Kleopatra, faronesha e fundit e Egjiptit të lashtë

12 gushti mendohet të jetë dita e vdekjes së faroneshës së fundit aktive të Egjiptit të Lashtë, Kleopatrës, shkruan KultPlus.

Kleopatra VII Filopator (69 p.e.s- 12,gusht, 30 p.e.s) e njohur në histori si Kleopatra ishte faraonesha e fundit aktive e Egjiptit të Lashtë, e cila mbijetoi edhe për pak kohë pas vdekjes së saj pasi u udhëhoq nga djali i saj, Cezarioni si faraon. Kleopatra ishte pjestare e dinastisë Ptolemaike, që udhëhoqi Egjiptin e Lashtë pas vdekjes së Aleksandrit të Madh.

Kleopatra e prezantoi veten si një rimishërim i perëndeshës egjiptiane, Isis. Kleopatra sundoi bashkë me babain e saj, Ptolemeun XII Auletes, dhe më vonë me vëllezërit e saj, Ptolemeu XIII dhe Ptolemeu XIV.

Si faraoneshë ajo pati një lidhje me Jul Cezarin, që forcoi qëndrueshmërinë e saj në fron. Më vonë ajo vendosi si zëvendës-drejtues në vend të saj djalin e saj me Cezarin, Cezarionin. Pas vrasjes së Cezarit, më 44 p.e.s. ajo komplotoi me Mark Antonin, kundrejt pasardhësit të ligjëshëm të Cezarit, Gaius Julius Cezar Oktavianus ( më vonë u njoh si Oktavian Augusti).

Me Antonin ajo lindi dy binjakë, Kleopatrën Selene II dhe Aleksandër Heliosin, dhe më pas një djalë tjetër Ptoleme Filadelfusin. Pasi humbi betejën e Aktiumit me forcat e Oktavianit, Antoni u vetëvra. Kleopatra gjithashtu u vetëvra, duke vazhduar kështu traditën, që nënkupton pickimin nga një kobër, më 12 gusht 30 p.e.s. Ajo me pak fjalë u “mbajt në jetë” nga djali i saj Cezarioni, i cili u deklarua Faraon nga mbështetësit e tij, por u vra pak kohë më pas nga Oktavian Augusti. Egjipti më pas u bë provinca romake e Aegyptusit.

Në ditët e sotme Kleopatra, mbetet një figurë shumë e njohur në kulturën Perëndimore. Trashëgimia e saj mbijeton në një numër shumë të madh veprash arti dhe në shumë dramatizime të jetës së saj në literaturë dhe në media, duke përfshirë tragjedinë “Antoni dhe Kleopatra” të William Shekspirit, operën “Cléopâtre” të Jules Massenet, dhe realizimin e filmit, më 1963, me titull “Kleopatra”. Në shumë pikëpamje, Kleopatra është portretizuar si me një bukuri të jashtëzakonshme, dhe zotërimet e saj të suksesshme të burrave më te pushtetshëm të botës janë marrë si prova të estetikës së saj./KultPlus.com

Egjipti hap për publikun varrin më të vjetër 4000-vjeçar në Bregun Perëndimor të Luksorit

Egjipti ka restauruar, dokumentuar dhe hapur për turistët varrin e Meru të Mbretërisë së Mesme, vendi më i vjetër i aksesueshëm për publikun në Bregun Perëndimor të Luksorit, shtëpia e disa prej monumenteve të tij më spektakolare faraonike, duke përfshirë Luginën e Mbretërve.

Meru ishte një zyrtar i rangut të lartë në oborrin e mbretit të dinastisë së 11-të Mentuhotep II, i cili mbretëroi deri në vitin 2004 para Krishtit u varros në nekropolin e Asasif-it të Veriut, tha ministria në një deklaratë të enjten.

