Dhunohet një 16 vjeçare nga Gjilani, arrestohen dy persona

Vetëm dy javë pas dhunimit të 11 vjeçares nga pesë persona, në Prishtinë edhe një 16 vjeçare nga Gjilani është dhunuar seksualisht nga dy persona. Lidhur me këtë rast tashmë në pranga kanë përfunduar dy persona.

Bazuar në dëshminë e vajzës që ka dhënë para hetuesve policorë, dy të dyshuarit kanë kryer marrëdhënie seksuale me të për dy muaj.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur përgjatë muajve mars dhe në prill, periudhë kjo kur e mitura ka qenë jashtë shtëpisë.

Gjithçka dyshohet se ndodhi në Gjilan, pasi 16-vjeçarja nisi shoqërimin me dy të dyshuarit, të moshave të reja.

Personat e arrestuar tashmë janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes. /KultPlus.com

Protesta në 12:00, aktivistja Demolli: Bartësit e institucioneve të mos na bashkohen, ata duhet të japin llogari

Përdhunimi i një 11-vjeçareje nga pesë persona në Prishtinë e ka indinjuar shoqërinë. Sot në mesditë në kryeqytet do të protestohet kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, të martën në T7 kërkoi pjesëmarrje të madhe në këtë protestë, pasi tha se kjo “është mënyra e vetme t’u themi institucioneve që nuk tolerojmë më”. Ajo kërkoi që krerët e institucioneve të mos i bashkohen protestës, raporton Gazeta Express.

“Jo nuk e kemi ftuar [Presidenten Vjosa Osmani]. Dhe mirë është të mos na bashkangjiten sepse institucionet janë në pozitë që duhet të japin llogaridhënie. Krejt shteti duhet të punojë atje ku e ka vendin. Ne jemi në rrugë”, tha ajo.

“Sepse po na qesin në pozitë të keqe. Po vijnë si qytetarë të thjeshtë. Një ministre nuk është qytetare e thjeshtë; ka përgjegjësi, llogaridhënie. Një ministër s’ka nevojë të na dalë te dera të na presë, sepse nuk është qytetar i thjeshtë, është i veshur me petkun e ministrit, është një përgjegjësi e madhe mbi të”, theksoi Demolli.

Ajo tha se “nuk na duhen njerëz për të vajtuar”.

Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile QKSGj, YIHR, QIPS, QIKA dhe CEL Kosovo nis në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Protesta i përmban kërkesat për mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë; trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave, si dhe legalizimin e përdorimit të gazit irritues (pepper spray) për vetëmbrojtje. Këtë të fundit, organizatorët e cilësuan si kërkesën kryesore./ KultPlus.com

Kur dhunuesit gjejnë mbështetje, komentuesit në rrjetet sociale dhunues potencial

Pasi u raportua se një vajzë 11 vjeçare është dhunuar në Prishtinë nga 5 persona për 7 orë me radhë, opinioni publik është shokuar dhe reagimet kanë qenë të shumta, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga presidentja, kryeministri, artistë e njerëz që shoqërisë civile, kanë dënuar rëndë ngjarjen e tmerrshme dhe kanë kërkuar dënim maksimal për dhunuesit.

Por përveç faktit që një fëmijë është dhunuar nga pesë persona, ne si shoqëri po përballemi edhe me një shqetësim tejet të madh.

Janë disa komentues nëpër rrjetet sociale që po mbështesin dhunuesit dhe po fajësojnë viktimën e që është një fëmijë vetëm 11 vjeçar.

Këta komentues, i mbështesin haptazi dhunuesit në rrjete sociale e njëkohësisht na bëjnë më dije që janë dhunues potencial.

“Veshje provokative”, “ka dasht vet ajo”, “kërkush nuk të merr me zor”, janë vetëm disa nga komentet e neveritshme që mund t’i hasni nëpër rrjete sociale.

Pas këtyre komenteve ka reaguar edhe pala tjetër duke kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin diçka ndaj këtyre personave që potencialisht janë të rrezikshëm për shoqërinë përderisa mbështesin dhunuesit haptazi dhe e gjuajnë fajin të viktima. / KultPlus.com

Pas dhunimit të 11 vjeçares, mbahet takimi i Grupit të Përgjigjes Emergjente

Me ftesë të zëvendësministres së Drejtësisë, Nita Shala, sot u mblodh Grupi i Përgjigjes Emergjente.

Përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria, Mbrojtësit e viktimave, Punëtorët social, Gjykata dhe Ministria e Punëve të Brendshme ishin prezentë në këtë takim, ku më pas, zëvendësministrja Shala, njëherit Koorinatore Nacionale Kundër Dhunës në Familje, iu adresua mediave përmes një prononcimi lidhur me qëllimin e këtij takimi.

“Ndajmë shqetësimin lidhur me rastin e dhunimit të vajzës në Prishtinë.

Konfirmojmë ndërmarrjen e veprimeve institucionale sipas parashikimeve ligjore. Sa i takon të dyshuarve, informojmë se janë arrestuar katër prej tyre dhe i dyshuari i pestë, tashmë i identifikuar, është në kërkim. Me kërkesë të Prokurorit të rastit, dy të arrestuarve të parë iu është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Seanca për paraburgim lidhur me dy të dysharit tjerë të arrestuar pritet të zhvillohet brenda afateve të parashikuara ligjore. Është ofruar mbrojtja e të dëmtuarës dhe shërbimet adekuate mbështetëse”, u shpreh Shala.

