11 vjeçarëve që ju ndal loja në gjysmë, u vranë vetëm pse ishin shqiptarë

11 vjeçarët Din dhe Arsim Paçarizi kanë qenë nxënës të klasës së tretë të shkollës së fshatit Dragobil të Malishevës.

Ishte 5 prilli 1989 dhe ata po luanin në fshat sikurse çdo ditë. Ishte ditë e mërkurë. Të nesërmen bëheshin fiks dy javë që Serbia me dhunë e tanke e kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

Dini dhe Arsimi akoma nuk e dinin se çfarë ishte as autonomia, as republika. Ata dinin të luanin, ndonëse e nuhatnin se diçka e jashtëzakonshme po ngjante në vendin e tyre. Atë të mërkurë, një konvoj ushtarak serb stacionohet në vendin e quajtur Golesh, në të dalë të fshatit të Dinit dhe Arsimit. Duke bërë “manovra”, zunë të shtinin në drejtim të Dragobilit.

Dy 11 vjeçarët vriten dhe i ngel në gjysmë loja. Faji i vetëm i tyre? Ishin shqiptarë. Dhe kushdo që ishte shqiptar nuk e meritonte as të luante, as të rritej, as të shkollohej. Serbia kishte vendosur që Dini dhe Arsimi nuk meritonin as të jetonin.

Kësisoj – një dhjetëvjeçar para Abrisë, Rezallës, Bellacërkës, Poklekut, Studimes, etj. – Serbia po e dëshmonte se ish në gjendje të luftonte me tanke kundër fëmijëve dhe foshnjave. E, Dini dhe Arsimi u bënë paralajmërimi që hasi në vesh të shurdhër të kancelarive botërore për atë çfarë do të bënte Serbia vite më pas.

31 vite më vonë, krimet serbe ndaj fëmijëve, grave dhe burrave shqiptarë vazhdojnë të jenë të pandëshkuara. Në vend të kriminelëve serbë po gjykohen luftëtarët shqiptarë, moshatarët e Dinit dhe Arsimit që vendosën të kapnin pushkët e lirisë për ta ndalur vrasjen e Dinëve dhe Arsimëve të tjerë.

Autor i tekstit: Fitim Salihu / KultPlus.com

Motër e vëlla të vrarë nga forcat serbe i “rikthehen” shkollës, kësaj radhe të shkrirë në bronz

Ganimete Hajdari sot do t’i gëzonte të 35-tat, ndërsa i vëllau Miftari, plotë 30, por një dorë krimi i ndërpreu vitet më të mira të jetës së tyre, e bashkë me ta “vranë” edhe shpirtin e të dy prindërve që sot jetojnë mes vuajtjeve e të rënduar nga sëmundja, shkruan KultPlus.

Për Ganimete dhe Miftar Hajdarin nga fshati Shtedim i komunës së Podujevës, viti 1999 ishte i kobshëm, njëjtë si edhe për 1133 fëmijë të tjerë të cilët u vranë nga lufta e fundit në Kosovë.

Ishin dy fëmijë që shkollën e kishin në plan të parë, por vendi ku dikur i gëzonin ditët më të mira, sot i ka hapur dyert për ta, ata ju kanë rikthyer shkollës, por kësaj radhe në bronz.

Në shenjë kujtimi, në oborrin e shkollës fillore “Sheqë Mirofci” të fshatit Shtedim të Podujevës u vendos dje pllaka përkujtimore në nderim të engjëjve martirë.

Forcat serbe ju lanë ëndrrën e shkollimit në gjysmë, por përmes kësaj vepre ata tashmë do të jenë përgjithmonë afër bashkëmoshatarëve të tyre.

Kjo është vepra e parë në Kosovë që është realizuar për fëmijët e vrarë gjatë luftës së vitit 1999 dhe autori i kësaj vepre, Bedri Kadriu, është shprehur se ndihet i nderuar dhe falënderues ndaj familjes Hajdari që ja besuan punën.

“Pikërisht në oborrin e shkollës së tyre ku ata vinin e shkonin çdo ditë të buzëqeshur e plotë shpresë, të lumtur e me shumë ëndrra, ata sot u kthyen në bronz, për të qëndruar gjithmonë pran moshatarëve të tyre. Si autor i kësaj vepre jam i nderuar dhe falënderues ndaj familjes Hajdari për punën që ma besuan”, shprehet Kadriu. / KultPlus.com

Osmani propozon që një ulëse në Kuvend t’u dedikohet fëmijëve që u vranë në luftë

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se si sot 21 vjet më parë u realizua ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë që luftuan për liri.

Ajo ka propozuar që një ulëse në sallën e Kuvendit t’i kushtohet fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit.

Duke kujtuar ardhjen e Ditës së Çlirimit, Osmani ka thënë se pas 78 ditë bombardimeve shpresa ngadhënjeu, Kosova e pa dritën e lirisë, dhe qytetarët morën frymë.

Ajo ka thënë se u dëshmua se në Kosovë liria e jashtme mund të vije vetëm nëse fitohet liria e brendshme

“Prandaj ne u çliruam sepse edhe e fituam lirinë e brendshme dhe këmbëngulëm në vlerat humanë kur fqinjët tanë i shkelen atë. Do t’i propozojë Kuvendit që njërën nga ulëset në qendër të sallës ta mbajmë të rezervuar si dedikim të fëmijëve të pafajshëm të këtij vendi të cilëve iu këput ëndrra për jetë”, ka thënë ajo

Osmani ka thënë se sot duhet unitet për paqe të qëndrueshme dhe mbrojtje të sovranitetit e territorit në Kosovë.

“Ne e njohim shumë mirë peshën e lirisë sepse e kemi përjetuar me shekuj të tërë mungesën e saj. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e popujve në Ballkan. Historinë e kemi në krah. Kosova e ka numrin të madh të fëmijëve e grave të vrara. Në këtë ditë të lirisë, kemi një mesazh, siç ishim unik dikur si një akt sublim, sot të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme duke mbrojtur sovranitetin e territorit tonë në çdo pëllëmbë”, ka thënë ajo. / KultPlus.com