Varri i Meru i gdhendur në shkëmb u restaurua nga Qendra Polake për Arkeologjinë Mesdhetare në Universitetin e Varshavës dhe Këshilli i Lartë i Antikiteteve të Egjiptit./abcnews.al/ KultPlus.com

Alfabeti i lashtë egjiptian: Çfarë janë hieroglifet?

Egjipti i lashtë na kanë lënë trashëgimi imazhe të piramidave të larta, mumjeve të pluhurosura dhe mureve të mbuluara me hieroglife, simbole që përshkruajnë njerëz, kafshë dhe objekte me pamje të pazakontë. Këto simbole të lashta – alfabeti i lashtë egjiptian – kanë pak ngjashmëri me alfabetin latin, të cilin njohim sot.

Kuptimi i hieroglifeve egjiptiane, mbeti disi misterioz deri në zbulimin e Gurit të Rozetës në vitin 1798, pas të cilit studiuesi francez Zhan-Fransua Shampoljo ishte në gjendje të deshifronte gjuhën misterioze. Por nga lindi një nga format më ikonike dhe më të vjetra të shkrimit në botë, dhe si e kuptojmë atë? Dhe cila është origjina e hieroglifeve?

Që nga viti 4000 Para Krishtit, njerëzit kanë përdorur simbole të vizatuara për të komunikuar. Këto simbole, të gdhendura në enë apo pllaka balte të gjetura përgjatë brigjeve të Nilit në varret që i përkasin elitës, datojnë nga koha e një sundimtari predinastik të quajtur Nakada ose “Akrepi I”, dhe ishin ndër format më të hershme të shkrimit në Egjipt.

Megjithatë, Egjipti nuk ishte vendi i parë që dinte të komunikonte përmes shkrimit. Mesopotamia kishte tashmë një histori të gjatë të përdorimit të simboleve që nga viti 8000 Para Krishtit. Për ndërsa historianët debatojnë ende nëse egjiptianët e morën apo jo idenë për zhvillimin e një alfabeti nga fqinjët e tyre mesopotamianë, hieroglifet janë dukshëm egjiptiane, dhe pasqyrojnë florën, faunën dhe imazhet e jetës egjiptiane.

Me fillimin e Mbretërisë së Vjetër dhe të Mesme Egjiptiane nga viti 2500 Para Krishtit, numri i hieroglifeve ishte rreth 800. Kur grekët dhe romakët arritën në Egjipt, përdoreshin më shumë se 5000 hieroglife. Po si funksionojnë hieroglifët? Tek hieroglifet, ekzistojnë 3 lloje kryesore glifesh.

Së pari janë glifet fonetike, të cilat përfshijnë karaktere të vetme që funksionojnë si shkronjat e alfabetit anglez. Së dyti janë logografët, simbole të shkruara që përfaqësojnë një fjalë, pak e shumë si shkronjat e alfabetit kinez. Dhe se treti ishin taksogramet, të cilat mund ta ndryshojnë kuptimin kur kombinohen me glife të tjera.

Ndërsa gjithnjë e më shumë egjiptianë filluan të përdornin hieroglifet, u shfaqën 2 lloje shkrimesh: ai hieratik (priftëror) dhe ai demotik (popullor). Gdhendja e hieroglifeve në gurë ishte një proces i ndërlikuar dhe i shtrenjtë. Ndaj lindi nevoja për një lloj shkrimi më të lehtë korsiv.

Hieroglifet hieratike ishin më të përshtatshme për të shkruar në papirusë të bërë me kallamishte dhe bojë. Ato përdoreshin kryesisht për të shkruar rreth fesë nga priftërinjtë egjiptianë, aq sa fjala greke që i dha emrin alfabetit; hieroglyphikos do të thotë “gdhendje e fjalës së shenjtë”.

Shkrimi demotik u zhvillua rreth vitit 800 Para Krishtit, për t’u përdorur në dokumente të tjera ose shkrimin e letrave. Ai u përdor për 1000 vjet, dhe shkruhej dhe lexohej nga e djathta në të majtë si arabishtja, ndryshe nga hieroglifët e mëparshëm që nuk kishin hapësira midis tyre dhe mund të lexoheshin nga lart poshtë.

