218 vite nga lindja e legjendës së përrallave, Hans Christian Andersen

Më 2 prill të vitit 1805, në Danimarkë, ka lindur legjenda e përrallave për fëmijë, Hans Christian Andersen, shkruan KultPlus.

Përrallat e Andersenit, përbëjnë 156 tregime të ndara në nëntë vëllime, të cilat janë të përkthyera në më shumë se 125 gjuhë të ndryshme të botës.

Andersen u rrit si një djalë jo shumë tërheqës,  dhe këtë aspekt të jetës së tij  ai e përdori për të krijuar përrallën “Rosakun e Vogët të Shëmtuar”, pasi që nga shikimi i parë rosa ishte ‘e shëmtuar’ dhe e dëbuar. Mesazhi i tij me këtë rast është se njeriu mund të jetë i dukshëm për komunitetin me mënyrën me të cilën zgjedh, pasi ai me bukurinë e brendshme të mendjes së tij arriti të jetë i dukshëm dhe madje i paharruar përmes shkrimeve të tij frymëzuese.

Përrallat e Andersenit janë lehtësisht të kuptueshme nga fëmijët, dhe janë ngulitur kulturalisht në ndërgjegjen kolektive të perëndimit. Mesazhet që përcillen prej përrallave të Andersenit janë kryesisht mësime të virtyteve dhe qëndrueshmërisë përballë fatkeqësisë edhe për lexuesit e pjekur.

Përrallat e tij më të famshme janë: “Rrobat e reja të Perandorit”, “Sirena e Vogël”, “Bilbili”, “Ushtari i Tinit të Qëndrueshëm”, “Këpucët e Kuqe”, “Princesha dhe Bizelet”, “Mbretëresha e Borës”, “Rosaku i Shëmtuar “, “Shitësja e Vogël e Shkrepsëve” dhe “Gishtëza”.

Historitë e tij kanë frymëzuar edhe shumë balete, drama, filma të animuar dhe filma aksion.

Ai ndër të tjera shkroi edhe kujtime udhëtimesh, novela dhe poezi, dhe kujtohet gjithashtu për tregimet e tij nga bota e zanave dhe shtojzavalleve.

Në përkthimin në gjuhën shqipe të përrallave të Andersenit, morën pjesë përkthyes si: Pirro Misha,Bedri Dedja, Vandush Vinçani,Dritan Thomollari dhe Stathi Kostari.

Ai ndërroi jetë më më 4 gusht 1875./KultPlus.com

Danimarka hap bunkerin sekret në rast lufte bërthamore

Në Danimarkë, një bunker i ndërtuar në kulmin e Luftës së Ftohtë për t’i rezistuar një konflikti të mundshëm bërthamor dhe i mbajtur sekret për më shumë se 50 vjet, është hapur për vizitorët. Bunkeri tepër sekret, “Regan Vest”, 60 metra nën sipërfaqen shkëmbore të një kodre do të shërbente si strehë për mbretëreshën e Danimarkës dhe krerët e qeverisë, në rast konflikti bërthamor. Tensionet aktuale mes Rusisë dhe Perëndimit shërbejnë si kujtesë e periudhës së Luftës së Ftohtë.

I maskuar mes pemëve të larta në pyllin Rold Skov të Danimarkës gjendet bunkeri Regan Vest i mbajtur tepër sekret për më shumë se 50 vjet. Streha, 30 kilometra në jug të qytetit Aalborg, u ndërtua gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë.

Kuratorja e Muzeut Historik të Rajonit Verior të Danimarkës, Bodil Frandsen, e ka bazuar doktoraturën e saj mbi bunkerin Regan Vest të kthyer tashmë në një muze.

“Pas revolucionit hungarez dhe incidenteve të Kanalit të Suezit, frika e një lufte ishte shumë reale. Në të njëjtën kohë, kishin evoluar edhe bombat bërthamore dhe veçanërisht prova me bombën me hidrogjen”, thotë ajo.

Bunkeri “Regan Vest” nuk kishte qëllime ushtarake, por ishte projektuar si strehë për qeverinë dhe mbretëreshën e Danimarkës në rast të shpërthimit të luftës bërthamore. Rënia e bunkerit do të shënonte edhe fundin e demokracisë daneze.

