Si i drejtohej Zef Jubani nëpërmjet poezisë Elena Gjikës

141 vite më parë ka vdekur patrioti dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare, Zef Jubani.

Si i lindur në Shkodër, Jubani ka qenë nëpunës, ekonomist, folklorist, shkrimtar e ideolog i Rilindjes Kombëtare.

Ai është i njohur për botimin e një Koleksioni të Këngëve Folklorike Shqipe dhe Rapsodive në dialektin geg. Jubani mbrojti krijimin e një alfabeti unik të gjuhës shqipe.

Në shkurt të 1868 i kushton një poezi Elena Gjikës, me titullin “Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë – Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d’Istria”, ku autori nënshkruan Sepi Ndokë Illija-Jubani.

Përmend sesi princesha, me punë e art ishte përpjekur të ndriçonte Shqipërinë, duke ndihmuar shqiptarë e arbëreshë.

Nëna e tij ishte nga Malta, kështu që midis 1830 dhe 1838 ai studioi atje ndërsa jetonte me xhaxhain e tij. Pas kthimit në Shkodër ai punoi që nga viti 1848 si sekretar në konsullin francez të qytetit dhe gjithashtu u bë asistent i zv/konsullit të Mbretërisë së Bashkuar në 1853.

Jubani kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij në Trieste, Venecia dhe Mali i Zi modern. Ndërroi jetë më 1 shkurt 1880. /dp/ KultPlus.com

193 vjet nga lindja e Elena Gjikës, njëra ndër gratë më të ngritura të Evropës

Sot, kujtojmë lindjen e Elena Gjikës (Dora D’Istria, 1829-1888).

Elena Gjika lindi në Bukuresht të Rumanisë më 22 janar të vitit 1829. Ndonëse vendlindja e saj ishte Bukureshti, ajo përmend në letrat e saj origjinën e familjes së saj nga qyteti i Pargës.

Elena Gjika me aktivitetin e saj si shkrimtare dhe publiciste, përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Europës. Ajo mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar siç ishin: De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko, etj.

Disa nga studimet e saj, vlejnë të përmenden: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalite albanaisi d’apres les chants populaires), 1866, “Shkrimtarët shqiptar të Italisë jugore” (Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale), 1867, “Shqiptarët në Rumani” (Gli albanesi in Rumenia), 1873 etj. Në këto studime Elena Gjika nxirrte në pah traditat, doket, kulturën dhe historinë e shqiptarëve e luftën e popullit shqiptar kundër sundimit osman. Ajo shfaqi interesa të shumanshme në shumë fusha si: sociologji, folkloristikë, letërsi e kritikë letrare.

Në shenjë mirënjohje për ndihmesën e dhënë ndaj çështjes shqiptare në botë, patriotët rilindës e arbëreshë të Italisë e Greqisë i kushtuan librin me titull: “A Dora D’Istria- Gli albanesi” ( Dora D’Istrias- Shqiptarët) më 1870. Elena Gjika vdiq në Firence në vitin 1888. / KultPlus.com

192 vjet nga lindja e Elena Gjikës, njëra ndër gratë më të ngritura të Evropës

Sot përkujtohet 192-vjetori i lindjes së Elena Gjikës, e njohur me pseudonimin letrar si Dora d’Istria, shkrimtare dhe publiciste që përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës.

Në moshën 10 vjeçe Elena fliste 9 gjuhë, kurse në moshën 14 vjeçe filloi përkthimin e “Iliadës” së Homerit nga gjermanishtja. Në moshën 16 vjeçe ekspozoi pikturat e saj në Dresden. Studioi në Vjenë e Dresden dhe specializoi në Firence. Jetoi në Rumani, Rusi, Zvicër, Francë, Greqi, Turqi dhe Itali. Është gruaja e parë që u ngjit në maje të bjeshkës më të lartë të Evropës – Mont Blanc në vitin 1860. Kjo ishte Eleni Gjika, me rrënjë shqiptare, e njohur edhe me emrin artistik Dora D Istria.

