Më 26 janar mbahet protesta “Asnji cent ma shumë” kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë

Më 26 janar në Prishtinë mbahet protesta kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë duke filluar nga ora 12:00, përcjell KultPlus.

Me 28 janar 2021 Qeveria e Kosovës pritet ta miratojë propozimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen prej 9% për të gjithë konsumatorët/et që shpenzojnë deri në 600 kWh, ndërsa rreth 200% rritje të çmimit për konsumatorët/et që e tejkalojnë 600 kWh.

Faqja e krijuar si një kauzë në rrjetin social Facebook, “KEDS t’i kthehet Kosovës” ka njoftuar për këtë protestë e cila nis tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë me dy kërkesa kryesore: Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRre-ja dhe Nacionalizimi i KEDS-it.

Më poshtë KultPlus ua sjell të plotë njoftimin e tyre:

Vendosja e bllok tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit/ës prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro.

Përveç që i palogjikshëm, ky propozim do t’i pasurojë edhe më tej bizneset, në kurrizin tonë. Sipas propozimit, çmimi i energjisë për bizneset nuk rritet fare. Kjo i bie se një familje mesatare në Kosovë që synim e ka jetesën apo edhe mbijetesën, paguan edhe për bizneset që synim e kanë qarkullimin e fitimin.

KEDS-it nuk i mjaftojnë 17 milion euro fitim në vit por e ka bërë argat ZRrE-në dhe Qeverinë e Kosovës që nga ky vit kësaj kompanie private t’i shumëfishohet fitimi. E gjithë kjo nga buxheti, edhe ashtu i dërrmuar, i qytetarëve/eve të Kosovës.

Këto shantazhe, ne qytetarët e këtij vendi nuk do i lejojmë kurrsesi. Në këto kushte, protesta mbetet e vetmja rrugë që ta parandalojmë barrën që mundohen të na ngarkojnë Qeveria e Kosovës përmes ZRrE-së e me KEDS-in.

Andaj, ju ftojmë që të mërkurën, duke filluar nga ora 12:00, të mlidhemi e ta kundërshtojmë e ta parandalojmë këtë padrejtësi të rradhës ndaj nesh. Protesta nisë tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë dhe ka dy kërkesa kryesore:

1.Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRre-ja;

  1. Nacionalizimi i KEDS-it / KultPlus.com

Reuters: Kriza energjetike po përshkallëzohet në Kosovë

Agjencia e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull krizës energjetike në Kosovë.

Ndërsa Kosova po përballon krizën e saj më të rëndë energjetike në një dekadë, Xhelal Gashi po mendon të mbyllë furrën e tij në Prishtinë, sepse ai po përpiqet të mbulojë kostot e karburantit për një gjenerator që kur autoritetet prezantuan ndërprerjet e energjisë.

“Zakonisht paguaj rreth 300 euro për faturën time të energjisë elektrike, por tani po shpenzoj 100-110 euro në ditë për të blerë naftë për gjeneratorin”, tha Gashi, duke folur nga furra e tij ku ka 10 punëtorë.

Më tej Reuters shkruan: “Shumë biznese dhe familje në Kosovë kanë nxjerrë gjeneratorë portativë të energjisë që kur kompania e shpërndarjes së energjisë në vend, KEDS-i njoftoi javën e kaluar se do të prezantojë ndërprerjet e energjisë elektrike prej dy orësh deri në njoftimin e radhës”.

Vendet në të gjithë Evropën po përballen me rritje të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike, pjesërisht për shkak të rritjes së kërkesës në mes të rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.

Të premten, qeveria shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për 60 ditët e ardhshme, e cila do t’i lejojë asaj të ndajë më shumë para për importet e energjisë dhe ndoshta të prezantojë masa edhe më të ashpra dhe më shumë ndërprerje të energjisë.

Kosova prodhon shumicën e energjisë së saj nga dy termocentrale të vjetra me qymyr jashtë Prishtinës, dhe normalisht importon 10-15% të energjisë së saj, por kjo shifër është rritur në 40% gjatë krizës aktuale. / KultPlus.com

Kurti: Jemi në krizë e gjithë bota, qytetarët i lusim të racionalizojnë shpenzimin e energjisë

Kosova është duke përjetuar një krizë të madhe të energjisë elektrike, ku si rrjedhojë shumë qytetarë janë ankuar dhe madje janë paralajmëruar edhe protesta rreth rikthimit të reduktimeve, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se kriza energjetike nuk është vetëm në Kosovë dhe rajon, është në gjithë Evropën.

“Por, neve na ka goditur si një popullsi e varfër që jemi. Dhe me këtë rast, ne po përpiqemi që nëpërmjet subvencionimit të konsumit në njërën anë dhe rregullimit të bllokut B2 të termoelektranave në anën tjetër, sadopak ta zbusim këtë situatë e cila nuk do të mund të përfundojë shpejt, meqenëse këto ditë ngarkesa bazë është diku rreth 900 megavat, ndërkaq që shpenzimi arrin edhe 1.4 gigavat, kurse i gjithë kapaciteti prodhues, sikur të punonte edhe blloku B2, nuk do të ishte më shumë se 900 megavat”, ka thënë ai.

Tutje, i pari i ekzekutivit tregoi se Kosova është detyruar që të importojë energji elektrike, dhe çmimet janë bukur të shtrenjta.

