Presidentja Osmani: Gjurmët e krimeve të luftës ende e rëndojnë jetën e qytetarëve tanë

Më 15 dhe 16 prill, Kosova do të mirëpresë personalitete të ndryshme nga disa shtete të botës në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. E po në këtë forum, temë bosht pritet të jetë dhuna seksuale gjatë luftës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani derisa nderoi të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, kërkoi drejtësi.

“Përpara një viti ne dëgjuam zërin e fuqishëm të të mbijetuarve dhe vendosëm që 14 prilli të shënohet si një akt i përhershëm i solidaritetit tonë. 14 prilli është një kujtim i rezistencës së tyre në ballafaqim me dhunën. Në këtë ditë ne ngrisin zërin për drejtësi. Drejtësia nuk do të jetë e plotë derisa kriminelët nuk dalin para drejtësisë për veprat e tyre. Gjurmët e krimeve të ushtrisë serbe vazhdojnë të rëndojnë edhe sot jetën e qytetarëve tanë. Për të senzibilizuar të gjithë për dhunën seksuale gjatë luftës, në kuadër të sesionit të dytë te Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që do të mbahet në Prishtinë do të jetë temë boshtë çështje e dhunës seksuale gjatë luftës. Nesër në Prishtinë do të mblidhen më shumë se 40 shtete anembanë botës. Liderë, ekspertë, akademikë, gazetarë e përfaqësues te shoqërisë civile. Forumi është një platformë që i dedikohet fuqizimit të zërit të grave”, tha presidentja sot në një konferencë për media, raporton RTKlive.

Ajo ka thënë se gjurmët e krimeve të dhunës seksuale të kryera nga Ushtria dhe Policia Serbe vazhdojnë të rëndojnë ende jetën e qytetarëve tanë, pas gati 25 viteve të pas luftës.

Osmani tha se dhimbja e Kosovës është e madhe, pasi gjatë luftës së fundit janë dhunuara mbi 20 mijë gra nga ana forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë./rtk/KultPlus.com

G7 merr vendimin për asetet e ngrira ruse, do mbeten peng deri në zgjidhjen e konfliktit me Ukrainën

Asetet ruse që janë aktualisht në juridiksionet e vendeve të G7, do të mbeten të palëvizura derisa të ketë një zgjidhje të konfliktit me Ukrainën, thanë ministrat e jashtëm të G7 në një deklaratë të përbashkët pas takimit të tyre në Karuizawa të Japonisë.

“Ne jemi të vendosur, në përputhje me sistemet tona ligjore përkatëse, që asetet e Rusisë në juridiksionet tona do të mbeten të palëvizura derisa të ketë një zgjidhje të konfliktit që adreson shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga Rusia”, thuhet në deklaratë.“Çdo zgjidhje e konfliktit duhet të sigurojë që Rusia të paguajë për dëmin që ka shkaktuar,” vunë në dukje ministrat e jashtëm të G7/Ballkanweb/ KultPlus.com

24 vjet nga dita kur u dogj Çarshia e vjetër e Gjakovës

Sot bëhen 24 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e 24 marsit të vitit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës, e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të tmerrshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë civile në shenjë hakmarrjeje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Atë natë u ndez flakë e tërë Çarshia e vjetër e Gjakovës si dhe u vranë në mënyrën më mizore dhjetëra civilë të pafajshëm. Bashkë me bombardimet, për 78 ditë me radhë, si në gjithë Kosovën edhe në Gjakovë vazhduan vrasjet, dhunimet, djegiet dhe dëbimet masive të popullsisë shqiptare.

Në Çarshinë e vjetër të Gjakovës, që prej themelimit, ushtroheshin dhjetëra zeje të ndryshme, duke filluar nga armëtarët, argjendarët, kazangjinjtë, lëkurëpunuesit , rrobaqepësit, zhgunaxhinjt, qëndistarët, zdrukthëtarët, kazazët, qeleshepunuesit, gërçakxhinjtë, saraçët, opingaxhinjtë, cergaxhinjtë e çibukxhinjtë.

Ekspertët kanë vlerësuar se Çarshia e Madhe, siç njihet ndryshe, paraqet njërin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Ajo ishte një qendër e rëndësishme pazari, zanatit, por edhe një kompleks i madh kulturor, historik e fetar në mbarë vendin.

Shtrija e saj nga veriu në jug arrin në 1000 m., ndërsa sipërfaqja e gjithmbarshme e saj është 34.000 metra katrorë. Ajo ishte vatër e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të rajonit të Gjakovës. Në të u zhvilluan të gjitha zejet e mundshme.

Më 1999 u dogj me të gjitha përmendoret kulturore historike në të, por u rindërtua pas luftës falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare. / KultPlus.com

La Liga shfaq flamurin e Kosovës në faqen zyrtare, Muriqi flet për kohën e luftës dhe fëmijërinë e tij (VIDEO)

Vedat Muriqi, i cili në Spanjë njihet si “Pirati”, është një nga futbollistët më të mirë të RCD Mallorca, klubi që aktualisht është në vendin e 10-të në një nga ligat më të forta në botë, atë spanjolle, shkruan KultPlus.

Futbollisti nga Prizreni i Kosovës, është paraqitur së fundmi në një intervistë për “La Ligan”, duke përmendur kështu edhe kohën kur ai ishte një fëmijë dhe luftën që e preku vendin e tij, e gjithashtu bisedoi edhe për një prej vendimeve më të mira që ai ka marrë në karrierë.

“Prindërit më thanë se para luftës ishte mirë. Më kujtohet se çfarë ndodhi gjatë luftës, ishte një kohë e tmerrshme. Unë gjithmonë them që asnjë njeri nuk duhet ta përjetojë këtë gjë. Ne lamë shtëpitë tona për të shkuar në Shqipëri. Ne jetonim në një shtëpi me 50 persona të tjerë”, tregoi Muriqi për “La Liga”, pas intervistës ai pati në gazetën e famshme spanjolle, “Marca”.

Ai thotë se përvoja e fituar ndër vite, e ka ndihmuar atë që të arrijë këtu ku është tani.

“Të gjithë ne që kemi jetuar luftën i vlerësojmë gjërat shumë më tepër. Është kjo përvojë që më ka ndihmuar të arrij këtu. Gjtihmonë them se para se të mbërrija këtu kam pasur dyshime sepse më duhej të ndërroja shtet dhe më duhej të lija miqësitë e mia. Por tani mund të them se kam bërë zgjedhjen e duhur të jetës sime, sepse edhe familja ime dhe unë jemi të lumtur në Spanjë. Ata më bënë të ndihem i mirëpritur që në momentin e parë që mbërrita. Kjo më dha shumë besim”, ka thënë sulmuesi kryesor i kombëtares së Kosovës.

Në 15 ndeshje të zhvilluara këtë sezon në “La Liga”, Muriqi ka arritur që të realizojë tetë gola dhe të dhurojë edhe një asistim për gol te bashkëlojtarët e tij.

Fansat e Mallorcas kanë rënë në dashuri me mënyrën se si Muriqi i ka ndihmuar ata, fillimisht të mbijetojnë në Spanjë, dhe tani të ngjiten në vendin e 10-të. /KultPlus.com

Shukrie Ramadani: Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

Ardianë Pajaziti

Shukrie Ramadani kishte hyrë në klasë të parë shumë e vogël, më e vogla prej moshatarëve të saj. Nuk i kishte mbushë as gjashtë vjet kur ishte ulë në bankën e shkollës së fshatit të lindjes në Zhegër të Gjilanit, dhe këtë nguti për tu regjistruar në shkollë ajo e sheh edhe si një sinjal tjetër, të takohej që nga fëmijëria me shokun e saj të klasës, shokun e jetës, bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve të saj, Agim Ramadanin, e cila nuk e kujton asnjërin prej takimeve si takimin e parë, sepse sipas saj e gjithë jeta e saj ishte Agim.

Si dy rivalët më të këqij që ishin përgjatë shkollimit, dhe në të njëjtën kohë edhe miqtë më të mirë, jetën e Shukrie dhe Agim Ramadanit do ta perceptonin vetëm bashkëkohanikët, pasi që, nëse do ta dëgjoje si rrëfim, më shumë i ngjanë legjendave se sa vetë jetës.

Ata jetuan shpejt, aq shpejt sa për të lënë gjurmë në lirinë e Kosovës, gjurmë që kishin nisë që nga organizimet ilegale, protestave të vitit 81, arrestimit të Shukrisë, ballafaqimin me luftën e Kroacisë, jetën në Zvicër, luftën e Kosovës e deri të Rrasa e Zogut. Rrasa e Zogut është vend që pothuajse ka pushuar edhe zemra e Shukrisë, se mu në këtë vend, më 11 prill të vitit 1999 kishte rënë Agim Ramadani, i cili edhe sot vazhdon të jeton në kujtimet e Shukrisë, sikurse që jeton edhe në Agimin e vogël, nipin e Agim e Shukrie Ramadanit, e cila Shukria e quan edhe si rinkarnim i Agimit.

