‘Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej, por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi nuk çilin ma per ty, janë të tjeterkuej’

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.

Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar.  Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original

Dorëshkrimit të vitit 1923

Tingllim

Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.

Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.

S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera

Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,

Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,

Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,

Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,

Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,

E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.

Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,

Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi

Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.

29 prill 1923

Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”

***

Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:

Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.

Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era

Si emnin qi prej zêmret due me shlye.

Mallet e mija si ndër stina tjera

Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:

Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera

Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.

Si përtrihet kso stine mbar’ natyra

Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:

ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.

Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.

Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,

t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala. / KultPlus.com

Gjuha Shqipe

Poezi nga Ernest Koliqi

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë. / KultPlus.com

Kur Ernest Koliqi i thurte vargje gjuhës shqipe

Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, 21 shkurti, shkruan KultPlus.

Ndikimi i shkrimtarit Ernest Koliqi në zhvillimin e gjuhës shqipe, ishte i jashtëzakonshëm.

Në vitin 1941, Koliqi u bë ministër arsimi në qeverinë shqiptare të mbështetur nga italianët dhe vendimi i tij i parë ishte dërgimi i mbi 200 mësuesve në Kosovë për të hapur shkollat shqipe dhe për t’i dhënë fund analfabetizmit total, në të cilin ndodheshin shqiptarët e Kosovës, për shkak të sundimeve brutale osmane dhe serbe.

Shkruan: Ernest Koliqi

“Gjuhës shqipe”

Lshon ame ilire n`goje agimesh s`vjetra
Ndo `i fjale e jote than` vetimeveti,
O gjuhe e folun n`bote ende ferishte
S`ciles Mayeri ne te censhmet letra
Rraj`t e mshefuna n`mot nuk mund ia gjeti
As n`t`folun t`Cezarve as n`helenishte,
Perse Athina s`kishte
Emen as Roma, kur e rrept ushtove
Nder vepra katallajsh qi nper jehona
Vigma t`fuqishme qitshin hove-hove,
Tue ndertue ledhe permbi troje t`ona.

Kuturesat e hyjit nper gjeth lisi
N`Dodonen shejte prifti, qi n`pergjime
Naten e diten rrinte atje perdore,
Porse ndo `i fllad pullnaje kundalisi,
Ndoshta me fjal`t e tueja i dha heshtime
T`perfrigueshme qi mbluen t`parat therore:
Ndoshta ndo` i buz` hyjnore
N`at mot qi zota shpesh perbujte toka
Shqiptoi kto fjal` qi ne mbi goj` na shkrefen;
Me ty hyjneshat ndoshta nper kto boka
Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.

Mbi anija t`shpejta velat nde kah preja,
Qi urdhni i Teutes niste nen hyj ari
Me msy t`Helenit barkat tregetuese
Ngarkue me ar e kem e skllave t`reja,
Ty t`kelthitte n`timue anijetari
Tue i ra me kic ilir pupes bishtnuese;
E permbi val` shkembuese
Ti jehojshe nder hymnet e ngadhnjimit
Kur, me plackat e rrmbyeme mbrend` stivue,
U afrojshin n`breg anijat prej agimit,
Mbretneshes s`detit pret me i a dhurue.

Mysteri i vjeter qi mberthen fjal`t t`ueja,
Zanin na e dridh` me nji kreni t`pashoqe,
O ghuhe e folun per trimij pranvera,
E tok na mbajte nder pushtime t`hueja
Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe
As kur u ndam n`besime e doke tjera;
E shekujve potera
Qi me vrull u perplas mbi tok` shqiptare
Ndonjij ndrrimi edhe n`ty i cili shtegun,
Por prap kumbimet n`buze i ke krenare
Si n`mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.

Thue buza e kangatarve te paemen
Qi gzim e idhnim me ty knduen maje mali
Dhe kanga u humbi n`erresin e motit,
Ket permallim qi mungullon mbi t`emen
E vjen nga heshtja e shekujve m`a fali,
Mue trashigues i tune n`dhe t`Kastriotit?
N` kthjelltin e dites s`sotit
Kang` ndoshta t`kndueme qi vorroi kalesa
Kendoi, o gjuh` lulzue n`shkreti, dh`asht goja
E eme ahmarrse e gojve qi harresa
N`terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.

Motrat e tueja qi kumbuene n`shekull
Bukurin tue sjell` n`prak t`ksaj jete
E tjetra ligj`t e Arsyes qi mbarshtrojn` fise,
Heshten e rrojn` vec n`karta:ti, per mrekulli,
Me nji mosh` trimij vjetsh e blerun mbete
Edhe kumbon e gjall` po n`ato vise
Ku me lshue tingujt nise
N`foshnjin e botes. Pse t`ka ruejtun fati
T`njom edhe virgjin? Egersija jote
Mos mban n`at gji, q`i hueji nuk pecati,
Stinen e fundme t`poezis s`ksaj bote?

O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash
Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku
Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande,
Shprehje t,kulluet na ep si akull gurrash
Per kang`t e burrnis s`lasht q`ushqejm` te gjaku
E t`lavdis s`re qi me t`fitue na kande;
Thjeshtin e ambel t`ande
Me ndjell` dashnin e vashavet qi t`flasin
Falja poetve t`u, por n`qe se kamben
Buzes amtare kush ia ven, ti casin
Mos prit: banu rrufe me lshue n`te namen.

O Kange, Arbnor`t e plogte i kapi gjumi;
Ti kris si za burije
Mbi ata qi flejn` pa andrra fisnikije:
E n`qe se belkacuk`t e gjuh`s ilire,
Tue t`ndie fishkllojn` prej smire,
Me rrahje flatrash ik n`nalsi t`kalthera. /KultPlus.com

47 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe intelektualit, Ernest Koliqi

Përkujtohet sot ndarja nga jeta e shkrimtarit Ernest Koliqi. Muzeu Historik Kombëtar solli në vëmendjen këtë figurë të rëndësishme të letrave shqipe.

