Media britanike veçon Sarandën: Qytet mesdhetar i shkëlqyer për pushime

Shqipëria është destinacioni ideal për të gjithë pushuesit që kërkojnë det, rërë dhe mot me diell. Saranda, një qytet bregdetar në jug të vendit i ofron të treja – dhe është jashtëzakonisht i përballueshëm, shkruan e përditshmja britanike “Birmingham Mail”.

Qyteti mesdhetar ka një vijë bregdetare mbi 285 milje dhe është i bekuar me 300 ditë me diell në vit. Destinacioni i fshehtë i pushimeve në Rivierën Shqiptare është i njohur për plazhet me rërë, ujërat e pastër dhe atmosferën e qetë.

Saranda ndodhet në një gji të hapur në detin Jon dhe ka një klimë mesdhetare, me temperatura maksimale deri në 34 gradë Celsius në korrik dhe gusht, duke e bërë atë një vend të shkëlqyer për pushime në plazh.

Larg bregut të Sarandës, turistët do të kenë mundësi të eksplorojnë Kalanë e Lëkurësit që ofron pamje të mrekullueshme dhe vendin e përsosur për një darkë në muzg në restorantin e kalasë.

Gjithashtu, adhuruesit e historisë mund të zbulojnë mbetjet e qytetit antik të Butrintit, një trashëgimi botërore e UNESCO-s. Saranda është gjithashtu qyteti më i afërt me ujërat blu të burimit të Syrit të Kaltër, një fenomen natyror pranë Muzinës.

Pushuesit mund të ecin përgjatë kalimit malor të Llogarasë ose të bëjnë një udhëtim ditor në ishullin e afërt të Ksamilit, i cili shpesh krahasohet me Maldivet. Shëtitorja e qytetit është e mbushur me restorante, dyqane dhe bare dhe turistët britanikë mund të shijojnë pijet lokale me çmime të lira.

Një kafe kushton rreth 200 lekë (ekuivalente me 1,70 paund), një litër birrë vendase është rreth 250 lekë (2,11 paund), ndërsa kostoja për një birrë të vogël të importuar fillon nga rreth 120 lekë (1 paund).

Në Sarandë nuk ka ende një aeroport, kështu që mënyra më e shpejtë për të arritur atje është të fluturoni drejt Tiranës dhe më pas të merrni një autobus ose taksi. Fluturimet direkte nga Aeroporti i Birminghamit drejt Aeroportit të Tiranës me kompaninë “Ryanair” kushtojne 12,99 paund./abcnews/KultPlus.com

Media franceze, ‘Télé 7 Jours’: Bukuria e Egër e Ballkanit: Zbulimi i Shqipërisë nën autenticitetin e natyrës

Shqipëria është plot me mrekulli natyrore. Udhëtoni drejt këtij vendi të vogël në Evropën Juglindore, përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, sipas të përditshmes franceze “Télé 7 Jours”.

Shqipëria njihet për Alpet e saj të mbushura me lumenj dhe liqene, por edhe për Rivierën e saj të mahnitshme.

Lugina e Valbonës, një zonë ish-kufitare, përbën një zonë të mbrojtur për kafshët e egra si shqiponja e artë, emblema e vendit.

Lumi i fundit i madh i egër në Evropë, Vjosa rrjedh nga burimi në malet e Greqisë deri në grykëderdhjen e tij në detin Adriatik.

Lufta e zhvilluar prej vitesh kundër një projekti për ndërtimin e një dige e ka bërë atë simbolin e zemrës blu të Evropës…

Ishulli i Gjarpërinjve

I vendosur në mes të liqenit të madh të Prespës, ishulli i pabanuar i Golem Gradit, në periferi të Shqipërisë, është një parajsë zvarranikësh.

Në këtë vend të shenjtë natyror prej përafërsisht 18 hektarësh, gjarpërinjtë e zhveshur, nepërkat me brirë dhe breshkat e Hermanit numërohen në mijëra.

Zona e çakejve

Sipërfaqe që mbulohen nga duna, këneta dhe pyje me pisha mbi 400-vjeçare… Në lagunën e Karavastasë, më e madhja në Shqipëri, çakalli është mbret. Kjo kafshë territoriale, e cila jeton në grup apo familje dhe gjuan natën ose herët në mëngjes, është vendosur këtu pasi laguna i ofron të gjitha ushqimet që i nevojiten.

Parku i parë lumor në botë

Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Për të ruajtur ujërat bruz, të kërcënuara veçanërisht nga digat, Shqipëria mori statusin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër. Një koncept i parë dhe i ri! /atsh/KultPlus.com

Media britanike ‘Express’ i kushton artikull turizmit shqiptar, Rama: Vëmendje të madhe i ka kushtuar aeroportit të ri të Vlorës

Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale një artikull që media britanike “Ekspress” i ka kushtuar turizmit të Shqipërisë.

Një vëmendje të madhe i ka kushtuar dhe aeroportit të ri të Vlorës. Që do jetë një arsye më shumë që shumë vizitorë britanikë të udhëtojnë drejt jugut të vendit tonë.

“Pas “The Guardian” është radha e tabloidit britanik “Express” që t’i kushtojë një reportazh turizmit të Shqipërisë me vëmendjen tek aeroporti i ri i Vlorës si një arsye më shumë që vizitorët britanikë të udhëtojnë direkt drejt jugut dhe plazheve të rivierës sonë. Rreth 240 mijë vizitorë anglezë mirëpritëm në vitin 2023, dhe e sigurt që më të shumtë do të jenë”, shkruan Rama.