Ajo sot është 58 vjeçe, dhe nëse ke fatin të dëgjosh rrëfimin e saj, e sheh që nëse flet për Agimin, emri i tij është dashuri,  forcë, dhimbje dhe krenari për të.

Por nëse flet me etapa, është e çuditshme që se sytë i xixëllojnë kur flet për fëmijërinë, dhe po për atë fëmijëri që brenda saj ka edhe Agimin. Një ngazëllim i tillë zgjatë deri te vitet e 80-ta, pastaj, duket se të dy janë të destinuar për punë të mëdha dhe fillon e rëndohet biseda. E edhe më e rëndë bëhet kur flitet për luftërat, atë të Kroacisë e Kosovës, por kur arrijmë te pjesa e luftës së Kosovës, ngazëllimi i mëhershëm i Shukrisë merr tjetër formë, ngufatet nga vaji e nga lotët, e cila me dhimbje, me shumë dhimbje flet për momentin kur kupton se ka rënë Agimi, për momentin se tenton që ta zhvarrosë kufomën e tij e deri te pendimi i rëndë, që edhe sot nuk e lë rehat se pse nuk e bëri atë veprim, zhvarrimin, pikërisht në Koshare, vendi që prehet Agim Ramadani, e që edhe për Shukrinë mbetet vendi më qetësues karshi Zhegrës, Kroacisë e Zvicrës, vende ku ka ndarë pjesët më të bukura, më sfiduese dhe më kërkuese me Agim Ramadanin. 

Agimin e kisha rivalin më të madh në klasë

Shukria e cila me Agimin ishte në të njëjtën klasë, që nga klasa e parë, kujton për lexuesit e KultPlus se atë e kishte rivalin më të madh në klasë, por në të njëjtën kohë e kishte edhe mikun më të mirë.

“Unë isha më e mira në gjuhë shqipe, e ai në matematikë, dhe pikërisht se bënim gara me njëri tjetrin, mund të them se sa e kemi dashur njëri tjetrin, po aq e kemi urryer”, kujton Shukria kujtimet e para me Agimin, e cila tregon se në shkollë kishte hyrë pak para se të mbushte gjashtë vjet, e Agimi kishte hyrë si shtatë vjeçar.

Duke qenë shokë klase, duke marr pjesë në shumë aktivitete kulturore, sportive e aktivitete të tjera shkollore, Shukria thotë se nuk mban mend ndonjë takim të parë, apo të dytë, sepse krejt jeta e saj sillet rreth Agimit. “Jam rritë me të, çdo kujtim i imi i fëmijërisë lidhet me të”, ka thënë Shukria, e cila kujton se edhe kur ishin diku rreth moshës 12/13 vjet, ata të dy patën luajtur në shfaqjen “Halili dhe Hajria” dhe Shukria kujton se si Agimi skuqej në skenë kur ishte pjesa e shprehjes së dashurisë ndaj Shukrisë, në këtë rast që luante personazhin e Hajrisë.

Ndarjen si opsion nuk e panë as në shkollë të mesme në Gjilan, edhe atje vazhduan në të njëjtën klasë, por tashmë me një miqësi më të ngushtë, miqësi më me vizion dhe me aktivitete më të ndjeshme, pasi që, sipas Shukrisë, të dy u bënë pjesë e ilegales.

“Përderisa ishim në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe ishim aktiv në ilegale, ne në të njëjtën kohë patëm menduar që të shkonim bashkë në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Më shumë ishte qëllimi që mos të ndaheshim, edhe pse, në atë kohë ende nuk ishim të dashur, akoma vazhdonim të ishim miq të ngushtë e të mirë”, tregon Shukria, por që planet që kishin menduar për të ardhmen duket se nuk kishin shkuar në favor të tyre.

Kishin shpërthyer demonstratat e vitit 81, dhe Shukria ishte pjesë e organizimit të këtyre demonstratave. Sipas saj, ajo ra në duar të policisë.”Disa kushërinj kisha të punësuar në policinë e atëhershme, por edhe në pozita të tjera institucionale. Në fakt, me këtë arrestim, unë isha rrebeli i familjes që po ua merrja ftyrën. Gjatë marrjes në pyetje unë nuk mohova asgjë, po duke pas rreth familjar nëpër këto isntitucione, ata ndryshuan deklaratën zyrtare dhe më nxorën të nesërmen nga aty. Por e keqja ishte se përgjatë marrjes në pyetje më kishte rrahur një polic aq shumë, sa që ma kishte thyer krahun”, tregon Shukria.

Më burgosën në vitin 1981, për këtë fakt më ndaluan shkollimin në Akademinë Ushtarake në Zagreb

Por pasoja më e madhe e këtyre zhvillimeve ishte se Shukrisë me këtë pjesëmarrje në këto demonstrata i ishte ndaluar vijimi i Akademisë Ushtarake në Zagreb dhe këmbanat e ndarjes ishin më afër se kurrë. Por Shukria tregon se fillimisht Agimi kishte shkruar për të përfunduar shërbimin ushtarak,  kurse Shukria kishte ngel në Gjilan për të vijuar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, pasi që edhe në Universitetin e Prishtinës i ishte mohuar vijimi i studimeve.

“Në një formë ishte ndarja fizike me Agimin, po ajo ndarje ishte edhe periudha vendimtare që të ofrohemi edhe më shumë me njëri tjetrin. Në letrën e parë që ma kishte dërguar Agimi, përpos asaj që më kishte treguar se si po kalon në shërbimin ushtarak e detaje të tjera, krejt në fund të letrës më kishte shkruar “Përjetësisht, Agimi”, tregon Shukria, e cila më tej shpjegon se mu kjo letër fillimisht i kishte rënë babait të saj në dorë, shkas që iu bë me dije edhe njëherë se ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të lidhet me atë djalë.

“Atë letër e kam edhe sot”, tregon Shukria, e cila më pas ofrohet te një moment më delikat, atëherë kur edhe kishin shkëmbyer puthjen e parë.

“Agimi ishte në shërbim ushtarak, dhe momenti për të shkuar në Akademi Ushtarake po ofrohej, dhe mundësia ishte që të bënte kalimin prej ushtrisë e drejt në Akademi. Po para se të bënte këtë kalimin ai mori pushim tri ditë, dhe brenda kësaj periudhe ndodhi lidhja e jonë. Agimi ishte 19-të vjeç e unë 18-të. Kur e pashë e ndjeja se zemra donte të më dilte prej vendit, nuk ishte ai Agim që njihja, ishte më i rritur, më i fuqishëm, më burrëror, kishte marr komplet një nur tjetër”, tregon Shukria, e cila këtë distancë më të vonshme sa ishte në Akademinë Ushtarake e tregon pak më të afërt, pasi që edhe letrat kishin marr një dimension tjetër, të cilat forconin çdo ditë e më shumë lidhjen e tyre.

“Kemi shkëmbyer mbi 100 letra, se Agimi qëndroi atje për pesë vjet. Për fat të keq shumica më janë djeg, letrat që i kam pas në Kosovë më janë djegë si pasojë e luftës, kurse një pjesë të letrave që i kam pas në Zvicër i kam edhe sot. Ka pas një shkrim të jashtëzakonshëm Agimi. Zakonisht në letra më ka dërguar edhe vizatime, apo pjesë të poezive. Letrat e Agimit mund ti lexosh lirisht para çdo fëmije, pa u turpëruar, kanë qenë poezi në vete, ka qenë një poet i papërshkrueshëm. Është çudi se si një njeri të brumosen kaq shumë gjëra, kaq shumë njohuri, kaq shumë dashuri, ai ka qenë i dashuruar në jetën. Unë kam qenë e kundërta, nganjëherë them se kemi qenë si ajo shenja kineze, e bardha dhe e zeza, ndoshta kjo ka bërë që në dy të tërhiqemi kaq shumë ndaj njëri tjetrit. Se unë s’kam qenë tip pozitiv, jo e vrullshme për jetën dhe ai më ka mësuar ta shoh bukurinë e jetës”, ka thënë Shukria.

Dhe përderisa Agimi vazhdonte në Akademinë Ushtarake në Zagreb, Shukria i kishte njoftuar familjarët e saj se lidhja me Agimin kishte marr hov, por ata nuk i kishin dhënë leje. Vazhdonin të kundërshtonin këtë lidhje, tashmë duke i dhënë edhe një arsye, se duke qenë Agimi oficer ushtarak, nuk dëshironin që vajza e tyre të jetonte larg familjes.

Agimi erdhi për tre ditë nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, kishte ardh me një qëllim, të merrte dorën time dhe të kthehej

Ndërkohë, krahu që ia kishin thyer nga rrahjet në demonstratat e vitit 81, Shukrisë vazhdonte ti sillte telashe, dhe me patjetër duhej ti bënte një intervenim në spitalin e Shkupit.

