OKB lëshon tri pulla për paqen me imazhin e John Lennon

Administrata Postare e OKB -së (UNPA) ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Paqes duke lëshuar pullat e reja që shfaqin ikonën e muzikës dhe aktivistin e paqes, John Lennon, transmeton KultPlus.

Pullat përfshijnë tekstin e himnit klasik të John Lennon për paqen botërore, “Imagine”, së bashku me nënshkrimin e tij, dhe tre portrete të ndryshme fotografike të ish-këngëtarit të grupit Beatles në fazat e mëvonshme të jetës së tij.

Ky vit shënon gjithashtu 50 vjetorin e regjistrimit të “Imagine”, i cili konsiderohet si kënga më e suksesshme e karrierës solo të Lennon.

Kënga është interpretuar në disa nga ngjarjet më të mëdha në botë, duke përfshirë koncerte për paqen, festimet e Vitit të Ri dhe Lojërat Olimpike – gjithmonë një mesazh shpresëdhënës gjatë kohëve shqetësuese.

“Tekstet e saj na inkurajojnë të lëmë mënjanë të gjitha dallimet dhe të bashkohemi për të imagjinuar një botë paqeje, pa lakmi, uri ose barriera që ndajnë njerëzit dhe kombet” vuri në dukje OKB./KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Paqes

Dita Ndërkombëtare e Paqes është themeluar nga Kombet e Bashkuara. Ajo shënohet nga qindra miliona njerëz dhe mijëra organizata më 21 shtator të çdo viti.

Dita ndërkombëtare e paqes çdoherë është një ngjarje e posaçme, dhe këtë herë shënon 66-vjetorin e Kambanës së Paqes, e cila çdo vit bie në këtë ditë.

Ishte viti 1954 kur kjo kambanë e farkuar nga monedhat e mbledhura nga fëmijët e 60 shteteve iu dhurua Kombeve të Bashkuara nga Shoqata e OKB-së së Japonisë.

Që atëherë, për gjysmë shekulli, kambana ka dërguar porosi të fuqishme në mbarë botën lidhur me aspiratat e njerëzimit për paqe.

Gjatë gjithë kësaj kohe, prej kulminacionit të Luftës së Ftohtë deri në rritjen e konflikteve përbrenda shteteve, nga përhapja e SIDA-s e deri te aktet e terrorizmit, jehona e kambanës ka mbetur e pandryshuar, e qartë dhe e vërtetë.

Për nder të kësaj dite në Kosovë do të mbahet një aksion rrugor në Sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë, organizuar nga Youth Initiative for Human Rights, duke filluar nga ora 17:00.

Përgjatë aksionit rrugor, pjesëmarrësit duke mbajtur në dorë banerat e krijuara me faktet së kaluarës sonë, të veshur me të zezë (rrobat, maskat), si dhe sytë të mbështjellë me material të zi, do lënë të kuptohet se jemi – ‘Sy-mshelë në “Paqe”’ – që do të jetë dhe slogani jonë. Në mënyre indirekte përmes këtij organizimi do kërkohet drejtësi për të kaluarën për një të ardhme në ‘Paqe’. / KultPlus.com