Më 15 janar 1975 u nda nga jeta Ernest Koliqi, shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist e botues.Ernest Koliqi lindi në qytetin e Shkodrës, ku ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më pas vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë. U kthye në Atdhe në vitin 1922, ku u integrua shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”.

Gjatë viteve 1933-1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovas. Në vitet e pushtimit italian u emërua ministër i arsimit.

Në vitin 1943 largohet nga Shqipëria për të marrë drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”, Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës.Ernest Koliqi është autor i mjaft veprave letrare si: “Kushtrimi i Skënderbeut”, “Hija e Maleve”, “Tregtar famujsh” etj. Ai nuk lëvroi vetëm poezinë, por edhe gjininë e romanit dhe dramës.

U cilësua me të drejtë themelues i novelës shqiptare. Ernest Koliqi është një ndër intelektualët më vizionarë lidhur me probleme të kulturës kombëtare e çështjes shqiptare./atsh/ /KultPlus.com

Petro Marko: Ernest Koliqi më shpëtoi jetën

Nga Petro Marko

(Marrë nga libri, “Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët)

Gjenerali u ngrit dhe bëri një shenjë gjithë nervozizëm. Dikush më mbërtheu nga qafa. Fola: “Es que vous parles français?”

Ai më pa dhe m’u përgjigj: “Ju polakët jeni të ndyrë!” I thashë frëngjisht se nuk isha polak, por shqiptar! Atëherë vetëtimthi më doli para syve figura e priftit që m’u ngjit e më pyeti se ku ishin shokët e tjerë.

Prandaj, u gëzova shumë dhe mora guximin dhe i thashë gjeneralit: “Luftë është, tani vdes unë, nesër ju. Sa për gjermanë unë njoh, madje dhe me emra.” Ai u ngrit më këmbë, i gëzuar më buzëqeshi dhe më tha: “Cilët janë?” Unë iu përgjigja: “Njoh Gëtën dhe Shilerin!”

Atij i ndryshoi menjëherë shprehja e fytyrës. Më tha: “Po ti ç’je?” “Jam një poet shqiptar. Po që të bindeni se unë jam shqiptar dhe informatori juaj ju ka mashtruar, ju lutemi i telefononi ministrit tonë Ernest Koliqi, që më njeh, që e di se kush jam e pastaj më vrisni.”

Gjenerali depërtonte në mendimet e mia duke më vështruar drejt e në sy. Unë rrija i qetë dhe i lumtur se nuk i paskëshin zënë të tjerët. Ishte prifti që më kishte spiunuar si polak… Togeri që përkthente quhej Tenente Kok. Gjenerali i foli gjermanisht togerit Kok dhe ky mori në dorë receptorin e telefonit.

Unë e dija përmendësh numrin e telefonit të Koliqit, se më parë kisha shkuar disa herë në zyrat e tij dhe sekretari, njëfarë Shestani, më kishte dhënë shumë pasaporta për malazeztë e për grekët, shokët tanë, ish-të dënuar (Koliqi më kishte pritur përzemërsisht dhe më kishte uruar që të shpëtoja e të shkruaja vjersha, pasi ai e dinte, qëkur e kisha profesor në Ujë të Ftohtë, se bëja vargje). Ia dhashë numrin togerit, i cili e mori menjëherë. Unë u shqetësova, se Koliqi, duke dëgjuar zërin e Gestapos, ndoshta do t’u thoshte se cili isha unë: luftëtar në Spanjë e të tjera.

Togeri Kok, që ishte tmerri i Romës (këtë e mora vesh më vonë), pas pak nisi bisedën:

– Na falni për shqetësimin, kemi këtu një… që pretendon se ju njeh. – …(Fliste Koliqi.) – Quhet Petro Marko… – … (Fliste Koliqi.) M’u drejtua mua: – Ku e keni njohur dhe çfarë ka botuar Koliqi?- Unë i flisja dhe ai përsëriste në telefon: Në Vlorë, e kishit nxënës, keni botuar “Hija e Maleve”, “Gjurmët e stinëve”…

Ju ka kushtuar dhe një vjershë në “Leka”… – …

(Fliste Koliqi.) – Ju faleminderit shumë dhe na falni për shqetësimin në këtë orë! – tha togeri Kok… Pastaj foli me gjeneralin, gjermanisht.

Ai bëri tri shenja. Më vështroi në sy dhe tha shkurt: – Falëndero Gëten dhe Shilerin. Më morën dhe që andej më shpunë në burgun “Rexhina Çeli”, në një birucë me tetë të tjerë. Aty ishte dhe një jugosllav e një grek. Pas ca ditësh erdhi në burg për takim sekretari i Koliqit.

Më tha të rrija i qetë se do të kujdesej Koliqi. E vërteta është që Koliqi më shpëtoi jetën, se atje ku më shpunë mua: Pensione Xhakarini, rruga “Sicilia”, 10, ishte qendër e Gestapos dhe që aty asnjë nuk kishte dalë i gjallë. Edhe nëse kishte dalë i gjallë ndonjë, kishte dalë invalid përjetë. Këto i mësova në birucë, nga shokët me të cilët flisja, që u thashë se ç’më kishte ndodhur.

Aty mësova se Pensione Xhakarini ditën përdorej si klub i klasit të parë, ku shkonin familje aristokrate dhe pinin ose kërcenin, kurse pas orës 22 kthehej në zyra të Gestapos si në Via Taso. Aty mësova se togeri Kok ishte tmerri i antifashistëve dhe patriotëve, agjent besnik i Hitlerit, kriminel i regjur. Pra, Koliqi më shpëtoi jetën dhe u interesua për mua duke më dërguar sekretarin e tij.

