Tirana International Film Festival hapet me filmim ‘Liqeni im’ të Gjergj Xhuvanit

Filmi ‘Liqeni im’ i Gjergj Xhuvanit shënoj ceremoninë e hapjes së Tirana International Film Festival në Ansamblin e Kryeqytetit Shqiptar.

Këtë e ka bërë të ditur, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ajo ka shkruar se ceremonia e hapjes të këtij festivali ishte ajo çka duhej për ta larguar sadopak mendjen nga pandemia dhe pë të shijuar magjinë e filmit në një kompani të hapur.

KultPlus ju sjellë më poshtë postimin e saj të plotë:

Filmi “Liqeni im” i Gjergj Xhuvanit na mblodhi në Amfiteatrin e Tiranës, për të nisur një maratonë të bukur të filmit.

Një homazh për artistin, që na la pas një pasuri të tërë filmike  dhe mesazhin e dashurisë për artin, për jetën.

Ceremonia e hapjes së Tirana International Film Festival ishte ajo çka na duhej pë t’iu larguar sado pak me mendje pandemisë e për të shijuar sërish magjinë e filmit në një kinema të hapur. Amfiteatri do të jetë i hapur çdo pasdite për të shfaqur filma të rinj e emocionues./ KultPlus.com

TIFF vjen me edicionin e 18-të, hapet me premierën e filmit “Liqeni im” nga Gjergj Xhuvani

Edicioni i 18-të i Tirana International Film Festival 2020 do të hapet më 19 shtator me premierën rajonale të filmit “Liqeni im” nga Gjergj Xhuvani, përcjellë KultPlus.

Një vit pas ndarjes së papritur nga jeta, TIFF sjell për publikun filmin e fundit të Gjergj Xhuvanit, si një homazh për mikun, kolegun dhe regjisorin më të suksesshëm shqiptar të 30 viteve të fundit.

““Liqeni Im” është testamenti më i vyer artistik që Gjergji na ka lënë e neve nuk na mbetet gjë tjetër veç se ta përhapim, ta promovojmë e ta kujtojmë. Vetëm kështu mund të shpresojmë për një fat me te mire te brezit te ri, përfaqësues i të cilit është edhe Kristo, heroi i filmit”, thuhet në njoftim.

TIFF 2020 vjen nën sloganin “Picture Your Life | Create The Future”.

“Liqeni Im” flet për djaloshin Kristo i cili jeton në një fshat në buzë të Liqenit të mrekullueshëm të Prespës, një vend i veçantë ku ndahen ujerat në kufijtë e tre vendeve të Ballkanit Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia. Për të mbajtur familjen e tij, Kristo është bërë një kontrabandues i marihuanës, duke përdorur varkën e tij dhe njohjen e mirë të ujërave të liqenit për të transportuar pako me drogë nga ana shqiptare në atë maqedonase.

Në këtë film me skenar të Gjergj Xhuvani, luajnë aktorët: Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Elia Zaharia Zogu, Julinda Emiri, Luiza Xhuvani, Birçe Hasko, Miriana Deti.

 Si pjesë e programit të festivalit vjen edhe një tjetër premierë kombëtare nga regjisori i famshëm Milcho Manchevski, fitues i Venecias me “Before the Rain” dhe kandidat për Oscar. Kësaj radhe në TIFF shpalos filmin e fundit “Shelgu”, një bashkëprodhim i Banana Film Maqedoni dhe Tirana Film Institute, Shqipëri.

Në përgjithësi, në festival do të shfaqen 220 filma. Do të jenë 108 filma në competition nga të gjitha kategoritë dhe zhanret kinematografike përfshirë edhe filmin në shqip. Ndërsa 112 filma do të jenë në Non Competition section

Këtë vit në fokus të festivalit do të jetë shkolla polake e animacionit me programin NEË ËAY, një përmbledhje retrospektive e filmave më të mirë të kësaj shkolle gjatë 50 viteve të fundit të vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

Pjesë e programit të festivalit do të jenë gjithashtu edhe filmat shqiptarë si: “Exil” nga Visar Morina, “Zana” nga Antoneta Kastrati, “The Neës” nga Lorin Terezi i nominuar për Best Short Oscar qualifying. / KultPlus.com

Homazh për Gjergj Xhuvanin, Rama: Një ndër çunat e rrallë që lindin si pleq e jetojnë si fëmijë

Kryeministri Edi Rama i ka kushtuar një mesazh prekës regjisorit dhe kineastit të madh shqiptar Gjergj Xhuvani, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta.

