Tavolina e shtëpisë së Ferdonije Qerkezit ju pret në Tiranë në 26 Qershor

Tavolina e shtëpisë së Ferdonije Qerkezit është e zbrazët tash e 24 vite. Më datë 26 Qershor ju mund ti bashkoheni tavolinës me zonjën Ferdonije Qerkezi.  

Dhoma origjinale e ndejës së shtëpisë Qerkezi është lëvizur në Qendra e Artit Agimi (ish-Kinema Agimi) “Bajram Curri” në Tiranë, dhe do të pret mysafirë nga 26 Qershor deri më 31 Qershor.

Lajmin e ka bërë të ditur Artan Korenica, realizuesi  i këtij projekti.

Burri dhe katër djemtë e Ferdonijes janë rrëmbyer me dhunë nga forcat serbe në vitin 1999.

“Me përkrahjen e bashkisë së Tiranës , projekti Pritja do të hapet më datë 26 Qershor, ora 19:00.  KultPlus.com

Ekspozita dhe filmi për jetën e Ferdonije Qerkezit gjatë muajit prill do të shfaqet në Tiranë

Filmi i metrazhit të shkurtër “Pritje” që trajton jetën dhe pritjen e Ferdonije Qerkezit, i realizuar nën regjinë e Artan Korenicës, gjatë muajit prill do të shfaqet në Tiranë, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur aktori Edi Kastrati përmes një postimi në Facebook.

Me përkrahjen e bashkisë së Tiranës , projekti Pritja me expoziten e fotografive dhe filmin Tavolina do të jetë në muajin Prill në Tiranë”, ka shkruar Kastrati./ KultPlus.com

Kujtesa e palëkundur bashkë me tavolinën, Ferdonija si simbol i dhimbjes, guximit dhe këmbënguljes

Flonja Haxhaj

Tavolina e nënës Ferdonije Qerkezi, me gjashtë pjatat e saj me gjellë, pesë prej tyre të paprekura, u zhvendosën për disa ditë në Prishtinë, për të përcjellë një dhimbje të madhe që ajo përjeton tash e 24 vite, që kur forcat serbe ia morën me forcë bashkëshortin dhe katër djemtë, e që atëherë s’i pa më, shkruan KultPlus.

Rutina e saj e përditshme, nuk dalloi për këto mbi dy dekada. Ajo ballafaqohet e vetme çdo ditë me të njëjtën dhimbje. Me sy kah dera ajo pret me shpresë për më të dashurit, ndonëse për dy djemtë e saj ajo të paktën gjeti qetësi dhe ka dy varre ku t’i vajtojë pasi në vitin 2005 u gjetën eshtrat e tyre.

E për të përcjellë këtë dhimbje të përditshme të Qerkezit dhe të shumë familjeve të tjera që presin akoma me shpresë për familjarët e tyre, më 8 mars, në Muzeun Etnologjik në Prishtinë, Artan Korenica hapi ekspozitën ku u dha edhe premiera e filmit ‘Tavolina’.

Filmi 12-minutësh ‘Tavolina’, paraqet një ditë të Ferdonije Qerkezit.

Aktorja Arta Muçaj e cila është përzgjedhur nga Artan Korenica për të portretizuar figurën e Ferdonije Qerkezit dhe një ditë të saj rutinë, thotë për KultPlus se përveç si sfidë në vetë ajo shprehet e privilegjuar që është përzgjedhur ta luajë këtë rol.

“Jam e privilegjuar që kam qenë pjesë  e filmit ‘Tavolina’, sepse të luash një personazh që është real është shumë më e vështirë se sa të bësh një rol fiktiv. Po flasim për një grua, një nënë që për dy dekada  e më shumë kalon nëpër një dhimbje të madhe duke pritur çdo ditë se mos ndoshta do gjenden më të dashurit e saj, burri me katër djemtë, te cilët armiku ia mori  gjatë luftës me dhune nga shtëpia”, u shpreh Muçaj, e cila më tutje thotë se shpreson të ketë arritur ta përcjelllë sa do pak nga ajo dhimbje që Ferdonije Qerkezi ka në shpirt.

“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë që nga momenti kur kam hyrë në shtëpinë e saj ku mban gjithë gjërat e familjareve dhe ku shtëpia është muze. Më është dashur ti prek që nga këpucet e tyre, rrobat, shtratin, që nuk mund ta shpjegoj çfare energjie kam ndjerë, më dridhej i gjithë trupi”, rrëfen Muçaj emocionet e para të ballafaqimit me jëtën e Ferdonije Qerkezit.