“Agimi e kishte kuptuar për operacion dhe kishte ardhë pa lejen e lëshuar nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, me qëllim që të takohej shpejt e shpejt me babain tim. I kishte dalë në udhë dhe i kishte hyrë në makinë.  I ka kërkuar dorën time, babai im e kishte kundërshtuar duke i thënë ‘Se nuk e pranonte këtë lidhje’. Po Agimi, duke qenë edhe me uniformë ushtarake, kishte nxjerrë revolen dhe e kishte lënë në makinë të babës. ‘Ose ma jep dorën e Shukrisë ose më qëllo’, i kishte thënë Agimi babait tim. Babai im kishte lëshuar pe, dhe mu aty ia kishte dhënë dorën time”, tregon Shukria, e cila kishte mësuar për fejesën e saj gjatë qëndrimit të saj në spital, e cila shpjegon se kurrë se kishte menduar se një ditë do të mund të arrinin në këtë pikë, duke pas parasysh se sa shumë e kish kundërshtuar këtë lidhje familja e saj.

Duke qenë një çift që kishte jetuar shumë shpejt, edhe martesën e kishin bërë po aq shpejt. Të dy kishin vendosur se e diela e parë pas betimit të Agimit si oficer, do të duhej të ishte e diel e kurorëzimit të martesës së tyre. Dhe Shukria tregon se Agimi kishte dhënë betimin të enjten, ceremoni në të cilën kishte shkuar edhe Shukria, kurse të dielën ishin martuar, pa marr parasysh udhëtimin e gjatë të asaj kohe deri në Zagreb,  udhëtim që i kishte dërmuar të dy, por në të njëjtën kohë edhe i kishte lumturuar, sepse po fillonin një etapë të re.

Më pas, Kroacia ishte bërë strofulla e këtij çifti, të cilët përgjatë qëndrimit të tyre për pesë vjet, iu kishin lindur dy djem, dhe gjithçka dukej se po shkonte mirë, dhe përderisa Shukria kishte përfunduar edhe shkollimin për edukatore, tashmë në gjuhën kroate, lufta kishte shpërthyer në Slloveni, më pas edhe në Kroaci, situatë që filloi të shkundë edhe familjen Ramadani.

“Isha e re dhe atëherë, në ish Jugosllavi, ndërtesat e oficerëve ishin të ndara nga ndërtesat e tjera. Dhe mbaj në mend se ajo ndërtesë ku jetoja pat mbet vetëm ndërtesë me gra dhe fëmijë, pasi që asnjëra prej neve nuk e dinim se ku i kishim burrat. Agimi më shumë ishte në mision se sa ishte afër neve. Andaj, vendosa të kthehem në Kosovë, përderisa Agimi qëndroi edhe më tej në Kroaci, sepse kishte për qëllim që të shpëtonte shumë djem shqiptarë të cilët ishin në mision ushtarak në armatën jugosllave. Po para se të vija në Kosovë, Agimi ma pat treguar një kod, që nëse më thërret në telefon dhe më thotë se do të shkojmë në Kërçovë, unë duhet të marr sinjalin se unë duhet të bëhesha gati bashkë me fëmijët dhe të lëshonim Kosovën”, thotë Shukria. 

Duke kujtuar këtë vendim të vështirë, që e dinin se po lëshonin Kosovën po nuk e dinin kthimin, ajo kujton se këtë kod e mori për Vit të Ri, dhe ajo bashkë me Agimin dhe dy djemtë e tyre fluturuan prej aeroportit të Shkupit.

“Ende i kam të freskëta emocionet e atij fluturimi. Deri në aeroport, Agimi ishte me uniformë ushtarake, pak para se të niseshim shkoi dhe hoqi uniformën dhe veshi atë civilen, po deri sa kemi arrit në Zvicër unë kisha frikë se do ta arrestojnë, sepse ai sapo kishte dezertuar prej ushtrisë së Jugosllavisë së atëhershme”, thotë Shukria.

Dhe tashmë jeta e tyre ishte më e sigurt kur kemi parasysh luftën, por jo jeta më e mirë e mundshme që mund të të ofrojë perëndimi, pasi që për disa muaj familja Ramadani bashkë me shumë familje të tjera refugjate ishin vendosë në një bunker, që sipas Shukrisë detyroheshin të dilnin në diell që të merrnin rreze dielli, sepse ishte jashtë mase ftohtë brenda bunkerit. Pasojat e qëndrimit në këtë bunker, ishin pasoja të rënda për Shukrinë, pasi shëndeti iu rëndua dhe ishte detyruar të shtrihej në spital.

Kamp pas kampi, e shtëpi pas shtëpie, më në fund ishin vendosë në një shtëpi që plotësonte nevojat e familjes Ramadani në Zurich të Zvicrës, ku edhe filluan një jetë më të rregullt, ku Shukria vazhdoi punën si mësuese e gjuhës shqipe, kurse Agimi përpos punëve të ndryshme, ai ishte përgjegjës edhe për aktivitetet kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër, sikurse që merrej në të njëjtën kohë me poezi dhe pikturë.

Në shikim të parë dukej se jeta e tyre po stabilizohej, duke përfshirë se familja e tyre ishte rritë edhe me lindjen e një vajze, por situata ‘poshtë’, ashtu sikurse i referoheshin mërgimtarët Kosovës nuk ishte në ditët më të mira.

Shukria tregon se tashmë oficerët shqiptarë që ishin mërgimtarë në diasporë kishin filluar ti shpeshtonin takimet dhe të shqyrtonin mundësinë e rikthimit të tyre në atdhe, për të mbrojtur vendin e tyre.

Vendimi i Agim Ramadanit për të shkuar në luftën e Kosovës, ishte vendim që shqetësoi edhe fëmijët. Shukria kujton se vajza e tyre ishte vetëm tri vjeçe, dhe edhe pse nuk i kishin treguar se po shkonte në Kosovë, trupi i saj e kishte ndjerë këtë fakt, dhe sipas saj, temperatura i kishte shkuar në 40 gradë. “U pat detyruar Agimi që udhëtimin ta shtyjë për një natë, me rekomandim të mjekut. Më pas iu thamë fëmijëve se babai po shkon me punë në Francë, dhe kështu i qetësuam ujërat”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë asaj periudhe kishin edhe probleme financiare, sepse kishin mbet vetëm me pagën e Shukrisë si mësuese.

Agimi la Zvicrën për luftën e Kosovës, shkoi edhe me një parullë, se nuk i takon asnjë partie politike

“Agimi ka shkuar në luftë me një dëshirë, duke treguar gjithnjë se nuk është anëtarë i asnjë partie dhe se shkon për të luftuar për vendin e tij.  Për Agimin ka qenë esenciale se oficeri dhe mësuesi nuk guxojnë kurrë ti takojnë një partie. Ai këto dy profesione i ka vlerësuar si profesione që janë në shërbim të popullit”, ka thënë Shukria. 

Udhëtimi për luftë i Agim Ramadanit nuk paraqiti ndonjë problem për Shukrinë, problemi më i madh për të ishte se si nuk kishte mundësi që të shkonte edhe ajo për të luftuar bashkë me të, po pasi që ishte nënë e tre fëmijëve, ata ndanë rolet, njëri në luftë e tjetri kujdesin për fëmijët.

Pas asaj ndarje, Shukria kujton se me Agimin ishte takuar pas nëntë muajve, atëherë kur ishte kthyer Agimi në Zvicër për të mbledhë fondet për blerjen e armëve, dhe më pas ishte edhe një takim tjetër në Shqipëri, ku Shukria shkoi të takojë Agimin pas rënies së Junikut, dhe Agim Ramadani kishte udhëheqë kolonën shqiptare për në Shqipëri.

Shukria e përshkruan Agimin si një njeri që nuk e njihte. “I kishte mbet veç shpirti, një njeri që ishte i mbështjellë vetëm me lëkurë. Por kishte shpirtin aq të fortë, aq të fortë e aq pozitiv sa më dha shumë shpresa që liria nuk është larg”, rrëfen Shukria, e cila e vuan edhe më faktin që Agimi dhe shokët e tij nuk e lejuan që ti bashkohej në luftë, edhe pse shumë e dëshironte.

“Më detyroi të kthehesha për Zvicër pas tri ditëve, ishte shumë situatë e vështirë”, tregon Shukria për jetën me shumë sakrifica me Agim Ramadanin, i njohur nga të gjithë me nofkën “Katana”.

Por vizita e fundit dhe takimi i fundit me Agimin ishte në vitin 1998, kur Agimi kishte shkuar sërish në Zvicër, por tashti i shoqëruar edhe nga Sali Ceku.

Shukria tregon se këtë herë e kishte parë më se paku, sepse shtëpia e saj ishte e mbushur me mysafirë dhe nuk kishte pas rast të bisedonte shumë me të.

“Përpos disa gjërave që mi ka treguar, e më mirë është që mos ti dija”, thotë Shukria, që edhe kësaj here nuk shpalosë më shumë se çfarë i kishte treguar Agim Ramadani me atë vizitë.

Përderisa Shukria vazhdonte të jetonte në Zvicër bashkë me fëmijët e saj, Agim Ramadani vazhdonte të luftonte në Kosovë, e për momentin e bombardimeve të NATO-s, Shukria tregon se si e kishte thirrë Agimi në telefon, në mënyrë që ti dëgjonte bombardimet edhe Shukria në Zvicër.