Në një homazh ku e sjell jetën e Xhuvanit në pak rreshta, kreu i qeverisë nuk i kursen fjalët e lavdueshme për regjisorin me të cilin thotë se ka ndarë një pjesë jetës. Ai e cilëson një ndër ata çunat e rrallë, të mençur e me norma, që lindin si pleq dhe jetojnë si fëmijë.

Ky është mesazhi i plotë i Edi Ramës

💐HOMAZH
Sot viti dëgjova lajmin e pabesueshëm të ikjes nga kjo botë të Gjergjit, Xhuvanit. Gjergji ishte superçun, qysh gjithnjë, një ndër ata çunat e rrallë, të mençur e me norma, që lindin si pleq dhe jetojnë si fëmijë. E mbaj gjithmonë mend të dashuruar pas Lizës, kur ishim në të njëjtat vite paralele në Akademinë e Arteve dhe ndanim një holl të përbashkët, mes atelieve të “Figurativit” djathtas e studiove të “Dramës” majtas.
Në të gjitha zboret na bashkonte një kapanon dhe një togë, në repartin legjendar të Mamurrasit, po mbi të gjitha një pagure me raki dhe copat e kaçkavallit të mëngjesit, mbledhur nëpër xhepa për bashkëbisedimet fluturake pas shkurreve të luftës imagjinare me imperializmin amerikan.
Gjergji u martua me Lizën dhe njëri flirtoi për vite të tëra me filmin, tjetra me teatrin, megjithëse në fakt Liza ishte një yll që shkëlqente qoftë në skenë, qoftë në ekran. Ishin një çift i bukur, që i dha shumë kinemasë e teatrit shqiptar dhe dreqi vetëm mund ta dijë, pse ata dy njerëz të mrekullueshëm e prindër të përkushtuar, duhet të vuanin ca goditje nga ato më të tmerrshmet, të cilat fati nganjëherë zgjedh të mos ia kursejë robit të shkretë! Po kjo është një histori tjetër.
Ndërsa historia krijuese e Gjergjit, edhe pse e prerë në mes brutalisht nga një sëmundje dërrmuese, që pasi i mori njërën këmbë, i mori edhe jetën, është një kapitull i pambaruar, shkruar me pasion e me inteligjencë të spikatur artistike, brenda librit të historisë së kinematografisë shqiptare. Filmat e tij e çuan emrin e Shqipërisë në plot festivale ndërkombëtare, madje njëri syresh arriti deri në seleksionimin e parë të filmave të huaj, që u gjykuan për nominimet e kandidatëve për Oscar në vitin 2010.
Gjergji i mbylli përgjithnjë sytë në një dhomë hoteli në Itali, ku shkoi të flejë natën vonë në fund të një dite të gjatë pune, pasi mbaroi montazhin e filmit të tij të fundit. Nuk u zgjua më.
Më duket habi akoma sot që nuk do ta takoj më dot në këtë jetë shokun e mirë, me të cilin shiheshim rrallë, por gjithnjë me shumë kënaqësi, e flisnim për sfidat tona krejt të ndryshme të radhës, ai me filmin që do të vinte e unë me këto të miat, po biseda prekte kinemanë, letërsinë, artin, mediat, shoqërinë shqiptare dhe sigurisht kohën e studimeve tona, ku komedia jetësore e zborit nuk mund të mungonte asnjëherë në bisedë, bashkë me paguren e rakisë që ishte arma armiqësore e disiplinës ushtarake në brezin e Gjergjit.
Gjergji ishte vërtetë njeri i rrallë, mik i mirë, artist që fliste me vepra e që fjalët i kursente bukur. Bukur kursehej edhe kur shijonte verën, i pëlqente të pinte dhe ishte kënaqësi e veçantë tavolina me të, sepse për ta mbaruar një gotë merrte kohë, teksa i merrte aromën, i komentonte përbërjen, i kërkonte ndihmën për të ngritur shëndetet.
E ngrita këtë tekst për ty Gjergj – sot një vit më parë nuk lidha dot as pesë fjalë bashkë! – me pikëllimin që s’mblidhemi dot më, për të folur e për të qeshur si dikur, po edhe me buzëqeshjen e përlotur që më jep kujtimi yt. Prehu në paqe shoku im!
TëPAHARRUESHËM🙏 / KultPlus.com