Media britanike “Express” në artikullin e saj shkruan: Vitet e fundit, Riviera Shqiptare ka përjetuar një rritje të vizitorëve, përfshirë britanikët, të cilët kanë zbuluar se ujërat e saj të bruztë, plazhet me rërë dhe peizazhet e bukura mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë. Dhe ky destinacion së shpejti mund të mirëpresë shumë pushues të tjerë pasi po përgatitet të vërë në punë aeroportin e tretë ndërkombëtar, i cili do t’i shërbejë një prej qyteteve më të bukura të Rivierës Shqiptare, Vlorës.

Vlora është bërë veçanërisht e popullarizuar në mesin e turistëve falë vijës bregdetare shkëmbore, plazheve të bukura, ushqimit të jashtëzakonshëm të ndikuar nga kuzhina italiane dhe historisë së pasur. Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me siguri do të sigurojë një arsye tjetër për turistët për të udhëtuar drejt kësaj rivierë, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga qendra ajrore në bregdet./topchanel/KultPlus.com

Media gjermane e përshkruan Shqipërinë si destinacionin e duhur për turizëm, Rama: Vitin që shkoi na vizituan 300 mijë gjermanë

Promovimi turistik i Shqipërisë nga mediat e huaja vijon.

Më i fundit është artikulli i medias gjermane të udhëtimeve dhe turizmit “Reise Reporter”, që e përshkruan Shqipërinë si destinacionin e duhur për përvoja të turizmit natyror mes bukurisë së alpeve, pyjeve, liqeneve, kanioneve e plazheve.

Në artikull janë përzgjedhur shtatë mrekullitë natyrore më të bukura dhe spektakolare që Shqipëria ka për të ofruar. Duke e nisur me alpet shqiptare, për të cilat shkruajnë se janë një parajsë për adhuruesit e ecjes, veçanërisht në muajt e verës. E duke vijuar me Parkun e Llogarasë, Syrin e Kaltër, Luginën e Vjosës në Jug apo dhe Grykën e Osumit.

Media gjermane e cilëson Shqipërinë si destinacionin e ëndrrave për të gjithë të apasionuarit mbas natyrës, duke iu sugjeruar lexuesve se  përveç plazheve të mrekullueshme dhe qyteteve emocionuese,  në Shqipëri mund të zbulojnë parqe kombëtare unike dhe bukuri natyrore në të gjithë vendin ballkanik.

Artikullin e ka shpërndarë dhe kryeministri Rama dhe thotë se është një ftesë e parfumosur me të gjitha shijet e ndjesitë e Shqipërisë për vizitorët gjermanë të cilët për vitin që shkoi na vizituan mbi 300 mijë./topchanel/KultPlus.com

Media spanjolle ‘La Vanguardia’: Vizitoni Shqipërinë, vendin e bukur mes Ballkanit dhe Adriatikut

Udhëtoni në Shqipëri, në vendin e bukur mes Ballkanit dhe Adriatikut dhe me çmime fantastike. Ky vend ballkanik nuk është një destinacion popullor turistik, por fsheh bukuri natyrore unike dhe shumë histori, shkruan Neus Palou në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “La Vanguardia”.

Nëse dëshironi pushime ndryshe, ju rekomandojmë të zbuloni Shqipërinë.

Një mundësi unike për të zbuluar Shqipërinë dhe historinë e saj intriguese, ku gjurmët osmane dhe sovjetike kanë formuar një komb të begatë dhe të lirë.

Pse duhet të udhëtoni në Shqipëri në 2024?

Në Shqipëri mund të eksploroni vende me bukuri natyrore dhe kulturore midis Adriatikut, Alpeve dhe Ballkanit.

Gjeni qytete mesjetare plot histori, teatro, galeri, muzikë, arkitekturë, tradita dhe kënaqësi gastronomike.

Peizazhet dhe parqet natyrore me lumenj, ujëvara dhe liqene me ngjyra të gjalla janë po aq të mahnitshme.

Zhytuni në shijen mesdhetare të bregdetit dalmat, me ishujt idilik dhe plazhet me rërë të bardhë, të lagur nga deti Adriatik.

Përveç kësaj, Shqipëria ka vende të shumta që konsiderohen si Trashëgimi Botërore.

Një destinacion emocionues për ata që kërkojnë peizazhe të bukura dhe kultura të pasura antike.

Zbuloni bukurinë e këtij vendi të lagur nga Adriatiku për 10 ditë me një çmim spektakolar!

Midis Ballkanit dhe Adriatikut

Udhëtoni në Shqipëri për 10 ditë me një kosto prej 899 euro dhe zbuloni historinë e saj, ku gjurmët osmane, fashiste dhe sovjetike i kanë dhënë formë vendit dhe i kanë dhënë jetë kombit aktual.

Një perlë e panjohur që ofron diversitete, natyrë dhe një histori magjepsëse.

Udhëtimi nis me Tiranën, ku do të njiheni me të kaluarën e saj ilire dhe mesjetare, vazhdon me Krujën, shtëpitë osmane të Beratit, Apolonisë apo “Athina e Shqipërisë”, Vlorën dhe Sarandën, ku mund të shijoni plazhet më të mira të detit Jon.

Eksploroni rrënojat e Butrintit, shtëpitë e kalasë së Gjirokastrës dhe, së fundi, qytetet si Korça dhe Elbasani. /atsh/KultPlus.com

Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri, ndërmerr nismën që synon të frenojë përdorimin e fjalëve të huaja në media

Nisur nga fenomeni shumë i përhapur, i përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja, jo vetëm në përditshmëri, por edhe në media, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka njoftuar një nismë që synon të ndihmojë në frenimin e këtij fenomeni.

Nga 1 janar ekipet e monitorimit dhe shqyrtimit të përmbajtjeve në AMA ka nisur mbikëqyrjen e përdorimit të fjalëve të huaja nga radiot dhe televizionet.

Nisma e titulluar “fol shqip” pasqyrohet në publikimet e kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi dhe web-in zyrtar të institucionit, në formën e gjetjeve të çdo jave, pas monitorimit të përmbajteve të transmetuara në radio dhe televizione, shoqëruar me alternativat në shqip të fjalëve të huaja të përdorura, shkruan Top Channel.

