“S’dimë a do vdesim nga virusi, nga varfëria, a nga Serbia?!”

Pandemia që ka përfshirë të gjithë botën, përpos pasojave në jetë njerëzish, tashmë ka filluar që të ketë një ndikim të madh edhe në ekonomitë e vendeve të ndryshme, shkruan KultPlus.

Ndonëse shumë vende tashmë kanë marrë të gjitha masat për rimëkëmbje ekonomike, por edhe sigurim të qytetarëve, një gjë të tillë në vendet e Ballkanit ka krijuar mjaft probleme.

Madje për qytetarët e Luginës së Preshevës, luftës së virusit, i është shtuar lufta nga varfëria. I riu nga Presheva, Driton Hyseni me anë të një postimi në rrjetin social Twitter ka shkruar se nuk e dinë se nga do ju vijë vdekja, virusi, varfëria, apo Serbia.

“Vanë mendtë e mia, vanë… S’dimë a do vdesim nga virusi, nga varfëria, a nga Serbia?! #ShqiptarNëSerbi”, ka postuar ai./ KultPlus.com.

Sikur ta “Dashnim” Preshevën

Nga Driton Hyseni

Në vendin ku janë të vendosura ato vazot me lule, pati qenë për një kohë të shkurtë i vendosur Lapidari me emrat e dëshmorëve të UÇPMB-së, të cilin e morën peng dhe nuk e kthyen më pjesëtarë të njësive speciale policore serbe.

As edhe një politikan i vetëm shqiptar, që vepron e jeton në këto vise nuk qe i gatshëm t’i dalë në ndihmë Lapidarit. Duke mohuar kështu edhe një herë historinë e vetë luftës sonë çlirimtare.

Para disa ditëve, mu përballë objektit të Komunës së Preshevës, pranë ish vendit të Lapidarit, është vendosur pankartë me mbishkrimin “Duam drejtësi për Dashnim Hajrullahun”, djaloshi 16 vjeçar, i cili u vra në vitin 2005 pranë kufirit Miratoc-Llojan. Këtë mbishkrim e kishte vendosur vëllai i Dashnimit.

Nuk shkoi gjatë u hoq edhe kjo pankartë, siç u pat hequr edhe Lapidari!

Vetëm se në këtë rast jo me forca të shtuara policore dhe ushtarake.

Ai ka mbetur i vetëm në kërkim të drejtësisë për vëllanë e vetë, meqë nga këta që shtirren sikur politikanë, patriotë, e që iu janë ndryshkur bateritë, nuk iu bashkohen asnjëherë nismave për drejtësi dhe barazi për popullin shqiptar të mbetur nën Serbi.

Politikanë që dështojnë t’i mbrojnë vlerat historike dhe kombëtare janë të destinuar për një kohë relativisht të shkurtë të shkatërrojnë popullin që përfaqësojnë. / KultPlus.com