Pas pak ditësh erdhi për t’u takuar me mua peshkopi i Leros (unit). Më takoi dhe me një zë prej kallogjeri më thoshte: “Të na falësh, o bir, se ai nuk ishte prift, po djalli vetë, ai ishte djalli vetë”.

Më tha se e kishte dërguar vetë peshkopi i Via Po-së të më pyeste se ç’dëshiroja, ç’ndihma donim dhe ta dinim se ai i mallkuar nuk ishte prift, po djall i veshur tani vonë prift nga gjermanët. Siç mora vesh më vonë, atë dhe togerin Kok i vranë partizanët italianë.” / KultPlus.com

Historia e një fotografie të vitit 1938, kur në Shkodër takoheshin penat e vetëtimshme të shqipes

Ishte viti 1938. Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit.  Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.

Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti.  Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.

Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”.

Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.

Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”

Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”.  Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:

“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.

Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:

Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.

Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit.  Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.

Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të  madh kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.

Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën. /frankshkreliKultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Një fotografi e rrallë dhe e papublikuar më herët në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Kjo është fotografia e rrallë dhe e papublikuar më herët në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

Tingëllimë dashurie nga Ernest Koliqi

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.

Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar.  Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original

Dorëshkrimit të vitit 1923

Tingllim

Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.

Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.

S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera

Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,

Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,

Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,

Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,

Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,

E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.

Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,

Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi

Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.

29 prill 1923

Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”

***

Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:

Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.

Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era

Si emnin qi prej zêmret due me shlye.

Mallet e mija si ndër stina tjera

Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:

Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera

Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.

Si përtrihet kso stine mbar’ natyra

Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:

ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.

Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.

Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,

t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala./ KultPlus.com

Kur “Shejzat” botohej për herë të parë në Romë më 1957-ën

Revista albanologjike “Shejzat” u botua për herë të parë në vitin 1957 dhe u themelua nga Ernest Koliqi.

Periodiku “Shejzat” u botua në Romë nga një grup mërgimtarësh shqiptarë me njohuri të gjëra në letërsi, gjuhë e histori, numri i fundit i së cilës u botua në vitin 1978.

Kjo revistë për 21 vite me radhë la një trashëgimi të vyer kulturore dhe artistike. Ende sot, studiues dhe albanologë i japin sërish zë këtij botimi, duke ecur në të njëjtat gjurmë. Në vitin e dytë të botimit, numri 11-12, në këtë revistë gjenden shkrime me përmbajtje gjuhësore, letrare dhe kulturore. / KultPlus.com

Kur revista ‘Shejzat’ e Koliqit botohej për herë të parë në Romë në vitin 1957

Revista albanologjike “Shejzat” u botua për herë të parë në vitin 1957 dhe u themelua nga Ernest Koliqi.

Periodiku “Shejzat” u botua në Romë nga një grup mërgimtarësh shqiptarë me njohuri të gjëra në letërsi, gjuhë e histori, numri i fundit i së cilës u botua në vitin 1978.

Kjo revistë për 21 vite me radhë la një trashëgimi të vyer kulturore dhe artistike. Ende sot, studiues dhe albanologë i japin sërish zë këtij botimi, duke ecur në të njëjtat gjurmë.

Në vitin e dytë të botimit, numri 11-12, në këtë revistë gjenden shkrime me përmbajtje gjuhësore, letrare dhe kulturore. / KultPlus.com

Shkollat e Ernest Koliqit, vepra më e madhe kombëtare në 100 vjetshin e fundit

Nga Gani Mehmetaj

Para 70 e ca vjetësh Ernest Koliqi i madh, hapi shkollat shqipe në territoret etnike nga Rozhaja deri në Peshterë e Pazar të Ri, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër. Dardania përjetoi lulëzim e arsimim më shumë se kurrë më parë gjatë historisë kombëtare. Fotografitë e kohës janë emocionuese: qindra nxënës shqiptarë me qeleshe në kokë e rroba të pastra kombëtare rrinë gatitu para flamurit kombëtar, ose mësojnë me përkushtim në klasat e tyre. Askush nuk ia ngriti një përmendore dhe nuk e kujtoi për këtë vepër madhore, askush nuk e thotë se punën e tij nuk e vazhduan, përkundrazi… e rrënuam!

‘’U hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta, ndërsa në vitin shkollor 1943-1944 ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës’’.

Koliqi solli nga Shqipëria londineze qindra mësues. Ishte kjo një punë kolosale që nuk e bëri askush para tij dhe pas tij.

Brezi i vjetër i kujtonte me mall kur isha i ri shkollat e Koliqit, ashtu sikurse e kujtonin Shqipërinë Etnike. ‘’Ma të forta ishin shkollat fillore të Shqipnisë Etnike se sa shkollat e mesme sot’’, ta thoshte i sigurt secili që kishte mësuar në ato shkolla. Këtë ma thoshte gati çdo ditë babai im admirues i madh i Koliqit.

Vullnetarët e Rrafshit të Dukagjinit e të Malësisë e mbrojtën me gjak Shqipërinë Etnike e shkollat shqipe, duke iu kundërvënë forcave çetnike që bënë masakra të frikshme. Rrëfimet e babait tim, vullnetar Dukagjini, që sa nuk e la kokën në kufijtë e atdheut diku mbi Peshterë i kujtoj me emocione. Popullatën e pambrojtur shqiptare e shpëtuan nga gjenocidi forcat nacionaliste-balliste, por kur u futën brigadat partizane serbo-malazeze, të ndihmuara nga partizanët shqiptarë, mori fund Shqipëria Etnike, nisi gjenocidi. Ushtria serbo-malazeze vrau si kurrë më parë shqiptarë etnikë; mbyllën të gjitha shkollat shqipe nga Rozhaja deri në Pazar të Ri, dëbuan më shumë se gjysmën e popullatës, ndërsa ata që mbetën i detyruan të regjistroheshin boshnjak deh të mësonin serbisht. Kurrë më nuk u hapën shkolla shqipe. Heshtja e shqiptarëve të nëpërkëmbur vazhdoi mbi 60 vjet.