“Bunkeri u ndërtua në bazë të idesë se lufta bërthamore do të zhvillohej në tre faza dhe faza e parë ishte më seriozja, që mendohej se do të zgjaste 30 ditë”, thotë zonja Frandsen.

Në fund të një korridori dredharak prej 300 metrash të gjatë dhe 60 metrash poshtë sipërfaqës shkëmbore ndodhet një kompleks me dhoma fjetjeje, klinikë kirurgu, qendër operacionale dhe sallë takimesh.

Punimet për bunkerin filluan ndërsa bota po shënonte kriza të njëpasnjëshme. Bashkimi Sovjetik po kryente prova bërthamore, ndërtonte Murin e Berlinit dhe vendoste fshehurazi raketa në Kubë. Varnke Egeskov është kuratore në bunkerin “Reagan Vest”.

“Në këtë bunker bërthamor do të jetonte qeveria daneze, udhëheqja, disa pjestarë të shtypit dhe telekomunikacionit, si dhe disa të tjerë që do të merreshin me funksionimin e gjërave, si ajrimi apo makineritë e tjera. Bunkeri do të strehonte 350 njerëz”.

Danimarka, vend anëtar i NATO-s e përfundoi ndërtimin e bunkerit në vitin 1968. Por banorët e zonës nuk ishin në dijeni të egzistencës së bunkerit deri në vitin 2012, kur u bë deklasifikimi.

Objekti, i cili ende ka mobilimin e atyre viteve, mund të vizitohet nga publiku, thotë kuratorja Ulla Varnke Egeskov.

“Është sikur të shkosh në kohën e Luftës së Ftohtë, mes frikës dhe përgatitjeve për luftën që do të vinte. Po ashtu është si të futesh në një kapsulë kohore sepse gjithçka këtu është nga vitet 60, 70 dhe 80… shikon gjëra që të kujtohen nga ajo kohë. Të ngjall frikë dhe kujtesë”.

Hyrja e bunkerit është e maskuar nga një shtëpi e verdhë ku dikur jetonte inxhinieri dhe familja e tij. Ndërtimi zgjati pesë vite (1963-1968) dhe rëndësia për projektimin e tij u shtua edhe më shumë gjatë krizës së raketave ruse në Kubë, kur bota ishte shumë pranë një konflikti bërthamor.

“Bunkeri i kthyer në muze ofron një histori rreth bombave atomike. Por thelbi ka të bëjë me demokracinë”, thotë drejtori i muzeut Lars Christian Nørbach.

Kuratorët thonë se tensionet aktuale mes Rusisë dhe Perëndimit e bëjnë edhe më të rëndësishme historinë e bunkerit bërthamor.

“Mjafton fakti që kemi një luftë në Evropë dhe po flitet rreth këcënimit të një lufte bërthamore, çka e bën konceptin e tunelit bërthamor edhe më të rëndësishëm”, thotë zonja Frandsen.

Vargu malor ku gjendet bunkeri është rreth 400 kilometra nga kryeqyteti Kopenhagen. Regan Vest u nxor nga shërbimi në vitin 2003 dhe egzistenca e tij u bë publike në vitin 2012./VOA / KultPlus.com

Kopenhaga, qyteti më i sigurt në botë për të jetuar

Siguria ka kohë të gjatë që paraqitet si një prej shqetësimeve kryesore të turistëve, kur bëhet fjalë se cili destinacion të vizitohet.

Mirëpo, për shkak të pandemisë me koronavirus, çështjet që e bëjnë një qytet të sigurt kanë ndryshuar tashmë.

Kjo mund të ndihmojë që të sqarohet ndryshimi që ka ndodhur në rangimin e qyteteve më të sigurta në botë, nga Indeksi i Qyteteve të Sigurta të Njësisë Ekonomiste tw Inteligjencës.

Rangimi këtë vit është bërë duke u bazuar në disa faktorë si: siguria digjitale, siguria shëndetësore, infrastruktura, siguria personale, dhe siguria mjedisore si kategori e re këtë vit.

Derisa shtetet aziatike si Tokio, Singapori dhe Osaka kanë zënë pozitat kryesore vit pas viti, për vitin 2021 numrin një në rangim e mban një kryeqytet evropian.

Bëhet fjalë për Kopenhagën, qytet ky i cili është emëruar për herë të parë “Qyteti më i sigurt në botë”, duke marrë 82,4 pikë nga gjithsej 100 në raportin vjetor.

