Dorëzohen mjetet financiare për Ferdonije Qerkezin, Lila: I ka 15 milion djem e çika

Janë grumbulluar mjetet financiare në ndihmë ndaj Ferdonije Qerkezit, bodrumi i shtëpisë-muze të së cilës u dëmtua nga vërshimet, shkruan KultPlus.

Për shkak të dëmtimit të gjësendeve të mbetura nga bashkëshorti dhe katër djemtë e vrarë e të zhdukur, Shpend Lila dhe Valon Canhasi kishin nisur iniciativën që tanimë po rezulton me sukses, , teksa përbrenda 36 orëve janë grumbulluar 7,300 Euro.

“Nona Ferdonije po ju përqafon dhe falenderon të gjithëve që u bashkuat në nismën tonë për ta ndihmuar pas vërshimeve të fundit. Dhimbjen nuk ja largojmë dot, por pak buzëqeshje e ngrohtësi në shtëpi i sollëm”, ka shkruar Lila.

Ai ka treguar se shuma e mbledhur është dorëzuar sot në shtëpinë e Qerkezit në Gjakovë .

“Nona Ferdonije nuk është vetëm dhe nuk do të jetë asnjëherë. I ka 15 milion djem e çika nga e mbarë bota”, ka thënë Shpend Lila.

Kësaj iniciative në ndihmë ndaj gruas së hekurtë iu bashkua edhe Vasfije Krasniqi Goodman. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi i bashkohet iniciativës për ndihmë ndaj Ferdonije Qerkezit

Ferdonije Qerkezi e cila njihet ndryshe edhe si gruaja e qëndresës, e cila prej pasluftës jeton me dhimbjen e pesë anëtarëve të vrarë dhe të zhdukur, së fundi është goditë edhe nga vërshimet e ujit, ku pjesa e bodrumit ku ruante kujtimet e të dashurve të saj janë marë nga uji, shkruan KultPlus.

Dhe gjendja e krijuar në shtëpinë e saj ka bërë që të iniciohet grumbullimi i mjeteve për ti dalë në ndihmë Ferdonisë.

Shpend Lila dhe Valon Canhasi kanë iniciuar grumbullimin e mjeteve. E kësaj nisme i është bashkuar edhe Vasfije Krasniqi Goodman.

Këtë e ka bërë të ditur Shpend Lila nëpërmjet një postimi në Facebook ku dhe ka njoftuar se mjetet cash do të pranohen dhe regjistrohen në emrin e tij në Innovation Centre Kosovo.

Më poshtë mund të lexoni postimin e tij të plotë:

Zemra mal. Vasfije Krasniqi Goodman viktime e luftes, ne ndihme per zonjen Ferdonije. Ky popull ka ❤ te madhe fort.

//

Te dashur, ESKALOI situata per te mire ne aksionin tone te perbashket per me i ndihmu zonjes Ferdonije Qerkezi. Meqe nuk kemi mrri mi hape llogari ne banke, e duhet me i ndihmu shpejt, mjetet cash do ti pranojme dhe regjistrojme ne emrin tim, ne adresen e punes Innovation Centre Kosovo, Rr. Rexhep Mala 28A ne Prishtine, prej neser (e merkure), deri te premten ne ora 12:00.

Transferet mund ti beni nga jasht ne Western Union, ne emrin tim, poashtu.

Lista e dhuruesve do te publikohet, me perjashtim te disave qe kane kerkesa tjera.

Dashni/ KultPlus.com

Zemra mal. Vasfije Krasniqi Goodman viktime e luftes, ne ndihme per zonjen Ferdonije. Ky popull ka ❤ te madhe…

Posted by Shpend J. Lila on Tuesday, January 12, 2021

Iniciohet grumbullimi i mjeteve për Ferdonije Qerkezin

Ferdonije Qerkezi e cila njihet ndryshe edhe si gruaja e qëndresës, e cila prej pasluftës jeton me dhimbjen e pesë anëtarëve të vrarë dhe të zhdukur, së fundi është goditë edhe nga vërshimet e ujit, ku pjesa e bodrumit ku ruante kujtimet e të dashurve të saj janë marë nga uji, shkruan KultPlus.

Dhe gjendja e krijuar në shtëpinë e saj ka bërë që të iniciohet grumbullimi i mjeteve për ti dalë në ndihmë Ferdonisë.

