“Mos u Nxeh Prizren!”, një mjet i ri për argëtim dhe edukim mbi trashëgiminë kulturore

Në oborrin e Kompleksit muzeor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sot u bë promovimi i lojës “Mos u Nxeh Prizren!”.

Loja e përgatitur nga organizata ‘EC Ma Ndryshe’ është prezantuar në format të hapësirës publike dhe atë të formës së lojës për tavolinë.

Në promovim morën pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i shoqëruar nga këshilltarja Nora Arapi-Krasniqi, përfaqësuesit e organizatës “Ec Ma Ndryshe”, Drejtori i QRTK-Prizren, Samir Hoxha, mësimdhënësit e shkollës “Emin Duraku” dhe shkollave të tjera.

“Si ministri besojmë që edukimi për trashëgiminë kulturore duhet të fillojë qysh prej moshës më të re dhe mënyra më e mirë për të mësuar diçka është përmes lojës, përmes argëtimit dhe bashkëpunimit me njëri tjetrin”, ka thënë ministri Çeku.

“Kjo mund të duket diçka e vogël por është një metodologji shumë e avancuar për t’i edukuar fëmijët tanë me idenë që duhet mbrojtur kultivuar dhe promovuar vlerat tona të trashëgimisë”, u shpreh tutje ministri.

“Përmes këtij aktiviteti po bëhet prezantimi i vlerave të trashëgimisë kulturore, edukimi joformal i gjeneratave të reja”, ka thënë mes tjerash, drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha.

Kjo lojë kreative e dizajnuar për qytete të ndryshme të Shqipërisë, si: Gjirokastra, Tirana, Shkodra, Korça, etj. tanimë në Kosovë për herë të parë është prezantuar në Prizren.

Loja, përveq që synon të ‘pushojë’ fëmijët nga ekspozimi i tepërt në pajisje elektronike, poashtu synon rikthimin e një nostalgjie të shumë familjeve kosovare, tanimë në një format ndryshe.

Fëmijët përmes lojës e argëtimit do të mund të (ri)zbulojnë elemente të ndryshme të trashëgimisë së qytetit të tyre përderisa të rriturit, evokojnë kujtimet që ofron loja dhe mund të diskutojnë hapur për temat e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.

Edicioni i lojës “Mos u Nxeh Prizren” është dizajnuar nga organizata ‘EC Ma Ndryshe’ në partneritet me GuideKS (Asociacionin e Guidave Turistike të Kosovës) dhe kontribut të çmuar nga stafi profesional i Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren, përderisa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Përmes performancës “Dita pa Makina”, kërkohen burime alternative për transport

Sot me datë 22 shtator shënohet “Dita pa Makina (Car Free Day )”. EC Ma Ndryshe ka realizuar performancën publike e cila ka adresuar rëndësinë e mbrojtjes së ambientit dhe të drejtave të  shoqërisë për  të jetuar në një mjedis të pastër, të sigurt dhe të qetë. 

Gjatë kësaj performance është bërë shpërndarja e mesazheve ndërgjegjësuese lidhur me dëmet e shkaktuara në mjedis dhe shoqëri nga përdorimi i madh i veturave. Në kuadër të këtij aktiviteti EC poashtu ka ngritur si çështje problematike edhe uzurpimin e trotuareve nga veturat si pasojë e së cilës qytetarëve po ju merret e drejta e lëvizjes së lirë dhe të sigurt nëpër rrugët e qytetit. Uzurpimi i trotuareve nëpër lagje të ndryshme të Prizrenit është vërtetuar me fotografi, ku disa prej tyre  EC i ka vendosur në  një hartë në mënyrë vizuale.

Porositë e shpërndara bëjnë thirrje për përdorim të burimeve alternative për transport në vend të veturave, meqë ato lirojnë gazra të dëmshme që shkaktojnë probleme të shumta shëndetësore e mjedisore. Përdorimi i transportit publik, biçikletave dhe ecja nëpër distanca të shkurtra janë  alternativat që sot në shumë vende të botës janë duke u praktikuar dhe kanë shënuar rezultate shumë pozitive në favor të mjedisit dhe shoqërisë.

Çdo vit në botë vdesin më shumë se 1.3 milion njerëz nga aksidentet, ndërsa çdo vit lëndohen më shumë se 10 milion njerëz lehtë ose rëndë. Kurse shifrat e vdekjeve apo sëmundjeve nga ndotja e ajrit si pasojë e gazrave të liruara në atmosferë nuk tregon ndonjë dallim të madh. Bronkiti, astma, alergjitë e ndryshme, sëmundjet e mushkërive, migrena janë disa nga sëmundjet prej të cilave vuajnë edhe qytetarët e vendit tonë. Përpos kësaj stresi, lodhja, dëmtimi i shqisës së dëgjimit vijnë si pasojë e zhurmës së tepërt që veturat prodhojnë. Atëherë duke i pasur parasysh të gjitha këto pasoja EC apelon tek qytetarët për reduktim të përdorimit të veturave.

