Nën magjinë e shfaqjes “Ëndrra e një nate vere”, u përmbyll mbrëmë edicioni i parë i “PrizrenFest”

Me një sukses të jashtëzakonshëm u përmbyllë edicioni i parë i “PrizrenFest”, me shfaqjen nga Shqipëria, “Ëndrra e një nate vere”, një nga komeditë më të bukura të Shekspirit, e që me një energji fantastike, e me ngjyrime që bënin publikun të futet në magjinë që krijonin skenat në vazhdimësi, përcjellë KultPlus.

Nën regjinë e Driada Dervishit dhe në interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, shfaqja ofroi teatër brenda teatrit, një botë ku ëndrra bëhet zhgjëndërr teksa zhvillohet në kufijtë mes reales dhe fantazisë.

Trillimi fantastik shekspirian i ndërthurur me elementet e jetës së përditshme dhe një kostumografi e skenografi që të përfshinë në botën magjike të zanave dhe situatave plot humor, ishte po ajo magji që u soll në Prizrenfest nga shfaqja, “Ëndrra e një nate vere”.

E vënë në skenë enkas për ambient të hapur, komedia përmbushë ëndrrën e çdo artisti për të interpretuar nën yje, jashtë skenës statike të teatrit, por dhe të artdashësve të cilët duan të shijojnë magjinë e një nate vere nën pushtetin e artit, hënës dhe antikitetit. / KultPlus.com

Foto: Esad Duraki

Me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”, PrizrenFest përmbyllë sonte edicionin e parë

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur “PrizrenFest”, sonte e përmbyllë edicionin e parë, përcjellë KultPlus.

Pas katër netëve magjike që solli ky festival, duke sjellë 9 shfaqjet pjesëmarrëse, nga vende të ndryshme si Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Rumani, Shqipëria dhe Kosova me disa nga produksionet vendore, në natën fundit që përmbyllë këtë fillim rrugëtim të “PrizrenFest-it, është shfaqja nga Shqipëria, “Ëndrra e një nate vere” një nga komeditë më të bukura të Shekspirit.

Shfaqje vjen sonte duke filluar nga ora 20:30 në Kino Plato ( prapa Xhamisë Sinan Pasha) në Prizren. / KultPlus.com

Nesër mbahet konferenca “Reprezentimi i barabartë në Teatër – Mundësitë dhe realiteti për aktoret dhe aktorët”

Nesër më 4 gusht, 2022 nga ora 11:00, Artpolis dhe Prizrenfest organizojnë konferencën “Reprezentimi i barabartë në Teatër – Mundësitë dhe realiteti për aktoret dhe aktorët” tek Shtëpia e Shani Efendisë, në Prizren, përcjell KultPlus.

Kjo konferencë sjell një diskutim të gjerë ndërmjet akterëve të teatrit në Kosovë për mungesën e përfaqësimit të duhur të grave në teatër, përcaktimit të profesioneve sipas stereotipeve gjinore, hapësirat jo të duhura për krijime artistike, kushtet e punës, roli i institucioneve kulturore, diversitetit dhe pabarazisë gjinore. Gjithashtu, diskutimi do të zgjerohet në mundësitë ekzistuese dhe ato që duhet krijuar për diversitet dhe barazi gjinore edhe në teatër.

Teatri është një nga pjesët më esenciale të diversitetit kulturor. Megjithatë, shumë shpesh performancat artistike dhe stafi nuk e reflektojnë diversitetin real të qyteteve dhe vendeve në të cilat jetojmë, dhe nuk ka përfaqësim e mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët – pavarësisht gjinisë, orientimit seksual, etnisë apo klasës.

Këtë e tregon edhe hulumtimi “Barazia Gjinore dhe Diversiteti në Teatrot Evropiane” të realizuar nga Konventa Evropiane e Teatrit (ETC), i cili ndër të tjera thotë se gratë kanë pasiguri më të lartë në kontrata se sa burrat, dhe janë të pranishme në “profesione stereotipike gjinore”, dhe “më pak të pranishme në krye të hierarkisë”.  Sipas këtij studimi burrat kanë prezencë më të madhe në programet teatrore dhe dominojnë “pozitat prestigjioze” në dramaturgji, regji, dhe staf teknik, përderisa gratë dominojnë në kostumografi dhe parukeri.