Shpend Lila dhe Valon Canhasi kanë iniciuar grumbullimin e mjeteve. KultPlus ju sjell të plotë postimin e Shpend Lilës.

Bashke me

Valon Canhasi

po e fillojme nje aksion te shpejt per me ndihmu zonjen Ferdonije Qerkezi, te ciles i eshte vershuar shtepia nga reshjet e fundit ne Gjakove. Jo pse familje tjera nuk kane nevoje, por zonja eshte e vetmuar ne shtepi muze me 5 anetare te vrare e te zhdukur.

Secili qe ka mundesi po i dhurojme nga 50 Euro ose me pak e me shume sipas mundesive, te cilat bashke i dergojme ne Gjakove te premten. Lajmerohuni ne mesazh. Faleminderit!

Listen e dhuruesve do ta publikojme per hater te transparences./ KultPlus.com

Vërshohet shtëpia e Ferdonije Qerkezit, uji ia dëmton kujtimet e djemve të zhdukur (VIDEO)

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar përmbytje në Kosovë. Uji ka hyrë nëpër shtëpitë e qytetarëve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe prishjes së rrjetit të kanalizimit, uji ka depërtuar edhe në shtëpinë muze të Ferdonije Qerkezit nga Gjakova, e cila në luftën e Kosovës ka të vrarë bashkëshortin dhe katër djemtë.

Qerkezi ka deklaruar për mediat lokale se reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme në podrumin e shtëpisë, ku po i ruante mjetet e punës së djemve të saj, transmeton KultPlus.

“Mbrëmë prej orës 8 ka fillu kthimi i kanalizimit deri sot në mëngjes, tash ka nisë pak me u largu, edhe para dy ditëve tjera ishte shi I madh. Mbrëmë jam frikësu se do të hyjë edhe në katin e parë. Janë mjetet e djemve që I kam ruajt në podrum. Mjetet e fëmijëve që kanë punuar në qebaptore janë dëmtuar”, ka deklaruar Qerkezi.

Ajo ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndihmë nga askush.

“Nuk kam pasur ndihmë, para dy ditëve e kam marrë një punëtore qe vetë e paguaj. Kisha kërku ndihmë që kur të largohet uji me ardhë dikush me e pastru këtë vend, me i shiku këto çka janë dëmtu, duhet me i gjuajt po s’kemi çka me bë tash”, ka thënë Qerkezi.

Ndryshe, reshjet e mëdha të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në shumicën e komunave të Kosovës.

Si pasojë, shumë shtëpi, banesa e rrugë janë mbushur me ujë. / KultPlus.com

FSK viziton Ferdonijen, Zonjën e Hekurt që lufta ia mori katër djemtë

Në këto ditë festash kur të gjithë mblidhen me më të dashurit e tyre, janë mjekët e policët ata që pikërisht në këto ditë mobilizohen më shumë se kurrë për t’u vënë në dispozicion të popullit, shkruan KultPlus.

Natën e kaluar të ndërrimit të motmoteve, ishte FSK-ja ajo që i bëri vizitë Ferdonije Qerkezit.

Vetë Ferdonija ka publikuar dy fotografi me disa pjestarë të FSK-së që i kishin bërë vizitë në shtëpinë e saj. ‘Falemnderit për vizitën FSK’, kishte shkruar ajo në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Artan Korenica me film për Ferdonijen, shpërfaq pritjen e saj

Xhemile Hysenaj

Filmat dhe dokumentarët që shpërfaqin dëmet dhe dhimbjet që la lufta e fundit në Kosovë, nuk janë kurrë pak, madje ka prej atyre që mendojnë se nuk mjafton asnjëherë që përmes artit, të vihet në pah ajo që kosovarët përjetuan gjatë luftës.

Së fundi, fotografi i njohur Artan Korenica, ka paralajmëruar një film të metrazhit të shkurtër, ku do të shpaloset një ditë e zonjës Ferdonije Qerkezi. Një ditë vetmie, dhimbjeje e vuajtje të kësaj zonjeje që përjetoi humbje të mëdha gjatë luftës, shkruan KultPlus.