“Në këtë mënyrë AMA ka hapur kështu çështjen e respektimit të standardit të shqipes së folur dhe të shkruar nga redaksitë audiovizive.  Mediat në tërësi, por dhe ajo audiovizive në veçanti, kanë rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e vlerave të gjuhës shqipe, por dhe në pasurimin e saj, duke shmangur ngarkesa të panevojshme të fjalëve dhe shprehjeve të huaja. Fenomeni i sjelljes jo korrekte të disa drejtuesve të programeve audiovizive, të cilët lehtësisht zëvendësojnë fjalorin shqip me fjalë të huaja në formulimet e pyetjeve, në komentet apo ndërhyrjet që bëjnë gjatë transmetimit të programeve, është kthyer në një fenomen shqetësues. Efekti është jo vetëm te deformimi i shqipes por edhe te krijimi i situatave të paqarta, të pakuptueshme nga ndjekësit. Gjithashtu kjo krijon një efekt zinxhir, tek të ftuarit dhe deri në publik, duke krijuar modele që në fund rezultojnë në dëmtues të gjuhës shqipe”-thuhet në reagimin e AMA-s.

Me qëllimin për ta frenuar këtë fenomen, kryetarja e AMA-s ka njoftuar se monitorimi i përdorimit të fjalëve të huaja në radio dhe televizione do të kryhet herë pas here dhe rezultatet do të publikohen në mënyrë që punonjësit e medias të ndërgjegjësohen për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe. / KultPlus.com

Media rumune, ‘Agora’: Shqipëria mes destinacioneve më të përballueshme për t’u vizituar në vjeshtë

Vendet në Evropë konsiderohen mjaft të shtrenjta kur bëhet fjalë për udhëtime.

Akomodimi, ushqimi, shëtitjet, gjithçka ofrohet me një kosto të lartë dhe shpesh çmimet nuk janë të përballueshme për xhepin e kujtdo, shkruan në një artikull gazetarja Mardari Irina, të botuar në të përditshmen rumune “Agora.md”

Megjithatë, disa destinacione sidomos në vjeshtë, ofrojnë jo vetem peizazhe befasuese por edhe tarifa të përballueshme.

“Agora” e ka renditur Shqipërinë mes katër destinacioneve më të mira për t’u vizituar në vjeshtë me një buxhet të përballueshëm.

Shqipëria

Shqipëria është një nga destinacionet e udhëtimit që premton çmimet më të ulëta për turistët.

Ashtu si Greqia dhe Italia, Shqipëria ka plazhe të bukura, të cilat turistët mund t’i aksesojnë për shumë më pak para.

Çmimi mesatar i një dhome hoteli në Shqipëri është 49 dollarë.

Për një dhomë në një hotel me pesë yje, shpenzohet vetëm 81 dollarë për natë.

Një litër birrë kushton 2 dollarë dhe një kapuçino ose latte rreth 1,5 dollarë.

Në një restorant të thjeshtë mund të hani mirë me rreth 7 dollarë./atsh/KultPlus.com

Media gjermane, ‘Elle’: Shqipëria në vend të Balit

Udhëtimet në distanca të gjata padyshim që kanë hijeshinë e tyre, ju mund të njiheni me kultura të reja, zbuloni fenomene natyrore dhe të përjetoni përvoja ndryshe nga jeta e përditshme. Megjithatë, kjo kërkon një fazë intensive planifikimi dhe përgatitjeje, dhe ju duhet gjithashtu një buxhet i mjaftueshëm për pushime.

Birgit Dreyer, një eksperte e udhëtimeve në “Ergo Reiseversicherung” ka ndarë sugjerimet e saj për disa nga destinacionet më të shpejta për t’u arritur dhe që mundësojnë një udhëtim më të përballueshëm.

Revista gjermane “Elle” e ka renditur Shqipërinë mes tetë alternativave më të shkëlqyera për pushime të përballueshme.

Shqipëria në vend të Balit

Vendi ballkanik ka dëshmuar se është një destinacion në trend këtë vit.

Në fakt, ai nuk është aspak inferior ndaj ishullit të njohur ndërkombëtarisht në Indonezi, Bali.

Bregdeti shqiptar ofron ujë të pastër kristal me plazhe me rërë të bardhë, një klimë të butë gjatë gjithë vitit.

Flora dhe fauna e bregdetit është ekzotike dhe e larmishme. Ndërsa vendasit ofrojnë një mikpritje të ngrohtë.

Nga kryeqyteti gjerman, Berlini mund të arrini në destinacionin e pushimeve në Evropën Juglindore për rreth katër orë e gjysmë.

Krahasuar me udhetimin në Bali, i cili zgjat rreth 17 orë, Shqipëria është destinacioni ideal për t’u arritur shpejt dhe me tarifa të përballueshme.

Raporti çmim-performancë është gjithashtu i më drejtë në kryeqytetin e Tiranës.

Pushuesit (për dy persona) paguajnë rreth 15 deri në 30 euro për një darkë të bollshme lokale duke përfshirë pijet, dhe akomodimi gjatë natës ështe lehtësisht i mundshëm edhe me një buxhet të vogël./atsh/KultPlus.com

Media polake, ‘Tychy.pl’: Shqipëria një nga perlat e pazbuluara të Ballkanit

Shqipëria është një vend, e cila deri vonë ishte anashkaluar në hartën e destinacioneve evropiane të pushimeve. Megjithatë, vitet e fundit, Shqipëria ka fituar popullaritet si një nga perlat e pazbuluara të Ballkanit, duke tërhequr turistët me historinë e sa të pasur dhe njerëzit mikpritës, shkruan në një artikull e përditshmja polake “Tychy.pl”.

