Edukata

Poezi nga Dritëro Agolli

Edukata

Dy macka qimebardha porsi shkumës,
në pjatë hanin tok përshesh me qumësht.

Dy qentë shikonin vëngër të mërzitur,
dhe kuvendonin, veshët duke ngritur.

-Këto nuk paskan fare edukatë,
e sheh si futin hundët në një pjatë?

Ndërkohë u ra një kockë mu në këmbë,
për kockën qentë u shqyen keq me dhëmbë.

U ngrit një zhurmë e madhe e shamatë,
dhe macet thanë: “Kjo është edukatë!” /KultPlus.com

‘Poçari’ – himni për dashurinë e atdheut që rrëqeth çdo zemër

Poezi nga Dritëro Agolli

Poçari

Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!

Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.

Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!

Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjeter mori në dyqan
Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!”
Poçe tjetër mori në dyqan.

Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar!”

Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste,
Vazot mbushte deti Marmara. /KultPlus.com

7 vite nga vdekja e poetit Dritëro Agolli

Dritëro Agolli lindi (13 tetor 1931- 3 shkurt 2017) ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip, përcjell KultPlus.

Mësimet e para i kreu në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës , një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i ‘Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë’.

Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në perëndim e në lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e tij, Agolli e vendosi veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Si shkrimtar i madh i një ‘gjuhe të vogël’, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombës, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, ai gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij, Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë.

Vepra e tij poetike më e njohur është “Nënë Shqipëri”, ku krijohet figura e atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta me të cilat u përballen. Me vëllimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorkat e mesnatës” autori shpall sfidën e tij të re të mjeshtërisë. Ne këto vëllime shpërfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj. Në prozë, bëri emër sidomos romani ‘Komisari Memo’, në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës Nacional – Çlirimtare.

Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Evropian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”. / KultPlus.com

‘Mos ma kujto’, një ndër poezitë më të bukura të Dritëro Agollit

Poezi e nga Dritëro Agolli

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rruge të pire, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfate, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, me pe duke ngrënë e genjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shturur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!