Bashkia e Durrësit miraton vendimin, Mirush Kabashi merr titullin ‘Qytetar Nderi’ 

Bashkia e Durrësit miratoi sot vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes).

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale.

Ditën e nesërme në qytetin e Durrësit do të organizohet nën kujdesin e kryebashkiakes Sako edhe ceremonia e dhënies së titullit për aktorin Mirushin Kabashi.

Ceremonia do të zhvillohet në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë kësaj ceremonie do të shfaqet edhe intervista e fundit e aktorit të madh Mirush Kabashi, një rrëfim për jetën në skenën e Teatrit dhe jo vetëm.

Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.

Kabashi në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë”, si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Kabashi është vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./atsh/KultPlus.com

Bashkia Pogradec, aktivitete të përbashkëta artistike dhe kulturore me qytetin gjerman

Bashkia e Pogradecit dhe ajo e Wismar, Republika Federale e Gjermanisë, në kuadër të Marrëveshjes së Binjakëzimit që kanë lidhur mes tyre, në vitin 2019, nga dy kryetarët e bashkive, respektivisht Ilir Xhakolli dhe Thomas Beyer, kanë realizuar gjatë këtij viti një serë aktivitetesh të përbashkëta në fushën e artit dhe kulturës.

Kështu specialistë të bashkisë Pogradec morën pjesë në trajnimin e organizuar në bashkinë Wismar në fushat Turizëm, Trashëgimi Kulturore, Legjislacioni mbi Turizmin.

Bashkëpunimi në fushën e lundrimit dhe artit angazhoi 11 të rinj, të moshave 12-16 vjeç, anëtarë të Shoqatës “Seglerjugend Wismar” të shoqëruar nga tre bashkëpunëtorë të rritur,  në demonstrimin e lundrimit me vela në Liqenin e Ohrit, pjesa shqiptare, në Pogradec, si edhe me asistencën e piktorit të merituar Anastas Kostandini, realizuan pikturat e tyre, të cilët u ekspozuan më pas në ekspozitën e pikturës në Wismar, krahas punimeve të ekspozitës së piktorit Anastas Kostandini.

Çelja e ekspozitës së “Piktorit të Merituar” Anastas Kostandini, titulluar “Një piktor nga Pogradeci viziton Wismarin”.

Kështu në fund të muajt gusht, në bashkinë Wismar u organizua takimi zyrtar me kryetarin e bashkisë Thomas Beyer, ku u analizuan dhe u përshëndetën bashkëpunimet e deritanishme të realizuara në disa fusha dhe u propozuan të tjera bashkëpunime konkrete në të ardhmen.

Bashkia e Pogradecit njofton se pritet të realizohet së shpejti bashkëpunimi në fushat e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore me prezencën e dy funksionarëve të bashkisë Wismar, teksa titullarët konfirmojnë vullnetin e mirë për vazhdimësinë e binjakëzimit mes dy bashkive edhe në fusha të tjera./atsh/KultPlus.com