Prandaj, kuptimi i kontekstit të hieroglifeve ishte shumë i rëndësishëm. Hieroglifët ishin ende në përdorim nën sundimin pers gjatë shekujve VI-V Para Krishtit, dhe pas pushtimit të Egjiptit nga Aleksandri i Madh. Studiuesit mendojnë se gjatë periudhës greke dhe romake, hieroglifet përdoreshin nga egjiptianët, si një përpjekje për të dalluar egjiptianët “e vërtetë” nga pushtuesit e tyre.

Edhe pse, kjo mund të ketë qenë më shumë një zgjedhje e vetë pushtuesve grekë dhe romakë, për të mos e mësuar gjuhën egjiptiane. Gjithsesi, shumë grekë dhe romakë mendonin se hieroglifët bartnin njohuri të fshehura, madje magjike, për shkak të përdorimit të tyre të vazhdueshëm në praktikën fetare egjiptiane.

Por gjatë shekullit IV Pas Krishtit, pak egjiptianë ishin të aftë që t’i lexonin hieroglifet. Perandori bizantin Theodosi I, i mbylli të gjithë tempujt jo të krishterë në vitin 391, një akt që solli edhe fundin e përdorimit të hieroglifeve në godinat monumentale. Studiuesit mesjetarë arabë Dhul-Nun El-Misri dhe Ibn Uashshija, bënë përpjekje për të përkthyer simbolet e atëhershme të huaja.

Por përparimi i tyre bazohej në besimin e gabuar se hieroglifet përfaqësonin idetë dhe jo tingujt e folur. Përparimi në deshifrimin e hieroglifeve, ndodhi pas një pushtim tjetër të Egjiptit, këtë herë nga Napoleon Bonaparti. Forcat e Perandorit, një ushtri e madhe që kishte me vete shkencëtarë dhe ekspertë të kulturës, zbarkuan në Aleksandri në korrikun e vitit 1798.

Një pllakë guri, e gdhendur me glife, u zbulua si pjesë e strukturës në fortesën Zhylien, një kamp i pushtuar nga francezët pranë qytetit të Rozetës. Sipërfaqja e gurit mbulohet nga 3 versione të një dekreti të lëshuar në Memfis nga mbreti egjiptian Ptoleme V Epifanes në vitin 196 Para Krishtit.

Tekstet në pjesën e sipërme dhe në mes janë me shkrime hieroglife dhe demotike të egjiptianishtes së lashtë, ndërsa pjesa e poshtme është shkruar në greqishten e vjetër. Gjatë viteve 1822-1824, gjuhëtari francez Zhan-Fransua Shampoljo zbuloi se 3 versionet ndryshojnë vetëm pak nga njëri-tjeri. Guri i Rozetës (që ndodhet sot në Muzeun Britanik) u bë çelësi për deshifrimin e shkrimeve egjiptiane. Pavarësisht zbulimit të tij, sot interpretimi i hieroglifeve mbetet një sfidë edhe për egjiptologët me përvojë./bota.al/ KultPlus.com

Publikohet lista e shteteve që ekzekutuan më së shumti njerëz më 2020

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, tha se katër nga pesë shtetet që ekzekutuan më së shumti të dënuar gjatë vitit 2020 janë nga Lindja e Mesme.

Sipas raportit të kësaj organizate, Irani, Egjipti, Iraku dhe Arabia Saudite përbëjnë 88 për qind të 483 ekzekutimeve të raportuara në mbarë botën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Në vendin e parë për më së shumti ekzekutime vitin e kaluar është bindshëm Irani me mbi 240 të ekzekutuar. Në vendin e dytë është Egjipti me mbi 100 persona të ekzekutuar, ndërsa Iraku është i treti me mbi 40 të ekzekutuar.