Njëra ndër gratë më të ngritura të Evropës, në kohën e saj, Elena Gjika u lind në Bukuresht në vitin 1828 nga prindërit shqiptarë. Ajo u bë e njohur gati në tërë Evropën si shkrimtare, feministe, kompozitore, piktore, udhëpërshkruese – grua me një inteligjencë brilante. Ajo ishte revolucionare, kryengritëse, rebele, me shumë ide politike e sociale para kohës se vet. Mbajti korrespondencë të rregullt me De Radën dhe Gjuzepe Garibaldin. Është ndoshta i pari personalitet intelektual që hodhi idenë mbi një federatë ballkanike ku do të hynin të gjitha vendet e Ballkanit.

Princesha Elena Gjika ishte e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare e një niveli botëror. U bë veçanërisht e njohur me veprën “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860). Shkrimet i publikonte në 6 gjuhë evropiane.

Ajo asnjëherë nuk i harroi rrënjët shqiptare. Gjika u mor shumë me afirmimin e çështjes kombëtare shqiptare dhe kontribut të madh dha veçanërisht në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ishte një studiuese e zjarrtë e folklorit shqiptar dhe u bë me famë për studimet e saj në shumë lëmi të kulturës dhe veçanërisht me studimet “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj.

Dora D’Istria bëri pjesë në shoqërinë gjeografike më të famshme të Evropës, atë të Parisit. Ajo arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta. Në vitin 1867 u bë qytetare nderi e Athinës. Ky titull përpara saj iu dha vetëm Lord Bajronit. Biografia dhe krijimtaria e Elena Gjikës janë shumë të pasura e interesante. Ndaj, sado që do të lexoni për të, akoma diçka mbetet e panjohur. Për këtë arsye themi: Ju nuk e njihni Elena Gjikën. Akoma keni për të mësuar e zbuluar nga jeta e saj.

Në kohën kur Gjika pushtoi majën më të lartë të Evropës, atje nuk ekzistonin kushtet e sotme për ngjitje. Kjo ekspeditë e saj, sot merr edhe kuptim simbolik.

Elena Gjika vdiq në vitin 1888 në shtëpinë e sajë në Firence, Itali. Një rrugë e Firences mban emrin e saj. Aty gjendet edhe pllaka në të cilën është theksuar origjina e saj shqiptaro-rumune. / KultPlus.com

Historia e princeshës Dora D’Istria në Firence

Shkruar nga: Marta Questa
Shqipëruar nga: Gino Luka

Në periudhën nga viti 1860 deri në vitin 1888, në Firence ka jetuar një grua që konsiderohet “një nga mendjet më të ndritura e më të zgjuara të Evropës” e që antropologu Paolo Mantegazza e përshkruante në këtë mënyrë:

“Një trup i përsosur, e hirshme e me zemër fisnike, me mendje artisti e mendimtari. Këto tre veti të marra së bashku janë të rralla për t’u gjetur te një njeri, madje edhe vetëm njëra prej tyre, por të gjitha së bashku përbëjnë diçka të veçantë. Vetëm fati mund ta krijojë këtë mrekulli; dhe kjo mrekulli që kishte krijuar natyra ishte në gjendje t’i përhapte të gjitha ata virtyte të mëdha dhe të ndryshme, kjo mrekulli e kishte emrin Elena Gjika, e cila më pas e pagëzoi veten, në botën e letërsisë, me një emër të dytë edhe më të njohur, Dora D’Istria”.

Elena Gjika kishte lindur në Bukuresht më 22 janar 1828. Ajo ishte e bija e princit Mihal Gjika me origjinë shqiptare, guvernatori i principatës së Vllahisë, një arkeolog i shquar dhe themelues i muzeut të parë kombëtar në Rumani, vëllai i Gregorit të IV dhe Aleksandrit të II (pasardhës i Gjergjit të IV në të njëjtin fron, në vitin 1834) dhe Katinka Faka, përkthyese e veprave të letërsisë franceze.