Bukuria e natyrës së pazbuluar

Shqipëria ofron një peizazh jashtëzakonisht të larmishëm, duke filluar nga malet madhështore në pjesën veriore të vendit deri te plazhet e bukura dhe të paeksploruara në bregun perëndimor.

Deti Jon, me ujin e tij të pastër kristal, është një vend ideal për adhuruesit e diellit dhe detit.

Parku Kombëtar i Llogarasë është një parajsë për adhuruesit e trekking.

Historia dhe kultura e pasur

Historia e Shqipërisë është po aq e larmishme sa edhe peizazhi i saj.

Nga rrënojat e lashta si ato në Butrint e deri te kështjellat mesjetare të shpërndara në të gjithë vendin.

Qytete si Gjirokastra dhe Berati do t’ju befasojnë me arkitekturën e tyre osmane dhe zonat historike të listuara në UNESCO.

Banorë mikprites

Shqiptarët shquhen për mikpritjen dhe ngrohtësinë e tyre. Mos kini frikë të kërkoni ndihmë ose të kërkoni udhëzime, vendasit do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë, shpesh me një buzëqeshje në fytyrën e tyre.

Ekonomia dhe çmimet

Shqipëria është një nga destinacionet më ekonomike të pushimeve në Evropë.

Akomodimi, ushqimi dhe transporti janë shumë më të lira këtu sesa në destinacionet e tjera të njohura evropiane për pushime.

Përmbledhje

Shqipëria, një vend i kontrasteve, befason në çdo hap. A ia vlen ta duash këtë vend apo jo?

Kjo varet nga preferencat tuaja individuale. Nëse jeni në kërkim të autenticitetit, natyrës së paprekur dhe historisë së pasur, atëherë Shqipëria mund të jetë destinacioni i përsosur për pushimet tuaja të radhës.

Pavarësisht preferencave tuaja, një gjë është e sigurt; Shqipëria është një destinacion i jashtëzakonshëm në Ballkan, që ia vlen të zbulohet! /atsh/KultPlus.com

Media gjermane SAT 1: Shqipëria të fal ndjesinë e Karaibeve dhe peizazhe të mrekullueshme malore

Media gjermane SAT 1 i ka kushtuar një reportazh turizmit dhe bukurive natyrore të Shqipërisë.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ndau sot videon e transmetuar nga media gjermane SAT 1, ku vendi ynë cilësohet si vendin e pushimeve të ëndrrave.

SAT 1 i prezanton publikut gjerman vendin tonë, si destinacionin ‘në modë’ për pushimet e verës, që të fal ndjesinë e Karaibeve dhe peizazhe të mrekullueshme malore.

“Mund të zbuloni vendin e pushimeve të ëndrrave në Shqipëri”, thuhet në dokumentarin e Matthias Killing, përmes një udhëtimi që nga ishujt e Ksamilit e deri tek Ujërat Termale të Bënjës në Përmet./atsh/KultPlus.com

Interesimi i Mediave për Kulturë

Nëse i hidhet një sy programeve vjetore të ministrive tona për kulturë, do të vërejmë se janë të përkrahur mijëra aktivitete kulturore të institucioneve nacionale, të produksioneve private, të ansambleve, të krijuesve, të artistëve të ndryshëm.

Thjesht, nuk ka ditë, nuk ka cep të trevave shqiptare ku nuk do të zhvillohet ndonjë aktivitet kulturor brenda ditës! Pa dyshim, ky numër kaq i madh i aktiviteteve nëpër programet vjetore edhe mund të dështojë, si pasojë e financimit të dobët, si pasojë e pasivizimit të pa arsyetuar i subjekteve juridike e fizike që merren me kulturë, art e krijimtari; si pasojë e mos-sigurimit të plus financave nga donatorë, si pasojë e rrethanave të paparashikuara.

Megjithatë, sërish ndodhin qindra e qindra aktivitete! Nga ana tjetër, opinioni i gjerë nuk ka mundësi të njoftohet me të gjitha këto aktivitet të përditshme, nuk është në gjendje që ta përcjellë dhe të informohet për jetën kulturore në trevat shqiptare. Fatkeqësisht, ndodhë që opinioni të mos informohet as për aktivitetet kulturore të institucioneve nacionale, sepse mungon interesimi i mas medias sonë për të qenë në të gjitha eventet profesionale apo amatore. Më e shumta, mund të publikohet ndonjë informacion se “do të mbahet” apo se “u mbajt” eventi! Për pasojë, na mungon pasqyra reale e jetës sonë kulturore, krijohet një opinion i shtrembëruar se ndër shqiptarët vetëm politika dhe, deri diku edhe sporti, zgjojnë interes kombëtar!

Ku është problemi? Pse informacioni mbi aktivitetet kulturore është aq i vakët, i thatë dhe i pakët? Ekziston një përshtypje e përgjithshme se ky problem shfaqet atëherë kur shkëputen raportet në mes pushtetit dhe mediave, atëherë kur pushteti nuk shpreh kurrfarë ndjeshmërie ndaj ngritjes profesionale të mediave nacionale, lokale e private! Pushteti duhet të insistojë tek çdo media për një balancë të përhershëm të programacionit apo të koncepteve redoktoriale të mediave të ndryshme. Licenca dhe leja për mediat të kushtëzohet edhe me hapësirën e merituar për kulturë, madje nën kulturë të mos llogariten fare këngët popullore të përmbledhura në çdo në kohëzgjatje prej dy-tri orëve. Hapësirat kulturore duhet të ngërthejnë aktivitete, probleme e trajtesa kulturore nga sfera të ndryshme të artit, të krijimtarisë, të gjuhësisë, antropologjisë etj.