Korenica i cili kësaj radhe vjen si regjisor dhe skenarist i këtij filmi të metrazhit të shkurtër, ka treguar për KultPlus se ky projekt është ideuar qysh moti, dhe se ky film dallon shumë nga filmat tjera që deri tashmë janë realizuar mbi jetën e Ferdonije Qerkezit.

‘Nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur pritet të publikohet ky projekt, pasiqë pretendojmë ta shfaqim njëherë në festivale ndërkombëtare, pastaj edhe në Kosovë’, ka thënë tutje Korenica për KultPlus.

Protagonistja e vetme e këtij filmi është aktorja Arta Muçaj, përmes së cilës do të paraqitet Ferdonija në pritje, në një pritje e cila nuk përfundon kurrë.
Korenica ndër të tjera ka treguar se filmi do të realizohet në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit, gjë e cila është aprovuar nga kjo e fundit.

‘Ky projekt dallon shumë nga projektet tjera, ka një skenar ndryshe dhe për mënyrën se si e kam trajtuar këtë temë’, shprehet Korenica.

Secili film zakonisht realizohet për të shpalosur diçka, për të përçuar një mesazh që supozohet të prekë direkt tek publiku. Sigurisht se edhe ky projekt tenton të përçojë mesazhin e vet, i cili sipas Korenicës ky projekt më shumë se që përçon një mesazh, parashtron pyetjen: Ku janë ata që i keni marrë në shtëpinë e tyre?! / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi i drejtohet Baton Haxhiut: Sa të jemi ne gjallë, ti nuk do të falësh gjakun e vuajtjet tona

Deklarata e fundit e Baton Haxhiut që të amnistohen krimet e luftës, së fundi ka ngjallë reagime të shumta, shkruan KultPlus.

Një reagim kundër Baton Haxhiut sapo e ka publikuar Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ka përzgjedhë një fotografi shumë të ndjeshme, ku shihet bashkë me Ferdonije Qerkezin, e cila ka humbur më të afërmit e saj në luftën e fundit.

Kësaj fotografie, Vasfije Krasniqi i ka bashkëngjitë edhe statusin e saj “Sa të jemi ne gjallë ti të falësh gjakun e vujtjet tona Jo”, dhe e njëjta ka bashkëngjitë edhe nja fotografi të Haxhiut./KultPlus.com  

Ferdonije Qerkezi: Qysh me i falë kriminelët serbë, ma kanë humbë një shtëpi me njerëz

Në ditën e të pagjeturve, Ferdonije Qerkezi që gjatë luftës ka humbur burrin me katër djemtë, ka folur në emisionin Frontal në T7 edhe për deklaratat e fundit lidhur me amnistinë e krimeve të luftës, shkruan Gazeta Express.

Qerkezi ka deklaruar se nuk mund të falë dikë që ja ka vrarë një shtëpi me njerëz.

“Unë nuk e ndëgjova direkt, po në rrjete sociale komentet. Unë si nanë, kur ai si ka fol ai e ka përly veten, pastaj edhe kombin shqiptar, na sjemi shku në Serbi me na mbytë, ata janë ardhë te na na kanë hy nëpër shpija, na kanë vjedhë na kanë djeg, qysh falet ai? Edhe pse nuk të ka ra ty duhesh me ma ditë. Një shpi ma ka hup qysh falet? Ai vjen apet vepron si para 21 vjetëve. Unë e kam ni veten të thyme, me i fol ato fjalë si një i shkolluar, jam habitur shumë. Zotit po ja lo atë punë”, ka deklaruar ajo.

E njëjta thotë se ata që ja vranë burrin e fëmijet janë të lirë, e se disa herë rrëfimin e saj e ka dhënë edhe para hetuesve ndërkombëtar.

“Janë të lirë, kerrin e bashkëshortit tem e kanë pa në veri të Mitrovicës, as kur ka qenë UNMIK’u ktu as EULEX’i.  Unë kam dëshmi, sa polici ndërkombëtar është ardhë në shpi te unë s’mundesh me marrë me mend”, shtoi ajo.

Qerkezi ka treguar edhe se si i kalon ditët, e për një gëzim që e ka pasur pas shumë vitesh.

“Një ditë e jemja është shumë  e vështirë, kur është një shpi me tetë anëtar e me mbetë vetëm, po tash unë i kam gratë e vëllezërve, kojshitë, mahallën, një ditë kur s’dal në oborr më marrin në telefon e më thirrin me pi kafe.

