësirës shqiptare, të cilët kanë rrumbullakësuar një karrierë të begatshme letrare, kanë dëshmuar cilësi krijuese e në veçanti, prurje të reja letrare – artistike duke e zhvilluar dhe afirmuar në kufij nacional dhe përtej, letërsinë tonë, në fushën e poezisë, prozës, dramës si dhe studimeve letrare.

Shkrimtarët e propozuar duhet të jenë mbi moshën 60 vjeçare.

Propozimeve iu bashkangjitet edhe një arsyetim i përmbajtësor për jetën dhe krijimtarinë letrare të të propozuarit, duke u fokusuar në arrtitjet dhe prirjet e reja letrare.

Zyra e Kryetarit, ashtu si e parasheh Rregullorja, në bashkëveprim me Ars Clubin “Beqir Musliu” si dhe institucionet kulturore komunale, përmes një Jurie Letrare, më 11 qershor 2019, shpall emrin e fituesit të ri ndërsa për ceremoninë e dhënies, sipas pajtimit me autorin dhe me palët tjera që e organizojnë dhënien e këtij Çmimi, cakton datën dhe për këtë njofton me kohë publikun dhe pjesmarrësit e Ceremonisë./KultPlus.com

Gilan apo Gjilan, pyetja e dekadave vjen nëpërmjet ‘Varg e Vi’

“Varg e Vi” përmes projektit “Me ‘G’, a me ‘Gj’?”, synon kthimin e vëmendjes kah trashëgimia kulturore, historike dhe urbane e qytetit të Gjilanit, përcjellë KultPlus.

Kujtimet kanë dërguar organizatorët e eventit në aktivitetin e parë me këngë të interpretuara nga grupet lokale muzikore, e pastaj kënga pas një kohe tjetër, i dërgon edhe në aktivitete dhe shenja të tjera të kujtesës së re urbane: tek Ëmbëltorja, te Faraxhia, te Përmendorja, te Soliteri, tek Ura e Maskatarit…”.

Qyteti ka kujtime, ashtu si njerëzit. Kujtimet e para dhe më të lehta, riprodhohen nga muzika. Një këngëtar me origjinë nga Gjilani, Agron Berisha, u lind në Shkup, u kthye herë pas herë në Gjilan – në vendlindjen e familjarëve të tij, si dhe u bë pjesë e kujtesës kolektive të këtij qyteti, duke kënduar rok e balada dashurie në “Ish-Shtëpinë e Armatës”, “Palestrën e Sporteve”…

Qyteti krijon kujtime. Ato kodohen, depozitohen dhe riprodhohen nga njerëzit dhe duke i parë monumentet. Njerëzit që lënë gjurmë në një qytet, numërohen në gishta. Kujtesa nuk ngjizet vetëm me njerëzit e lindur në një qytet, por edhe me ata dhe ato që ecën nëpër të, kënduan në të dhe lindën rrëfime urbane, duke u kujtuar ende edhe sot nga shokët e tij të dikurshëm. Qyteti krijon figura, profile, portrete, zëra, fytyra dhe kujtime. Njëri nga këto është edhe Agroni. Duke e kujtuar atë, i kujtojmë sidomos vitet e ’70-ta dhe ’80-ta (shek. XX) të Gjilanit.

Për tu rikthyer në kohë, për të sjellë muzikën e viteve 70-ta dhe 80-ta, në këtë ngjarje do të performojnë artistët si: Valdrin Halimi: muzicient/ koordinator i pjesës muzikore, Diana Toska: Vokal, Njomëza Hyseni: Vokal, Xhaner Gashi: Vokal/ Kitarë, Premtim Selimi: Klaviaturë, Gramos Kërqeli: Perkusione, Luftim Dalipi: Vokal/ Kitarë.

Ngjarja do të mbahet më datë 25 gusht, duke filluar në ora 20:00 tek Shtëpia e Rinisë, prapa Sahat Kullës në Gjilan. / KultPlus.com

AKV “Gjilani” kthehet nga Shkupi me çmim të parë

Ansambli i këngëve dhe valleve “Gjilani” po radhit suksese te njëpasnjëshme nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu ndodhi edhe në festivalin ndërkombëtar “Shkupi Folk-Fest 2018”, ku zuri vendin e parë.

AKV “Gjilani” këtu u paraqit me potpuri këngësh të kombinuara nga të gjitha trevat shqiptare. Me këtë rast interpretuan këngëtaret tashmë të njohur: Avni Latifi, Qemajl Musliu, Afrim Haziri, Nazim Gagica, Adnan Leka, Nehat Ferati, Kaltrina Hajdari, Eronita Qerimi dhe Rinesa Zahiri, nën përcjelljen e orkestrës profesionale të artistëve gjilanas me përzgjedhjen e këngëve dhe udhëhequr nga maestro Murat Ismajli, në bashkëpunim me këshillin artistik te Ansamblit.