Fare nuk duhet të pranohet justifikimi i mediave se kjo mungesë vjen si pasojë e mospasjes së kuadrit adekuat në ekipin gazetaresk. Kjo mungesë nuk mund të zgjasë me dekada, për më tepër kur në çdo qendër kemi universitete e fakultete të letërsisë, gjuhësisë, gazetarisë, kulturologjisë etj. Kuadri krijohet, ai duhet të angazhohet, atij duhet siguruar redaktor profesional, janë qindra profesorë e asistentë, janë qindra krijues e artistë, krijues të artit figurativ e të artit skenike. Është joseriozitet nga ana e medias që prej një gazetari të kërkojë që t’i mbulojë të gjitha fushat nga kultura, krijimtaria, arti. Në çdo media shqiptare duhet të funksionojë edhe redaksi e veçantë për kulturë, siç na janë stërmbushur për sport, përkatësisht për futboll dhe për jetën private të estradës.

Pra, qeveritë tona duhet të jenë më dorëshlirë dhe jo vetëm të kërkojnë programacion origjinal, madje të mos lejojë aktivitete të portaleve mediale, pa ofruar program për gjetjen dhe ngritjen e kuadrit profesional që do të merret me përcjelljen e aktiviteteve kulturore kombëtare. Nëpër agjencitë informative shtetërore të kërkohet me ngulm që të ketë redaksi e veçantë me dhjetëra gazetarë që do të jenë të specializuar për aktivitete kulturore si dhe për t’i shpërndarë gratis informacionet kulturore në çdo media e portal. E gjithë kjo, me ofertë reale nga ana e qeverisë për ta përkrahur financiarisht tërë këtë politikë kulturore të mediave shqiptare.

Shoqëria jonë po shteret në shpirt me do “përputhen” e “përqafen” me do “vëllai i madh” e “motra e vogël”, ndërkohë ka aq shumë nevojë të dëgjojë debat mbi baletin shqiptar, mbi muzikën klasike, mbi personalitetet tonë të shumtë nga lëmi i artit, krijimtarisë letrare dhe, përgjithësisht artistike. Me përjashtim të këndit “vitrina e librit”, kemi shumë pak hapësirë, apo fare, ku do të trajtoheshin probleme letrare, muzikore, muzeore, bibliotekare, arkivore, teatrale, folklorike, etnologjike etj. Mbi dukuritë dhe problemet e ndryshme kulturore duhet të flitet me kompetencë dhe profesionalizëm. Këtë interesim për kulturë dikush duhet ta ngjallë dhe ta kërkojë te mediat tona, institucionet kompetente shtetërore, duhet ta imponojnë si kush të parë për çdo media që dëshirojnë të funksionojnë si media nacionale, lokale, private në gjuhën shqipe. Është abuzim flagrant të përdoret shqipja vetëm për informim politik, futboll, për “përputhen” dhe jo për kulturë! Kuadri i redaksive kulturore të mediave tona, jo vetëm që do të informonte, por i ngritur në nivele profesionale, me kompetencë do të fliste për artin e krijimtarinë, duke ndikuar në ngritje të shijeve në të tjera nivele, duke e ndarë të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara! Për shembull, në Kosovë, viteve ’80 të shekullit të kaluar, shitjen e librit brenda jave, apo shitjen brenda jave të audio-kasetave e diktonte recensioni profesional i krijuesit dhe kritikut letrar, Ramadan Musliu, përkatësisht i kompozitorit dhe kritikut muzikor, Sami Piraj, gazetarë të “Rilindjes”./HEJZA/ KultPlus.com

‘FemArt’ sjell diskutimin rreth seksizmit në kulturë dhe media

Me moton “F… Seksizmit” në ditën e katërt të festivalit “FemArt 9” u realizua konferenca “Adresimi i seksizmit, ngacmimit dhe ngacmimit seksual në Kosovë” me autore Ariana Qosaj-Mustafa, ku u synua diskutimi në lidhje me adresimin e seksizmit në media dhe në kulturë, në dy degë të gjera ku seksizmi ka arritur të jetë pjesë e përditshme e tyre, me ç’rast kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal Daorsa Kica-Xhelili, themeluesja dhe kryeredaktorja e gazetës KultPlus Ardianë Pajaziti, regjisorja dhe prodekanja e Fakultetit të Komunikimit masiv në Kolegjin AAB Burbuqe Berisha si dhe gazetarja në Radio Televizionin e Kosovës Kaltrina Rexhepi-Dragusha, kanë ndarë sfidat, ballafaqimet dhe përvojat e tyre personale të cilat janë hasur qoftë në punë apo edhe në jetën e përditshme, shkruan KultPlus.

Duke pasur parasysh se artistë/e dhe aktivistë/e nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste, duke filluar nga shfaqjet, poezitë dhe vallëzimet, diskutimet dhe konferencat e deri në rebelime, një konferencë e tillë e dëshmoi pikërisht se të drejtat e grave duhet të trajtohen si të drejta të njeriut për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore. Andaj, nëpërmjet formës online dhe fizike, edicioni i 9-të i ‘FemArt’ po vazhdon të sjellë në Prishtinë aktivitete të ndryshme artistike e kulturore në mënyrë që publiku të jetë sa më pranë këtyre çështjeve aktuale që ndodhin çdo ditë në shoqërinë tonë.

Fillimisht, në rolin e moderatores nga festivali “FemArt”, Zana Hoxha nisi diskutimin në kuadër të panelit të titulluar “Seksizmi në kulturë dhe media” duke shpalosur pak për raportin e përgatitur dhe publikuar në organizatën ‘ArtPolis’ me autore Ariana Qosja Mustafa.

“Adresimi i seksizmit në media gjatë përpilimit të raportit sipas autores, Asociacionet e Mediave dhe Komisioni i Pavarur i Mediave kanë refuzuar që të përgjigjen dhe të jenë pjesë e këtij raporti  e që në fakt pikërisht ato institucione duhet të jenë njëfarë lloj zëri i gazetarëve dhe pika lidhëse ndërmjet gazetarëve, institucioneve dhe mediave në Kosovë”, thotë Hoxha.