Mas 20 vjete kum pas një gëzim, në përvjetorin e të zhdukurve në shkollë të Gjimnazit e kishin pas përgatit një program të mirë, që i kanë përkujtu nxënësit që janë kanë në gjimnaz në 99”, ka thënë ajo në Frontal./GazetaExpress/ KultPlus.com

Ferdonije Qerkezit, familja e burrit deshi t’ia merrte shtëpinë: Një gruaje nuk i takon hisja e burrit

Pak njerëz e dinë që kjo grua u desh të përballej në gjyq me kunetërit e saj që donin t’ia merrnin shtëpinë me bindjet e prapambetura se një gruaje, veç pse është grua, nuk i takonte hisja te burri. Pa menduar bile as për dhimbjen e saj, dhe për kujtimet që ajo i mbron me fanatizëm edhe pas njëzet vitesh.

Ferdonije Qerkezi, vazhdon dhimbshëm duke treguar se ç’përjetoi nga familja e bashkëshortit, e cila, në një realitet normal, do të duhej t’i gjendeshin pranë.

Ferdonije Qerkezi: Por, ndërkohë, unë jam hidhëruar shumë. Më rëndë m’u ka dok kjo se ajo çfarë më bënë serbët. Se serbët m’i morën djemtë se kishin synim me i ba zullum shqiptarëve. Pse çohet K. e më qet në gjyq me vëllezërit e vet nuk e kam mendua. Më shumë më ka mbështet mëhalla, Gjakova e krejt Kosova se ata. Vëllau i madh M., H., K. dhe motra Halimit. E të motrës madhe Halimit më kanë mbështetur shumë, por jo edhe të motrës dytë. Kur kam marrë unë me bo pllakën që u shpall shtëpia muze ata kanë reaguar. Pllaka është zyrtarisht e bërë dhe është shpallur shtëpia muze, kur ka qenë ish-ministri Haraqija. Aty kanë reaguar këta dhe kam pasur lloj – lloj provokimesh. Më kanë qit në gjyq për me ma marrë pasurinë me idenë se s’ka kush ta trashëgojë tash. Edhe këtu jam lënduar më së shumti. Faleminderit prej fqinjëve dhe lagjes time, popullit të Kosovës dhe Gjykatës që më kanë mbështetur dhe sot jam këtu ku jam. Më shumë përkujdesën të huajt se këta.

Pas kësaj bisede të përshkuar me emocione, zonja Ferdonije, vazhdoi të na prezantonte me shtëpinë e saj muze, e cila ngërthen në vete një histori të dhimbshme të së kaluarës, e cila duhet të na shërbejë si mësim për ta vlerësuar më shumë të sotmen që po e jetojmë./Mekuli Press

Albin Kurti: Dhembjet e vuajtjet e nënës Ferdonije, ne s’arrijmë t’i marrim me mend

Në ditën që u mbushën 21 vjet prej kur forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë dhe burrin: Artanin, Edmondin, Armendin, Ardianin dhe Halimin, Ferdonije Qerkezit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka realizuar një bisedë me Ferdonijen.

KultPlus ju sjell të plotë postimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Sot pasdite bisedova me zonjën Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, në ditën që u mbushën 21 vjet prej kur forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë dhe burrin: Artanin, Edmondin, Armendin, Ardianin dhe Halimin.

Eshtrat e Artanit e Edmondit janë kthyer në vitin 2005. Asgjë nuk dihet sot e kësaj dite për fatin e tre të tjerëve.

Të pagjeturit janë plagë që kullon ankth. Dhembjet e vuajtjet e nënës Ferdonije sigurisht që ne s’arrijmë t’i marrim me mend.

Ky është një krim i vazhdueshëm pasi që është drejtësi e munguar. Të pagjeturit duhet të jenë çështja e parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi./KultPlus.com

Filmi dokumentar ”Ferdonija”, një histori përtej vuajtjes e sakrificës

Filmi dokumentar ”Ferdonija” me regji të Gazmend Bajrit, tregon historinë e gruas më të fortë që njeh historia e luftës së fundit në Kosovë. Një nënë, fëmijet e burri i së cilës u vranë në mënyrë mizore.

