Sot, Dita Botërore e Artit

Dita Botërore e Artit festohet çdo vit më 15 Prill. Në mbarë botën, njerëzit kanë përkufizimet e tyre për atë që ata e konsiderojnë si art. Kultura të ndryshme kanë shije dhe stile të ndryshme. Kjo festë përdoret si një mundësi për të nxitur zhvillimin e artit, transmeton KultPlus.

Arti inkurajon njerëzit të marrin kohë për të vënë re gjërat e bukura rreth tyre. Me oraret tona të ngarkuara, njerëzit nuk kanë gjithmonë kohë për të shkuar në galeritë e artit. Një kujtesë vjetore për bukurinë i ndihmon njerëzit të pushojnë dhe thjesht të shijojnë duke përjetuar botën. Ndan njohuri, ndez kuriozitetin dhe çon në biseda shumë interesante.

Dita Botërore e Artit u shpall më 15 Prill nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Ndërkombëtare të Artit. Festimi i parë ishte në vitin 2012. Data u zgjodh për të nderuar ditëlindjen e të famshmit Leonardo da Vinci.
Dita e parë botërore e artit u mbështet nga të gjitha komitetet kombëtare të Shoqatës Ndërkombëtare të Artit (I.A.A.). Kishte 150 artistë nga vende të ndryshme të botës për të siguruar përfshirjen. Kishte konferenca dhe orë të veçanta muzeale. Ekspozitat e artit në natyrë u mbajtën për të shfaqur piktura, printime, skulptura, video dhe më shumë.

Arti vjen në forma dhe kategori të ndryshme. Arti mund të jetë arkitekturë, muzikë, pikturë, skulpturë, vallëzim ose letërsi. Kinemaja konsiderohet gjithashtu art. Është një mënyrë që njerëzit të shprehin veten përmes krijimtarisë. Arti i vërtetë është thjesht një shprehje e emocioneve. Ai përfaqëson pikëpamjen e artistit për botën dhe mënyrën se si ata ndihen për të. Arti komunikon se sa të ngjashëm mund të jemi dhe gjithashtu sa të ndryshëm. Njerëzit marrin kuptimet e tyre të artit kur e përjetojnë atë. Perceptimet e tyre zakonisht bazohen në përvojat e tyre personale në jetë.

Dita Botërore e Artit është një kujtesë e shkëlqyer për t’i ndihmuar njerëzit të vërejnë bukurinë përreth tyre. I kujton njerëzit të shprehen plotësisht. Të gjithë jemi plot emocione dhe duhet të lejohemi t’i shfaqim pa frikë. Qëllimi është të lehtësojë zhvillimin e qëndrueshëm të artit. Me mbështetje të mjaftueshme, artistët mund të vazhdojnë të portretizojnë bukurinë./KultPlus.com

Me ekspozitë nga koleksioni i Galerisë Kombëtare, shënohet Dita Botërore e Artit

Përmes një ekspozite simbolike me 15 piktura të autorëve të shquar kosovarë në Galerinë Kombëtare të Kosovës sot është shënuar Dita Botërore e Artit, shkruan KultPlus.

Me iniciativë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Shoqatës së Artistëve Pamorë të Kosovës, për herë të parë në vitin 2021 Kosova shënon këtë ditë në shenjë solidarizimi me të gjitha strukturat e arteve pamore në botë – si pikë e parë për të zhvilluar më tej diplomacinë kulturore të këtij sektori me të gjithë aktorët ndërkombëtarë për të pasqyruar parimet dhe veprimtarinë e arteve pamore në Kosovë.