Edukimi i saj dhe formimi kulturor i ishin besuar një mësuesi të shquar të asaj kohe, i cili e vlerësoi gjithmonë si një grua gjeniale, Gregor Gjergj Papadopulos (Gregory George Papadopulos) i Selanikut që më vonë do të bëhej një personazh i nivelit të lartë i botës kulturore greke. Ai themeloi në Athinë një shkollë të famshme për arsimimin e të rinjve: “Shkolla helenike”, më vonë u bë drejtor i Shkollës Normale, dhe së fundmi funksionar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ngjarjet politike që atëherë tronditën Gadishullin ballkanik e detyruan Dora d’Istrian që të jetonte larg nga Bukureshti, në vende të ndryshme të Evropës. Ajo e kaloi rininë e saj në Vjenë, Venecia, Drezden dhe Berlin, derisa në vitin 1849 ajo u martua me Princin Koltzoff – Massalsky, që i përkiste një prej familjeve më të vjetra fisnike ruse. Pasi mbeti e ve dhe pa fëmijë, ajo e la Rusinë, sepse nuk e duroi klimën politike joliberale dhe nga ky moment filloi për të një periudhë shtegtimi, udhëtimesh e studimesh, që kishin një gamë shumë të gjerë interesash, duke filluar nga historia, filozofia, reflektimet mbi çështjet fetare, politike, ekonomike, letrare e deri te thellimi i traditave popullore. Për shkak të personalitetit të saj eklektik ajo iu përkushtua madje edhe muzikës e pikturës që i praktikoi me shkathtësi, aq sa në vitin 1854 disa nga pikturat e saj u vlerësuan me çmime në Ekspozitën e Arteve të Bukura në Shën Pjetërburg.

Pas largimit nga Rusia ajo jetoi në Zvicër, në Francë, në Greqi dhe në Itali, ndërmjet Venedikut dhe Firences, ku ajo u vendos në një vilë të vogël, në atë kohë jashtë qytetit, në Rrugën “Leonardo da Vinçi”, nga e cila largohej për ekskursionet e saj të vazhdueshme në drejtim të Ligurias, ose për të përshkuar itinerare më të gjata. Udhëtoi duke arritur deri te territoret në skajet veriore të Evropës e deri në jug të Greqisë, gjithashtu vizitoi, gjë shumë e pazakontë për atë kohë, Shtetet e Bashkuara dhe mori pjesë në ngjitjen e majës Mönch në Alpet Bernese të Zvicrës jugore.
Ajo zgjodhi si pseudonim artistik emrin “Dora d’Istria”, sepse përmblidhte gjithçka që përbën themelin e punës së saj: lidhjen e fortë me vendin, rrënjët e saj dhe në të njëjtën kohë një konceptim kozmopolit dhe tolerant, të hapur ndaj botës dhe kulturës.

Në një epokë që përtërinte magjepsjen e miteve të lashta të lumenjve, pseudonimin artistik nuk e zgjodhi në mënyrë të rastësishme: Dora d’Istria ishte efektivisht Dora e Istro-s dhe Istro është Danubi, lumi i gjatë që kalon nëpër Rumani, pasi ka përshkuar tokat e tjera evropiane, nga malet gjermane në Detin e Zi dhe që bashkon popuj të ndryshëm për sa i përket historisë, politikës, fesë dhe gjuhës. Bëhej fjalë për një metaforë gjeografike që transmetonte mesazhin e paqes në një rajon, atë të Ballkanit, gjithmonë i përçarë dhe në luftë.

Vetë emri Dora e ka prejardhjen nga “vijë uji”, siç është “Evropa” në traditën mitologjike, e dhënë nga Hesiodi, emri i
një burimi dhe i një hyjnie që vjen nga deti.