Trotuaret e rrugëve të qytetit janë të zëna me vetura të ndryshme që e vështirësojnë ecjen e këmbësorëve.  Përmes hartës së përgatitur, EC i ofron qytetarëve një pasqyrë që në realitet çdo ditë qytetarët ballafaqohen dhe përjetojnë  vështirësinë e ecjes nëpër rrugë të qytetit. / KultPlus.com

“Ec Ma Ndryshe” thotë se po vazhdon rrënimi i ndërtesave me vlerë në Prizren

Qendra Historike e Prizrenit (QHP) ende është duke vuajtur nga rrënimet pa leje e të (pa)qëllimshme të ndërtesave me vlerë të trashëgimisë kulturore, thotë “Ec Ma Ndryshe” përmes një komunikate për media.

Tutje thuhet se rasti i fundit është ndërtesa në rrugën Berati ku vërehet rrënimi i gati gjysmës së ndërtesës, rrënime në enterier dhe muret e prapme të ndërtesës.

“Ky rrënim bëhet më shqetësues për faktin se kjo ndërtesë është pjesë përbërëse e projektit ‘Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti’ në Qendrën Historike të Prizrenit i hartuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe EC Ma Ndryshe, përderisa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit”, thuhet në komunikatë, transmeton KultPlus.

Javë më parë, ministri i kulturës Kujtim Gashi ka theksuar se rruga “Marin Barleti” në Prizren do të revitalizohet dhe do të investohen mbi 2 milionë euro.

“Projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” është një projekt ambicioz dhe tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, pasi që ngërthen në vete trajtimin e 14 ndërtesave të banimit të cilat fatkeqësisht nuk janë në gjendjen e dëshirueshme. Edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti paraqet një ngarkesë buxhetore për MKRS-së, ai do të zbatohet në përpikëri, në respektim të standardeve të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi” është shprehur Gashi.

EC Ma Ndryshe apelon tek MKRS-ja dhe Komuna e Prizrenit, gjegjësisht inspektoratet përgjegjëse të këtyre dy institucioneve të dalin në terren dhe të evidentojnë këto rrënime dhe të marrin masa adekuate konform ligjeve në fuqi rreth këtij fenomeni të shkatërrimit të ngadalshëm e të (pa)qëllimshëm të ndërtesave pasi humbja e vlerave të trashëgimisë kulturore është proces i pakthyeshëm./KultPlus.com

Tabelat informuese për objektet e trashëgimisë kulturore në Prizren me shumë gabime

Komuna e Prizrenit në fillim të kësaj jave, përmes ueb faqes së saj zyrtare, ka njoftuar se me qëllim të promovimit të trashëgimisë kulturore dhe orientimit më të lehtë të vizitorëve të huaj, janë vendosur tabelat informuese që tregojnë drejtimin dhe largësinë e monumenteve kulturore apo institucioneve me rëndësi. Ky projekt është realizuar nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Rural, ndërsa tabelat janë vendosur në udhëkryqet kryesore të qytetit.

EC Ma Ndryshe përmes një komunikate për media thekson se ky hap, edhe pse shumë i vonshëm për Komunën e Prizrenit, është një investim i duhur dhe i mirëseardhur. Megjithatë, vëren se ky projekt ka një sërë gabimesh, që duhet të adresohen:

·Komunat e ndryshme të Kosovës gjatë viteve të fundit në raste të ndryshme kanë vendosur shenja për nevojat e tyre të promovimit dhe orientimit të vizitorëve. Fatkeqësisht, çështja e rregullimit të shenjëzimit të lokaliteteve të trashëgimisë kulturore nuk ka qenë e rregulluar deri vonë nga niveli qendror. Më 20 shtator të këtij viti është përmbyllur procesi i konsultimit publik për Draft – udhëzimin administrativ Nr.XX/2018 për specifikat e shënjimit të trashëgimisë kulturore dhe vendeve turistike të udhëhequr nga MKRS. Për këtë arsye EC konsideron se ky hap i Komunës së Prizrenit ka qenë i ngutshëm dhe paraqet shpenzim të paarsyeshëm të parasë publike për një investim, i cili së shpejti duhet të zëvendësohet në mënyrë që t’i përshtatet standardeve të kërkuara.

