Fshati i Dragashit që po zbrazet

Një ortek bore, para 12 vjetësh, pati qenë fatal edhe për 10 anëtarë të një familjeje në Restelicë të Dragashit. Banorët e këtij fshati, akoma gjatë dimrit vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta.

Fshati Restelicë i komunës së Dragashit shtrihet në pjesën më jugore të Kosovës, ka më shumë se dy mijë shtëpi banimi me 11 mijë banorë, rreth 70 % e të cilëve kanë mërguar.

Fshati shtrihet pllajave të Parkut Nacional të Maleve të Sharrit dhe punohet vetëm me damper, një mjet i veçantë që i përshtatet terrenit tepër të thyer malor. Jeta është e vështirë, sidomos në stinën e dimrit që zgjatë gjashtë muaj. Ky fshat ka resurse të mëdha për zhvillimin e turizmit.

“Periudha e dimrit në Restelicë është katastrofale, jetohet vështirë, të rinjtë po largohen me të madhe, sidomos pas liberalizimit të vizave, kanë ngelë vetëm pleqt, shumica jo të aftë për punë. Në Restelicë kemi një ambullantë, ku punojnë një mjek dhe dy teknik, kemi shkollë, me 120 deri 150 nxënës, doktori punon pesë ditë të javës , por momentalisht është në pushim”, tha Hajrudin Hoxha teknik medicinal.

Shkolla e Restelicës ka kushte të mjaftueshme për vijimin e mësimit. “Kushtet për punë në këtë shkollë janë shumë të mira, shkolla është e pajisura si të tjerat në gjithë Kosovën, kemi më shumë se 100 nxënës, është e pajisur me nxemje qëndrore dhe funksionon mirë. deri tash furnizimin me libra e kemi pas nga komuna, tash i kemi nga ministria dhe furnizimi është i mirë”, tha për RTK, Salim Karalija, mësimdhënës.

Nuri Hoxha, banor, thotë se ka punuar si blegtor, por tani ka ngelur vetëm me gruan.

“Jetohet si në mal, gjithçka është bosh, nuk ka njerëz, shumica prej tyre janë jashtë, e familja ime djemtë e vajzat janë në Itali”, tha Nuri Hoxha, banor i Restelicës

Braktisja e fshatrave të komunës së Dragashit është rritur shumë pas liberalizimit të vizave thotë edhe kryetari i kësaj komune Behxhet Xheladini

Restelica në shkurt të vitit 2012 u godit nga një tragjedi natyrore, ku humbën jetën 10 persona të një familjeje.

Që nga ajo kohë dimrat në këtë fshat janë më të butë, por gjithsesi duhen përgatitje të mëdha për të hyrë në stinën e dimrit. Trashësia e borës për këtë vit nuk i ka kaluar 60 cm, për dallim prej shumë viteve më parë kur arrinte mbi një metër./rtk/KultPlus.com

Aktakuzë ndaj mësimdhënësit në Dragash për rrahjen me rrip të nxënësve

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj një mësimdhënësi nga Dragashi, me dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “hakmarrje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë të hënën.

Sipas njoftimit, më 13 maj të këtij viti, mësuesi me inicialet D.M, në shkollën “Hilmi Bahtijari” të fshatit Blaq, ka rrahur me rrip nxënëset me inicialet F.Z., S.Z. dhe E.H., duke iu shkaktuar lëndime fizike.

“Mësimdhënësi D.M., në cilësinë e personit zyrtar, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij, i keqtrajton, frikëson dhe fyen rëndë dinjitetin e personave tjerë – nxënëseve F.Z., S.Z., dhe E.H., në atë mënyrë që i njëjti sapo hyn në klasë kërkon nga nxënësit që të nxjerrin librin nga lënda e Matematikës dhe të lexojnë në heshtje mësimin e fundit. Më pas kërkon nga nxënësit të dalin te dërrasa e zezë dhe të përsërisin mësimin që kishin lexuar. I pakënaqur me përsëritjet e nxënësve, merr rripin e pantallonave nga nxënësi R.I., me të cilin me forcë i godet nxënëset në duar, duke i shkaktuar dhembje fizike, frikë dhe fyerje të rëndë të dinjitetit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore.

Sipas prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale “hakmarrje”, duke i notuar nxënëset me nota të dobëta. Kjo vepër u krye, sipas prokurorisë, pasi viktimat i njoftuan prindërit dhe Policinë e Kosovës për veprimet e mësimdhënësit.

Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës që pos dënimit, t’i ndalohet edhe ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. / KultPlus.com

Mungesa e rrymës për 24 orë i detyron banorët e fashtit Brezene të dalin në protestë (VIDEO)

Si rezultat i mungesës së energjisë elektrike, banorët e fshatit Brezene në rrugën Dragash-Prizren janë “detyruar” që të dalin në protestë, transmeton KultPlus.

Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, disa banorë shihen të kenë dalur në protestë si revolutë e mungesës së energjisë elektrike.

Problemet me rrymë janë duke u bërë një problem i madh në Kosovës, pasi po lajmërohen ankesa të shumta nga qyetetarët në disa vende.

KEDS në anën tjetër, ka bërë thirrje çdo herë e më shumë që të kursehet rryma, kjo pasi ata po paguajnë shuma të mëdha për të siguruar furnizim të mjaftueshëm.

Në seancën plenare që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të ofrojë një zgjidhje për energjinë elektrike sa më shpejt që është e mundur. /KultPlus.com

‘Rrenci’, fshati me emrin e çuditshëm në Komunën e Dragashit

Në zonën e Dragashit ndodhet një fshat i vogël me rreth 120 shtëpi,e diku rreth 400 banorë, që ka një emër interesant! Fshati quhet ‘Rrenc’. Emri i fshatit vjen nga familjet e para në këtë vend kanë të cilët kanë ardhur nga rrethi i Lezhës, ku është Mali i Rrencit, nga ku edhe supozohet se rrjedh emri i fshatit Rrenc, përcjell KultPlus.

Vlenë të përmendet se fshati përkundër vështirësive që ka në qarkullim dhe shkollim të fëmijëve, ka mbi 20 mjekë që punojnë në Spitalin e Prizrenit dhe Dragashit.

Emri ka qenë arsye pse në plot raste banorët e fshatit, që aktualisht janë rreth 400, u përballën me situata interesante, përfshirë edhe ato ku mosbesimi për ta ishte i theksuar. Për momentin Rrenci ka 120 shtëpi dhe 400 banorë, ndërsa numëron rreth 65 nxënës dhe 70 studentë.

Ashtu si edhe shumica e fshatrave të Opojës edhe nga Rrenci ka një lëvizje të madhe të banorëve drejt botës së jashtme, ku rreth 30 % e tyre supozohet se janë shpërngulur. / KultPlus.com