“Kinematografia e viteve ’90” risjellë filmat e Gjergj Xhuvanit dhe Fatmir Koçit

Programi veror “Kinematografia e viteve ’90” kuruar nga AQSHF solli mbrëmë projeksionin e tre titujve filmi, për të mos harruar vitin e vështirë 1997.

Filmat e regjisorëve të njohur Gjergj Xhuvani dhe Fatmir Koçi u shfaqën për publikun në Tulla Nouvelle Terrace te Pallati i Kulturës në vijim të këtij programi, që ka nisur javë më parë.

Filmat që u shfaqën ishin “Tirana ‘96” dokumentar nga Gjergj Xhuvani prodhim i vitit 1996, dokumentari “Jeta në Tiranën e vitit 1996” po nga Xhuvani realizim i vitit 1996, po mbrëmë në tarracën e Pallatit të Kulturës u shfaq dhe filmi artistik “Funeral business” prodhim i vitit 1999. Skenari Dhimitër Xhuvani, regjia Gjergj Xhuvani.

Në qendër të filmi është Shqipëria, një vend i zhytur në krizë. Tension, ankth dhe tmerr, vetmi e forca që e mposhtin një grua që e do dhe mbaron familjen e saj. Aktorë në filma janë Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami.

Për publikun pjesë e programit të kinemasë verore ishte dhe filmi dokumentar “Super Ballkan” nga Fatmir Koçi, prodhim i vitit 1998. Regjisori Fatmir Koçi pyet artistët shqiptarë mbi arsyet e tyre për të qëndruar në atdhe dhe se si çlirimi nga diktatura totalitare ka ndikuar në punën e tyre krijuese.

Programi veror “Kinematografia e viteve ’90” organizuar nga AQSHF dhe Tulla Culture Center të martën, që vjen do të sjellë të tjerë tituj filmash, shkruan a.t.a.

Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992. /KultPlus.com

Filmi ‘Elvis Walks Home’, në Montreal World Film Festival

Filmi “Elvis Walks Home” me regji nga Fatmir Koçi do të marrë pjesë në Montreal World Film Festival 2017, që zhvillohet nga data 24 gusht deri më 4 shtator.

“Elvis Walks Home” është seleksionuar në World Competition, për çmimin “Grand Prix des Americas” 2017. Detaje për pjesëmarrjen në festival do të japë vetë regjisori ditën e enjte në konferencën për shtyp, ku do të jenë dhe disa nga aktorët kryesorë që luajnë rolet e fëmijëve. Prodhimi kinematografik “Elvis Walks Home” i cili vjen në regjinë e regjisorit Fatmir Koçi sjellë një bashkëpunim të Film and Music Entertainment (F&ME) të Britanisë dhe Kkoci Productions and Zagreb’s Propeler Films.

Por ky nuk është bashkëpunimi i parë mes tyre, duke kujtuar këtu filmin e njohur “Amsterdam Express”. Në këtë prodhim kinematografik marrin pjesë emra të njohur të aktrimit në Shqipëri si Ndriçim Xhepa, Amos Zaharia, Dritan Kastrati, Romir Zalla, Ergys Halili, Maradona Kodra, etj. Roli i protagonistit i është besuar aktorit britanik Nick Shreli, i cili vjen si një djalë që gjen punë si zbavitës për trupat britanike gjatë luftës në Ballkan në vitin 1999, por shumë shpejt do ta gjejë veten në mes të betejës.

Shrelin e kujtojmë nga prodhimi kinematografik “Mickey”. Filmi bën fjalë për fatin e disa fëmijëve jetimë nga lufta të mbetur në rrugë, ndërkohë që me ta takohet një imitues i Elvis Presleyt, i cili zbret në Ballkan për të argëtuar trupat britanike. Aktor kryesor, Dritan Kastrati është shprehur se roli i tij është mjaft i rëndësishëm për vetë dramën që mbart dhe rrëfimin e një kohe, e cila sjell një pjesë të Shqipërisë së dikurshme. Më parë regjisori Koçi solli “Amsterdam Express”.

Në këtë film që ishte po bashkëpunim me (F&ME) të Britanisë marrin pjesë aktorë që punojnë brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si Blerim Destani, Flonja Kodheli, James Biberaj, etj. Filmi trajton historinë e një djali shqiptar që transferohet në Amsterdam për të siguruar para, për të ndërtuar shtëpinë e tij në Shqipëri, ku ka lënë dhe të dashurën. Në kryeqytetin holandez përfshihet në aktivitete kriminale dhe në një tjetër raport intim, duke përfunduar kështu mes trazirave dhe dy dashurive. Pas këtij realizimi regjisori Koçi tashmë do të prezantojë “Elvis Walks Home” ,që do të marrë pjesë dhe në festivalin kanadez. / KultPlus.com