Filmi është realizuar në vitin 2016. Plot 16 vite pas luftës, e edhe pas 16 viteve frika, trauma, dhimbja e vuajatja vazhdojnë të jenë të freskëta në mendjen e viktimave të luftës. Ky film është shumë më shumë se një dokumentar 30 minutësh, ku si protatgoniste kryesore ka një grua jeta e së cilës ka përjetuar shumë vuajtje. Ky 30 minutësh është jeta e vërtetë e Ferdonije Qerkezit, shkruan KultPlus


Një rrëfim vizual ku dokumentari bardhë e zi tregon kujtimet e shtypura. Vuajtjet e Ferdonijes vinin shpesh edhe nga rrethana të tjera, sikur të mos mungonte dhimbja për familjen e humbur.

Duket sikur kjo grua në shpirtin e saj, përveç dhimbjes, mban edhe mëkatet e gjithë njerëzimit, jo vetëm të atyre që ikën, por edhe të atyre që ende nuk kanë lindur. Protokolli i saj shpirtëror sikur ecën mbi dy shina që nuk takohen kurrë: në njërën anë dhimbja dhe ngushllimi në deficit, kurse në anën tjetër poshtërsia që nuk njeh dhimbje. Në këtë kontekst, po ta parafrazojmë Heraklitin, atëherë do të thoshim se këtu: të vdekurit janë bashkë në botë, kurse të gjallët janë veç.

Bashkangjitur gjeni linkun e filmit dokumentar ”Ferdonija” /KultPlus.com

Ferdonije Qerkezit i është ndalë ndihma sociale prej 65 eurove

Gruaja që është bërë sinonim i vuajtjes në Gjakovë, Ferdonije Qerkezi, ka rrëfyer për humbjen e gjithë familjes së saj nga forcat e ushtrisë serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo  në emisionin “Blic Interview me Astrit Gashin” ka thënë se nga shteti merr vetëm 250 euro në muaj, derisa shton se i është ndërprerë ndihma sociale.

“Unë i marr vetëm 250 euro ndihmë nga shteti dhe kam një qira prej 150 eurosh. Me ato që marrë nga qiraja mbijetoj, por nga Qeveria dhe Kuvendi nuk marr asnjë ndihmë”.

“Kur kam filluar ta marrë këtë shumë, ma kanë ndërprerë ndihmë sociale prej 65 eurosh në muaj. Ndonëse e kam pasur të garantuar që ta marrë për pesë vjet, unë e kam marrë për tre  vjet dhe më pas ma kanë ndërprerë”.

Ajo ka thënë se për të mbijetuar i ndihmojnë edhe familjarët.

“Kam vëllezër që më ndihmojnë, disa në Gjakovë dhe Prishtinë. Njëherë për njëherë jam mirë. Kam dëshirë vetëm të më vizitojnë njerëzit. Kudo që shkoj nëpër mjekë, si në Gjakovë ashtu edhe në Prishtinë, më përkrahin  dhe nuk më lënë të presë në radhë”.

Qerkezi ka edhe probleme shëndetësore, por thotë se dhimbja më e madhe mbetet familja.

“Me shëndet fizik jam mirë, por brenda copa-copa. Vuaj nga sheqeri, tensioni, dhimbje në trup, por edhe me dhimbje të madhe të familjes. Kështu që mos vet ku mbeten, çka u bë me ta, çfarë risie po na vjen, s`di çka të them më tepër”.

Mos luani me Ferdonije Qerkezin

Veton Surroi

Nuk do ta themeloni Tribunalin. E as do ta bëjë këtë dikush në emër tuajin. Po përpiqeni ta kërkoni vëmendjen e Ferdonije Qerkezit dhe familjarëve të tjerë të viktimave, për të treguar se ja, pas njëzet vjetësh, do të luftoni për drejtësi. Dhe, kur nuk do të themelohet Tribunali, do ta fajësoni bashkësinë ndërkombëtare, këtë masë amorfe, e cila edhe ashtu është fajtore për çdo gjë tjetër, për liberalizim vizash e më së shumti për faktin që ka themeluar një Gjykatë Ndërkombëtare, e cila duhet të merret me akuzat ndaj jush

Mos luani me Ferdonije Qerkezin.