Ky studim vë në pah edhe faktin se kur gratë janë në vendimmarrje si autoret dhe regjisore ato demonstrojnë një prirje të qartë drejt barazisë në krahasim me kolegët e tyre burra.

Si shoqëri duhet t’u përgjigjemi shumë pyetjeve rreth barazisë gjinore në teatër: Cili është roli ynë si artiste/ë në fuqizimin e grave, cilat janë hapat që duhet ndërmerren për barazi gjinore në teatër, si të rrisim prezencën e grave në hierarkinë e teatrit etj?!

Konferenca do të shërbejë si një hapësirë për diskutim të domosdoshëm konstruktiv për të arritur barazinë gjinore, e fuqizimin e grave në teatër. / KultPlus.com

Me dy shfaqje të fuqishme, “Prizrenfest” emocionoi publikun në natën e dytë të festivalit

Festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur “Prizrenfest”, mbrëmë shpalosi programin e natës së dytë të këtij edicioni të parë që po rezulton shumë i suksesshëm, përcjellë KultPlus.

Ishte historia rrëqethëse e një migranti që u shfaqë mbrëmë nëpërmjet rrugëtimit të tij sfidues dhe përjetimeve personale me shumë emocione.

Këtë rrugëtim po e barte mbi supe “PPP Ti Presento L’Albania (ITA)”, me regji nga Kaus Martini, e cila ishte shfaqja e parë që u prezantua në natën e dytë të “PrizrenFest”.

“PPP po ju prezentoj Shqipërinë”, është një kombinim, monodramë me histori autobiografike, fragmente të shkruara nga Pasolini dhe ripunime autoriale.

Me një skenografi modeste por shumë domethënëse, me një kombinim të gjuhëve mes italishtes dhe shqipes, nisë një korrespondencë imagjinare që shtynë djaloshin të rrëfejë për emigrimin e prindërve, për legjendat që ia kanë përcjellur gjyshërit dhe për vallet e ritualet që i japin ritëm jetës në fshat.

Në të njëjtën kohë, i shtyrë nga rigjetja e Pasolinit në atdheun e nënës së tij, alter egoja transparente e Klaus Martinit nxiti rigjetjen e tij në një botë nga e cila ishte ndarë qe fëmijë, e që tani e kishte harruar dhe shtypur për hirë të një integrimi të ri.

Duke korresponduar me përjetimet e të pranishmëve në audiencë, duartrokitjet për aktorin Kaus Martini nuk u ndalën.

Por emocionet nuk u ndalën këtu. Mbrëmja vazhdoi me interpretimet brilante të aktorëve të shfaqjes “Ora e Vdekjes” nga regjisori i njohur kosovar, Ilir Bokshi, dukë bërë kështu që publiku të përjetojë jo vetëm shfaqjen dhe hapësirat e burgut, por edhe përjetimet e të burgosurve politikë në Kosovë dhe Shqipëri.

Shfaqja përfshinë edhe tregime nga të mbijetuarit (nga masakra e burgut të Dubravës) si dhe tregime nga të burgosurit nëpër burgjet e tjera të luftës së fundit në Kosovë dhe kohës së komunizmit në Shqipëri.

Me emocione të përziera, e të fuqishme, shfaqja trajton jetën, moralin, identitetin, fatin, luftën, mbijetesën dhe dashurinë, gabimin dhe pafajësinë, lirinë dhe vdekjen, të gjitha këto të gërshetuara në një koncept inovativ teatror.

“Ora e Vdekjes” ishte shfaqja e  dytë e cila u mirëprit nga publiku në natën e dytë të edicionit të parë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur në Kosovë, “Prizrenfest”, i cili po vazhdon të mbahet në Prizren.