“Kur sulmoi për herë të parë NATO, më thirri Agimi në telefon. ‘E dëgjon’, më tha, ‘Kjo është zhurma e lirisë, e dëgjon si ushton liria’, më tha Agimi në telefon, dhe mbaj në mend që i pata thënë ‘Çfarë zhurme paska liria, qenka e çuditshme”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë qëndrimit të Agimit atje, ata janë dëgjuar pothuajse në çdo të tretën ditë.

Përderisa vjen te momenti që është edhe momenti më i vështirë në jetën e Shukrisë, sikur lëvizë vend dhe sikur mbledhë forcat për të treguar edhe këtë pjesë të jetës së saj, jetë me shumë copëza, shumë dhimbje por jetë e mbushur me shumë dashuri.

Atë ditë që kishte rënë Agimi unë pata një ngushti që ma shtrëngonte shpirtin

Shukria tregon se ishte e ftuar në drekë te një familje shqiptare në Zvicër, por edhe pse ishte momenti kur po shtrohej tryeza e drekës, Shukria mban në mend se ishte ngritur në këmbë me kërkesën e saj për tu kthyer në shtëpi.

“Një ngushti aq shumë ma shtrëngoi shpirtin, sa nuk më zinte vend vend. Sikur që thonë te ne, toka peshë më qojke”, tregon Shukria, e cila edhe telefonin me të cilin komunikonte me Agimin e kishte harruar në banesë. “Kam shkuar shpejt e shpejt në banesë dhe kam thirrë në telefon, mu lajmërua Agron Isufi, e pyeta për Agimin po ai më tha se është në front. I thashë që ti thotë Agimit të ruhet, sepse kam një ndjenjë të keqe”, kujton ato momente Shukria, e cila më pas shpjegon se pas një ore sërish thirri, po prap i thanë të njëjtën përgjigje se nuk mund të fliste se ishte në front. Shukria tregon se atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy, dhe herën e fundit që kishte fole me Agimin ishte 9 prilli.

Të nesërmen e asaj dite, ajo tregon se në banesën e saj kishte ardhur Kimete Gashi, ish gruaja e Xhafer Gashit dhe e zverdhur në fytyrë i kishte thënë se duhet të shkonin në Shqipëri, që ti vizitojnë burrat.

“Mbaj në mend se më tha se kishte dëgjuar se Agimin e kanë plagosur, në fakt ajo me të vërtetë ishte veç me atë informatë. Po unë e di se përjetova diçka të tmerrshme në brendinë time, se e dija se nëse do të ishte i plagosur Agimi, ai do të më merrte në telefon, dhe jo këtë lajm ta merrja vesh prej Kimetes”, tregon Shukria.

Ndërkohë, Shukria tregon se para se të nisej për Shqipëri me vëllain e Agimit dhe disa shokë të tij, ajo kishte biseduar me djalin e saj, në atë kohë nëntë vjeç dhe i kishte thënë se edhe nëse ka ndodhë diçka me babin, babi bëhet hero, dhe ku ka gjë më të mirë se të bëhet hero. “Djali vetëm më dëgjonte dhe në fund më tha ‘Mam, nuk dua që babi të bëhet hero, unë dua që babi të kthehet në shtëpi”, tregon Shukria e cila shpjegon se vetëm ajo e di se si e ka përmbledhë vetën para fëmijëve dhe si nuk ka qarë para tyre, vetëm që ti ruaj ata nga dhimbja.

Shukria fillimisht kishte shkuar në Bajram Curr, dhe aty ishte vendosur me një shtëpi, pasi i thanë se kanë shumë rrugë për të bërë deri në Koshare.

“Isha e hutuar, fëmijët i kisha në Zvicër, unë isha në Bajram Curr, ndërkohë më thoshin se burrin e kisha të plagosur në Koshare. Por goditjen më të madhe e mora nga vëllai i shokut të Agimit. Ai mu drejtua dhe ma dha lajmin. Lajmin se Agimi kishte rënë. Nuk di si e kam pranuar atë lajm, veç e di se në një tavolinë aty afër ka qenë një gazetë me fjalëkryq, jam ulë dhe me një shpejtësi marramendëse e kam plotësu fjalëkryqin. Desha të sprovoj vetën se a jam mirë me mendje. Atë natë nuk kam vënë gjumë në sy, dhe ashtu e dërmuar me mëngjes jemi nisë në Koshare”, tregon Shukria, e cila në trajektin që po udhëtonin nga liqeni i Komanit, bashkë me ta kishin rastisë edhe disa gazetarë të huaj, gazetarë që me një farë forme penguan të realizonte Shukria një plan që e kishte brenda. Ajo kishte planifikuar që ta hapte varrin, ta zhvarroste Agimin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bindej se ishte po Agimi i saj. Por të gjithë shqiptarët që po e rrethonin Shukrinë e lutën që mos ta bënte këtë gjest pata gazetarëve të huaj, sepse do të shndërrohej në lajm botëror.  

Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

“Të them të drejtën shumë jam penduar që nuk e kam hapë varrin, kurrë nuk jam bind që ka vdekë Agimi”, thotë krejt në lot Shukria, e cila pas vizitës në ato varreza, asaj i ishin dorëzuar edhe gjërat personale të Agimit, sikurse që kishin dashur t’ia jepnin revolen dhe kallashin. “Armët nuk i pranova, iu thash që këto armë duhet të përdoren deri sa të largohet këmba e fundit e serbit”, tregon Shukria, e cila thotë që edhe pse ka përfunduar lufta, ato armë më nuk i kanë rënë në dorë, edhe pse do të dëshironte shumë që ti kishte në gjërat personale të Agimit, duke përfshirë ditarin e Agimit, ditar që sipas Shukrisë pa ndihmën e shokëve të tij nuk ka mundësi ta c’kodojë, sikurse që i ka dhënë vetës detyrë që të bëj Muzeun e Agimit, film për Agimin, ribotimin e librit “Si e njoha Agim Ramadanin”, që është shkruar nga Ibrahim Kadriu dhe një ekspozitë.  

Sot 58 vjeçe, e që e ve është që nga mosha 32 vjeçe, ajo edhe sot prehjen më të madhe e gjen në Koshare, pavarësisht shumë vendeve që kishte jetuar me Agimin, po sikurse që ka për zemër edhe Zvicrën, pasi që është vendi ku më së gjati ka jetuar me Agimin. “Ndoshta kjo është edhe arsyeja që u ktheva në Zvicër”, thotë Shukria e cila tash punon si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Zvicër.

Ajo tash është e rrethuar me fëmijët e saj, dhe me nipat e mbesat e saj, po më të preferuarin e ka Agimin e vogël, që sipas saj shpesh i duket që Agimi i saj është rinkarnuar në Agimin e vogël. Shukria që jeton me shumë kujtime për Katanën, ka edhe një detaj tjetër që Agimin ia ringjallë. Shumë shpesh ndodhë që ti kthehen pikturat e Agimit nga blerësit e mëhershëm, të cilët vlerësojnë se këto piktura më mirë është që ti takojnë familjes se sa blerësve. “Është edhe dhimbje po edhe ringjallje, që kohë pas kohe më kthehet diçka e Agimit”, tregon Shukria duke treguar edhe një detaj, se pikturat e Agimit që i posedon edhe sot, për çudi shumica e tyre kanë pamjen e Rrasës së Zogut, Rrasë që prehë heroin e Kosovës, Agim Ramadanin./ KultPlus.com

“Gjithë lotët tanë” sipërfaq mizoritë e kryera në ish-Jugosllavi dhe fuqinë e jashtëzakonshme të fotografisë

Uranik Emini

Fjala e urtë “Të shohësh është të besosh” është themeli i fotografisë pasi shpesh shihet si mjeti i vetëm për regjistrimin e realitetit objektiv. Fotografitë janë të njohura për të treguar histori dhe për të ngjallur ndjenja. Çdo imazh ka një tregim të bashkangjitur me të. Qoftë kjo një ditë e qetë në diell apo një fushëbetejë e pasluftës e mbuluar me gjak, shkruan KultPlus.

Për të treguar fuqinë e tyre dhe për të shërbyer si thirrje në mbështetje të viktimave dhe grupeve të tjera të prekura nga lufta, në kërkimin e tyre për të vërtetën dhe drejtësinë, 4 fotografë: Atdhe Mulla, Arbnora Memeti, Nake Batev dhe Borislav Pesič, u bënë bashkë nga organizatorët e ekspozitës “Gjithë lotët tanë”, e cila i kushtohet rrëfimeve të viktimave të luftërave në rajon, pikërisht më datë 10 dhjetor, kur edhe shënohet Dita Ndëkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

34 fotografi të vendosura në katin e tretë të një prej hoteleve më të njohur në kohën e ish-Jugosllavisë, pikërisht në periudhën për të cilën këto fotografi u realizuan dhe u kthyen në jetë, ndodheshin në disa dhoma, ku mund të shihje edhe histori nga të ndryshmet. Duke filluar nga vdekja e të vetmit që i mbijetoi një masakre, e deri te gërmimet në Kizhevak.

I pari që mori fjalën ishte Bajram Qerkini nga  Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.