Shtetet që ekzekutuan më së shumti njerëz më 2020, sipas “Amnesty International” (Grafiku: BBC)

Organizata e njohur i akuzoi këto vende për “këmbëngulje të pamëshirshme dhe të frikshme” për dënimin e rëndë, kur shumica e botës është e përqendruar në shpëtimin e jetës së njerëzve nga një virus vdekjeprurës.

Sidoqoftë, numri i përgjithshëm botëror i njerëzve të ekzekutuar nga autoritetet shtetërore ishte më i vogli në dhjetë vitet e fundit, por në këtë shifër nuk është përfshirë Kina.

Besohet se autoritetet kineze ekzekutojnë mijëra njerëz çdo vit, por të dhënat rreth rasteve të tilla përbëjnë sekret shtetëror në vendin komunist. E pamundur që të vërtetohen shifrat e ekzekutimeve ishte edhe në Vietnam dhe Korenë Veriore, sepse të dhënat nuk publikohen.

Shifra prej 483 ekzekutimeve në 18 shtete gjatë vitit 2020 përbën rënie prej 26 për qind në krahasim me 657 ekzekutimet e kryera në vitin 2019 dhe rënie prej 70 për qind nga kulmi prej 1.634 ekzekutimeve që u raportuan në vitin 2015./ KultPlus.com

Misteret e egjiptianëve të lashtë dhe sekretet e tyre të bukurisë

Misteret e egjiptianëve të lashtë janë të shumta, por truket e tyre të bukurisë nuk janë më sekret. Grimi mund të duket si një fenomen modern, një industri miliarda dollarëshe, por produktet kozmetike ishin po aq të rëndësishme në botën antike.

Që në epokat më të hershme të perandorisë egjiptiane, burra dhe gra nga të gjitha klasat shoqërore vijëzonin sytë, theksonin mollëzat, si dhe përdornin buzëkuqin. Imazhe të tilla, na i përcjellin më së miri dy mbretëreshat më të famshme të qytetërimit egjiptian: Kleopatra dhe Nefertiti. Këta ikona të bukurisë së antikitetit, përdornin produkte kozmetike jo vetëm për t’u zbukuruar, por edhe për trajtime në të mirë të lëkurës së tyre.

Janë të njohura ritualet e bukurisë së Kleopatrës, me banja qumështi dhe kripëra nga Deti i Vdekur, maska fytyre  me vajra dhe esenca lulesh e mjalti. Egjiptianët, gjithashtu, shpikën një metodë natyrore të depilimit me një përzierje të mjaltit dhe sheqerit. “Sugaring”, siç quhet sot, është rikthyer nga kompanitë e bukurisë si një alternativë më pak e dhimbshme.

Produktet që përdoreshin për të lyer sytë me nuanca të forta, kryesisht blu, mendohej se mbronin nga rrezet e forta të diellit, nga toksina të dëmshme, por edhe nga syri i keq. Ndonëse, në të vërtetë, shumë prej tyre rezultonin në fakt fatale, pasi prodhoheshin nga yndyra shtazore të rrezikshme. Kleopatra, p.sh. shtypte brumbujt, për të theksuar me të kuqe mollëzat dhe buzët e saj, ndaj ky ritual njihej edhe si “puthja e vdekjes”.

Gjithashtu, egjiptianët mendonin se të zbukuruarit ishte thelbësore, edhe përtej kësaj jete, jo më kot në varre gjenden bizhuteri, kozmetika, krehër, e çdo gjë që do t’i ndihmonte ata të ishin bukur edhe në udhëtimin e përjetshëm.