Ideja e lirisë dhe një besim i madh në përparimin e kanë frymëzuar gjithmonë Dora d’Istria-n, e cila gjatë gjithë jetës së saj ka mbështetur vlerat e demokracisë, duke shkruar në mbrojtje të të shtypurve, kundër sundimit austriak dhe në favor të lirisë së popujve të Ballkanit, të Greqisë dhe të Italisë.

Ajo ka qenë gjithmonë kundër obskurantizmit kudo që ishte, si të “despotizmit oriental” ashtu edhe të “tiranisë jezuite”. Pa mbetur rob e asnjë ideologjie, ajo shfaqi bindjen se duhet të luftohej kundër totalitarizmit dhe se çdo popull do të duhej të zgjidhte formën e qeverisjes më të mirë e më të përshtatshme sipas realitetit në të cilin gjendej.
Një model për t’u ndjekur mund të ishte sipas saj Zvicra, i vetmi vend në Evropë, ku sistemi republikan kishte triumfuar dhe se, pavarësisht që duke pasur popullsi të ndryshme, me dy fe në kundërshtim me njëra-tjetrën, ishte e organizuar në mënyrë demokratike, në kantone, me forma të ndryshme të kushtetutës, nga shteti patriarkal i Graubünden te demokracia e modeluar alla franga e Gjenevës.

E vlerësuar nga Maxini dhe Garibaldi, sepse kishte mbështetur gjithmonë vlerën e demokracisë në mbrojtje të të shtypurve, të lirisë së popujve të Ballkanit, Greqisë dhe Italisë, ndihmoi për të hedhur bazat për ndërtimin e një Evrope të popujve, e cila të tejkalonte Evropën e shteteve.

Nuk ishte rastësi që një nga aktivistët e parë të lëvizjes kulturore të shqiptarëve të Italisë, Dhimitër Kamarda në vitin 1870 publikoi në Livorno një përmbledhje poezish “Dora D’Istrias. Shqiptarët”. Vetë Angelo de Gubernatis, studiues orientalist, shkrimtar, profesor i sanskritishtes dhe mitologjisë krahasuese në Universitetin e Firences, themelues i Muzeut Montughi, do të magjepsej nga kultura e thellë dhe me një ndjenjë të fortë kritike e Dora d’Istrias, madje edhe Giuseppe Garibaldi e quajti atë një “Hero-motër, një shpirt i përkushtuar idealeve më të larta”.

Në vitin 1867 ajo u bë qytetare nderi e Athinës, ky titull përpara saj iu dha vetëm Lord Bajronit, pas ndërhyrjes së tij në favor të pavarësisë së Greqisë. Dora d’Istria bëri pjesë në shoqërinë gjeografike më të famshme të Evropës, atë të Parisit.

Fakti që personaliteti i Elena Gjikës është konsideruar kaq i jashtëzakonshëm nga bashkëkohësit e saj dhe nga autorët e gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, në një kohë kur roli intelektual i grave ishte pak i njohur, e bën edhe më të pashpjegueshëm faktin se si ajo, më vonë, është lënë në harresë dhe nuk studiohet, ashtu siç do ta meritonte, një ndër figurat më të rëndësishme femërore të shekullit të kaluar, pikërisht ajo që ka shkruar një gjeohistori të grave “Les Femmes en Orient” (Femrat në Lindje) në vitin 1860 dhe “Des femmes par une femme” (Femrat për një femër) e vitit 1865, “Les Femmes fortes” (Femrat e forta) të 1871-shit, “Lettre à la presidente de l’Association des dames grecques pour l’istruction des femmes” (Letër drejtuar kryetarit të Shoqatës së zonjave greke për arsimimin e femrave) 1872, ”The ëoman question in Austria e The ëoman question Germany” (Çështja e gruas në Austri dhe çështja e gruas në Gjermani në 1873-shin), e të tjera.