“Mas vështiri është me fol përpara juve. Këtu jemi sepse është një ditë për të drejtat e njeriut. Kuptoni si të doni, por të drejtat e njeriut te ne po shkelen për çdo ditë. Të drejtat elementare për zbardhjen e të pagjeturve po shkelen çdo ditë. Sot po thuhet se kërkojmë të zbatohen të drejtat e njeriut, ashtu siç janë të garantuara me konventa ndërkombëtare. Ne nuk e dijmë se ku i kem edhe 1600 persona tjerë qe 23 vite. Kush duhet ta shtyjë këtë proces përpara më shumë se na familjarët e të tjerët”, tha Qerkini.

Ndërkaq, ai gjithashtu u bëri thirrje vendorëve që të ushtrojnë presion më të madh te ndërkombëtarët, në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve.

“Vendorët t’i hapin pak ma shumë sytë dhe t’i çelin pak ma shumë veshtë që të bëjnë presion te ndërkombëtarët për fatin e të pagjeturve. Sot shihet edhe një ekspozitë, jo vetëm për Kosovë, por ekspozitë ndërkombëtare dhe shumë e veçantë. Ka qenë në Maqedoni, në Beograd tash edhe në Kosovë. Faleminderit të gjithëve”, tha në fund Qerkini.

Kryetar i Komisionit Qeveritar të Personave të Zhdukur të Kosovës, Andin Hoti, deklaroi se në ditën e të drejtave të njeriut, attij i bllokohet fjala kur flitet për të drejtat e njeriut.

“Sot është dita e të drejtave të njeriut, ku mua më bllokohet fjala kur flitet për të drejtat e njeriut. Edhe si familjar i personave të zhdukur edhe si pjesë e Komisionit të Personave të Zhdukur. E drejta për të ditur na është mohuar për 23 vite. 1600 tjerë vazhdojnë të presin për një të drejtë elementare, që është e drejta për të ditur”, deklaron ai.

Tutje, Hoti tregon se çdo ditë përballet me disa pyetje të njëjta, por e thotë fuqishëm se nuk do të dorëzohen asnjëherë në kërkimin e drejtësisë.

“Mua më bëhet çdo ditë pyetja, si po kalon, a ke emocione, a është e ndijshme? Kom emocione, është e ndijshme, është e lodhshme por kurrë me u ndalë jo, as unë e as ju. Kushdo që mendon që kemi me i humb shpresat, një gjë të tillë nuk do ta bëjmë asnjëherë. A po punojmë sa duhet? Jo, por po punojmë sa mundemi. Ne po punojmë, ne po bëjmë atë që mundeni, nuk po bëjmë sa duhet, sepse nëse do ta bënim do të ishin edhe 1617 persona me statut tjetër. Kjo është informata, që fatkeqësisht e marrim, kjo është e drejta për të ditë që neve na servohet”, tregon kryetari i Komisionit Qeveritar të Personave të Zhdukur të Kosovë.

Mes shumë lokacioneve të gërmuara, ata janë në pritje të ADN-së

“Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka gërmuar mbi 20 lokacione në Kosovë dhe një në Serbi. Mbi 7 lokacione të vitit 2022 janë me gjetje dhe ende jemi në pritje të ADN-së. Në vazhdimësi kemi pasur mbi 8 takime të nëngrupeve punese mes Kosovës dhe Serbisë, duke menduar gjithnjë që të marrim atë informacionin e nevojshëm për të ditur më shumë. Uroj që ata të ndryshojnë mendësinë e tyre dhe familjarët e personave të zhdukur të flejnë të qetë”, përfundon Hoti.

Në anën tjetër, njëri prej fotografëve pjesëmarrës në këte ekspozitë, Atdhe Mulla, ka thënë për KultPlus se bashkëpunimi erdhi nga puna e organizatorëve, derisa ai ka pasur detyrë që të sjellë fotografi nga lufta në Kosovë.

“Ekspozita e ka për qëllim që të mbledhë disa prej tregimeve prej familjeve që kanë pësuar gjatë luftës dhe terrorit në kohën e ish-Jugosllavisë. Më ka pëlqy shumë që t’ia japim një dokumentim gjërave që kanë ndodhur, specifikisht për Kosovën. Në fotografitë e mia ka disa prej të cilave i kam bërë në një kohë më herët, por janë të disa personave e masakrave që kanë ndodhur dhe janë të vlefshme në ekspozitë. Pak a shumë është një kollazh i disa tregimeve dhe kjo ekspozitë nuk e ka tendencën që të mbledhë të gjitha storiet, por disa prej tyre t’i paraqes se çfarë ka ndodhur.  Në të njejtën kohë e keni edhe fotografinë e masakrës së Kizhovakut, hapësira e fundit ku janë gjetur mbetje të luftës. Mirëpo, ka akoma shumë storie që do të duhej të tregoheshin dhe vështirësia në këtë aspekt po vazhdon, shprehet ai.

Përcjellja e gjithë emocioneve, vetëm përmes fotografisë

“Është shumë e ndishme por me një moment e kom gjet si shumica e këtyre njerëzve e gjojnë një fuqi t’u mos pasë përgjigjje prej komunitetit ndërkombëtar e lokal. Shumë e ndishme është që t’i ktheshë njerëzit në kohë, por prej tyre e kom gjetë një energji e fuqi të madhe që dëshirojnë të tregojnë storien e tyre dhe që më kanë jep mundësinë e tyre me i fotografu. Ata e shohin këtë si një moment të plasimit të informatës, është e vështirë kur dëshiron t’i kthesh njerëzit në momentin kur ka ndodhur ngjarja, por kam gjetë forcë të madhe prej tyre për të realizuar fotografi. Ekspozita ka qenë e hapur edhe në Beograd, në Maqedoni dhe tani stacioni i fundit është Kosova, mendoj dhe besoj që është pritur shumë mirë”, thotë kuratori i ekspozitës.

Në anën tjetër, Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra” dha edhe disa të tjera të ndryshme për KultPlus rreth ekspozitës.

“Kjo ekspozitë është rajonale dhe ekspozita e parë është mbajtur në Beograd dhe para një muaj ose dy është mbajtur në Maqedoni, e ne kemi dashtë që për shkak të 10 dhjetorit, ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ta shfaqim edhe në Kosovë. Ekspozitën e kemi vendosur me qëllim në Grand, edhe të hapësirës edhe pse është në qendër edhe që ishte Manifesta. Jemi duke e diskutuar që ta bëjmë një ekspozitë virtuale që më pas ta publikojmë. Planet kanë qenë që fillimisht të përfundojë rrugëtimi i saj e më pas edhe të bëhet diçka tjetër”, deklaron Koliqi.

Lufta e papërfunduar, e shfaqur përmes fotografive për emocione të mëdha

“Puna e jashtëzakonshme, e fuqishme emocionalisht edhe estetikisht kreative, prandaj jemi krenarë me këta fotografë që kemi bashkëpunuar. Ekspozita tregon rrëfime prej këndvështrimeve të ndryshme, i prek masakrat masive, gërmimet, familjarët e pagjetur, viktimat civile, gratë e dhunuara etj, me këtë rast jemi munduar që fokusinë ta ketë viktimat civile të luftës prej momentin kur i kanë humbur më të dashurit e tyre deri në momentin e ditës se qysh i thojnë ata sot. Siç e dijmë disa prej kategorive të viktimave civile të luftës si gratë e dhunuara dhe familjarët e personave të pagjetur akoma janë në luftë, për ata lufta ende nuk ka përfundu”, shprehet ai.

Në fund, por jo nga rëndësia, Koliqi thekson gjithashtu se janë të lumtur që kanë përfshirë histori nga Maqedonia e Veriut në ekspozitat e tyre, pasi ato shpesh nuk përmenden.

“Jemi gjithashtu të lumtur dhe krenar që e kemi përfshirë edhe Maqedoninë Veriore në këtë ekspozitë, pasi kur e përmendim masakrat e ish-Jugosllavisë, e shohim që edhe aty ka viktima, jo me numër të njejtë po megjithatë ka”, thotë ai.

Organizuar nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, Integra, Iniciativa e Re Sociale, Aksioni Paqësor dhe Iniciativat Qytetare, me përkrahje nga PAX dhe ICTJ, kjo ekspozitë rajonale pari hapjen e saj të tretë në Prishtinë, pas hapjes së saj në Beograd dhe Shkup. Atë mund ta vizitoni çdo ditë nga ora 10:00 – 17:00, deri më 18 dhjetor 2022. /KultPlus.com

Babai ushtar bashkohet me djalin e tij të vogël pasi çliroi qytetin e tyre (VIDEO)

Ky është momenti kur një ushtar ukrainas u ribashkua me djalin e tij të vogël pasi ndihma e tij për të çliruar qytetin e tyre nga kontrolli rus rezultoi suksesshëm.

Raportet e mediave të huaja në pamjet emocionuese tregojnë babain, i veshur me rrobat e tij ushtarake, duke hedhur armën në tokë dhe duke u gjunjëzuar për të përqafuar fëmijën e tij, i cili vrapoi drejt e në krahët e tij.

Ky është vetëm një nga disa momente të tilla në qytetin e Izyum dhe një nga shumë të tjera në rajonin verilindor të Kharkivit.