Estetika e veçantë egjiptiane ka ndikuar padyshim artin modern, përmes këtyre produkteve, ritualeve, dhe mjetesh që përdoreshin në funksion të një bukurie mahnitëse, por edhe shëndetit të lëkurës dhe flokëve. /a2/ KultPlus.com

Egjipti hap për herë të parë fabrikë për kopje artefaktesh

Egjipti së shpejti do të përurojë fabrikën e parë të replikave arkeologjike si pjesë e përpjekjeve për të luftuar përhapjen e prodhimeve kineze në tregjet lokale

Egjipti është në përgatitjet e fundit për të përuruar fabrikën e parë e më të madhe të riprodhimeve arkeologjike në Lindjen e Mesme. Projekti ndihmon për të ruajtur të drejtat e Egjiptit në pronësinë arkeologjike në trashëgiminë e vet, si dhe të ofrojë riprodhime egjiptiane si zëvendësim për prodhimet kineze.

Sipas arkeologëve, ky projekt do të ketë një ndikim pozitiv në fushën ekonomike, atë të turizmit dhe të arkeologjisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Mustafa Waziri, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve, kishte thënë se fabrika do të kontribuojë në mbrojtjen e të drejtave intelektuale për antikitetet egjiptiane.

Waziri ka vënë në dukje se fabrika, që gjendet në zonën industriale të qytetit Obour në krahinën Qalyubia, është ngritur në bashkëpunim me Kompaninë Egjiptiane të Thesareve, si e para e llojit të saj në Egjipt dhe në Lindjen e Mesme.

Sipas deklarimeve të mëhershme, fabrika pritet të hapet në çerekun e parë të këtij viti.

Katërdhjetë e katër artistë të specializuar dhe punëtorë në fusha të ndryshme si skulptura, vizatimi, pikturimi, punimi i metaleve, qeramika, punimet në dru dhe zbukurime do të punojnë në fabrikën prej 10 mijë metrash katrorë.

Fabrika, që kushton 100 milionë paundë egjiptianë (në vlerë prej 6.3 milionë dollarësh) është e pajisur me teknologjinë e fundit, dhe ka vijat e saj manuale e të mekanizuara të prodhimit për të modeluar metalet dhe për të rritur efiçiencën e prodhimeve.

Aty do të jetë edhe një linjë për drurin e zdrukthëtarinë, ndërkohë që është paraparë edhe një sallë ekspozimi për t’i shpërfaqur të gjitha riprodhimet.

Madgy Shaker, arkeologu kryesor në Ministrinë e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit, ka thënë se fabrika do të ndihmojë për të përballuar prodhimet antike të bëra sipas modeleve kineze që kanë vërshuar tregjet lokale dhe ato ndërkombëtare.

“Prodhimi kinez është i cilësisë së dobët dhe me çmim të ulët. Disa turistë i blejnë ato si suvenire dhe ankohen se ato thyhen edhe para se të largohen nga Egjipti për shkak të cilësisë së dobët”, ka thënë ai. “Nëse i shikoni replikat kineze, do të shihni se tiparet e prodhimit iu përngjajnë kinezëve më shumë sesa egjiptianëve të vjetër”, ka shtuar Shaker, duke theksuar se artistët egjiptianë duhet t’i dizajnojnë këto suvenire dhe jo dikush tjetër. Ata do t’i kopjojnë ato nga antikitetet origjinale, ka nënvizuar ai.

Shaker ka thënë se fabrika e riprodhimit do të punojë për të monopolizuar këtë industri në Egjipt. Pazaret e fabrikës do të jenë brenda atraksioneve turistike me qëllim që të arrijnë shitje të mëdha.

“Ministria tashmë ka një njësi për prodhimin e modeleve dhe replikave arkeologjike, por ka fare pak prodhim ndryshe nga prania e një fabrike të specializuar”, ka thënë ai.

Qëllimi i kësaj njësie ishe të mbronte të drejtat e pronësisë intelektuale, ringjalljen e artit të lashtë egjiptian, si dhe zhvillimin e resurseve të Këshillit Suprem të Antikiteteve.

Ndërkohë, fabrika e re do të zgjerojë prodhimet e riprodhimeve arkeologjike përmes rritjes së kapaciteteve.