Drejtoria e Burgjeve i jep leje, Kostandin Xhuvani merr pjesë në varrimin e babait

Ka mbërritur sot në mëngjes në Rinas, trupi i pajetë i regjisorit Gjergji Xhuvani, i cili u nda nga jeta më datë 14 gusht, disa ditë më parë, në Romë.

Drejtoria e Burgjeve i ka miratuar lejen djalit të tij, Kostandin Xhuvanit për të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës së babait të tij, Gjergj Xhuvani.

Artisti i mirënjohur është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare në Itali, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Humbja e tij i ka dhënë një goditje të fortë bashkëshortes së tij, aktores së njohur Luiza Xhuvani, fëmijëve por edhe miqve e të njohurve. Regjisori i njohur për publikun shqiptar ndërroi jetë për shkak të një ataku kardiak në një spital të Romës./27.al

Mbërrin në Shqipëri trupi i pajetë i regjisorit Gjergj Xhuvani

Ka mbërritur sot në mëngjes në aeroportin e Rinasit, trupi i pajetë i regjisorit Gjergj Xhuvani.

Xhuvani u nda nga jeta më 14 gusht në Romë, ku ndodhej për xhirimet e filmit të tij të fundit “Liqeni im”.

Familjarët kanë vendosur që ceremonia mortore të jetë private, jo me homazhe shtetërore.

Regjisori i njohur do të përcillet për në banesën e fundit sot në orën 14.00.

Gjergj Xhuvani, regjisor, skenarist dhe producent shqiptar, lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet Dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Ka punuar si regjisor në filma mjaft të njohur për publikun, si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat” etj. Qe i pari kineast shqiptar që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001.

Ka dhënë kontributin e tij në kinematografinë shqiptare edhe si skenarist në filma si “Parrullat”, “I dashur armik”, “Në kërkim të kujt” etj.

Po ashtu ai ka interpretuar si aktor në “Edhe ne luftuam” dhe “Hije që mbeten pas”. Pas filmit “Engjëjt janë larg”, një vit më parë kineasti Gjergj Xhuvani pritej të prezantonte në kinema realizimin e fundit kinematografik, “Liqeni im”. / Fastnews / KultPlus.com

Xhuvani vdiq ditën që përfundoi montazhi i filmit të ri

Gjergj Xhuvani, një nga artistët më të spikatur të kinematografisë dhe skenës shqiptare, pasi kishte mbaruar xhirimet e filmit “Liqeni im” në Shqipëri në fund të vitit të kaluar, Gjergj Xhuvani edhe pse vuante nga sëmundja e diabetit, në këtë vapë gushti s’e ndali punën.

Regjisori i njohur vdiq në moshën 56 vjeçare, nga një sulm në zemër pasi kishin konsumuar darkën e përfundimit me sukses të montazhit të filmit të ri në Romë.

Filmi me skenar dhe regji të vetë Xhuvanit kishte marrë mbështetjen e Eurimages në Yerevan dhe kishte nisur xhirimet në dhjetorin e vitit të kaluar si një bashkëprodhim me Italinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që kishte mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Regjisori i mirënjohur do të kujtohet si një nga artistët më të spikatur të kinematografisë dhe skenës shqiptare. Disa nga titujt më të spikatur të filmave të tij janë “Lindje Perëndim lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat”, “Bardhë e Zi”.

Mesa duket “Liqeni im” do të na japë mundësinë ta shijojmë edhe një herë punën brilante të regjisorit Xhuvani. / KultPlus.com