Tutje, kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ka ndarë përvojën e saj në lidhje me sfidat në të cilat ka kaluar si dhe mendimin në lidhur me atë se çfarë po ndodh në ditët e sotme në kuadër të seksizmit.

“Unë kisha një përvojë të drejtpërdrejtë dhe kjo nuk është as e para dhe as e fundit, për këtë jam e bindur. Ajo që vërej në Kosovë në përgjithësi është që zakonisht zëri i grave në Kosovë ka njëfarë tendence që të tentohet të zvogëlohet duke sulmuar aty ku supozohet që preken më së shumti pra në aspektin moral. Unë nuk e morra shumë seriozisht sulmin që më ndodhi mua për arsye se kur ke një mekanizëm sikur familja apo aspekti profesional, atëherë e ke pak më lehtë të ballafaqohesh me këto çështje”, thotë Xhelili.

Sipas saj, një mbështetje profesionale që duhet të vijë në familje konsiderohet luks dhe fare nuk do të duhej të ishte ashtu.

“Unë nganjëherë kam përshtypjen se reagimet po bëhen për tema për të cilat po vlerësohen se janë popullore. Në rastin tim mendoj se ka qenë shumë lehtë të reagohet për rastin tim e çka shohim vazhdimisht në media është një objektifkim i grave, një gjuhë seksiste duke filluar nga persona të cilat kanë pasur pozita  kryesuese në media, duke vazhduar nga gazetarët, nga politikanë e deri tek fytyrat fetare në Kosovë”, përfundon Xhelili.

Ndërsa, regjisorja dhe prodekanja e Fakultetit te Komunikimit masiv në Kolegjin AAB, Burbuqe Berisha, foli rreth përvojës së saj në lidhje me adresimin në shkollim dhe pozitës së saj si drejtoreshë dhe sfidat që pasojnë pas.

“Si regjisore e parë që kam studiuar në fakultetin e arteve, njëri nga profesorët mu drejtua me pyetjen: ku ke parë femër regjisore? Fuqinë e gruas asnjëherë nuk e kanë krahasuar me atë të mashkullit, por në fakt regjisoret femra në teatër dhe në film janë shumë më të suksesshme se gjinia tjetër. Femrave gjithmonë iu mohohet e drejta. Ndërsa, përballja e dytë ishte nga një koleg pak më i vjetër se unë, kur e ka parë se statusi im ka ndryshuar nga studentja por unë gjithmonë i kam trajtuar me sportivitet sepse mu kanë dukur të parëndësishme”, thotë Berisha.

Sipas saj, ajo ka pasur një babë i cili rendin e femrave e ka pasur më të lartë sesa meshkujve e prandaj edhe veprimet seksiste asnjëherë nuk kanë qenë përshtypje për të.

“Pastaj në teatër kam pasur disa atakime të ndryshme. Ka mjaft gjëra me të cilat ballafaqohemi dhe vazhdojnë ende edhe sot. Ka pasur shumë ballafaqime të ndryshme dhe andaj edhe më ka shtyrë që të përkrahi tutje më shumë gjininë femërore dhe gjithmonë mos me leju që një femër e cila është në rrethin tim, të trajtohen në atë formë”, përfundon Berisha.

Po ashtu, themeluesja dhe kryeredaktore në gazetën KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka folur rreth përvojës së saj si gazetare në një kohë ku gazetaria ka qenë një institucion i lartë, dhe jo vetëm.

“Në këto debate do të doja shumë që pjesë të jenë edhe meshkujt sepse gjithmonë po mbetemi brenda vorbullës së grave. Në vitin 1996, kur isha unë gazetare ka qenë shumë ndryshe dhe nuk mund të krahasohet fare. Me themelimin e KultPlus, kur ka pas raste për bashkëpunim atëherë njerëzit u çuditnin se unë isha një drejtoreshë femër, pra assesi me pranu se një grua e udhëheq një medium”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, rasti tjetër ka ndodhur me Odën e Aferistëve ku një grua e përgëzoi atë sepse ajo nuk kishte menduar ndonjëherë se një punë kaq të mirë është duke u bërë nga një grua.

“Jemi në një situatë jo të lakmueshme. Në kohën kur e kam filluar gazetarinë unë kam menduar që gazetaria është një institucion i lartë që do ta edukojë shoqërinë kurse tash kemi ardhur në një pozitë që lexuesi është aq i sofistikuar për të edukuar pjesëtarët e një mediumi. Me KultPlus asnjëherë nuk ka ardhur në shprehje që të krijojmë diçka për klikime sepse ashtu jemi munduar që në bazë të kritereve që i kemi vendosur si redaksi, do të thotë që titujt bombastik apo fotografitë bombastike nuk janë pjesë e jona”, thotë Pajaziti.

Për Pajazitin, KultPlus është konsideruar një medium i vetëm që klikohet për tu lexuar d.m.th lexueshmëria e shikuesve qëndron shumë më shumë sesa tek mediumet e tjera.

“Mënyra e plasimit të lajmit në gazetën tonë, është me i thonë ‘Jo’ pares dhe të mirave materiale. Ky panel e ka një peshë shumë të madhe sepse seksizimi ekziston brenda kulturës dhe mediave dhe qasja e tyre vërehet shumë. Ne kemi ardhur në një pikë që rrjeti social Facebook konsiderohet tash si mediumi më i madh në nivel global ku shumica e mediave kanë ardhur në një pozitë ku çdo mendim i gjithsecilit dalin si një lajm me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes vetëm për qëndrueshmërinë e tyre”, përfundon Pajaziti.