Kohë më parë arkeologu dhe historiani Francis Amin kishte thënë se modelet arkeologjike konsiderohen si industritë më të rëndësishme të punëdores dhe trashëgimisë, për shkak se ato janë burim i të ardhurave ekonomike për shtetin.

Ai kishte theksuar se skulptorët e moçëm egjiptianë kishin një punëtori për bërjen e statujave – fjala vjen si punëtoria e skulptorit Thutmose, aty ku ishte gjetur statuja magjepsëse e Nefertitit.

Në shumë pjesë të Egjiptit, veçmas në fshatin Qurna, që ndodhet në bregun perëndimor të Nilit përkundrejt Luxorit, industria e falsifikimit të antikiteteve është duke lulëzuar, veçmas në fushën e skulpturave dhe riprodhimeve të vogla arkeologjike.

Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Antikiteteve, secili prodhim i bërë në fabrikë do të ketë një stampë të posaçme të Këshillit Suprem të Antikiteteve, si dhe një certifikatë që thekson se është vepër origjinale, krahas barkodit për identifikim të lehtë që kontribuon në mbrojtjen e prodhimeve të fabrikës nga falsifikimet. /almonitor/ KultPlus.com

Egjipti rihap vendet e kultit, kafenetë dhe restorantet

Egjipti njoftoi sot se do të rihapë xhamitë, kishat, por edhe restorantet dhe kafenetë, duke filluar nga e shtuna, ndërsa vend lehtëson më tej kufizimet e tij të pjesshme për shkak të koronavirusit.

“Xhamitë dhe kishat do të rihapen për lutjet e përditshme, megjithatë lutjet e mëdha myslimane të së premtes dhe meshat e krishtera të së dielës duhet të presin ende”, tha kryeministri, Mostafa Madbouli, në një konferencë për shtyp.

Kafenetë dhe restorantet do të lejohen të rihapen me vetëm 25 % të kapacitetit të klientëve dhe do të qëndrojnë të hapura deri në ora 22:00, ndërsa dyqanet e tjera tregtare do të mbyllen në 21:00.

Kryeministri sqaroi, gjithashtu, se parqet publike dhe plazhet do të qëndrojnë të mbyllura për të parandaluar grumbullimet.

Egjipti, vendi më i populluar në botë arabe, ka raportuar rreth 57 000 infektime dhe 2 278 vdekje të lidhura me COVID-19. /KultPlus.com

Egjipti fillon restaurimin e arkivolit të artë të Tutankhamonit

 Egjipti ka filluar të restaurojë arkivolin e artë prej druri të Tutankhamonit, për herë të parë, që kur u zbuluan në vitin 1922.

Ministria egjiptian e Antikiteteve tha në një deklaratë se arkivoli vuan nga disa forma të dëmtimit duke përfshirë çarje në shtresat e saj të arit.

”Rivendosja dhe mirëmbajtja e arkivolit do të përfundojë në tetë muaj”, shtoi ajo.

Ministria tha se koleksioni i djaloshit-faraon duke përfshirë të gjithë arkivolin e tij, do të ekspozohet në Muzeun e Madh të Egjiptit, i cili është në ndërtim e sipër, pranë piramidave të Gizës dhe pritet të hapet në vitin 2020.

Tutankhamoni ishte nëntë vjeç kur u bë faraon. Ai sundoi midis 1333 dhe 1323 para Krishtit, si një nga mbretërit e fundit të Dinastisë XVIII.

Egjipti në muajt e fundit njoftoi një sërë zbulimesh, me shpresën e ringjalljes së industrisë së turizmit, një burim kryesor i të ardhurave kombëtare.

Industria është goditur rëndë nga trazirat e gjera që nga kryengritja e vitit 2011 kundër sundimtarit më të gjatë të kohëve moderne të Egjiptit, Hosni Mubarak/ ATSH/ KultPlus.com