Një tjetër video kapi momentin kur një nënë pa djalin e saj për herë të parë që kur fshati i saj, Kozacha Lopan, u pushtua nga Rusia gjashtë muaj më parë.

Ajo vrapoi drejt tij duke thënë: “E dija që do të ktheheshit në shtëpi, një nga lulet e mia lulëzoi”, tha ajo ndërsa përshëndeti djalin e saj.

Këto ribashkime u bënë të mundura për shkak të kundërofensive mahnitëse të fundit të Ukrainës, e cila ka rimarrë pjesë të mëdha territori.

Volodymyr Zelenskyy thotë se ushtria e tij ka çliruar një pjesë të madhe të territorit deri më tani këtë muaj.

Megjithatë, pas gati gjashtë muajsh nën pushtimin rus, Izium është lënë kryesisht i shkatërruar. /KultPlus.com

Zelensky i drejtohet G7: Na duhen armë, lufta duhet të mbarojë para dimrit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, iu bashkua sot virtualisht mbledhjes së G7 duke kërkuar nga krerët e shteteve që të furnizonin vendin e tij me më shumë armë në mënyrë që lufta tha ai të  mbarojë para dimrit. Ndër  të tjera presidenti ukrainas  kërkoi ndihmë për rindërtimin dhe për eksportet e grurit.

Pasi dëgjuan Zelenskyn, liderët e G7 dolën me një deklaratë të përbashkët duke premtuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën.

“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike dhe do të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Liderët  u zotuan se do të punojnë së bashku për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet edhe pasi të përfundojë lufta. prej kohwsh perwndimi dhe shba janë duke tentuar të shpërfaqin një front të bashkuar, pasi kancelari gjerman Olaf Scholz, ka thënë se sulmet e fundit  me raketa  në Kiev tregojnë se “ka qenë vendim i drejtë që të bashkohemi dhe të mbështesim ukrainasit”.

Pas Samitit të G7-ës, që këtë herë u mbajt  në Bavari, liderët e NATO-s do të takohen më pas në Spanjë. Sekretari i përgjithshëm i natos në deklaratë në pritje të këtij samiti tha se: “Rusia përbën kërcënimin më të madh dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë. Në samitin e nesërm ne do të biem dakord për një paketë të forcuar të ndihmës gjithëpërfshirëse për Ukrainën, duke përfshirë sistemet e sigurta të komunikimit dhe sistemet anti-drone. E gjithë kjo po bën një ndryshim në fushën e betejës çdo ditë”.

Stoltenberg tha gjithashtu se aleatët e NATO-s do të rrisin forcat e tyre të gatishmërisë së lartë nga 40,000 aktuale në “mbi 300,000” ndërsa forcojnë mbrojtjen e tyre në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. / KultPlus.com

Deputetja ukrainase: S’kemi shumë opsione në tryezë, agresori ka ardhur të na fshijë nga harta

Ukraina “duhet të mbijetojë” në luftën e saj kundër Rusisë dhe do të vazhdojë të “shtyjë” kundër Kremlinit, ka thënë deputetja ukrainase Ivanna Klympush-Tsintsadze, shkruan SkyNews.

Duke folur nga Kievi, ajo tha se luftimet dhe bombardimet ruse po vazhdonin në rajonet lindore, veriore dhe jugore të Ukrainës.

Gjithashtu shtoi se ishte e rëndësishme që kishte një “vrull të vazhdueshëm” mbështetjeje që vinte në Ukrainë, sepse “cilësia dhe sasia e armatimit” nga partnerët ishte “kritike”.

“Ne nuk kemi shumë opsione në tryezë, duhet të mbijetojmë. Në këtë luftë, agresori ka ardhur të na fshijë nga harta e botës dhe ne duam të jetojmë dhe të ndërtojmë vendin tonë për të ruajtur kombin tonë.

Ne duhet të fitojmë dhe kjo mund të kërkojë gjithë vendosmërinë, kjo mund të kërkojë të gjithë aftësinë tonë për të luftuar dhe për fat të keq tashmë duhen shumë jetë ukrainase nga ushtria dhe gjithashtu nga civilët”, tha ajo.

Deputeti ukrainas vazhdoi duke thënë se vizita e Boris Johnson në Kiev këtë javë ishte “jashtëzakonisht e vlerësuar” dhe se vendi ishte “mirënjohës për udhëheqjen e tij”. / KultPlus.com

Me fustanin e maturës në mes të rrënojave të shkollës, Valerie: ‘Russian world’ na prishi ëndrrat

Valerie, një vajzë ukrainase e cila me shumë emocione e priste mbrëmjen e maturës, nuk e kishte menduar se fustanin që e ëndrronte aq shumë, ta vishte në rrënojat e shkollës ku edhe kishte ndjekur mësimin, përcjell KultPlus.

“… Unë jam 16 vjeç… Kam studiuar në shkollën 134 në Kharkiv… ishim shumë miq nga shkolla, ishim si një familje e madhe… Me vajzat zgjidhnim fustanet dhe ishim shumë të emocionuara që të gjithë do të ishin shumë të bukur në ditën e maturës. Por tek ne erdhi ‘Rysskiy Ëorld’ dhe na prishi të gjitha planet që aq shumë i ëndërronim!”, ka shkruar Valerie, e cila ka realizuar një set të fotografive, për të treguar pjesën e errët që po e kalon Ukraina./ KultPlus.com

Përfundon beteja epike e Mariupolit, Ukraina humb qytetin

Forcat ukrainase kanë përfunduar “misionin e tyre luftarak” në qytetin e rrethuar të Mariupolit, sipas një deklarate nga ushtria e vendit, shkruan CNN.

Komandantët e njësive të vendosura në fabrikën e çelikut të qytetit Azovstal janë urdhëruar të shpëtojnë jetën e ushtarëve, thuhet gjithashtu në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Qindra ushtarë u evakuuan të hënën nga fabrika e çelikut, streha e fundit në një qytet që ishte bërë simbol i rezistencës ukrainase nën bombardimet e pamëshirshme ruse.

“53 ushtarë të plagosur rëndë u evakuuan nga Azovstal në një institucion mjekësor në Novoazovsk për kujdes mjekësor,” tha zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar,

“211 persona të tjerë u dërguan në Olenivka përmes korridorit humanitar”.

“Ukraina ka nevojë për heronjtë ukrainas të gjallë”, tha të hënën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një deklaratë për evakuimin, duke falënderuar ushtrinë dhe negociatorët ukrainas, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Kombet e Bashkuara.

Rreth 600 trupa mendohet të kenë qenë brenda fabrikës së çelikut.

“Dita e 82-të e mbrojtjes sonë po përfundon. Një ditë e vështirë. Por kjo ditë, si gjithë të tjerat, synon pikërisht shpëtimin e vendit dhe popullit tonë”, tha Zelensky.

Ministria ruse e Mbrojtjes kishte thënë më herët se ishte vendosur një armëpushim për të lejuar kalimin e ushtarakëve të plagosur ukrainas, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti./abcnews.al / KultPlus.com

Historia e pabesueshme e profesorit ukrainas që mban ligjërata nga llogoret

Do të kishte mbetur ndoshta e pashkruar historia e profesorit të psikologjisë sociale Fedor Fedorovich Shandor, në qoftë se një koleg i tij mos të kishte shkrepur një fotografi gjatë njërës prej leksioneve të përditshme që profesori po jep, duke e shndërruar atë pothuajse në një në hero kombëtar.

Kolegu i tij nuk është ndonjë profesor i universitetit të Uzhhorodit ku ai punon, por ushtari që ka pranë në llogoren e Izyum, në Donbas, një nga fushëbetejat më të ashpra në luftën e përgjakshme që po ndodh në Ukrainë.

Profesori nuk kishte qenë kurrë pjesë e ushtrisë, por më datë 24 shkurt, kur forcat ruse filluan pushtimin e vendit, hyri si vullnetar i brigadës së 101 të Transkarpacisë, rajonit jugperëndimor ukrainas, dhe më pas u transferua në Donbas.

Por bashkë me automatikun e tij, ai nuk harroi edhe smartphonin ku ka shkarkuar tekstet akademike, dhe nga ku çdo ditë mban leksione të rregullta nxënësve të tij, gjithmonë e më shumë të pranishëm dhe nga momenti që mësuan në çfarë situatë të vështirë ndodhet ai.

“Ndonjëherë leksioni ndërpritet nga shpërthimet, i them nxënësve pritni një minutë, dhe më pas rikthehem. Është një fushë, ajo e imja, shumë e specializuar, nuk mund të më zëvendësojnë kollaj”, thotë profesor Shandor.

Profesori-ushtar ka një marrëveshje me eprorët e tij ushtarakë për të luftuar vetëm nga ora 4 deri në 8 të mëngjesit ditën e hënë dhe të martë, në mënyrë që të japë leksion nga ora 8 deri në 12. “Nuk i marr orë luftimit, i marrë orë pushimit dhe gjumit”, saktëson profesori, i cili siguron se semestrin do ta mbyllë ai. Studentët e tij, ndërkohë, shpresojnë dhe luten që ta shohin edhe në sezonin e ardhshëm, por nga bankat e universitetit të tyre. /A2CNN / KultPlus.com

Ukraina thotë se rusët vranë afër 200 fëmijë që nga nisja e luftës

197 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Në një komunikatë për media, ajo shtoi se janë 351 fëmijë të tjerë që janë lënduar.