Për meritat e jashtëzakonshme përmendore Ernest Koliqit kanë kërkuar t’i ngrihen në Maqedoninë shqiptare, në Mal të Zi dhe në Dardaninë e çliruar. Mirëpo si një mallkim, ende bëjnë pengesa për ta përjetësuar në shtatore shqiptarin më të madh të arsimit dhe njërin ndër shqiptarët më të mëdhenj të rizgjimit kombëtar. / KultPlus.com

Telegrami i Ernest Koliqit drejtuar Kontit Ciano

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Korrik 2021

“La Stampa” ka botuar, të shtunën e 30 marsit 1940, në ballinë, telegramin e Ernest Koliqit dërguar asokohe Kontit Ciano, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një telegram për Kontin Ciano nga Ministri Koliqi

Romë, 29 mars.

Ministri i Arsimit Publik shqiptar Koliqi, duke përfunduar udhëtimin e tij në Itali me 250 studentë shqiptarë, i ka dërguar Kontit Ciano telegramin në vijim :

Burimi : La Stampa, e shtunë, 30 mars 1940

Duke u kthyer në Shqipëri, ne mbajmë një kujtim të përjetshëm të fjalëve tuaja, të cilat janë një ogur i sigurt për të ardhmen e dy vendeve tona. Ju lutemi, Shkëlqesi, t’i transmetoni Duçes përkushtimin tonë të pandryshueshëm dhe besnikërinë “schipetara”, të gjallëruar nga bashkësia e frytshme me Rininë (fashiste) Italiane – Ministri Koliqi.

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-stampa-1940-telegrami-i-ernest-koliqit-drejtuar-kontit-ciano/ / KultPlus.com

Petro Marko: Ernest Koliqi më shpëtoi jetën

Nga Petro Marko

Gjenerali u ngrit dhe bëri një shenjë gjithë nervozizëm. Dikush më mbërtheu nga qafa. Fola: “Es que vous parles français?”

Ai më pa dhe m’u përgjigj: “Ju polakët jeni të ndyrë!” I thashë frëngjisht se nuk isha polak, por shqiptar! Atëherë vetëtimthi më doli para syve figura e priftit që m’u ngjit e më pyeti se ku ishin shokët e tjerë.

Prandaj, u gëzova shumë dhe mora guximin dhe i thashë gjeneralit: “Luftë është, tani vdes unë, nesër ju. Sa për gjermanë unë njoh, madje dhe me emra.” Ai u ngrit më këmbë, i gëzuar më buzëqeshi dhe më tha: “Cilët janë?” Unë iu përgjigja: “Njoh Gëtën dhe Shilerin!”

Atij i ndryshoi menjëherë shprehja e fytyrës. Më tha: “Po ti ç’je?” “Jam një poet shqiptar. Po që të bindeni se unë jam shqiptar dhe informatori juaj ju ka mashtruar, ju lutemi i telefononi ministrit tonë Ernest Koliqi, që më njeh, që e di se kush jam e pastaj më vrisni.”

Gjenerali depërtonte në mendimet e mia duke më vështruar drejt e në sy. Unë rrija i qetë dhe i lumtur se nuk i paskëshin zënë të tjerët. Ishte prifti që më kishte spiunuar si polak… Togeri që përkthente quhej Tenente Kok. Gjenerali i foli gjermanisht togerit Kok dhe ky mori në dorë receptorin e telefonit.

Unë e dija përmendësh numrin e telefonit të Koliqit, se më parë kisha shkuar disa herë në zyrat e tij dhe sekretari, njëfarë Shestani, më kishte dhënë shumë pasaporta për malazeztë e për grekët, shokët tanë, ish-të dënuar (Koliqi më kishte pritur përzemërsisht dhe më kishte uruar që të shpëtoja e të shkruaja vjersha, pasi ai e dinte, qëkur e kisha profesor në Ujë të Ftohtë, se bëja vargje). Ia dhashë numrin togerit, i cili e mori menjëherë. Unë u shqetësova, se Koliqi, duke dëgjuar zërin e Gestapos, ndoshta do t’u thoshte se cili isha unë: luftëtar në Spanjë e të tjera.

Togeri Kok, që ishte tmerri i Romës (këtë e mora vesh më vonë), pas pak nisi bisedën:

– Na falni për shqetësimin, kemi këtu një… që pretendon se ju njeh. – …(Fliste Koliqi.) – Quhet Petro Marko… – … (Fliste Koliqi.) M’u drejtua mua: – Ku e keni njohur dhe çfarë ka botuar Koliqi?- Unë i flisja dhe ai përsëriste në telefon: Në Vlorë, e kishit nxënës, keni botuar “Hija e Maleve”, “Gjurmët e stinëve”…

Ju ka kushtuar dhe një vjershë në “Leka”… – …

(Fliste Koliqi.) – Ju faleminderit shumë dhe na falni për shqetësimin në këtë orë! – tha togeri Kok… Pastaj foli me gjeneralin, gjermanisht.

Ai bëri tri shenja. Më vështroi në sy dhe tha shkurt: – Falëndero Gëten dhe Shilerin. Më morën dhe që andej më shpunë në burgun “Rexhina Çeli”, në një birucë me tetë të tjerë. Aty ishte dhe një jugosllav e një grek. Pas ca ditësh erdhi në burg për takim sekretari i Koliqit.

