Media britanike veçon Sarandën: Qytet mesdhetar i shkëlqyer për pushime

Shqipëria është destinacioni ideal për të gjithë pushuesit që kërkojnë det, rërë dhe mot me diell. Saranda, një qytet bregdetar në jug të vendit i ofron të treja – dhe është jashtëzakonisht i përballueshëm, shkruan e përditshmja britanike “Birmingham Mail”.

Qyteti mesdhetar ka një vijë bregdetare mbi 285 milje dhe është i bekuar me 300 ditë me diell në vit. Destinacioni i fshehtë i pushimeve në Rivierën Shqiptare është i njohur për plazhet me rërë, ujërat e pastër dhe atmosferën e qetë.

Saranda ndodhet në një gji të hapur në detin Jon dhe ka një klimë mesdhetare, me temperatura maksimale deri në 34 gradë Celsius në korrik dhe gusht, duke e bërë atë një vend të shkëlqyer për pushime në plazh.

Larg bregut të Sarandës, turistët do të kenë mundësi të eksplorojnë Kalanë e Lëkurësit që ofron pamje të mrekullueshme dhe vendin e përsosur për një darkë në muzg në restorantin e kalasë.

Gjithashtu, adhuruesit e historisë mund të zbulojnë mbetjet e qytetit antik të Butrintit, një trashëgimi botërore e UNESCO-s. Saranda është gjithashtu qyteti më i afërt me ujërat blu të burimit të Syrit të Kaltër, një fenomen natyror pranë Muzinës.

Pushuesit mund të ecin përgjatë kalimit malor të Llogarasë ose të bëjnë një udhëtim ditor në ishullin e afërt të Ksamilit, i cili shpesh krahasohet me Maldivet. Shëtitorja e qytetit është e mbushur me restorante, dyqane dhe bare dhe turistët britanikë mund të shijojnë pijet lokale me çmime të lira.

Një kafe kushton rreth 200 lekë (ekuivalente me 1,70 paund), një litër birrë vendase është rreth 250 lekë (2,11 paund), ndërsa kostoja për një birrë të vogël të importuar fillon nga rreth 120 lekë (1 paund).

Në Sarandë nuk ka ende një aeroport, kështu që mënyra më e shpejtë për të arritur atje është të fluturoni drejt Tiranës dhe më pas të merrni një autobus ose taksi. Fluturimet direkte nga Aeroporti i Birminghamit drejt Aeroportit të Tiranës me kompaninë “Ryanair” kushtojne 12,99 paund./abcnews/KultPlus.com

Media britanike ‘Express’ i kushton artikull turizmit shqiptar, Rama: Vëmendje të madhe i ka kushtuar aeroportit të ri të Vlorës

Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale një artikull që media britanike “Ekspress” i ka kushtuar turizmit të Shqipërisë.

Një vëmendje të madhe i ka kushtuar dhe aeroportit të ri të Vlorës. Që do jetë një arsye më shumë që shumë vizitorë britanikë të udhëtojnë drejt jugut të vendit tonë.

“Pas “The Guardian” është radha e tabloidit britanik “Express” që t’i kushtojë një reportazh turizmit të Shqipërisë me vëmendjen tek aeroporti i ri i Vlorës si një arsye më shumë që vizitorët britanikë të udhëtojnë direkt drejt jugut dhe plazheve të rivierës sonë. Rreth 240 mijë vizitorë anglezë mirëpritëm në vitin 2023, dhe e sigurt që më të shumtë do të jenë”, shkruan Rama.

Media britanike “Express” në artikullin e saj shkruan: Vitet e fundit, Riviera Shqiptare ka përjetuar një rritje të vizitorëve, përfshirë britanikët, të cilët kanë zbuluar se ujërat e saj të bruztë, plazhet me rërë dhe peizazhet e bukura mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë. Dhe ky destinacion së shpejti mund të mirëpresë shumë pushues të tjerë pasi po përgatitet të vërë në punë aeroportin e tretë ndërkombëtar, i cili do t’i shërbejë një prej qyteteve më të bukura të Rivierës Shqiptare, Vlorës.

Vlora është bërë veçanërisht e popullarizuar në mesin e turistëve falë vijës bregdetare shkëmbore, plazheve të bukura, ushqimit të jashtëzakonshëm të ndikuar nga kuzhina italiane dhe historisë së pasur. Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me siguri do të sigurojë një arsye tjetër për turistët për të udhëtuar drejt kësaj rivierë, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga qendra ajrore në bregdet./topchanel/KultPlus.com

Programi i aktiviteteve të Javës Kulturore Britanike

Programi i Mbretërisë së Bashkuar në Javën e Kulturës Britanike, vjen me një seri të bisedave, filmave, ngjarjeve muzikore që shpalosin jo vetëm kulturën britanike, por edhe marrëdhëniet me Shqipërinë.

Përmes bisedave, programeve të edukimit dhe të shprehjes së kreativitetit, kjo javë do të jetë e organizuar në vende të ndryshme të Shqipërisë për t’u ndërlidhur edhe më shumë kulturalisht dhe artistikisht.

Java nis me shfaqjen e dokumentarit “Thesaret e Adriatikut – Shqipëria” nga prof. Bettany Hughes. Dokumentari do të shfaqet sot për herë të parë në Tiranë.

Nga portet e lashta romake të Orikumit dhe të Apollonisë te liqeni i mahnitshëm i Ohrit apo në Beratin e historisë së pasur, Bettany na tregon si është njohur me kulturën dhe historinë shqiptare.

Shfaqja do të jetë në kinema “Millenium” në orën 20:00, duke ofruar falas për të pranishmit, një udhëtim ndërkulturor. Vetëm autorja do të jetë ditën e mërkurë në një bashkëbisedim me studentë, në qendrën e artit  “Agimi”.

Të tjera qytete ku do të ketë aktivitete të Javës së Kulturës Britanike, do të jenë Kukësi, Peshkopia, Durrësi dhe Korça./atsh/KultPlus.com