‘Dita pa makina’, nga ora 10:00 një rrugë kryesore mbyllet për vetura në Prishtinë

Komuna e Prishtinës sot do të shënojë aktivitetin ‘Ditën pa makina’ në kryeqytet.

Sipas njoftimit, nga ora 10:00 deri në orën 15:00 do të mbyllet për qarkullim të veturave rruga ‘Dëshmorët e kombit’ (nga bulevardi ‘Xhorxh Bush’ deri te Rrethi i Flamurit).

“Ndërsa, ju qytetarë të dashur mund të merrni me qera, pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund (rrethi i Flamurit). Pavarësisht se çfarë zgjedhje bëni, kujdesuni për mjedisin dhe bëni ndryshime të vogla në jetën tuaj për të ndihmuar në mbrojtjen e planetit tonë”, thuhet në njoftim.

‘Dita pa makina’, një ngjarje ndërkombëtare, e cila organizohet në 2000 qytete të Botës, dhe që ka për qëllim inkurajimin e qytetarëve që t’i përdorin sa më pak makinat për transport, e në vend të tyre të shfrytëzojnë transportin publik apo biçikletat. / KultPlus.com

Kryeministri Rama: ‘Dita pa Makina’, pjesë e pandashme e kalendarit mujor (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ndau foto sot nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa theksoi se “Dita pa Makina” duhet të bëhet hap pas hapi pjesë e pandashme e kalendarit mujor.

Rama tha se pjesë e pandashme e punës së përbashkët me pushtetin vendor duhet të jetë edhe fuqizimi i transportit publik dhe nxitja e përdorimit të biçikletave në qytet.

“Dita pa Makina” duhet të bëhet hap pas hapi pjesë e pandashme e kalendarit tonë mujor, ashtu sikundër fuqizimi i transportit publik dhe nxitja e përdorimit të biçikletave në qytet, do të jenë pjesë e pandashme e punës së përbashkët me pushtetin vendor, për më shumë cilësi jete në hapësirat publike të komuniteteve tona”, tha ai.

“Dita pa Makina” synon ndërgjegjësimin e qytetarëve që të shmangin të paktën për një ditë përdorimin e automjeteve të tyre, të cilat janë edhe ndotëset kryesore të ajrit. / KultPlus.com

Përmes performancës “Dita pa Makina”, kërkohen burime alternative për transport

Sot me datë 22 shtator shënohet “Dita pa Makina (Car Free Day )”. EC Ma Ndryshe ka realizuar performancën publike e cila ka adresuar rëndësinë e mbrojtjes së ambientit dhe të drejtave të  shoqërisë për  të jetuar në një mjedis të pastër, të sigurt dhe të qetë. 

Gjatë kësaj performance është bërë shpërndarja e mesazheve ndërgjegjësuese lidhur me dëmet e shkaktuara në mjedis dhe shoqëri nga përdorimi i madh i veturave. Në kuadër të këtij aktiviteti EC poashtu ka ngritur si çështje problematike edhe uzurpimin e trotuareve nga veturat si pasojë e së cilës qytetarëve po ju merret e drejta e lëvizjes së lirë dhe të sigurt nëpër rrugët e qytetit. Uzurpimi i trotuareve nëpër lagje të ndryshme të Prizrenit është vërtetuar me fotografi, ku disa prej tyre  EC i ka vendosur në  një hartë në mënyrë vizuale.

Porositë e shpërndara bëjnë thirrje për përdorim të burimeve alternative për transport në vend të veturave, meqë ato lirojnë gazra të dëmshme që shkaktojnë probleme të shumta shëndetësore e mjedisore. Përdorimi i transportit publik, biçikletave dhe ecja nëpër distanca të shkurtra janë  alternativat që sot në shumë vende të botës janë duke u praktikuar dhe kanë shënuar rezultate shumë pozitive në favor të mjedisit dhe shoqërisë.

Çdo vit në botë vdesin më shumë se 1.3 milion njerëz nga aksidentet, ndërsa çdo vit lëndohen më shumë se 10 milion njerëz lehtë ose rëndë. Kurse shifrat e vdekjeve apo sëmundjeve nga ndotja e ajrit si pasojë e gazrave të liruara në atmosferë nuk tregon ndonjë dallim të madh. Bronkiti, astma, alergjitë e ndryshme, sëmundjet e mushkërive, migrena janë disa nga sëmundjet prej të cilave vuajnë edhe qytetarët e vendit tonë. Përpos kësaj stresi, lodhja, dëmtimi i shqisës së dëgjimit vijnë si pasojë e zhurmës së tepërt që veturat prodhojnë. Atëherë duke i pasur parasysh të gjitha këto pasoja EC apelon tek qytetarët për reduktim të përdorimit të veturave.

Trotuaret e rrugëve të qytetit janë të zëna me vetura të ndryshme që e vështirësojnë ecjen e këmbësorëve.  Përmes hartës së përgatitur, EC i ofron qytetarëve një pasqyrë që në realitet çdo ditë qytetarët ballafaqohen dhe përjetojnë  vështirësinë e ecjes nëpër rrugë të qytetit. / KultPlus.com