Nisur nga ndjeshmëria e rastit, duke qenë se kemi të bëjmë me të mitur, Shala ka kërkuar mirëkuptimin e gjithësecilit sa i takon detajeve mbi rastin. E një rëndësie të posaçme është mbrojtja e integritetit të të miturve në procedurë.

“Konfirmojmë gatishmërinë e secilit institucion përgjegjës për ndërmarrjen e të gjithë veprimeve, konform legjislacionit në fuqi.

Qeveria do të krijojë një Komision Profesional, i cili do të analizojë dhe rekomandojë veprime konkrete në vijim.

Komisioni do të bëjë:

Një hulumtim kriminologjik të faktorëve që çojnë në kryerjen e veprimeve tilla;

Përgjigjet institucionale ndaj rasteve të abuzimit me të mitur;

Zhvillimi i procedurës dhe epilogu i rasteve të kësaj natyre si rezultat i veprimeve të prokurorisë dhe gjykatave në Republikën e Kosovës, për një periudhë 5 vjeçare.

Fëmijët e vajzat tona kanë të drejtë të jetojnë të lira prej dhunës. Jemi të vetëdijshëm për obligimin institucional për të garantuar që të njejtat të shkojnë pa frikë të dhunimit në shkollë, punë a kudo nëpër hapësirat publike”.

Zëvendësministrja Shala theksoi se Grupi do të rimblidhet sërish brenda kësaj jave. / KultPlus.com

E tmerrshme: Dy të panjohur e fusin në veturë një vajzë dhe e sulmojnë seksualisht

Një vajzë ka njoftuar policinë se në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, me 28 gusht, dy të panjohur e kanë futur në veturë me forcë ku është sulmuar seksualisht.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, teksa nuk raportohet për të arrestuar.

Sipas policisë, rasti është duke u hetuar.

Njoftimi i plotë i policisë:

SULM SEKSUAL/Rr. Agim Ramadani, Prishtinë 28.08.2022 – 16:00. Viktima femër kosovare ka informuar se dy persona të pa njohur e kanë futur me forcë në veturë dhe më pas e kanë sulmuar seksualisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore. / Express / KultPlus.com

Dhunimi i 11 vjeçares, dëshmia e nënës në Polici zbulon emrin e një prej të dyshuarve

Një rast i rëndë dyshohet të ketë ndodhur në Prishtinë. Pesë persona dyshohet se kanë dhunuar seksualisht një 11 vjeçare. Prokuroria Themelore konfirmoi për Gazetën Insajderi se tanimë ka nisur hetimet për rastin.

Rasti në polici është raportuar nga nëna e viktimës. Ajo ka dëshmuar në polici për tmerrin që ka përjetuar vajza e saj.

Burimet të Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari i moshës madhore që ra në prangat e Policisë nën dyshimet për përfshirje në këtë rast është Ekrem Rexhepi, 26-vjeçar, kurse i dyshuari tjetër që u arrestua është i mitur, G.R., 16-vjeçar.

Kjo ngjarje e trishtë u zbulua pas denoncimit të nënës së vajzës e cila bashkë me të bijën kanë raportuar në Polici për tmerrin që ka përjetuar ajo për disa orë.

Bazuar në dëshminë e nënës së saj, thuhet se vajza kishte dalë nga shtëpia, të shtunën në orët e mbrëmjes dhe nuk ka pasur asnjë informacion për fatin e saj. Ajo u trondit, kur pas mesnate, vajza u gjet dhe në gjendje të keqe emocionale rrëfeu se çfarë i kishte ndodhur. Para hetuesve dhe zyrtarëve për punë sociale, 11-vjeçarja ka treguar se e kanë dhunuar pesë persona, në disa lokacione të ndryshme, teksa ende nuk dihen detajet të reja.

Ndërkohë për rastin detaje për Insajderin dha zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.

Tutje ajo ka thënë se ndaj rastit në fjalë janë ndërmarrë të gjitha veprimet, por për momentin nuk mund të japin asnjë detaj.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka treguar tutje Ulaj.

Ndryshe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar./ Insajderi / KultPlus.com

Tronditëse, vajza 11-vjeçare dyshohet se u dhunua nga 5 meshkuj për shtatë orë në Prishtinë

Vajza që dyshohet se u dhunua nga pesë meshkuj, për shtatë orë në Prishtinë, është 11-vjeçe.

Dhunimi i 11-vjeçares, sipas policisë ka ndodhur të shtunën nga ora 17:30-00:30.

Lidhur me rastin janë arrestuar dy nga pesë të dyshuarit, njëri është i mitur. Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Tutje, Ulaj deklaron se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Teksa shton se nuk mund të japin informacione shtesë në këtë fazë.

Ky rast është përfshirë edhe në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës, ku thuhet se pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore.

“DHUNIM /Prishtinë 27.08.2022-17:30-00:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën  e lartcekur  ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë  janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e PK-së. / Express / KultPlus.com