Më tha të rrija i qetë se do të kujdesej Koliqi. E vërteta është që Koliqi më shpëtoi jetën, se atje ku më shpunë mua: Pensione Xhakarini, rruga “Sicilia”, 10, ishte qendër e Gestapos dhe që aty asnjë nuk kishte dalë i gjallë. Edhe nëse kishte dalë i gjallë ndonjë, kishte dalë invalid përjetë. Këto i mësova në birucë, nga shokët me të cilët flisja, që u thashë se ç’më kishte ndodhur.

Aty mësova se Pensione Xhakarini ditën përdorej si klub i klasit të parë, ku shkonin familje aristokrate dhe pinin ose kërcenin, kurse pas orës 22 kthehej në zyra të Gestapos si në Via Taso. Aty mësova se togeri Kok ishte tmerri i antifashistëve dhe patriotëve, agjent besnik i Hitlerit, kriminel i regjur. Pra, Koliqi më shpëtoi jetën dhe u interesua për mua duke më dërguar sekretarin e tij.

Pas pak ditësh erdhi për t’u takuar me mua peshkopi i Leros (unit). Më takoi dhe me një zë prej kallogjeri më thoshte: “Të na falësh, o bir, se ai nuk ishte prift, po djalli vetë, ai ishte djalli vetë”.

Më tha se e kishte dërguar vetë peshkopi i Via Po-së të më pyeste se ç’dëshiroja, ç’ndihma donim dhe ta dinim se ai i mallkuar nuk ishte prift, po djall i veshur tani vonë prift nga gjermanët. Siç mora vesh më vonë, atë dhe togerin Kok i vranë partizanët italianë.”

(Marrë nga libri, “Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët) / KultPlus.com

Ernest Koliqi, atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar

Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.

Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.

Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq.

Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës. ( A. Q.)

Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh, familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia e pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht.

Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit-hat Frashërit e Liugj. Gurakuqit

Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Llazër Mjedës. Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej patriotit Avni Rustemi. Më pas emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Rexhep Shala.

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela, në vitin 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33) ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Liugj. Radit. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924.

Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934- 1936 ishte pjesëtar i grupit botues të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935 Migjeni botoi vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Carlo Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941

Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian

Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumë çmuar, që nuk dha rezultat

Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.

Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj Më 4 Maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18 të atij muaji i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.

Vepra

Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt. Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.

Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.

Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV)./medialmk/ KultPlus.com

Historia e një fotografie të vitit 1938, kur në Shkodër takoheshin penat e vetëtimshme të shqipes

Ishte viti 1938. Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit.  Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.

Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti.  Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.

Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”.

Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.

Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”

Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”.  Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:

“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.

Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë. Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione. Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut. Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:

Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.

Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit.  Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.

Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të  madh kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.

Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën. /frankshkreliKultPlus.com

Ernest Koliqi në Frascineto një të martë Pashke (FOTO)

Një foto e shkrepur një ditë të marte shumë vite më parë në Francineto. Në këtë foto kortezi e Lucia Martino shihet Ernest Koliqi dhe Giusepre Ferrari së bashku me gratë arbëreshe të veshura me veshjet e bukura tradiconale.

Ishte viti 1941 kur Ernest Koliqi vizitoi për të parën herë Horën e Arbëreshëve. Koliqi ishte një ndër studiuesit më të mëdhenj që ka krijuar një lidhje të fortë midis letërsisë dhe udhëtimit dhe ka arritur të kape shpirtin e kulturës italo-shqiptare, në një kontest ku vendet nuk janë thjesht përfaqësime te modelit real por edhe atij metaforik dhe antropologjik.

Në një konference të mbajtur në Cosenza më 20 shtator te vitit 1964 në kongresin e Dante Aligerit, me titull ” Shqiptarët ne Kalabri” vuri ne dukje: “Edhe endacakut me përvojë, rrallë i ndodh të hasë ne rrugën e tij ashtu si ne tokën Kalabrese, plot mrekulli te panjohura, kostume me një përzierje harmonike të ngjyravekaq mbresëlënëse.

Në ato pasqyrohen njëkohësisht ngjyrat e ndezura dhe të venitura të detit me qiellin mesdhetar dhe magjia e lulëzimit pranveror nëpër kodra e male që mbulojnë rrënojat e qytetërimeve të lashta dhe rezonanca musikale e emrit ruan shijet e forta klasike. Horizontet solemne që na japin ndjenjëne pafundësisë, që zhduken përtej imazheve madhështore të maleve, duken të mbështjellë në një atmosferë vetmie primitive ku koha dhe hapësira vërejnëndryshimin e kushteve njerëzore, të cilat ruajnë të paprekur urtësinë e eksperiencave shekullore.

Toka e murgjve, filosofëve dhe poetëve, bujqërve dhe heronjve të jashteligjshëm që gjithmonë preferuan lirinë e pyjeve nga jeta me kufizime, tokë e lëvizshme e banuar nga njerëz të vrazhdë e të heshtur që fsheh në thellësine e shpirtit cilësi njërëzore unike, e cila rrezaton një bukuri të papritur për të gjithë ata që e përshkojnë me një ndjenjë miqësie si një sekret i thellëplotë me lulishte te guxishme e ujra të freskëta të fshehura nëpër gdhendat e maleve të ashpra.

“Mes peisazheve dhe njerëzve trima dhe të hareshëm bien në sy kostumet me ngjyra ekzotike të kultures dhe zakoneve të shqiptarëve në Itali dhe të ceremonive spektakolare fetare me rit bizantin” (Ernest Koliqi, Ese të letërsisë shqiptare, Leo S. Oloschki, 1972, pag. 76)./ KultPlus.com

Foto kortezi e Lucia Martino

Gjuha Shqipe

Poezi nga Ernest Koliqi:

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë. / KultPlus.com

Amaneti i Ernest Koliqit

Nga: Frank Shkreli

Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja.  Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia.  

Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet.  Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë!  Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh.  Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”  Ishte ky amaneti i tij.

Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar.  Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar. 

Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit.  Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.”   Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë  shumë më mirë se unë.  

Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi.  Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 — për të çuar në vend amanetin — dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare.  Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Dr. Rexhep Krasniqi, një bashk-kohas i Profesorit ka shkruar në lidhje me këtë aktivitet të Profesor Koliqit gjatë viteve 1941-1944.  Dr. Krasniqi kujton se, gjatë vitit shkollor, 1941-42, si Titullar i Arsimit, Koliqi dërgon në Kosovë rreth 200 mësues e mësuese.  Me këtë rast u hapën një numër bajagi i madh bursash, sipas tij, “Ndërsa më në fund erdhi çasti historik i hapjes së shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe, më 12 dhjetor 1941”, në Prishtinë.  Këto shkolla, shkruante Rexhep Krasniqi, në një artikull botuar në Shëjzat, u bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi.

Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin  Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë në vitet 1941-1944.

Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.

Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”.  Z. Gashi shënon mëtej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”.  Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi.  Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.

Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet.  Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar.  Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.

Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore  — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. /KultPlus.com

46 vjet nga vdekja e Koliqit, atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar

Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe por as edhe një libër në gjuhën shqipe.

Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.

Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare.

Pavarësisht se Koliqi i mbeti besnik Italisë, nuk mund të thuhet se ka qenë besnik i fashizmit, me faktin se ai gjatë asaj kohe ka ndihmuar, aq sa ka pasur mundësi edhe intelektualët shqiptarë, të cilët regjimi i trajtonte si armiq.

Pas çlirimit nga Italia, Koliqi u anatemua se bashkëpunëtor i regjimit italo-shqiptar dhe vepra e tij nuk u vlerësua. Megjithatë, Koliqi me punën dhe veprën e tij, me kontributin që i ka dhënë letërsisë, kulturës, albanologjisë, sidomos hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e më gjerë, është një kontribut madhor, që nuk e zbeh aspak përkatësia e tij partiake në një kohë të caktuar. Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës. ( A. Q.)

Ernest Koliqi u lind në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, nip Parrucejsh, familje shkodrane fort e kamur. Ndërsa nga babai kishte origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të cilët kishin rënë në krahinën e Anamalit.

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia e pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht.

Kthehet në Shqipëri pasi që gjendja futet në hulli pas Kongresit të Lushnjës, nxë shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet edhe me shumë intelektualë të kohës. Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë të dhënë nga juria e përbërë prej Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mit-hat Frashërit e Liugj. Gurakuqit

Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. A. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Llazër Mjedës. Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit, Luigj Gurakuqi e thërret në Tiranë dhe e emëron sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej patriotit Avni Rustemi. Më pas emërohet sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Rexhep Shala.

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim, doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës me shumë nga krerët e maleve. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Bahri Omarit, Sotir Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela, në vitin 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja. Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33) ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Liugj. Radit. Nis të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante mbas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Mustafa Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924.

Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934- 1936 ishte pjesëtar i grupit botues të përkohshmes “Illyria”, ku botoi poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme, në vitin 1935 Migjeni botoi vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Carlo Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. B. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes. Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vitet 1939-1941

Ministër Arsimi në qeverinë Vërlaci nën pushtimin italian

Pavarësisht rrethanave, Koliqi shfrytëzoi deri në skaj mundësitë që i jepte zyra e tij. Panë dritën e botimit tekste shkollore shqipe e libra më shumë se ç’qenë botuar prej vitit 1912 e deri atëherë: botimi i historisë së letërsisë në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë” më, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” me v. IV prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime – punim në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit. Tok me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe palestër e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumë çmuar, që nuk dha rezultat

Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan, i fundit para regjimit që do të vinte. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e Petro Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 krijohet partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emëruar presidenti.

Themelon të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Vijimësi e traditës publicistike që la n’atdhe me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën të satin log ku të kultivonin kulturën shqiptare në mërgim të pandotur nga ideologjia me të cilën përlyhej në atdhe. Ndihmon talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori L. Delija, shkrimtarët M. Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj Më 4 Maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1975 – Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros në qytetin e amshuar me datën 18 të atij muaji i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.

Vepra

Siç u përmend, qasjen e parë që pati me letrat e përshfaqi në revistën që hapën gjatë nxënjeve të para në Itali, të cilat i bëri në gjuhë italishte. Mbasi fitoi konkursin për himn kombëtar, Koliqi nxitet nga Gurakuqi të shkruaj atë që do të bëhej poemthi i tij i parë dramatik, “Kushtrimi i Skanderbegut” botuar në shtypshkronjën “Nikaj”, Tiranë më 1924 – e cila mbarështohej nga vëllau i Dom N. Nikajt. Gjatë mërgimit të parë ndërsa bluante ndjesitë e përftuara nga kurbeti dhe malli për vatrën familjare dhe klimën morale që e rrethonte shkruan me pseudonimin Borizani në të përkohshmen e Omer Nishanit. Nxjerr përmbledhjen e dymbëdhjetë novelave “Hija e Maleve”, botuar në Zara më 1929. Përmbledhja pasqyron suazën mjaftueshëm harmonike të mjedisit me taban patriarkal, mesdhetar e oriental ku kishte kaluar fëmininë – trung ky që përshkohej nga një shije e hollë perëndimizimi. Fryma qytetare gjithnjë në dialog me atë malësore dëshmon tharmin e formësimit të autorit përmes prozës psikologjike të stilizuar me ëndje, e selitur me themelet dokësore të shpirtit shqiptar.

Boton më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinve” më 1933, ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. 1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini. Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili i japin frymëmarrje të re letrave shqipe.

Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit).

Nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 – Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1970 – Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren “Gazeta Shqiptare” të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 – Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 – Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV)./medialmk/ KultPlus.com

Letra e Koliqit në vitin 1948 kur u themelua në Palermo qendra e studimeve shqiptare

“Kuvend letrash me miqtë”, botuar  OMSCA-1 ka pasur dy vëllime, një letërkëmbim i pasur i Mustafa Krujës dhe familjes Gjomarkaj, e prof. Zef Nekës, ku po ashtu në këtë letërkëmbim përfshihen edhe profesorë të shquar të universiteteve të ndryshme të botës, njëkohësisht ndër personalitetet më të spikatura të jetës kulturore shqiptare, përkatësisht Ernest Koliqit, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Namik Resulit, Atë Zef Valentinit dhe Stavro Skendit.

Gazeta “Standard” i ka publikuar fillimisht këto letra, me të drejtë ekskluzive, nga botuesi ku jepet letërkëmbimin që Kruja ka pasur me Koliqin, një epistolar që ka përfshirë datat 30 prill 1948 – 10 dhjetor 1958.

Siç thotë Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës, kjo është një nismë e familjes për t’i paraqitur lexuesit të sotëm letërkëmbime të tij me personalitete të ndryshme të jetës kulturore e politike të Shqipërisë. “Ideja, për të botuar atë pjesë të letërkëmbimeve të mbetur në arkivin e familjes, është nxitur edhe nga vlerësimi që personalitete si Ernest Koliqi apo Karl Gurakuqi kanë shprehur për to”, thotë Eugjen Merlika, duke sjellë dy citime të Koliqit e të Gurakuqit.

Koliqi në revistën Shęjzat me rastin e 70 – vjetorit të lindjes së Mustafa Krujës shkruan se “Aty ku Mustafa, mendoj, arrin në përsosje letrare âsht stili epistolar. Ata që patën fatin me pas letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun visar i paçmim i shqipes”. Nga ky letërkëmbim i Mustafa Krujës vjen atmosfera politike e migracionit, ku “nji pjesë e udhëheqësve të t’cilit qenë angazhue thjesht për me kapë dollarë prej amerikanëve e s’tregonin as ma të voglin vullnet e zell për me organizue nji aktivitet konkret kundër regjimit të Tiranës”, shkruan prof. Ardian Ndreca në hyrje të vëllimit të dytë të “Kuvend letrash me miqtë”. Sipas tij në këto letra ndihet gjithnjë e më tepër, me kalimin e viteve besimi në rritje i Mustafa Krujës ndaj figurës së sovranit, “të cilin ai e trajton si nji element që mundet me favorizue bashkimin e të gjitha forcave politike jashtë atdheut”. Nga ana tjetër prej letrave që i drejton Koliqi shihet qartë vështirësia për të bashkërenduar veprimet mes grupeve e partive, ndihet atmosfera e mosbesimit dhe e ndasive, paqartësia për të ardhmen dhe pesha e sakrificave morale dhe ekonomike që i duhet të përballojë një grushti të vogël idealistësh atdhetarë që jeta “i ka hedhë e shpërnda pa plan e pa shtëpi”.

Më poshtë vazhdon letrat e Koliqit për Krujën…

Letërkëmbim Mustafa Merlika Kruja , Ernest Koliqi

(30 Prill 1948 – 10 Dhjetor1958)

Rapallo, 7.XII.1948

I dashtuni Mustafë

Letrën t’ânde shkrue me 20 tetuer e gjeta këtu në Rapallo, ku jam tash mâ se nji muej i kapërthyem vetëm me punë familjare. Sot n’orën 4 të mëngjesit më fali Zoti nji vajzuke.

Ime – shoqe âsht krejt mirë dhe puna vojti rregullisht. Isha në kujdes e disi tashti pak u qetësova.

E kuptoj fare mirë mallin t’onë për këto vise të bekueme, ku Ti kalove me familje vjet qi atëherë na dukeshin âmtije e pritjeje dhe sot kujtoj  se përbâjshin hisen e lumnís qi na ishte dhânë në kët botë. Kur kaloj ndonji herë nëpër Nervi Të kujtoj, sikurse nuk më hiqet mëndsh mikpritja e asaj kohe të zojës Caje dhe e jotja. Unë jam pak ma fatlum se shum shokë, por edhe mue bukurín e ditve të bukra qi këtu çuditënisht janë tue vazhdue, m’a terratisë kujtimi i vllaut qi kam në burg atje n’at ferr qi u bâ Shqipnija dhe dyshimi mos të zhduket herët a vonë edhe ai si shokët!

Në dorë të Zotit!

Për Bashkimin prap kam shkrue. Plasa tue bâ relacjone n’at dreq Ministrije (m’i lypin ata vetë), por punët ecin kadalë.

Djalit të Myftís ia mora visto-n, ashtu Koços e Këlcyrës. Kur po vijnë?

Mora tash tri ditë nji kartë prej Koços, por nuk kuptova mirë se ç’më thonte.

Jam krejt në terr për sa u përket punve të pulatikës së shqyptarhânes. Ismaili nuk më ka shkrue po bâhen 20 dit. Unë, si të thaçë, kam pasun telashe e iu kushtova në kohët e fundit vetëm çâshtjeve familjare. Prej Rome askush nuk më shkruen, ndoshta pse kanë pritë të dukem atje krye moji s’paku simbas zakonit. Por unë, salvo imprevisti, deri më 15 kallnduer s’due t’los vendit. Tashti u bâna dyfish babë e shtëpija më mban mâ tepër se përpara.