Kryeqyteti danez ka lëvizur nga pozita e nëntë që ishte në vitin 2019, në krye të listës për vitin 2021, falë paraqitjes së një seksioni të sigurisë mjedisore, aspekt ky në të cilin qyteti është vlerësuar mirë, bashkë më sigurinë personale.

“Njëri prej faktorëve që e bëjnë Kopenhagën një qytet kaq të sigurt është shkalla e ulët e krimit, që siç thuhet në raport, është në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë”, ka deklaruar Lars Weiss, kryetar bashkie në Kopenhagë.

Vendin e dytë në rangim e ka qyteti i Kanadasë, Toronto, me 82,2 pikë, ndërkaq Singapori është radhitur i treti me 80,7 pikë.

Ndërkohë, edhe pse Sidnei është radhitur i katërti me 80,1 pikë, ky qytet australian është vlerësuar më së shumti në kategorinë e sigurisë digjitale.

Kryeqyteti japonez Tokio është renditur i pesti me 80 pikë.

Kryeqyteti i Holandës, Amsterdami është ranguar i gjashti me 79,3 pikë, Wellingtoni i Zelandës së Re i shtati me 79 pikë, Hong Kongi dhe Melbourni janë radhitur të tetat, secila me nga 78.6 pikë, ndërkaq kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi ka mbetur në pozitën e 10-të, me 78 pikë.

New Yorku është qyteti më i vlerësuar nga SHBA-ja në këtë rangim, duke u radhitur i 11-ti, ndërkohë që me të njëjta pikë është vlerësuar edhe Barcelona e Spanjës.

Washingtoni ka mbetur në pozitën e 14-të, ndërkaq Londra dhe San Francisko në pozitën e 15-të të dyja, për shkak të pikëve të njëjta në vlerësim. / KultPlus.com

Danimarka ndërton kështjellën më të lartë prej rëre (VIDEO)

E lartë 21,16 metra, kështjella në qytetin e Blokhus të Danimarkës është 3,5 metra më e lartë se rekordi i fundit botëror Guinness, i arritur në Gjermani në 2019 me 17,66 metra.

Kështjella është në formë piramide dhe rreth saj është bërë një strukturë prej druri në mënyrë që artisti të presë figurat e mahnitshme në rërë.

Rreth 4860 tonë rërë daneze me afërsisht 10% të argjilës së shtuar për një përfundim më të stërholluar u përdorën për të ndërtuar kështjellën e rërës.

Kalaja u ndërtua nga 30 skulptorë më të talentuar të rërës në botë nën drejtimin e artistit holandez Wilfred Stijger, transmeton KultPlus.

Rekordi i Guinness u mat nga një topograf i autorizuar dhe nënshkruar nga dëshmitarë. Ai pritet të shfaqet në botimin e ardhshëm të librit, raporton AP. / KultPlus.com

Danimarka përuron muzeun “Andersen”

Një mjedis poetik prej 50 milionë eurosh i kushtuar imagjinatës: Danimarka inauguroi sot muzeun e ri në nder të tregimtarit të saj gjenial, Hans Christian Andersen, në qytetin e tij të lindjes në Odense.

I realizuar për dhjetë vjet, projekti i rinovimit të një muzeu të mëparshëm të vjetëruar u krye nga arkitekti japonez Kengo Kuma, i cili gjithashtu projektoi stadiumin e ri olimpik në Tokio.

Ky i fundit shpjegoi se ai ishte frymëzuar nga një nga përrallat e autorit danez, “Le Briquet”, me një pemë që zbulonte një botë nëntokësore: dy të tretat e hapësirës së ekspozitës janë nën tokë.

“Ideja prapa modelit arkitektonik i ngjan metodës së Andersenit, ku një botë e vogël papritmas kthehet në një univers më të madh”, tha arkitekti përpara inaugurimit.

Përzierja e drurit dhe qelqit në ndërtesat rrethore në një kopsht të gjerë me shtigje me kalldrëm dhe mure bimësie të larta, ndërtesa përfundimisht kushtoi rreth 390 milionë kurona daneze (rreth 52 milionë euro), veçanërisht e financuar nga një fondacion privat.