·Shenjat e vendosura kanë edhe gabime përmbajtësore dhe teknike. Shumica e shenjave kanë gabime të mëdha drejtshkrimore, pastaj në raste të caktuara ka pasaktësi, derisa nganjëherë përkthimet joadekuate në gjuhët përkatëse paraqesin defekte serioze. Po ashtu ka edhe gabime në kalkulim të distancave nga lokacioni i vendosur deri tek destinacioni.

EC rekomandon që Komuna e Prizrenit, gjegjësisht Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Rural t’i merr parasysh çështjet e ngritura dhe t’i adresojë në mënyrë prioritare.

Për më tepër, në qershor të këtij viti EC Ma Ndryshe ka publikuar hulumtimin “Shenjëzimi dhe reklamimi kaotik në Qendrën Historike të Prizrenit”, i cili merret me identifikimin e fenomenit të degradimit vizuel të Qendrës Historike të Prizrenit përmes mungesës së shenjëzimit adekuat dhe reklamimit të pakontrolluar dhe zbatimit të ligjeve të aplikueshme. Hulumtimi në pjesën e rekomandimeve jep një sërë veprimesh që duhet të ndërmerren në këtë fushë./ KultPlus.com

EC Ma Ndryshe kërkon “Trashëgimi kulturore, jo vendparkingje” në Prizren

Është finalizuar iniciativa “Trashëgimi kulturore, jo vendparkingje!” e konceptuar nga pjesëmarrësit e Shkollës së Aktivizmit Urban në kuadër të projektit “Rikthimi i Qytetit” në Prizren.

Kjo iniciativë ka për qëllim të potencojë problemin e parkimit të automjeteve në afërsi të objekteve të trashëgimisë kulturore (ndër të tjera në afërsi të Xhamisë Sinan Pasha, në afërsi të Urës së Gani Tadës, në afërsi të Muzeut Arkeologjik etj).

Kjo praktikë përveç se kufizon qytetarët në lëvizje, dëmton rëndë imazhin e qytetit në përgjithësi dhe objekteve të trashëgimisë kulturore në veçanti. Parkimi në afërsi të perimetrit të objekteve të trashëgimisë kulturore pengon vizurat ndaj vlerave të trashëgimisë, qasjen në objektet kulturore si dhe ndikon në dëmtimin e peizazhit kulturor. Rrjedhimisht, kjo problematikë ndikon jo vetëm te qytetarët e Prizrenit por edhe te turistët dhe vizitorët e shumtë të qytetit.

Lidhur me këtë problematikë, EC sot ka intervenuar në rrugën “Vatra Shqiptare”, e cila lidh Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe Kompleksin e Marashit, duke vendosur pengesa në formë të ulëseve, të cilat do të zëvendësojnë automjetet e parkuara në këtë zonë edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar.

“‘Ulëset pengesë’ shprehin revoltën për pengesën në lëvizje dhe në vizuara ndaj dy komplekseve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Prizren si rezultat i mosveprimit të institucioneve ndaj qytetarëve të cilët parkohen në vend të ndaluar”, thotë kjo organizatë në njoftimin për media.

Ideja për protestën artistike ndaj vendparkingjeve në afërsi të objekteve të trashëgimisë kulturore është dhënë gjatë Modulit 1 të Shkollës së Aktivizmit Urban, të mbajtur në muajt prill – maj të këtij viti, gjatë së cilës të rinjtë pjesëmarrës të shkollës kanë patur rastin të aftësohen lidhur me principet e aktivizmit urban.

Lidhur me porosinë që kjo iniciativë tenton të përçojë te institucionet përgjegjëse, përfshirë këtu Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Inspektoriatit dhe Policinë e Kosovës –Rajoni Jug, të Premten, datë 03.08.2018, nxënësit pjesëmarrës të Shkollës së Aktivizmit Kulturor kanë dorëzuar peticionin e nënshkruar nga 243 qytetarë.

Kjo iniciativë do të përcillet me iniciativat e radhës të dizajnuara në kuadër të Shkollës së Aktivizmit Urban. Veprimet e propozuara trajtojnë çështje të caktuara të komunitetit në qytet, dhe u takojnë fushëveprimeve të ndryshme me fokus në hapësirat publike.

Shkolla e Aktivizmit Urban është pjesë e projektit ‘’Rikthimi i Qytetit’’ që në mënyrë specifike synon të avokojë për gëzimin e plotë të së drejtës mbi qytetin përmes një sërë platformash të aktivizmit. Nëpërmjet Shkollës së Aktivizmit Urban, projekti ofron një platformë edukimi dhe aktivizmi qytetar për të rinjtë, duke transformuar nxënësit e shkollave të mesme në qytetarë politikisht aktiv dhe social.