Javën e fundit të tetorit e kalova në Sicili, aty, si e din pse edhe Tý t’âsht dërgue thirrja, u mblodh nji Kuvend ndërkombëtar studimesh shqiptare. Suksesi qe i shkëlqyeshëm. Veçanërisht né Shqiptarvet të Shqipnís na kanë pritë me nji përzëmërsí të thekshme. Me 24 nanduer, si fryt i parë i kuvendit, u themelue në Palermo qëndra e studimeve shqiptare. Kryetar: Dr. Petrotta; Drejtues: prof. Riberzo; sekretar i përgjithshëm: Karl Gurakuqi. Kjo qëndër mund të ket zhvillime të pamëndueme. E përkrahë qeverija e Regjonit me mjete edhe financjare. Un kam pasë bisedime të gjata me Shkëlqesën Alessi; President i Regjionit (nji farë Mëkâmbsi). Kam folë gjatë edhe për Tý. Por mbi këtë, nji herë tjetër. Në kuvend shum kush ka pyetë për Tý.

Kaq për sot. Salih Efendiut dal-kadalë të gjitha deshiret do t’ia çoj në vend?! M’i bân nderimet e mija. Tý të përqafoj me mall.

Të fala prej të gjithëve të shtëpi,   

I yti Ernesti./ KultPlus.com

Malësori që nuk dinte as shkrim as lexim por, çdo muaj mblidhte 150 dollarë për botimin e ‘Shejzave’

-“…sepse atëherë ishte Ñue Vojvoda i Shalës, malsor i Shalës Dukagjinit, i cili nuk dinte shkrim-lexim, as gjuhen anglishte, lante pjata ne nji restorant, dhe çdo muej mblidhte nga 150 dollarë (nga xhepi i vet dhe miqet e tij), për botimin e “Shejzave”. Per këtë ka shkrue Koliqi, dhe Ñue Vojvoden e kam njofte mire. Ne ate kohe Ñue Vojvodës nuk i ndihej zani as nuk i baheshin fotografi .”

…Tue llogaritun nivelelin e inflacionit 150 dollare te vjetes 1950 sot vlejnë 1 mijë e 617 dollarë e 75 cent…ne muej i ka mbledhun Malsori Shaljan Ñue Vojvoda per me qitë revisten ma te mire shqipe qe asht dale mbas Luftes se Dyte Botnore…

Marrë nga profili i Ilir Seci./ KultPlus.com

La Croix 1943: Koliqi, ish ministri shqiptar i arsimit emërohet delegat i qeverisë së Tiranës pranë asaj të Romës

Nga Aurenc Bebja, Francë – 10 Korrik 2020

“La Croix” ka botuar, të shtunën e 29 majit 1943, në ballinë, një shkrim në lidhje me marrëdheniet asokohe midis Shqipërisë dhe Italisë si dhe emërimin e Ernest Koliqit pranë qeverisë së Romës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Z. Koliqi, ish-ministri shqiptar i arsimit publik i emëruar delegat i qeverisë së Tiranës në qeverinë e Romës, u nis për në Itali ku menjëherë do të marrë përsipër detyrat e tij të reja.

Institucioni i një delegacioni shqiptar në Romë dhe një delegacioni italian në Tiranë, duke mos modifikuar në asnjë mënyrë atributet e lejtnantit të mbretit, përfaqësues në Shqipëri i sovranit të Italisë, i cili, që nga bashkimi të dyjave kurorave, është gjithashtu kreu i shtetit shqiptar, shënon një evolucion në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Krijimi i një ushtrie të re, ekskluzivisht shqiptare, e shpallur këto ditë nga presidenti i Këshillit Shqiptar, vë në pah drejtimin e këtij evolucioni i cili, në frymën e drejtuesve të politikës italiane, duhet t’i lejojë Shqipërisë të sigurojë një ekzistencë në përputhje me traditat dhe interesat e saj brenda kuadrit të bashkimit të saj me Italinë. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-croix-1943-ernest-koliqi-ish-ministri-shqiptar-i-arsimit-publik-eshte-emeruar-delegat-i-qeverise-se-tiranes-prane-asaj-te-romes/?fbclid=IwAR3_slqOlrca_zKS7Es5pUSdntCnhGivmhT-cgAskFZtzxZYRUd91bHn2kU

Pas Koliqit e Camajt, kush është në radhë për t’u përbaltë?

Nga Ndue Ukaj

Studiuesi Auron Tare ka publikuar këto ditë një shkrim i cili hapi shumë debat. Tare pretendon se dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Pas publikimit të shkrimit, reagimi i parë ka ardhur nga Ardian Ndreca. Ai e cilëson Taren si megallomanan, ndërsa thekson se historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë. Sipas tij, shkrimi i Tares nuk kishte asnjë fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.

Ndërsa sot ka reaguar edhe shkrimtari Ndue Ukaj, i cili shtron pyetjen se kush është në radhë për tu përbaltur pas Koliqit dhe Camajt. Tutje ai ka shkruar që këta dy shkrimtarë, mori i kanë kaluar hijet e zeza të komunizmit shqiptarë.

Reagimi i plotë i Ndue Ukaj:

Pas Koliqit e Camajt, kush është në radhë për t’u përbaltë?

Dishepujt komunistë dhe një tufë shkretanësh të mbarsur me ide proletare, nuk ua falin kurrë dashurinë që kanë treguar për kombin, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, titanëve si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ndaj, nga bataku ku janë katandisë, herë pas here tentojnë të hedhin ndonjë grusht baltë mbi ta. Sepse, këta shkretanë, përballë Koliqit e Camajt shohin trashëgiminë e tyre të egër dhe pa kurrfarë kontributi real në kulturën shqiptare. Vërtet, këta të shkretë, sa herë shohin portretet e këtyre dy shkrimtarëve dhe intelektualëve të përkorë e fisnikë, shohin damkat e mëdha të tyre, të paraardhësve të tyre të egër dhe të shkollës ku janë edukuar.

Koliqi e Camaj qëmoti i kanë tejkaluar hijet e zeza të komunizmit shqiptar dhe pjellës së tyre proletare, dhe dytë ndritin kulturën shqiptare, me rrezet e veprës së tyre plot dashuri, jetë, dije dhe estetikë të jashtëzakonshme. / KultPlus.com