Muzeu u përurua nga Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II./atsh/ KultPlus.com

Shqiptarja shpallet kuzhinierja më e mirë në Danimarkë për vitin 2020

Shqiptarja Elly Iseni, e cila jeton dhe vepron në Danimarkë, është shpalur fituese e edicionit të këtij viti 2020 në talent show “Hell’s Kitchen” në Danimarkë.

Thuhet se Elly Iseni është me prejardhje nga Tetova dhe ka emigruar në Danimarkë që në moshën 5-vjeçare.

Në profilin e saj në Facebook ajo ka shkruar se ajo është fituese e kuzhinës në DENMARK 2020. / KultPlus.com

Danimarka vazhdon daljen nga izolimi

Danimarka do të lejojë edhe disa biznese, të tilla si parukeritë, sallonet e bukurisë dhe auto-shkollat, të rihapen nga data 20 prill.

Ato dhe të tjera janë mbyllur tash e sa javë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Askush nuk dëshiron ta mbajë Danimarkën të mbyllur më shumë seç është e nevojshme”, tha kryeministrja Mette Frederikse.

Vendimi vjen pasi disa vende të tjera evropiane, përfshirë Austrinë dhe Gjermaninë, kanë bërë publike masa të ngjashme për dalje nga izolimi.

Të mërkurën, Danimarka ka rihapur edhe çerdhet dhe shkollat fillore, pasi lakorja e të infektuarve me koronavirus në këtë vend është rrafshuar.

Megjithatë, kufijtë, restorantet dhe baret atje do të mbeten të mbyllura edhe për një kohë.

Danimarka ka rreth 7,000 të infektuar me koronavirus, ndërsa 321 pacientë atje kanë humbur jetën.

Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:
Transmetimi duhet të kontrollohet;
Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;
Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;
Rastet e importuara menaxhohen;
Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me “normën e re”. /KultPlus.com

Danimarka ndalon mbajtjen e shamisë në hapësirat publike

Parlamenti danez miratoi sot një ligj që ndalon mbajtjen e shamisë islamike (burka ose niqab) në hapësirat publike duke pasuar me këtë vendim vende të tjera europiane si Franca dhe Belgjika.

“Çdo person që, në vendet publike, mban një shami që i fsheh fytyrën, dënohet me gjobë”, thuhet në tekstin e miratuar me 75 vota pro dhe 30 kundër.

Projektligji, i hartuar nga qeveria e qendrës së djathtë, u mbështet gjithashtu edhe nga dy forcat e para politike në Parlament, socialdemokratët dhe Partia Popullore Daneze.

Duke nisur nga 1 gushti, datë e hyrjes në fuqi e ligjit të ri, çdo shkelje për ndalimin e mbajtjes së shamisë në vendet publike do të sanksionohet me një gjobë prej 1 000 korona daneze (134 euro). Nëse shkeljet përsëriten, gjoba mund të arrijë deri në 10 000 korona./
/ec/ KultPlus.com

Një 28-vjeçare bëhet gruaja e parë në Danimarkë që gjobitet për mbulesë

Që prej të mërkurës, gratën që veshin Nikab në Danimarkë gjobiten 1,000 krona. Ato të cilat vazhdimisht e përserin këtë gjë gjithashtu mund të dënohen me deri në 10,000 krona(1,340 euro)

Një grua 28 vjeçare, e cila mbuloi të gjithë fytyrën, është bërë gruaja e parë në Danimarkë e cila është gjobitur për një vepër të tillë.

Kjo gjobë vjen pas vendimit të ri që e ndalon një gjë të tillë, e i cili hyri në fuqi të mërkurën.

Gruaja erdhi në vëmendjen e policisë, pas një përleshje që shpërtheu mes saj dhe një gruaje tjetër në një qendër tregtare në rajonin verilindor të Nordsjaelland.

28 vjeçares iu bë e ditur se do të duhej të paguante 1.000 kron (134 euro) pasi refuzoi të hiqte mbulesën, raporton Euronews, transmeton Klan Kosova.

Përveç kësaj, 28 vjeçarja në fjalë dhe gruaja tjetër u akuzuan nga policia edhe për shkelje të rendit dhe qetësisë.

Që prej të mërkurës, gratën që veshin Nikab në Danimarkë gjobiten 1,000 krona. Ato të cilat vazhdimisht e përserin këtë gjë gjithashtu mund të dënohen me deri në 10,000 krona(1,340 euro).