Ka njëzet vjet që i kanë trokitur në derë njerëz me uniforma të shtetit serb dhe ia kanë marrë burrin dhe tre djemtë. Dy prej tyre janë kthyer si eshtra, në kamionë të ndërmjetësuar prej Kryqit të Kuq. Dy meshkujt e tjerë të shtëpisë janë eshtra ende të paidentifikuar, qoftë në njërën prej varrezave masive në Serbi, qoftë si eksponate morgu, duke pritur ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq.

Prej njëzet vjetësh, ajo shtron darkën për të katërt. I pret në shtëpi të vet, ku e kanë vendin. Është komunikimi i saj i vetëm me ta. Është pika e dinjitetit që e mban të presë njërin dhe pastaj mëngjesin tjetër.

Mos u përpiqni ta mashtroni, tash pas njëzet vjetësh, duke i thënë se do ta themeloni një Tribunal ndërkombëtar për krimet që Serbia i bëri në Kosovë. Mos e ngacmoni plagën e saj, duke i premtuar se ju, me Rezolutën tuaj, që do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, do t’i sillni para drejtësisë përgjegjësit për zhdukjen e burrit dhe tre djemve të saj.

Nuk e keni as edhe më të voglën kompetencë për të themeluar një Tribunal ndërkombëtar. E përfaqësoni një shtet që me keqdashësit e jashtëm dhe keqbërjen tuaj është aq i izoluar sa që nuk bën pjesë në sistemin e organizuar ndërkombëtar. Një shtet që është në OKB e Këshill të Evropës, madje një në BE, do të hiqte të zitë e ullirit për të krijuar një Tribunal ndërkombëtar; ato krijohen vetëm me aleanca të forta shtetesh, vendime të Këshillit të Sigurimit. Një shtet si ky yni e ka gëzimin më të madh kur anëtarësohet në ndonjë federatë sporti; me distancë kozmike prej shkronjës T të tribunalit.

Nuk do ta themeloni Tribunalin. E as do ta bëjë këtë dikush në emër tuajin. Po përpiqeni ta kërkoni vëmendjen e Ferdonije Qerkezit dhe familjarëve të tjerë të viktimave, për të treguar se ja, pas njëzet vjetësh, do të luftoni për drejtësi. Dhe, kur nuk do të themelohet Tribunali, do ta fajësoni bashkësinë ndërkombëtare, këtë masë amorfe, e cila edhe ashtu është fajtore për çdo gjë tjetër, për liberalizim vizash e më së shumti për faktin që ka themeluar një Gjykatë Ndërkombëtare, e cila duhet të merret me akuzat ndaj jush.

Tribunali dhe Rezoluta për ju janë tema që zgjasin, në rastin më të mirë, disa ditë. Brenda atyre ditëve Tribunali do të zërë më pak vend se skandali i radhës që e keni prodhuar, bankrotimi i Telekomit, punësimi i një teze a balldëske, a vëllai, a djali të axhës, falje të milionave eurove për këtë gabim dhe miliona të tjerë për atë gabim. Pushteti juaj e ka të garantuar mundësinë që një temë kaq e madhe si Tribunali e gjenocidi ndaj këtij populli të fshihen brenda një duzine skandalesh që i prodhoni çdo ditë, sepse pushteti juaj është i ndërtuar mbi padrejtësi dhe nuk mund të prodhojë gjë tjetër, pos padrejtësive.

Në themelet e pushtetit tuaj janë vrasja e civilëve serbë e romë dhe e kundërshtarëve politikë shqiptarë, vjedhja e uzurpimi i çdo gjëje që është publike dhe çdo gjëje private që është e mundur të gllabërohet me kërcënim e dhunë. Në themelet e pushtetit tuaj është vjedhja industriale e votave dhe shteti i kapur. Në themelet e pushtetit tuaj është shkatërrimi i arsimit dhe shëndetësisë, është sundimi i shtresës më injorante të shoqërisë, është degradimi i shprehjes bazike kulturore, deri te gjuha amtare, në nivelin ofendues të primitivizmit. Në themelet e pushtetit tuaj është besimi se çdo gjë shitet dhe blihet: vota, historia, statusi shoqëror, shteti, tërësia tokësore e vendit. Në themelet e pushtetit tuaj është besimi se nuk ka nevojë për sundim të ligjit, ka nevojë për sundim tuajin.

Si mund të kërkoni drejtësi e Tribunal e Rezoluta ju, që sundoni mbi themele të padrejtësisë?