 Në natën e tretë të festivait, me 2 gusht në Prizren, do të shfaqen Italia, duke filluar nga ora 20:30 dhe Romania, në ora 21:30. / KultPlus.com

Nis partneriteti mes ‘Artpolis’ dhe ‘Prizrenfest’, sonte në Burgun e Qytetit shfaqet “Ora e Vdekjes”

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka nisur bashkëpunimin dhe ndërtimin e partneritetit me Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur – Prizrenfest.

‘Prizrenfest’, që mbahet në qytetin e Prizrenit, sivjet organizon edicionin e tij të parë, nga 31 korrik deri më 4 gusht, dhe ‘Artpolis’ është e lumtur të kontribuojë me tri aktivitete në një festival që premton shumë dhe është një dritare më shumë në zhvillimin e artit skenik dhe aktivizmit artistik.

Artpolis prezanton në Prizrenfest dy shfaqje teatrore dhe një konferencë.

Shfaqja teatrore “Ora e Vdekjes”, me regji të Ilir Bokshit, do të prezantohet sonte para publikut në Prizren nga ora 21:00.

“Ora e Vdekjes”, bashkëproduksion i Artpolis dhe Bokshi Theater Company, prezantohet në Burgun e Qytetit në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur – Prizrenfest.

Kjo shfaqje trajton fatin e të burgosurve politikë në Kosovë dhe Shqipëri. Shfaqja përfshin edhe tregime nga të mbijetuarit (nga masakra e burgut të Dubravës) si dhe tregime nga të burgosurit nëpër burgjet e tjera të luftës së fundit në Kosovë dhe kohës së komunizmit në Shqipëri. Inskenimi i shfaqjes në hapësirat e burgut, jo vetëm që do ta bëjë publikun të përjetojë shfaqjen dhe tregimet, por gjithashtu do ta bëjë të përjetojë edhe hapësirat e burgut.

“Ora e Vdekjes” ndërthur jetën, moralin, identitetin, fatet, luftën, mbijetesën dhe dashurinë, gabimin dhe pafajësinë, lirinë dhe vdekjen, të gjitha këto të gërshetuara në një koncept inovativ teatror.

Regjia: Ilir Bokshi

Autor: Ulpianë Maloku, Agnesa Mehanolli

Aktorët: Albulena Kryeziu-Bokshi, Kushtrim Sheremeti, Adrian Morina, Arben Derhemi

Kostumografe: Vesa Kraja

Skenograf: Bekim Korça

Kompozitor: Memli Kelmendi

Ndriçimi: Skender Latifi

Më 3 gusht te Kino Plato do të keni të rastin të shihni shfaqjen “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës, nga ora 21:30, bashkëproduksion i Artpolis dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në ditën e fundit të Prizrenfest, më 4 gusht, zë vend konferenca teatrore “Reprezentimi i barabartë në Teatër – Mundësitë dhe realiteti për aktoret dhe aktorët”, tek Shtëpia e Shani Efendisë nga ora 11:00.

Ky është edicioni i parë i Prizrenfest, i cili në vitin e tij të parë sjellë një program të pasur me artistë/e vendorë/e dhe ndërkombëtarë/e nga: Kosova, Shqipëria, Bosnja – Hercegovina, Turqia, Italia dhe Rumania. / KultPlus.com

Me emocione të fuqishme nisi edicioni i parë i festivalit ‘Prizrenfest’

Me emocione të fuqishme nisi edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur në Kosovë, Prizrenfest,  në Kino Lumbardhi, përcjellë KultPlus.

Nën brohoritjet dhe duartrokitjet e pafund të publikut në natën e parë u prezantua Teatri Kombëtar i Sarajevës me shfaqjen “To Nikad Nigdje Nije Bilo”, (Kjo kurrë s’ka ndodhë)  nga regjisori i njohur Dino Mustafic.