Kurse krejt në fund, gazetarja në Radio Televizionin e Kosovës, Kaltrina Rexhepi-Dragusha është shprehur se mediat krijojnë gabime shumë të mëdha, për të cilën duhet të luftohet për një ndryshim.

“Si një vazjë e re kur fillova punë me kontratë gjatë studimeve, unë kam dëshirë të vesh take dhe në punë kishin krijuar një përshtypje që gazetarja duhet të vishet shumë thjesht dhe me patika. Ishte fundviti në punë dhe dhurata ime nga një koleg ishin një parë papuqe të rrafshëta që nënkuptonte se taket e mia gjoja se po i pengonin atyre gjatë punës. Përshtypja e dytë tjetër ishte në Kuvend ku një koleg mu drejtua në pamjen time se si isha e rregulluar tej mase”, thotë Dragusha.

Sipas saj, mediat krijojnë gabime shumë të mëdha duke filluar nga gratë e pozitave nga më të ndryshmet e andaj ajo do të ishte shumë e lumtur që klikimet të mos vlerësohen aq shumë dhe të luftohet në këtë kuadër.

“FemArt” është festivali i parë feminist në Kosovë dhe më i madhi në rajon ku çdo vit mbledh rreth 200 artiste dhe aktiviste nga Kosova dhe Rajoni. Festivali ka arritur të përmbush qëllimin për të krijuar një atmosferë ku artistet ndihen të mirëpritura për të shfaqur artin e tyre, të frymëzuara nga tema shoqërore, si dhe të krijojë një platformë dinamike ku publiku mund të mësoj për problemet shoqërore me të cilat ballafaqohen gratë dhe vajzat në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Po ashtu, festivali përdoret si një platformë për inicimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimin e tyre në Kosovë, si dhe evokimin e të drejtave të barabarta dhe ndërtimin e paqes ne rajon. / KultPlus.com

Rrjeti social Instagram skllavëron njerëzit në përpjekje për të fituar miratimin e tjetrit

Madonna ka kritikuar rrjetin social Instagram, i cili, ajo thotë se skllavëron njerëzit në përpjekjen për të fituar miratimin e tjetrit.
Në intervisten e saj për The Guardian, këngëtarja e pop-it, e cila ka pothuajse 14 milionë ndjekës në platformën e ndarjes së fotografive, vjen në qendër të vëmendjes së efekteve të dëmshme që Instagrami mund të ketë, veçanërisht tek të rinjtë

Ju kapeni duke e krahasuar veten me njerëz të tjerë. A duhet të jem kështu, të veproj kështu, të dukem kështu, a do të më bënte më të popullarizuar apo më të suksesshme?” shprehet këngëtarja.
Madonna shton se, njerëzit janë skllevër për të fituar miratimin nga tjetri. Unë refuzoj t’i gjunjëzohem kësaj konvente dhe çfarë shoqëria pret nga unë.


Madonna, tashmë 60 vjeÇare, shton “Unë mendoj se Instagram është bërë për t’ju bërë të ndiheni keq“. Në intervistë, “Mbretëresha e Popit” tha se kultura e medias sociale “drejton jetën e njerëzve” dhe ajo ishte me fat që ishte rritur në një epokë ku kjo kulturë e medias nuk ishte prezente.
Isha me fat që të kisha një jetë si artiste para smartfonëve, rrjeteve sociale dhe medias sociale, sepse unë e kisha atë kohë të zhvillohesha si një artist dhe një njeri, pa ndjerë presionin e gjykimit të njerëzve të tjerë ose duke e krahasuar veten me njerëz të tjerë. “


Ndihem keq për të rinjtë që nuk kanë pasur mundësinë për të zhvilluar karakterin e tyre dhe për atë se çfarë duan të jenë në jetën e tyre.”. theGuardian.com /KultPlus.com/

Shën Petërburg – Krasniqi: Media rol të paanshëm në konfliktet botërore dhe raportuese e së vërtetës

Në panelin me temë ”A është media pjesëmarrëse apo vëzhguese e konflikteve botërore?”, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik, zhvilluar në Shën Petërburg, ku ishin të pranishëm, Gary Pruitt, president i Associated Press (AP), Jose Manuel Sanz, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë i agjencisë spanjolle të lajmeve, EFE, Hiroki Sugita, drejtori ekzekutiv i agjencisë japoneze të lajmeve, Kyodo News, Fabrice Fries, shef ekzekutiv i agjencisë franceze të lajmeve, AFP dhe Sergei Mihajlov, drejtori i përgjithshëm i agjencisë ruse të lajmeve, TASS, drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi deklaroi se “media duhet të jetë vetëm raportuese e së vërtetës”.

Në sesionin për mediat, i moderuar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i agjencisë ruse të lajmeve, TASS, Mihail Gusman, ku u diskutua mbi temën nëse media është pjesëmarrëse apo vëzhguese e konflikteve botërore, ishin të pranishëm drejtues dhe përfaqësues nga agjenci prestigjioze ndërkombëtare lajmesh.

Në fjalën e saj, drejtoresha e ATSH-së u shpreh se gjatë këtyre viteve ka ndryshuar koncepti “MassMedia”, duke nënvizuar se “MassMedia, mekanizmi i shpërndarjes së informacionit, nuk është më i përbërë nga burimet tradicionale si televizionet, radiot, revistat, gazetat dhe të ngjashme si këto”.

Krasniqi tha se “agjencitë tona e kanë ruajtur kursin e tyre. Por, të gjitha këto burime të reja, të përdorura në një mënyrë dashakeqe, më shumë se më parë, po kapen pas aftësisë për të manipuluar perceptimin e komunitetit ose kuptimin e asaj se çfarë është apo jo e rëndësishme”.