Dita botërore e arteve pamore që për herë të parë u shënua më 15 prill 2012 nga Shoqata Ndërkombëtare e Arteve Pamore si partnere e UNESCO-s ka për qëllim të krijojë lidhje, bashkëpunime dhe të katalizojë rrjetin ndërkombëtar të artit pamor në botë. Kjo datë përkon edhe me datëlindjen e artistit të shquar botëror Leonardo da Vinçit. / KultPlus.com

Më pak politikë, sharje dhe fyerje, më shumë art dhe buzëqeshje

Ilir Muharremi, kritik i artit

Sot është 15 prilli Dita Botërore e Artit. Artistët mundohen që në këtë ditë të gjejnë pajtueshmëri ndërmjet idesë dhe materies, ta konkretizojnë, ta bëjnë të prekshme, të ndjeshme idenë e materializuar, ose e kundërta, materien ta vlerësojnë se si ka rrjedhur nga ideja. Artistët në krejt botën e festojnë këtë ditë duke shprehur krijime të reja, forma të reja, gjetje të reja, themelime të lëvizjeve të reja në art, gjithnjë me atë se vepra artistike qetësisht tregon ndryshimin e idesë në materie, pra syri i brendshëm artistik është i aftë ta paraqesë shkëlqimin e së bukurës në hapësirë të jashtme, pra arti dhe bukuria kanë burimin në një dëlirë dhe ekstazë të veçantë.

Pasi që artistët ballafaqohen tërë jetën me këtë luftë (bukuria dhe materia), atëherë qenësisht na del se estetika është shumë subjektive sepse fillin e ka në thellësinë e shpirtit. Guri gdhendet nga zanatçiu nuk e përjashtoj edhe artistin sepse arti dhe zanati bashkëveprojnë, atëherë kur bëhet formë e rreshtohet në hapësirë nën shkëlqimin e diellit dhe hijet e hënës, krijohet një refleks i brendësisë pra artistikes sepse këtu është baza.

E bukura është shumë e thjeshtë na përket vetëm neve, na bën të ndjehemi mirë, ta përjetojmë, të përhumbemi, pra dehje e Dionisit, kurse e shëmtuara dhe e keqja është shumë neveritëse dhe e kundërta e personalitetit tonë. Andaj, me të drejtë në botë festohet Dita Botërore e Artit, datë kjo që lidhet me ditëlindjen gjeniut të artit Leonardo Da Vinçi. Arsyeja është se Da Vinçi është artisti më i njohur në histori të artit dhe veçohet me arritje humane simbol të paqes, të hulumtimit, zbulimit, shkencës, të tolerancës dhe të bashkimit. “Nëpërmjet eksplorimit të artit, shumë probleme në botë do të zgjidheshin”, thotë Mary Ann F.Kohl.

Fatkeqësisht në mediat tona më prioritet janë debatet politike, fyerjet, sharjet se sa Dita Botërore e Artit. Më të famshëm bëhen disa individë për deklaratat e tyre fyese, përbuzëse, gallata se sa ndonjë vepër e artistit. Populli jeton me kënaqësinë e shtypjes dhe ofendimit se sa arritjet e ndonjë artisti. Më shumë klikime marrin këto që i përmenda se sa promovimi i ndonjë ekspozite, shfaqje, filmi vallëzimi… Madje, politika bëhet më tërheqëse kur plasë debati me sharje, kacafytje, rrahje, ofendime familjare dhe mediat plasojnë imazhe më të detajuara (fyerjet në korridor jashta kamerave), e tëra kjo për arritje të biznesit të tyre pra komercializmit përmes klikimeve.

Pse kjo ditë gjithnjë kalon në heshtje në Kosovë? A është arti në rënie, a kanë njerëzit pak njohuri për artin? Institucionet tona a e dinë që ekziston dikund arti te ne, ndonëse i strukur në atelie? Mund të mendohet se arti ka shënuar rënie si pasojë e komercializmit, por e tërë bota po komercializohet, pra vlera dhe shpirti po blihet me para sepse në Kosovë më shumë besohet në krizën ekonomike se ne vlerën artistike. Arti duhet ta nxjerr veten nga kriza ekonomike, ta pasqyroj çdo krizë ose ta vetëdijësoj popullin që jeton në krizë, pra kjo i bie që arti qëndron ombrellë sipër çdo antivlere dhe vlere.

Urime 15 prilli Dita Botërore e Artit! Sot në këtë kohë pandemie ndonëse nuk mund të vizitoni ndonjë Galeri, Teatër, sallë koncertrale, kinema, për ta shënuar këtë ditë të madhe të krijimit dhe shprehjes artistike. / KultPlus.com