Zyra tha se shifrat më e lartë e vdekjeve të fëmijëve janë në rajonin e Donteskut, Kievit dhe Kharkivit.

Po ashtu, në komunikatë u tha se numrat s’janë përfundimtarë./Gazeta Express/ KultPlus.com

Më 28 mars 1989, në Kosovë shpërthyen protestat e mëdha kundër represionit të Serbisë

Në të gjithë Kosovën, më 28 Mars të vitit 1989, shpërthyen protestat e mëdha kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës nga parlamenti serb.

Kjo datë shënon edhe pushtimin e Kosovës nga forcat ushtarake serbe. Nga sulmet e ushtrisë serbe, që në ditën e parë të demostratave u vranë 22 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Kjo datë e furishme dhe e përgjakshme ka hyrë në historinë e Kosovës si ditë e manifestimit të vullnetit për pavarësi. Me gjithë dhunën e egër, kosovarët nuk e ndërprenë luftën dhe përpjekjet për lirie pavarësi. Dy vite më vonë, u shpall pavarësia e vendit, në vitin 1991, u përfundua referendumi, ku kosovarët shprehën dëshirën e tyre që të jetojnë të lirë dhe të pavarur në vatrat dhe në trojet e tyre.

Ndërkaq në vitin 1992 u zhvilluan zgjedhjet për deputet në parlamentin e Kosovës dhe për Kryetarin e Republikës. / KultPlus.com

Falë NATO-s, Kosova ‘rilindi’ më 24 Mars

Më 24 mars, pra 23 vjet më parë, me ndihmën e ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton u arrit marrëveshja për fillimin e bombardimeve mbi caqet serbe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kthesë e madhe për historinë e kombit shqiptar shënon 24 marsi, me ç’rast jetët e tyre u ‘ri-lindën’ përsëri. Bombardimet e NATO-së ndaj Serbisë treguan dhe vulosën miqësinë e aleatit më të madh që ka pasur ndonjëherë Kosova, pra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

78 ditë qëndrimi në shtëpi, më shumë vështirësi dhe çdo ditë duke u shqetësuar se dikush mund t’u trokas në derë dhe të marrë ndonjë anëtar të familjes – kjo ishte frika më e madhe që përjetoi i gjithë populli shqiptar para 23 viteve.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë 78 ditëve sa zgjatën bombardimet, forcat policore e ushtarake serbe vranë mijëra civilë, në mesin e tyre edhe 49 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë. /KultPlus.com

FOTO: Florion Goga (REUTERS)

‘Kush i copëton zorrët e foshnjës 18 muajshe?’

Shkruan: Arbër Selmani

Kush i copëton zorrët e foshnjës 18 muajshe?
Kush?

Kujt i plasë për foshnjën
së cilës
ia nënshkruam traktatin e vdekjes?

Kujt?

A del më shumë tym prej një ndërtese në gërmadha
A prej një Putini
A prej një njeriu mut
A prej një foshnje që lëshoi të fundit klithmë sot?

Kë ta kapë për fyti tash kjo nënë?
Kah t`ia mbajë këmbëve ky babë?
Kush numëron sa pika gjak u shtrydhën nga një kokë e vogël
e një foshnje?
Kush i pastron të vjellurat e fëmijëve poshtë bombardimeve?

Në Ukrainë, Kirillin sot e vranë, Kirilli është i vrarë
… se duhet të jetojë lufta, nafta, Kremlini, punëtorët nuklearë
… të përgjakur, rrugëve jetojnë ukrainasit me kokën e çarë.

A buzëqesh sot, nëse ka Zot, ajo dorë e prekur prej një nëne ruse?
… dora që vrau një bebe, një jetë të mbështjellur në çarshaf lufte
… dora ruse, dora ruse, e vran Kirillin, po vran fetuse.

Në Ukrainë, Kirilli është tash në nëntokë
… nuk i ha palla botës as atij mizorit për një fëmijë më pak
… Kirill, gjuaje Putinin me granata, prej ku fle tash, o foshnje pafat, gjuaje me gjak… /KultPlus.com

Dokumentari i Uta Ibrahimit po rrugëton nëpër festivale botërore, së shpejti edhe në Kosovë (VIDEO)

Dokumentari i realizuar për Uta Ibrahimin po shfaqet nëpër festivale të ndryshme botërore, derisa shumë shpejt do të vijë edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi të bërë në rrjete sociale, është publikuar edhe një video e shkurtër e dokumentarit që përshkruan rrugëtimin e alpinistes, teksa kjo e fundit përpiqet të bëhet personi i parë nga Kosova që ngjitet në majën më të lartë në botë, Everest.

“Për ne si regjisorë, historia e Utës kapërcen aventurën dhe sportin. Jo vetëm sepse Uta vjen nga Kosova dhe u rrit gjatë një konflikti të ashpër etnik, por edhe sepse, si një grua nga Kosova, asaj i është dashur të luftojë për sponsorizim dhe njohje gjatë gjithë jetës së saj. Uta tani ka ngjitur gjashtë nga 14 majat e botës 8000 metra dhe qëllimi i saj është të ngjitet në pjesën tjetër. Askush, mbi të gjithë ne, nuk do të habitej nëse ajo e arrinte këtë më shpejt se sa vonë”, thuhet në njoftimin e regjisorëve.

Por ky film i shkurtër, i prodhuar nga Vest Media në bashkëpunim me Fondacionin Utalaya, ka të bëjë me ngjitjen e saj në Everest, atë që e vendosi atë në hartën brenda dhe jashtë vendit.

Duke përdorur pamjet që janë xhiruar me Utën, familjen dhe miqtë e saj në Kosovë, të kombinuara me pamjet personale të Utës të filmuara gjatë ekspeditës, mendohet që të jetë një histori që do të frymëzojë gratë dhe vajzat e reja anembanë botës. /KultPlus.com

Shkrimtarët që kanë folur për luftën

Lufta është një ndër temat që ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve. Që nga koha e klasikëve deri te modernët, janë të shumtë ata që kanë shkruar për ndërveprime të rëndësishme, për operacione ushtarake, jetë në udhëkryq e në rrezik. Më poshtë është një listë me shkrimtarët që kanë shkruar për luftërat më të rëndësishme. Kjo është një mënyrë për të treguar se lufta është një e keqe që prej kohësh lë shenjë në historinë e njerëzimit dhe duhet evituar në mënyrë absolute.

Erodoti – Ky grek me origjinë nga Azia e Vogël, përkatësisht nga Alikarnazo, është babai i historisë së disiplinës. Erodoti është i njohur për përshkrimin e vendeve dhe njerëzve të njohur në udhëtimet e tij të shumta të kryera, për të cilat tregon në “Historitë”, pushtimi persian i Greqisë.

Jul Cezari – Kur flitet për luftën e përshkruar në libra, si mos të mendosh për veprimet e këtij romaku në fushatat e tij. Përveç “De bello Gallico”, ndoshta vepra e tij më e njohur, Cezari është edhe autor i një libri mbi Luftën Civile, “De bello civili”, dhe disa tregimeve sporadike, të përfshira në “Corpus Caesarianum”.

Nikolo Makiaveli – Historiani, shkrimtari, dramaturgu dhe politikani italian, që ka jetuar mes viteve 1400-1500, nuk ka folur për luftën vetëm në veprën e tij të famshme “Princi”. Makiaveli në fakt i ka dedikuar një reflektim të thellë këtij argumenti në “Mbi artin e luftës”, e shkruar në formën e dialogut me synim për “të vlerësuar nderin, për mos të përdhosur varfërinë, për të vlerësuar mënyrat dhe rregullat e disiplinës ushtarake, për të detyruar njerëzit për ta dashur njëri-tjetrin, për të jetuar pa etje, për të vlerësuar më shumë jetën private sesa atë publike”.

Sun Tzu – “Arti i Luftës”, padyshim një ndër manualet më antikë të strategjisë së historisë, ndër vite është transformuar në një tekst të vërtetë kulti për këdo që dëshiron të arrijë një objektiv në jetë. Filozofia e Sun Tzu është shumë e qartë: mënyra më e mirë për të fituar një luftë është se duhet ta sigurosh fitoren përpara se të nisësh të luftosh. Një objektiv i arritshëm, duke studiuar pikat e forta dhe dobësitë e kundërshtarit, duke ditur limitet e veta por dhe besimin në forcën e vet, duke befasuar në vazhdimësi armikun. Dhe mbi të gjitha, duke kontrolluar informacionet, sepse falë njohjes fati i betejës vërtet mund të shkruhet para nisjes së luftimit.