Dhe për çka i kërkoni?

Për Ferdonije Qerkezin jo. Dini edhe vetë se gjasat që të bëni ndonjë gjë me rezoluta të kota të Kuvendit janë të barasvlershme me zero.

Keni pasur mundësi të pyesni për burrin dhe djemtë e saj. Për njëmbëdhjetë vjet pavarësie të vendit, nëse jo më herët, keni mundur të shtroni së paku në një vend pyetjen, se ku i ka Ferdonije Qerkezi djemtë dhe burrin? Keni mundur ta bëni kur diskutonit për Gjashtë pikat e Ban Ki Moon-it, për targat e veturave të Kosovës e Serbisë që mund ta kalojnë kufirin, për rrethrrotullimin e Mitrovicës veriore dhe të gjitha kotësitë e tjera për të cilat keni biseduar. Për tërë një dhjetëvjetësh të shpenzuar në degradimin e shtetësisë e pavarësisë së Kosovës, deri në hapjen e çështjes së kufijve të saj, keni pasur mbi 3.600 ditë për ta ndarë një, së paku një, në të cilin do të pyesnit se ku i ka djemtë Ferdonije Qerkezi.

Keni mundur që në vend se të bisedoni për çdo gjë tjetër me përfaqësuesit e Serbisë, të bisedoni për të zhdukurit, përfshirë edhe ata të zonjës Ferdonije; që të gjithë të zhdukurit, romët dhe serbët dhe shqiptarët. Nuk e keni bërë, sepse nuk keni menduar për shtetin, keni menduar për pushtetin, e pushteti juaj, siç thashë, i ka themelet në padrejtësi. Dhe, padrejtësia e radhës do të jetë që për djemtë e Ferdonije Qerkezit të miratohet një Rezolutë e radhës, një që nuk obligon për gjë tjetër pos për harresë.

Mos luani me zonjën Ferdonije e as mos e ofendoni, siç bëni për 20 vjet. Tragjedia e familjes së saj dhe tragjedia e familjeve të Kosovës, të grave e fëmijëve dhe burrave të këtij vendi, pa dallim kombi a feje, është e integruar në themelet e shtetit të Kosovës. Të luash me ta është të luash me themelet e shtetit.

Dhe shteti i Kosovës u obligohet të gjallëve dhe të vdekurve të saj: është përgjegjësi e shtetit të Kosovës të kuptojë se kush i mori djemtë dhe burrin e Ferdonije Qerkezit, ku i çoi, si i vrau, me urdhër të kujt? Është përgjegjësi e shtetit të Kosovës që t’i kthejë djemtë e Ferdonije Qerkezit në paqen e njohurisë dhe të drejtësisë; ata nuk bënë të rrinë as në harresë, e as në mungesë llogaridhënie.

Nuk ekziston rrugë e shkurtër as për paqe e as për pajtim me Serbinë. Nuk ka rezolutë e ide 24-orëshe për tribunale e as këmbime territoresh, që do ta krijojë paqen e qëndrueshme mes shteteve e kombeve.

Është një rrugë e mundimshme dhe e pazëvendësueshme. Një pjesë e rëndësishme e asaj rruge kalon kah kuzhina e Ferdonije Qerkezit. Mos luani me të, mos luani me klithmën e heshtur për drejtësi e paqe.

Veton Surroi: Për të hyrë në Gjakovë duhet kaluar për bekim te tryeza e Ferdonije Qerkezit

Shumë qytetarë të Gjakovës kanë protestuar sot kundër ardhjes së paralajmëruar të pelegrinëve serbë.

Qytetarët protestuan me parullat “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”. Edhe shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, ka dalë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë.

Pas kësaj Policia e Kosovës ka ka konfirmuar se pelegrinët serbë kanë anuluar vizitën në Gjakovë.

Ndërkaq para disa minutash nëpërmjet rrjetit social Facebook, publicisti Veton Surroi, ka reaguar përmes një postimi ku e ka publikuar edhe fotografinë e Ferdonijë Qerkezit buzë tryezës, e vetme.

Po sjellim statusin e plotë të Surroit:

“Për të hyrë në Gjakovë duhet kaluar për bekim te tryeza e Ferdonije Qerkezit.
Për të bërë marrëveshje me Kosovën, njësoj”, ka shkruar ai./ KultPlus.com