“Në këtë situatë ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike dhe këtë po e bëjmë me çmime bukur të shtrenjta, për shkak se bursa ndërkombëtare është goditur rëndë nga çmimet gjithnjë e më të larta të gazit. Pra, në njërën anë subvencionojmë konsumin, do të ndihmojmë edhe familjet që janë më të varfra, por në anën tjetër, gjithashtu u kemi bërë thirrje qytetarëve që sa më shumë që të munden, ta racionalizojnë shpenzimin dhe u jemi mirënjohës për përgjigjen pozitive”, shtoi Kurti.

Qeveria e Kosovës ka hartuar një dokument ku parashihen se 60 ditë mund të zgjasin gjitha këto probleme. /KultPlus.com

Zëdhënsi i KEDS-it, tregon nëse është është shtrenjtuar energjia elektrike

KOSTT: Nga nesër pritet përmirësim dhe zvogëlim i reduktimeve me rrymë

KOSTT-i përmes një përgjigje me shkrim për Gazetën Express njofton se nga nesër do të ketë përmirësim të furnizimit me rrymë. Nga kompania që menaxhon Sistemin e Transmetimit të energjisë elektrike në vend thonë se reduktimet e rrymës që aplikohen vlejnë për tërë territorin e Kosovës përfshirë edhe veriun.

Pas raportimeve se në pjesën veriore të Kosovës furnizimi me rrymë po vazhdon teksa pjesa tjetër e vendit po përballet me reduktime të ashpra, KOSTT-i ka deklaruar se reduktimet përfshijnë edhe pjesën veriore.

Sipas planifikimeve dhe energjisë në dispozicion nga nesër do të ketë përmirësim me zvogëlimin e redukimeve.

“Si rrjedhojë e mosbalancës së theksuar në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar nga operatorët përgjegjës në treg, janë shkaktuar imbalance të mëdha ndaj sistemit interkonektiv, ku rreth 40% e konsumit në Kosovë është tërhequr nga sistemi interkonektiv i Evropës Kontinentale. Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ENTSO-E (SëissGrid) si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE) trup i ENTSO-E kanë kërkuar në mënyrë strikte ndërprerjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian. Derisa monitoruesi i Bllokut AK në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen zonës rregulluese të Kosovës për situatën. Zbatimi i masave të parapara me Kodin e Rrjetit/Kodi Operativ për zvogëlimin e konsumit si masë e fundit e veprimit, vlen për të gjithë vendin, përfshirë pjesën veriore të vendit”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për Express.

Tutje nga kjo kompani kanë bërë të ditur se nga nesër do të ketë përmirësim të furnizimit me rrymë.

“Programet e kufizimit të konsumit mund të dallojnë nga dita në ditë në varësi nga ngarkesa dhe sigurimi i importit nga KESCO/KEDS. Për oraret e furnizimeve ju lutemi drejtohuni në KEDS/KESCO si operatorë të licencuar përgjegjës për distribuim/furnizim me energji elektrike. Sipas planifikimeve dhe energjisë në dispozicion nga nesër do të ketë përmirësim me zvogëlimin e redukimeve”, kanë deklaruar nga KOSTT.

Ndërkaq, sot qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh, pas krizës energjetike që ka kapluar së fundmi vendin.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Qeveria poashtu përmes këtij vendimi ka vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së ekonomisë.

E ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë,  një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. / KultPlus.com

Termokosi jep lajmin e mirë: Rikthehet furnizimi me ngrohje

Gjatë ditës së djeshme, qyteti i Prishtinës ka përjetuar një “tmerr” të vërtet, kjo pasi është ndalur ngrohtorja e Termokosit për shkak të disa problemeve që ka pasur distributori KEK dhe si rrjedhojë shumë shtëpi, banesa e vendbanime kanë mbetur pa ngrohje, transmeton KultPlus.

Megjithatë, sot është njoftuar nga Termokos se problemet janë zgjidhur dhe është rikthyer në normalitet funksionimi i ngrohtorës.

“Termokos” njofton gjithë konsumatorët se sot në orët e hershme të mëngjesit kemi filluar të marrim avullin nga KEK-u, si rrjedhojë tashmë ka filluar edhe prodhimi i energjisë termike. Kjo do të mundësojë vazhdimin e furnizmit me ngrohje të mjaftueshme, gjë që nënkupton ndëprerjen e furnizimit nëpërmes kaldajave me mazut. Deri në orët e mesditës së sotme pritet stabilizim i plotë i furnizimit me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët tanë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e tyre në “Facebook.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë mbajtur një konferencë për media gjatë ditës së djeshme rreth problemeve dhe krizës së energjisë elektrike që ka kapluar vendin. /KultPlus.com

Mungesa e rrymës për 24 orë i detyron banorët e fashtit Brezene të dalin në protestë (VIDEO)

Si rezultat i mungesës së energjisë elektrike, banorët e fshatit Brezene në rrugën Dragash-Prizren janë “detyruar” që të dalin në protestë, transmeton KultPlus.

Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, disa banorë shihen të kenë dalur në protestë si revolutë e mungesës së energjisë elektrike.

Problemet me rrymë janë duke u bërë një problem i madh në Kosovës, pasi po lajmërohen ankesa të shumta nga qyetetarët në disa vende.

KEDS në anën tjetër, ka bërë thirrje çdo herë e më shumë që të kursehet rryma, kjo pasi ata po paguajnë shuma të mëdha për të siguruar furnizim të mjaftueshëm.

Në seancën plenare që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të ofrojë një zgjidhje për energjinë elektrike sa më shpejt që është e mundur. /KultPlus.com