Gjithashtu AKV “Gjilani” u paraqit me “Kolazh vallesh” nga grupi i mrekullueshëm i valltarëve me koreografi të Qemajl Musliut.

Festivali “Shkupi Folk-Fest2018” është organizuar nga SHKA “Shqiponja” dhe komuna Saraj – Shkup. Është hera e dytë që mbahet dhe, sipas organizatorit, pritet të jetë tradicional. Ka karakter garues. Këso here në të morën pjesë mbi 20 ansamble dhe grupeve të tjera.

Gjilani me akademi përkujtimore për presidentin historik Ibrahim Rugova

Si sot më 21 dhjetor 2006, nga një sëmundje e rëndë pati ndërruar jetë presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, shkruan KultPlus.

12 vite pas, presidenti historik vazhdon të kujtohet me shumë mall nga populli i tij dhe bashkëpunëtoret e tij. Kësisoj, me këtë rast sot në Gjilan, nën patronazhin e kryetarit të kësaj komune Lutfi Haziri, mbahet akademi përkujtimore në shënim të përvjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit Ibrahim Rugova.

Kjo akademi mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjilanit-Salla e Teatrit sot dot e diel 21 janar, me fillim nga ora 16:00./ KultPlus.com

Gjilani bëhet me bust të Skënderbeut

Në kuadër të Manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” që mbahet tash e sa vite në Gjilan, sivjet do të bëhet edhe zbulimi i bustit të heroit të madh shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Në përvjetorin e 550-të të Skënderbuet edhe manifestimi “Flaka e Janarit” i është dedkiuar kësaj figure të rëndësishme shqiptare.

Sipas organizatorëve bëhet e ditur se busti i Skënderbeut do të zbulohet më 17 janar, kurse busti do të vendoset para objektit të zyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit./KultPlus.com

Gjilani gati për “Flakën e Janarit 2018”, i dedikohet 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja e bordit të drejtorëve, njësive dhe zyrave, për të raportuar për planifikimin e muajit janar, mbledhje kjo e cila u transmetua drejtpërdrejt nga radiot lokale.

Në këtë mbledhje kanë qenë në fokus edhe përgatitjet për manifestimin “Flaka e Janarit 2018”, për të cilin u tha se është gjithçka gati për të nisur në mënyrën më të mirë.

“Gjatë këtij muaji, fokusi kryesor është manifestimi “Flaka e Janarit”, i cili i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Skënderbeut dhe 50-vjetorit të demonstratave për Flamur. Ky manifestim është tejet i rëndësishëm pasi i kushtohet vlerësimit të dëshmorëve të kombit, të cilët u sakrifikuan për ditët e sotme. Këtë vit, do ta nderojmë edhe njeriun i cili dha shumë për lirinë e shqiptarëve, heroin Metush Krasniqi”, ka thënë kryetari Haziri./ KultPlus.com

Gjilani lanson programin online “Biblioteka Ime”, i pari i kësaj natyre në Kosovë

Në Gjilan sot është bërë promovimi i projektit online “Biblioteka ime”, që është ende në fazën e pilotimit, por që ka qëllim digjitalizimin e gjithë literaturës së Bibliotekës së Qytetit “Fan S. Noli”.

Ky projekt mundëson, përpos leximit elektronik, edhe krijimin e databazës së këtij institucioni dhe statistikat e tjera që kanë të bëjnë me leximin, moshat, librat dhe autorët më të lexuar dhe detajet të tjera brenda një domeni dhe gjithçka në formë elektronike.

“Si program po lansohet sot pas atij që tashmë ka filluar në shëndetësinë primare dhe do të vazhdohet edhe me programe të tjera të ngjashme. Apliko online, home Komuna, e-kiosqet, e-prokurimi, e-shëndetësia dhe tash Biblioteka Ime, janë projekte që Gjilanit tashmë i kanë dhënë epitetin e risive në nivel vendi, sa i përket përdorimit të teknologjisë informative në dhënien e shërbimeve për qytetarë”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, me rastin e inaugurimit të këtij projekti.

Ai po ashtu tha se Kuvendi në përbërje të re në vitin e ardhshëm do të bëjë emërtimin e kësaj Biblioteke me emrin e Beqir Musliut.

Gazmend Jakupi nga zyra e IT-së në Gjilan, ka thënë se ky program elektronik, bibliotekaime.com, është në funksion të digjitalizimit të shërbimeve, krijimin e lehtësirave më të mëdha dhe zgjerimin e numrit të lexuesve, duke mundësuar leximin e titujve që i posedon kjo Bibliotekë nga një telefon apo pajisje tjetër, që ka qasje në internet.

Ndërkaq, Qazim Azizi, drejtor i Bibliotekës “Fan S. Noli”, ka thënë se ky program është një lehtësim shumë i madh për stafin që punon këtu, por edhe për krijimin e databazës së sakt për librin dhe digjitalizimin total të librave, veprave të ndryshme të autorëve, por edhe digjitalizimin e gjithë arkivit që ka në menaxhim kjo Bibliotekë./ KultPlus.com