28 artistë të dëshmuar bëhen bashkë në një ekspozitë në Galerinë Oda

Galeria Oda në Shkodër do të hap sërish dyert për artistë të shumtë dhe kësaj radhe me pjesëmarrje përtej kufirit shqiptar, shkruan KultPlus.

“Vita Via Est” mban emrin e ekspozitës e cila në shqip përkthehet si “Jeta është një rrugëtim” dhe sjell momentet kur bota është ndalur në lenset e 28 fotografëve të dëshmuar.

Nën ideimin dhe kurimin e artistes Rozafa Shpuza, Galeria Oda do të mirëpret syrin e publikut që nga 25 dhjetori duke filluar nga ora 17:00.

Në anën tjetër ajo çka do të përmbajë kjo ekspozitë janë fokusime nga distanca apo nga afër të detajeve të cilat kanë ‘ngacmuar’ vëmendjen e fotografëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Italia, Gjermania, Zvicra, Franca dhe Amerikë.

“Janë vështrime rrudhash, ngjarjet e pazakonta në historinë e njerëzimit, që na përshkojnë tërthoraz, vështrimi i pafajshëm i fëmijës që end në shpirt ëndrrën, apo i njeriut që ia kanë kryqëzuar qiellin në një kuti hekuri. Është vështrimi misterioz i gruas, horizonti përtej qelqit të dritares, dyshimi nga vrima e çelësit, apo kërshëria për të ditur edhe atëherë kur sytë kanë humbur shikimin e kërkojnë ndihmë nga lentet”, thuhet në njoftimin e ekspozitës.

Artistët puna e të cilëve do të shpaloset në ekspozitën “Vita Via Est Jeta” janë Adnan Beci, Alketa Misja, Arben Llapashtica, Ardian Fezollari, Armando Meta, Arton Humolli, Dali Alili, Dash Izairi, Denada Rushiti, Denisa Brahimi, Eduart Gjino, Erald Kraja, Ernest Baba, Eva Sula, Fahredin Spahija, Genti Shkullaku, Hazir Reka, Henor Haliti, Krenar Halimi, Mario Calivà, Mariposa Fa, Olsi Qazimi, Orjeta Myzeqari, Osman Demiri, Roland Beqiraj, Rozafa Shpuza, Vasil Qesari, Xheni Çun. / KultPlus.com

Për nder të 28 Nëntorit nesër hapet ekspozita “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë”

Për nder të 28 Nëntorit, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë hapin nesër (e martë), ekspozitën “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë”, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë” mbahet në lapidariumin e Muzeut të Kosovës në Prishtinë me fillim në ora 13:00.

Ekspozita do të jetë e hapur prej nesër e deri me 28 Nëntorë./KultPlus.com

“Biodiversiteti përmes fotografisë”, ekspozita që bëri bashkë dhjetë fotograf e piktorë nga Kosova dhe Shqipëria

Instituti i Librit dhe Promocionit në Tiranë në bashkëpunim me organizatën Human në Pejë, do bëjnë hapjen e ekspozitës fotografike “Biodiversiteti përmes fotografisë” në qytetin e Shkodrës, shkruan KultPlus.

Në mjediset e Qendrës Rinore ARKA në Shkodër të hënën me shtatë shtator do të bëhet ekspozimi i 80 fotografive dhe 20 ilustrimeve që janë realizuar nga dhjetë fotografë dhe piktorë nga Shqipëria dhe Kosova.

Fotografitë dhe ilustrimet të cilat do të jenë pjesë e ekspozitës përmbajnë specie dhe ekosistemin e liqenit të Drinit.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për dy javë, deri me datën 21 shtator./ KultPlus.com