Për fat të keq, ne jetojmë ende në një botë me shumë konflikte, por për herë të parë, gjatë viteve të fundit, jemi bërë dëshmitarë të konflikteve në rritje, të krijuara nga lajmi i rremë. Sidomos në Ballkan, konfliktet shpesh janë ushqyer nga thashetheme të shtrembëruara”, u shpreh Krasniqi.

Për pjesëmarrësit, drejtoresha e ATSH-së solli në vëmendje nënshkrimin e Deklaratës së Tiranës, dhjetorin e kaluar, nga 13 agjenci lajmesh në Tiranë, me anë të së cilës u ra dakord për bashkëpunim në luftën e përbashkët kundër lajmit të rremë. “Ky është një hap i vogël përpara”, u shpreh Krasniqi, e cila e konsideroi të rëndësishëm faktin se duhet ecur përpara drejt një bashkëpunimi edhe më të madh në nivel global.

Por, lajmi i rremë është vetëm njëra anë e problemit. Keqinformimi në kohë konfliktesh është një problem që shkon edhe më thellë”, deklaroi drejtoresha e ATSH-së, duke nënvizuar se “keqinformimi ka qenë gjithmonë një pjesë thelbësore e konflikteve”.

Më tej, Krasniqi tha se “në epokën e medieve dixhitale, redaktorët kërkojnë gjithnjë e më shumë  ngjarje sipërfaqësore, që janë lehtësisht fitimprurëse nëpërmjet medieve sociale; çdo akt heroizmi, çdo histori që përfshin njerëz të famshëm, fëmijë e të tjerë, shpesh të paverifikuara ose madje të njëanshme, bazuar në interesa politike”.

Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes kryesore të këtij sesioni, nëse mediet duhet të jenë vëzhguese apo pjesëmarrëse, mediet nuk duhet të marrin asnjë rol të tillë. Media duhet të jetë raportuese, raportuese e së vërtetës. Në përpjekje për t’u pasuruar nga konfliktet ndërkombëtare, media bëhet fajtore për përkeqësimin e shumë prej tyre dhe në disa raste ndodh që nuk reagon për konfliktet që nuk kanë interes për audiencën e gjerë. Kjo duhet të ndryshojë”, deklaroi Krasniqi në Shën Petërburg.

Ajo nënvizoi se “mediet duhet të flasin, nuk duhet të përfshihen, por duhet të thonë të vërtetën. Përndryshe, bëjmë më shumë dëm sesa dobi”.

Më tej, Krasniqi  u shpreh se “ndonëse zhvillimi i teknologjisë ka mundësuar që media të ketë më shumë ndikim se më parë, ne duhet të kthehemi prapa në kohë dhe të gjejmë standardin e artë të këtij profesioni”.

Përkundër përparimit të padiskutueshëm, thelbi i një historie duhet të jetë i njëjtë, një raportim i verifikuar, i balancuar dhe profesional. Ne duhet ta përqafojmë ndryshimin, por pa harruar parimet tona”, nënvizoi drejtoresha e ATSH-së.

Duke qenë një besimtare e zjarrtë e bashkëpunimit, besoj se në agimin e një epoke të re për median, ne duhet të koordinohemi më shumë me njëri-tjetrin, të mësojmë nga historitë e suksesit dhe të kontribuojmë për zhvillimin e njëri-tjetrit”, deklaroi Krasniqi duke shtuar se “Tolstoi besonte se, të gjithë mendonin për ndryshimin e botës, por vetëm disa mendonin të ndryshonin veten”.

Ne duhet të modernizohemi, të ecim me hapin e teknologjisë, por ne duhet ta bëjmë këtë gjë pa hequr dorë nga qëllimet tona”, theksoi ajo.

Krasniqi nënvizoi se “media nuk duhet të mjaftohet me një vrojtim të thjeshtë, por duhet të jetë gjithmonë besnike ndaj së vërtetës. Ky është shërbimi më i mirë, nga shërbimet e vetme që duhet të ndërmarrim”.

Gjithashtu, në cilësinë e pushtetit të katërt”, tha ajo ”ne mund të kontribuojmë në zgjidhjen e konflikteve”.

Në përfundim, Krasniqi deklaroi se qëllimi kryesor për agjencitë e lajmeve është që ato duhet të jenë lajmëtare të së vërtetës, si në kohë lufte, ashtu dhe në kohë paqeje.

Ajo solli në vëmendje e të pranishmëve faktin se që në shekullin XIV Shqipëria udhëhiqej nga një përmbledhje ligjesh që u kanë dhënë formë vlerave të shqiptarëve për një kohë shumë të gjatë, ku në asnjë rrethanë, lajmëtari nuk mund të prekej.

Por, nga ana tjetër, i dërguari ishte i lidhur me kodin e nderit për të thënë gjithmonë të vërtetën. Përndryshe, ai do të turpëronte veten. Gjërat kanë evoluar, ka kaluar shumë kohë, por nëse më lejoni të bëj një paralelizëm, qëllimi i parë dhe më kryesor për agjencitë tona është që ato duhet të jenë lajmëtare të së vërtetës, në kohë lufte dhe në kohë paqeje”, përfundoi drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi.

Në këtë panel, u diskutua se si media ndikon të çështjet politike dhe në konfliktet në vende të ndryshme si edhe për parandalimin e përhapjes së lajmeve të rreme që janë shndërruar në një problem kyç në botën moderne.

Drejtuesit e agjencive, folën për rëndësinë e diversifikimit të aktiviteteve të agjencive të lajmeve dhe për një luftë të përbashkët kundër medieve  që çorientojnë shoqërinë me anë të përhapjes së lajmeve të rreme.

Forumi Ndërkombëtar Ekonomik i Shën Petërburgut mbledh çdo vit pjesëmarrës nga 120 vende të botës, përfshirë shefa shtetesh, liderë politikë, kryeministra, ministra dhe guvernatorë. /KultPlus/