Emilio Lusu – Shkrimtarit italian (1890-1975) i shkon merita që ka treguar në mënyrë madhështore Luftën e Madhe, në romanin e tij “Një vit në pllajë”, e shkruar në vitin 1936, i shfaqur për herë të parë në Francë më ’38 dhe më pas në Itali në vitin 1945. Bëhet fjalë për një vit, qershor 1916-korrik 1917, kur sulmet e vazhdueshme, betejat absurde të iniciuara nga komandantë të mbushur me retorikë patriotike dhe vanitet, për episode shpesh tragjikë dhe ndonjëherë groteskë, përmes të cilave lufta tregohet në realitetin e tij me “përtaci e gjak”, me “baltë e konjak”. Me një stil të thatë dhe përshkrime historike, Lusu paraqet një rekuizitë të paepur kundër tmerrit të luftës pa tone polemike, duke i përshkruar me forcë dhe origjinalitet ndjenjat e ushtarëve, dramat e tyre, gabimet dhe veprimet çnjerëzore që do të çonin në disfatën e Kaporetos.

Ernest Heminguej – Shkrimtari dhe gazetari amerikan (1899-1961) ka treguar në librat e tij dramën e luftës dhe efektet e konfliktit mbi jetët e individëve të përfshirë. “Lamtumirë armë” është historia e dashurisë dhe e luftës që Heminguej kishte pasur gjithnjë dëshirë ta shkruante, i frymëzuar nga eksperiencat e tij në vitin 1918 në frontin italian, kryesisht për plagët e marra në Fosalta dhe pasionin për infermieren Agnes von Kurouski. Ndërsa në “Për kë bie kambana” është i riu intelektual amerikan Robert Jordan, vullnetar në ushtrinë antifashiste, i vënë në qendër të vëmendjes.

Italo Calvino – Shkrimtari italian (1923-‘85) ka qenë pjesë aktive e luftës partizane që e ka përmendur dhe në punët e tij. Në romanin e parë “Gjurmët e folesë së merimangës” konflikti tregohet përmes syve të Pin, një fëmijë i shkujdesur, që kaloi rastësisht nga lojërat e dhunshme të fëmijërisë në realitetin e egër të konfliktit. Bashkë me përmbledhjet e tregimeve bashkojnë elementet realistë me dellin e fantazisë, që më pas do të bëhet dhe karakteristika kryesore e të gjitha punët pasuese të Kalvinos. Botime Shqip /KultPlus.com

Përgatiti: Elona Qose

“Lufta është e kotë dhe e marrë, prova më mizore e idiotësisë së rracës njerëzore”

Oriana Fallaci, ishte një gazetare italiane. Një partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore ku ajo pati një karrierë të gjatë dhe të suksesshme gazetareske. Fallaci u bë e famshme në mbarë botën për mbulimin e saj të luftës dhe revolucionit, dhe intervistat e saj me shumë liderë botërorë gjatë viteve 1960, 1970 dhe 1980, shkruan KultPlus.

Këtu KultPlus ka përzgjedhur një nga thëniet e saj më të njohura:

“Unë jam këtu për të dëshmuar diçka tek e cila besoj: se lufta është e kotë dhe e marrë, prova më mizore e idiotësisë së racës njerëzore”. / KultPlus.com

“Nuk dua të vdes”, fëmija në Ukrainë rrëqeth me deklaratën: Kur do mbarojë e gjithë kjo (VIDEO)

Ukrainasit u zgjuan mëngjesin e sotëm dhe kuptuan se dita e mëparshme nuk ishte thjesht një ëndërr e keqe. Një numër i madh shpërthimesh të forta ranë nëpër Kiev në agim dhe sirenat e sulmit ajror u dëgjuan vazhdimisht në rrugë. Kjo ka bërë që qytetarët të marrin gjërat nga banesat e tyre dhe të largohen nga Kiev-i.

Brenda pak orësh ata u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të gjetur një strehë të sigurt dhe për t’i shpëtuar sulmit rus. Fëmijët e vegjël dhe të moshuarit janë në dëshpërim e duke qarë para kamerave që i filmojnë, nga frika e vdekjes.

Videot që po transmetohen në rrjetet televizive në mbarë botën janë shokuese. Një shembull tipik është ai i transmetuar nga Bloomberg, i cili tregon një fëmijë nga Ukraina me lot në sy duke thënë: “Nuk dua të vdes”.

Në një video tjetër nga Mariupol, një grua nuk di ku të shkojë për t’u shpëtuar. “Ku të shkojnë; “Më thuaj ku të vrapoj”, thotë ajo me frikën e pikturuar në sy.

Ushtari ukrainas nga fronti i luftës u dedikon video prindërve: Mami, babi ju dua (VIDEO)

Një video e ushtarit ukrainas ka prekur zemrat e të gjithëve, ndërsa ai përshëndet prindërit.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës nga Donbasi duke shkaktuar shtatë të vrarë dhe nëntë të plagosur deri më tani./ KultPlus.com

Letra që Saranda Bogujevci ia dërgoi gjyshes në mars të vitit 2002 teksa po shërohej në Mançester

Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të një jetimeje të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.

Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.

Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.

Më poshtë janë fragmente nga letrat që ajo i shkroi gjyshes së saj, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.

MARS 2002

E dashura gjyshe. Po ndjehem çuditshëm sot. Ne u kthyem dje nga aeroporti, por ende nuk më besohet që gjykimi përfundoi. Që kur serbët erdhën dhe na goditën me armë, unë doja që ata të dalin para drejtësisë. Kur i pashë ata ulur në sallën e gjyqit, në njërën anë u ndjeva e lumtur sepse mund të rrëfeja se çfarë na bënë ata ne, por në të njejtën kohë isha e frikësuar.

Ne ishim të shqetësuar se diçka mund të ndodhte përsëri. Ishte vështirë t’a kalonim tërë procesin sepse kishim nevojë për mbrojtje gjatë 24 orëve, që nga momenti kur shkuam në Beograd, deri në momentin kur u larguam.

Ishte disi e çuditshme sepse më duhej të dëshmoja ditëlindjen e nënës time dhe më kujtohet kur u ktheva me veturë, shikoja diellin dhe kisha vënë kokën në dritare. Ishte një ditë e shndritshme. Nejse, brenda një sekondi, ja ku ishte, atë e kisha përballë duke më buzëqeshur. Kisha harruar se sot ishte ditëlindja e saj, megjithatë e kisha rregjistruar në kalendarin e celularit në mënyrë që ta kujtoja. Kur e ndeza celularin, u ndez alarmi me mesazhin, “Ditëlindja e mamit”.

Na u desh të nisemi dhe më u kthyem përsëri në shtëpi, këtu në Mançester. Kam kaluar shumë kohë duke menduar se çfarë ndodhi gjatë vitit 1999, dhe tani, të paktën ndjehem se mund të eci përpara. Më duket se është në rregull të eci përpara sepse njerëzit që më bënë këtë mua, ty, tërë atyre femrave dhe fëmijëve të tjerë, tashmë janë dënuar. Më mungon. Me dashuri, Saranda. /KultPlus.com

Poezia e Vlora Konushevcit botohet në Amerikë: Po e vendosim historinë tonë në harta ndërkombëtare

Poetja Vlora Konushevci ka bërë të ditur se ka dalur në shtyp antologjia me titull “Alternative War” nga shtëpia botuese “B Cubed Press” në Shtetet e Bshkuara të Amerikës, ku prezantohet ajo dhe poezia e saj për luftën në Kosovë, shkruan KultPlus.

Konushevci ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në llogarinë zyrtare “Facebook”, ku edhe ka treguar emocionet që i ndjeu në publikimin e poezisë së saj.

“Ndoshta s`mund të bëjmë shumë, por mund të bëjmë çdo ditë ngapak që shtetin dhe historinë tonë ta vendosim në harta ndërkombëtare për të mirë”, shkroi ajo.

Kosova përmendet edhe në njoftimin e botuesit ku ndër tjera thuhet: “Alternative War” është një përzierje e fantashkencës dhe ngjarjeve aktuale. Lufta dhe pasojat e saj i lidhin fort këto histori në një vëllim të përpiluar me shumë kujdes. Autorët që janë luftëtarë, diplomatë, politikanë, mësues e shumë çka tjetër, këtu rrëfejnë copëza të historisë së tyre.

Linkun në Amazon për blerje të librit është në vijim si dhe poezia e autores në anglisht mund ta shihni duke klikuar KËTU. /KultPlus.com

May be an image of text that says 'Cubed Press Presents Alternative War Debora Godfrey Bob Brown'
Libri në të cilin përmendet lufta në Kosovë

Nis procesi për dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qindra monumenteve të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se Qeveria ka votuar themelimin e komisionit shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë luftës më 98/99, përcjellë KultPlus.

“Ky është moment i rëndësishëm, pasi zyrtarisht e nisim procesin për të kërkuar llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qëllimshëm të qindra monumenteve të Kosovës”, ka shkruar Çeku.

Tutje ai ka bërë të ditur se anëtarë të komisionit do të jenë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe profesionale, si dhe profesionistë ndërkombëtarë.

“Komisioni do të marr për bazë të gjitha dokumentimet që janë kryer deri sot, ndërsa do të ketë për detyrë hartimin e inventarit shtetëror me të gjitha monumentet e shkatërruara gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999. Mbi këtë dokument dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare do të përpilohet edhe kërkesa për dëmshpërblim”, thuhet në njoftimin e tij. / KultPlus.com