Ajo arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta dhe e “fotografoi” në të gjitha detajet nëpërmjet shkrimeve të saj të shumta që i botoi në revistat më prestigjioze të kohës.
Ajo përshkruante në mënyrë të imtësishme aspektin e jashtëm dhe atë të sjelljes, si të grave “normale” që bënin jetën e tyre të përditshme në shkretëtirat e akullta të Laponisë, ashtu si edhe të atyre në vendet e shkreta e të thata të malësive aziatike, e të grave evropiane të çdo vendi. Ajo foli për gratë cigane, jo më pak se për gratë e “jashtëzakonshme”, që shiheshin si të shenjta, si mbretëreshat e poeteshat: të gjitha kishin vendin e tyre në histori. Ajo e përqendroi vëmendjen e saj ndaj grave të Evropës lindore, duke përfshirë edhe ato që jetonin në rajonet e largëta të Rusisë aziatike dhe të Perëndimit, duke qenë në gjendje të krahasojë kulturat e ndryshme dhe duke i përhapur këto njohuri.

Dora d’Istria shprehu gjithmonë të menduarit e saj feminist, rigoroz në nivel intelektual: analizoi statusin e grave përballë të drejtës civile dhe fetare, denoncoi Konkordatin, i cili e kishte bërë martesën “të parevokueshme”, si dhe jetën e manastirit, ndryshe nga Kodi i Napoleonit i cili, përkundrazi, e kishte lejuar divorcin.

Ajo teorizoi barazinë qytetare, zgjerimin e garancive sociale që u janë dhënë grave në disa vende, rëndësinë që duhet të ketë një edukim i ndryshëm ndaj femrave, nga edukimi dominues konvencional, një arsim që do të duhej të nxiste zhvillimin progresiv të aftësive të veçanta natyrore individuale.
Jo rastësisht juristi Carlo Francesco Gabba botoi një libër me një titull shumë domethënës “Çështja e femrave dhe princesha Dora d’Istria”, i cili doli në dritë në vitin 1865 në Firence, nga shtëpia botuese “Le Monnier”. Në vitet e debatit mbi reformën e Kodit Civil italian, projekti sqaroi opinionin parlamentar dhe ekstra-parlamentar mbi nevojat e grave, për përjashtimet e padrejta që i bëheshin gruas; pra kur gruaja ishte një parantezë në Kodin Civil, ndërsa në Kodin Penal kishte fituar një personalitet të plotë.

Ato ishin vitet, në të cilat neni 486 i Kodit Penal konsideronte shkeljen e kurorës nga ana e gruas, krim të dënueshëm me burgim nga 3 muaj deri në një vit, ndërsa për burrin quhej krim vetëm konkubinati (bashkëjetesa jashtë martese). Nuk duhet harruar se në vitin 1881 bëri bujë lajmi që e para grua u diplomua në Drejtësi në Firence: Lidia Poet, kërkesa e së cilës u hodh poshtë dy vjet pas kërkesës për t’u regjistruar në listën e avokatëve, si nga Prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe nga Gjykata e Apelit e Torinos (gratë u pranuan që të praktikonin profesionin e lirë vetëm në vitin 1919).
Dora d’Istria jetoi në Firence nga viti 1860 deri në vitin 1888 në kontakt me ambientin e gjallë intelektual dhe politik të periudhës së pas-bashkimit të Italisë, në fazën e lulëzimit më të madh të qytetit, kur u bë kryeqytet i Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në periudhën e mëvonshme, pa dyshim më të vështirë për Firencen, pas transferimit të kryeqytetit në Romë.
T
regoi gjithmonë një prirje të veçantë për të ndihmuar ata që kishin nevojë dhe këtë impuls bujar, madje e manifestoi deri në fund, duke i lënë trashëgim të gjithë pasurisë e saj Institutit kombëtar të shurdhmemecëve të Firences, i themeluar ky i fundit në vitin 1884.
Në vitet e mëvonshme qyteti i Firences e përkujtoi duke i dhënë në vitin 1908 emrin Dora d’Istria një sheshi që më vonë do të quhej Piazza Torino (sot Piazza Isidoro del Lungo). Në vitin 1912, qyteti i Firences vuri një pllakë në fasadën e “Villa d’Istria”, që në atë kohë u vendos te nr. 10 në rrugën Via Leonardo da Vinci, ku Dora d’Istria jetoi deri sa vdiq në vitin 1888.

