Nën magjinë e shfaqjes “Ëndrra e një nate vere”, u përmbyll mbrëmë edicioni i parë i “PrizrenFest”

Me një sukses të jashtëzakonshëm u përmbyllë edicioni i parë i “PrizrenFest”, me shfaqjen nga Shqipëria, “Ëndrra e një nate vere”, një nga komeditë më të bukura të Shekspirit, e që me një energji fantastike, e me ngjyrime që bënin publikun të futet në magjinë që krijonin skenat në vazhdimësi, përcjellë KultPlus.

Nën regjinë e Driada Dervishit dhe në interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, shfaqja ofroi teatër brenda teatrit, një botë ku ëndrra bëhet zhgjëndërr teksa zhvillohet në kufijtë mes reales dhe fantazisë.

Trillimi fantastik shekspirian i ndërthurur me elementet e jetës së përditshme dhe një kostumografi e skenografi që të përfshinë në botën magjike të zanave dhe situatave plot humor, ishte po ajo magji që u soll në Prizrenfest nga shfaqja, “Ëndrra e një nate vere”.

E vënë në skenë enkas për ambient të hapur, komedia përmbushë ëndrrën e çdo artisti për të interpretuar nën yje, jashtë skenës statike të teatrit, por dhe të artdashësve të cilët duan të shijojnë magjinë e një nate vere nën pushtetin e artit, hënës dhe antikitetit. / KultPlus.com

Foto: Esad Duraki

Me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”, PrizrenFest përmbyllë sonte edicionin e parë

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur “PrizrenFest”, sonte e përmbyllë edicionin e parë, përcjellë KultPlus.

Pas katër netëve magjike që solli ky festival, duke sjellë 9 shfaqjet pjesëmarrëse, nga vende të ndryshme si Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Rumani, Shqipëria dhe Kosova me disa nga produksionet vendore, në natën fundit që përmbyllë këtë fillim rrugëtim të “PrizrenFest-it, është shfaqja nga Shqipëria, “Ëndrra e një nate vere” një nga komeditë më të bukura të Shekspirit.

Shfaqje vjen sonte duke filluar nga ora 20:30 në Kino Plato ( prapa Xhamisë Sinan Pasha) në Prizren. / KultPlus.com

“Ëndrra e një nate vere”, në Amfiteatrin antik të Durrësit

Një nga komeditë më të bukura të Shekspirit, është ngjitur në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit. Artdashës, banorë të Durrësit, por edhe pushues që gjenden aty, kanë pasur mundësinë të shohin një shfaqje, nga më të mirat e trupës së Teatrit “Aleksandër Moisiu”, “Ëndrra e një nate vere”.

Me regji të Driada Dervishit, komedia “Ëndrra e një nate vere”, ishte e para që hapi siparin e shfaqjeve artistike në amfiteatrin 2000-vjeçar të qytetit të Durrësit, për këtë sezon veror.

“Një kast energjik aktorësh, mbushi me ëndrra netët verore të Durrësit”, shkruan ministrja Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Kasti i aktorëve nën regjinë e Driada Dervishit përbëhej nga emra të mirënjohur të skenës si Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Suela Bako, Andia Xhunga, Mimoza Marjanaku, Adelina Muça, Amos Zaharia etj. Aktorët janë ngjitur në skenën e amfiteatrit antik, për 3 netë rresht, në datat 21, 22 dhe 23 qershor.

Me një skenë, të veshur në të bardha, hënën në sfond, ngatërresat e Pakut, truket e zanave dhe një ëndërr-zhgjëndërr, komedia “Ëndrra e një nate vere” erdhi si një magji e këndshme për publikun./atsh/ KultPlus.com