“Mosmarrëveshja”, shfaqja absurde që solli për herë të parë punën e regjisores Fata Hyseni në TKK

Alberina Haxhijaj

Fata Hyseni mbrëmë ka fituar titullin regjisore përmes premierës së shfaqjes “Mosmarrëveshja”, me të cilën ajo arriti edhe të diplomoj. Shfaqja “Mosmarrëveshja” po ashtu bëri që emri i regjisores Fata Hyseni të shënohet përkrahë regjisorëve të njohur të cilët shfaqjet e tyre i kanë sjellë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Hyseni solli në skenën e vogël të teatrit, tekstin e skenaristit Albert Kamy, fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi, i cili është i njohur për qasjen e tij absurde. Kamy ishte inskenuar edhe më parë në Teatrin Kombëtar përmes regjisorit Kushtrim Koliqi i cili vitin e kaluar solli shfaqjen “Kaligula”. Dhe të dy shfaqjet krijojnë lidhshmëri pasi që shfaqin çmendurinë njerëzore. Nuk ka si të jetë tjetër kur i gjithë opusi letrar i këtij shkrimtari bazohet në idenë absurde të ekzistencës së njeriut. E tillë është edhe “Mosmarrëveshja”.

Nënë (Kumrije Hoxha) dhe bijë (Florieta Bajrakatari) jetojnë të izoluara në një bujtinë afër lumit duke ëndërruar që të largohen nga ai vend. Dëshira e tyre në pamje të parë është shumë e thjeshtë, të jetojnë afër detit, të prekin me këmbët e tyre rërën e detit, të zbulojnë pyetjen që i preokupon ‘A do na i djegë rëra shputat e këmbëve, a është aq e nxehtë?’. Mirëpo çdo gjë bëhet e komplikuar në momentin kur për tu larguar nga ky izolim atyre ju nevojiten para, dhe mënyra më e lehtë për t’i fituar është përmes krimit. Nënë dhe bijë pranojnë klientë në bujtinën e tyre, i vrasin dhe ju marrin paratë. Regjisorja Hyseni tregoi për KultPlus se ajo dhe ekipi i kësaj shfaqje kanë punuar së bashku dy muaj për të sjell këtë dramë absurde.

“Kemi punuar dy muaj mirëpo ka pasur edhe disa muaj punë të tjera për finalizimin e kësaj shfaqje dhe konceptit të saj. Tekstin e kam përzgjedhur pasi që është një tekst i pasur dhe i cili ka kohë që nuk është punuar e që trajton temën e izolimit të dy grave brenda një bujtine. Me e punu një tekst të tillë ka qenë e vështirë, me shumë përgjegjësi por edhe kënaqësi”, theksoi Hyseni.

Jeta e “zakonshme” e të zonjës së bujtinës dhe vajzës së saj ndryshon kur një ditë atyre ju shkon në bujtinë për të kërkuar një dhomë një djalë jo i zakonshëm. ‘Ky është ndryshe nga të tjerët’, i thonë nënë dhe bijë njëra-tjetrës. Në fakt ai edhe është i tillë, Zhani djali i vetëm i shtëpisë i larguar njëzet vjet më parë, e që jeton afër detit kthehet pasi që e ndjen se dy gratë e familjes duhet të kenë nevojë për një burrë në shtëpi. Vendimi që në fillim të lajmërohet si një klient, do i kushtojë atij me jetë. Pikërisht vdekja e Zhanit dhe zbulimi i vërtet i identitet të tij shënon edhe një thyerje tjetër në rrjedhën e kësaj drame. Aktorja Kumrije Hoxha sjell dhembjen e një nënë e cila mendon se ka jetuar mjaftë. ‘Jetova më shumë se djali”.

Në anën tjetër Marta e cila erdhi përmes aktores Florieta Bajraktari, është ajo që zbërthen tutje absurdin brenda kësaj shfaqje. Indiferente ndaj vrasjes së të vëllait duke u arsyetuar se të paktën ai ka jetuar i lirë për aq sa ka jetuar, është vetëvrasja e nënës ajo që e bënë Martën të bëjë të njëjtën gjë. Duke goditur vetën me thikë, Marta lë të shokuar gruan e Zharkut e cila e kërkon të shoqin gjersa shërbëtori largohet me paratë. Sipas aktores Florieta Bajraktari, bashkëpunimi brenda ekipit ka bërë që procesi i punës të jetë i lehtë.

“Roli është shumë sfidues dhe është dashtë mjaft shumë me punu po e rëndësishme ka qenë me dal ajo që regjisorja ka dashtë e që ka qenë tema e izolimit. Kryesisht këtë temë e bart personazhi im tek i cili vërehet edhe një ndryshim psikologjik, e që e ka bërë edhe me sfidues procesin që me hy brenda këtij roli”, tha Bajraktari.

Sfidën e parë si regjisore të Fata Hysenit e vlerësoi edhe Butrint Berisha. Ai theksoi se shfaqja arrin që të sjellë klaustrofobinë, e që është gjetja kryesore e kësaj shfaqje.

“Si koleg i klasës e kam përcjellë procesin e shfaqjes dhe po ashtu e njoh edhe si tekst dhe sonte erdhi një realizim më ndryshe i shfaqje. Erdhi ajo klaustrofobia e shfaqjes e që ka qenë si gjetje kryesore e shfaqje. Po ashtu loja e aktorëve ishte e bukur. Zhanri i kësaj shfaqje nuk është zhanër që e tërheq publikun për shkak të natyrës së errët që e ka. Mirëpo po shpresoj që përmes qasjes regjisoriale dhe lojës së aktorëve shpaloset përralla që e diskuton teksti”, tha ai.

Reprizat e para të kësaj shfaqje do të jenë më 21 dhe 22 maj duke filluar nga ora 21:00./KultPlus.com

“Mosmarrëveshja” e Kamys fillon provat në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Drama “Mosmarrëveshja” e autorit të madh Albert Kamy, kësaj radhe do të jetësohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Fata Hysenit kjo shfaqje tashmë ka filluar provat dhe pritet që deri në muajin maj gjithçka të finalizohet.

Krahas temës së dashurisë dhe mos dashurisë, regjisorja i kushton rëndësi temës së izolimit brenda shtetit. Ngjarja ndodhë në një bujtinë që është e dy grave, nënë e bijë, të cilat pranojnë klientë në bujtinën e tyre që ti vrasin dhe të ja u marrin të hollat. Mbledhja e të hollave bëhet me qëllimin që të ikin nga vendi për një jetë më të mirë.

Ekipi i aktorëve që është angazhuar për këtë projekt përbëhet nga: Kumrije Hoxha, Shpetim Selmani, Florieta Bajraktari, Armend Ballazhi dhe Fatlume Bunjaku.

Shfaqja pritet të vij premierë në muajin maj në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com