Që nga viti 1960, vila dykatëshe e rrethuar nga një park i madh dhe me mure të larta përreth, që ajo e deshi dhe vizitoi aq shumë, nuk ekziston më. Në vend të kësaj prone është ndërtuar një godinë e ndarë në disa apartamente për projektin e së cilës shumë fiorentinas kundërshtuan, duke argumentuar në peticionin e tyre se projekti do të prishte “statusin aktual të zonave të destinuara për lulishte, pasi dëmtonte rëndë ambientin, pengonte dritën dhe ventilimin e shtëpive përreth”, gjithashtu kopshti do të ishte “transformuar në një oborr të ngushtë pa ajër, dritë dhe diell”. Por, për fat të keq kështu ndodhi; “Vila d’Istria” u shkatërrua bashkë me kopshtin dhe muret.
Sot, nga Dora d’Istria, “gruaja e vetme me merita të mëdha”, siç u përcaktua nga Paolo Mantegazza, mbetet në Firence vetëm një pllakë përkujtimore e vendosur brenda një oborri të vogël të pallatit që u ndërtua në vitin 1960, dhe që gjendet në Rrugën “Leonardo da Vinçi”, nr. 28, ku shihet vetëm nga banorët e godinës që është ndërtuar në kopshtin e saj.

Teksti, i hartuar nga profesor Diego Garoglio në vitin 1915, e përmblodhi kështu jetën dhe personalitetin e Dora d’Istrias:

Princesha
Elena Koltzoff Massalsky Gjika
1828 – 1888
Me origjinë shqiptare e lindur rumune
zgjodhi të jetë fiorentine
e fisnikëroi dhe e nderoi veten
me virtytet e larta të talentit dhe mendjes
të mishëruara në emrin evropian Dora d’Istria

në kujtim të pothuaj tridhjetë vjetëve ku jetoi
në këtë shtëpi, ku ajo vdiq,
me mirënjohje dhe nderim Bashkia vendosi
këtë kujtim (sic.)

Ndalohet mësimi i gjuhës frënge në Prishtinë

Shoqata e Profesorëve të Frëngjishtes të Kosovës (SHPFK) përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me braktisjen e mësimdhënies së frëngjishtes nga shkolla Elena Gjika në Prishtinë, përkundër dëshirës së stafit mësimdhënës dhe të drejtorit të institucionit, përcjellë KultPlus.

“Frëngjishtja është mësuar në këtë shkollë nga viti 2001. Çdo vit, rreth 80 nxënës tregonin interesimin e tyre të madh për mësimin e frëngjishtes dhe merrnin pjesë në mënyrë aktive në aktivitetet e ndryshme lidhur me frankofonin. Shkolla ka të gjitha mjetet e nevojshme për të siguruar një mësim cilësor falë mbështetjes materiale të konsiderueshme të Ambasadës së Francës në Kosovë. Ky vendim vështirë mund të kuptohet, duke marrë parasysh angazhimin e Kosovës për frankofonin, ndër të tjera përmes statutit të saj si anëtare vëzhguese të OIF (Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë). Kjo zgjidhje e imponuar pa konsultim paraprak dënon fillimisht nxënësit që kanë një lidhje të veçantë me gjuhën e Molierit.”, thuhet në komunikatë, ku poashtu theksohet se ky vendim është një sinjal katastrofik që i dërgohet shkollave të tjera të cilat janë thellësisht të implikuar në promovimin e gjuhës frënge ose që dëshirojnë të investojnë në këtë drejtim.

SHPFK-ja kërkon urgjentisht të takohet me organet vendimmarrëse dhe sidomos nga Komuna e Prishtinës, që këta të anulojnë këtë vendim të dëmshëm në çdo aspekt./ KultPlus.com