Projekti “Rikthimi i qytetit – E Drejta mbi Qytetin për grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit në Prizren” përkrahet financiarisht nga National Endowment for Democracy./ KultPlus.com

“MOS E PREK! – trashëgimi kulturore!”, performancë publike kundër degradimit të trashëgimisë kulturore

Degradimi i trashëgimisë kulturore në Prizren edhe në vitin 2017 ka vazhduar që të jetë dukuri shqetësuese. Me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore por edhe shtytjes së institucioneve qeveritare e të drejtësisë për veprim në drejtim të zbatimit të ligjit, EC Ma Ndryshe të martën ka organizuar performancën e titulluar “MOS E PREK! – trashëgimi kulturore!”.

Në kuadër të performansës janë vendosur afishe te ndërtesat e trashëgimisë kulturore që janë nën mbrojtje të ligjit dhe atyre që janë pjesë e fushës së konservimit arkitekturor të Qendrës Historike të Prizrenit me njoftimin se ndalohet demolimi apo çdo intervenim në këto ndërtesa pa pëlqimin e autoriteteve përgjegjëse si dhe përshkruhen sanksionet që i parasheh legjislacioni.

Paralelisht me këtë të martën janë shpërndarë edhe kartolinat sensibilueze për opinionin publik për vlerat e humbura ndër vite të trashëgimisë kulturore në Prizren, të cilat me postë i janë dërguar institucioneve lokale e qendrore të pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Përmes këtij aktiviteti synohet që të sillet në vëmendje edhe njëherë shqetësimi për dukurinë e rrënimit dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në Prizren.

Në hulumtimin “Gjendja fizike e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren” të publikuar nga EC në nëntor të këtij viti theksohet se në vitin 2016 sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit të Qendrës Historike kanë qenë 122 monumente të listuara brenda kësaj zone dhe se deri në nëntor të vitit 2017 janë rrënuar ose kanë pësuar tjetërsim të pakthyeshëm 31 monumente. Po kështu nga gjithsej 388 ndërtesa tradicionale që ishin në vitin 2006, sot ekzistojnë 155 sosh, që tregon se 233 ndërtesa apo struktura tradicionale të qytetit janë rrënuar ose kanë pësuar tjetërsim.
Ndërkaq në prill të vitit 2014, EC pat publikuar analizën “Ligjet nuk po e mbrojnë Qendrën Historike”, ku rekomandimi kryesor ka qenë zbatimi i ligjeve përmes ndëshkimit, që do të shërbente si shembull parandalues. Dëmtimi ose shkatërrimi i trashëgimisë kulturore përbën vepër penale dhe mosndëshkimi nënkupton paaftësinë e institucioneve për të siguruar sundim të ligjit. EC Ma Ndryshe beson se vetëm opsioni i ndëshkimit (me gjobë ose burgim) për veprën penale “dëmtim i trashëgimisë kulturore” mund të shpëtojë Qendrën Historike nga shkatërrimi i tërësishëm.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe e përsërit qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore, sidomos prokuroria dhe gjykata të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur.

“Qytetet Gjithëpërfshirëse…” është projekt i EC, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje dhe fshatra të ndryshme të komunës së Prizrenit./ KultPlus.com

Rrënohet shtëpia e familjes Myftiu, monument që mbrohej me ligj

Shtëpia e familjes Myftiu, monument i mbrojtur me ligj, që ndodhet në zonën e Qendrës Historike të Prizrenit është rrënuar. Në këtë mënyrë Prizreni ka humbur edhe një ndërtesë të trashëgimisë kulturore me vlera arkitektonike dhe artistike.

Në bazë të informatave të marra nga zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren rrënimi është bërë pa lejen e duhur të autoriteteve, ndërkohë që nuk ka pasur as ndonjë kërkesë për intervenim.

Sipas të dhënave të publikuara në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës të MKRS-së, shtëpia në fjalë është inventarizuar në vitin 2003, derisa nën mbrojtje të përkohshme është nga viti 2015-2016. Është klasifikuar si monument. Kjo shtëpi është e listuar edhe në shtojcën II të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit.

Në Databazë thuhet se shtëpia e familjes Myftiu gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, në afërsi të Xhamisë së Emin Pashës. Ajo është ndërtuar në shekullin XIX, gjegjësisht më 1859, dhe tërë kohën ka shërbyer për banim. Autoritetet e trashëgimisë kulturore kanë bërë të ditur se në enterier shtëpia ruante elemente dhe ndërtesa origjinale të kohës dhe kishte vlera arkitektonike-artistike si në eksterier, ashtu edhe në enterier.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe e përsërit qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur. / KultPlus.com