Me këtë shfaqje, Teatri Kombëtar  i Sarajevës, të krijuar për njëqindvjetorin e ekzistencës së tij, kujton shumë nga ditët e tij të lumtura dhe jo të lumtura, njerëzit dhe fatet e panumërta që e shënuan gjatë gjithë asaj kohe dhe që u shënuan prej tij… dhe kujton atë që kurrë, askund, nuk ndodhi.

Ndërkaq në natën e dytë, me 1 gusht në Prizrenfest, do të prezantohen tri shfaqje.

“PPP Ti Presento L’Albania (ITA )”, me regji nga Klaus Martini, në Muzeun Arkeologjik duke filluar nga ora 20:00h.

Në ora 21:00h, tek Burgu i Qytetit, do të prezantohet shfaqja nga Kosova “Ora e vdekjes” (RKS )”, me regji nga Ilir Bokshi.

Duke mos lënë anash as më të vegjlit, në skenën e Abi Çarshisë duke filluar nga ora 19:00h, jepet shfaqja për fëmijë.

Të nderuar me praninë e shumë artistëve dhe artdashësve, organizatorët e Prizrenfest ju ftojnë që të vazhdoni të jeni pjesë e festivalit deri më datën 4 gusht, kur do të jetë edhe nata përmbyllëse. / KultPlus.com

‘PrizrenFest’ shpalos programin, një javë kulturore me plot risi, shfaqje e punëtori

‘PrizrenFest’, festival ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur do të  përçojë  tek ju drejtpërdrejt magjinë e emocionit të këtij festivali.

Edicioni i parë i festivalit i organizuar nga artistë elitë të vendit tone, është nën patronatin e kryetarit të komunës, Shaqir Totaj.

Prej datës 31 korrik deri më 4 gusht, Prizren Fest sjell artistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës si: Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Turqia, Italia, Rumania dhe Franca.

Kësaj liste i shtohen edhe shumë artistë dhe profesionistë të artit vendor, të cilët do të qëndrojnë në Prizren gjatë gjithë festivalit.

Për 5 ditë nga 31 Korrik- 4 Gusht,  Festivali ndërkombëtar i Teatrit PrizrenFest,  me një program të veçantë, do të mbahet në vendet më të bukura të trashëgimisë sonë  si: Kino Lumbardhi, Kalaja e Prizrenit, Lidhja e Prizrenit, Kino Plato dhe Sheshi i lidhjes së Prizrenit.

Në natën e hapjes së festivalit më 31 korrik, prej orës 21:00, në Kalanë e Prizrenit, do të  prezantohet teatri nacional i Bosnjës me shfaqjen e regjisorit të njohur Dino Mustafiq.

Bashkangjitur gjeni programin e festivalit. / KultPlus.com

‘PrizrenFest’, festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur vjen me edicionin e parë

‘PrizrenFest’, festival ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur do të  përçojë  tek ju drejtpërdrejt magjinë e emocionit të këtij festivali.

Edicioni i parë i festivalit i organizuar nga artistë elitë të vendit tone, është nën patronatin e kryetarit të komunës, Shaqir Totaj.

 Prej datës 31 korrik deri më 4 gusht, Prizren Fest sjell artistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës si: Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Turqia, Italia, Rumania dhe Franca.

Kësaj liste i shtohen edhe shumë artistë dhe profesionistë të artit vendor, të cilët do të qëndrojnë në Prizren gjatë gjithë festivalit.

Për 5 ditë nga 31 Korrik- 4 Gusht,  Festivali ndërkombëtar i Teatrit PrizrenFest,  me një program të veçantë, do të mbahet në vendet më të bukura të trashëgimisë sonë  si: Kino Lumbardhi, Kalaja e Prizrenit, Lidhja e Prizrenit, Kino Plato dhe Sheshi i lidhjes së Prizrenit.

Në natën e hapjes së festivalit më 31 korrik, prej orës 21:00, në Kalanë e Prizrenit, do të  prezantohet teatri nacional i Bosnjës me shfaqjen e regjisorit të njohur Dino Mustafiq. / KultPlus.com