Ndërkaq, përveç filmit, në dhomën kryesore të Muzeut, janë të paraqitura fotografi të shumë njerëzve që kanë humbur familjarët në Luftën e Fundit në Kosovë. Fotografitë që flasin vetë, i përshkruan me një fjalë një detaj, pritja.

Dikush babanë, dikush bashkëshortin, djemtë e shokët, brënga për më të dashurit e tyre i mundon tash e 24 vite.

Ju kujtojmë që ekspozita do të jetë e hapur deri më 22 mars, ku të gjithë të interesuarit mund t’i shohin fotografitë dhe filmin ‘Tavolina’./ KultPlus.com

“Mirë se vini në tavolinë” sjell ekspozitën dhe premierën e filmit dedikuar pritjes së Ferdonije Qerkezit

Filmi i metrazhit të shkurtër “Pritje” që trajton jetën dhe pritjen e Ferdonije Qerkezit, i realizuar nën regjinë e Artan Korenicës, më në fund po vjen me premierë për publikun, shkruan KultPlus.

Regjisori Artan Korenica ka njoftuar për KultPlus se pjesë e kësaj ngjarje do të jetë edhe vetë Ferdonije Qerkezi e cila do të qëndrojë e ulur në tavolinën e saj të pritjes e ku ju fton t’i bashkoheni për të parë nga afër ekspozitën dhe filmin e për të qëndruar afër saj në këtë ngjarje që do të mundohet të përthekojë sadopak dhimbjen e saj të përhershme.

“Mirë se vini në tavolinë” është shprehja që e shoqëron këtë ngjarje e ju bën ftesë të bashkoheni në këtë premierë të rëndësishme e cila do të mbahet më datë 8 mars, nga ora 18:00 në Muzeun Etnologjik të Kosovës.

Sipas njoftimit, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 Mars 2023. / KultPlus.com

23 vite në pritje përmes fotografive

Fotografitë: Artan Korenica

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.

Këto fotografi paraqesin shumë familjarë të cilët ende janë në pritje të më të dashurve të tyre, që nga dita kur forcat paramilitare serbe i morën ata për të mos i kthyer kurrë më në familjet e tyre.

1639 persona raportohet të jenë zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. / KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit ‘Pritja’, pasqyrohet një ditë rutinë e Ferdonije Qerkezit

Filmi i metrazhit të shkurtër që trajton jetën dhe pritjen e Ferdonije Qerkezit, i realizuar nën regjinë e Artan Korenicës, ka përfunduar me xhirimet, përcjell KultPlus.

Filmi pasqyron një ditë rutinë gjatë pritjes së gjatë të nënës Ferdonije Qerkezi, interpretuar nga aktorja Arta Mucaj, filmi është pjesë e projektit “PRITJA” ku në kuader të projektit të përgjithshëm, shikuesit do të kenë mundësi të shohin edhe ekspoziten me fotografi nga disa familjarë të cilët akoma po e presin një lajm të vetëm.

Ndër të tjera, ky film është realizuar nën mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës si dhe nga Komuna e Gjakovës. / KultPlus.com

Lansohet ‘Rritu e Mëso’, Skënderaj: Kemi nevojë për këtë platformë, fëmijët tanë po flasin më shumë anglisht sesa shqip

Dje, në ambientet e ICK-së u promovua platforma digjitale ”Rritu e Mëso” e cila ka për qëllim edukimin dhe argëtimin e fëmijëve. Kjo platformë, e ideuar nga Artan Korenica, pas një punë pothuajse një vjeçare, më në fund do të jetë e hapur për të gjithë fëmijët, ku do të rriten duke mësuar përmes lojës, shkruan KultPlus.

Ishte aktori Edi Kastrati ai i cili edhe e hapi eventin e djeshëm, ku u diskutua për punën drejt realizimin e këtij projekti, e veçanërisht për të mirat që kjo platformë do të ketë tek fëmijët shqipfolës.

Kastrati fillimisht falenderoi të pranishmit, ku potencoi se përveç gjithë profesionalizmit që profesionalistët e fushave të ndryshme kishin sjellur në këtë projekt, sipas tij, ata sollën edhe shumë dashuri, përkushtim e përgjegjësi në secilën punë që u i ishte besuar atyre. ”Nevoja që fëmijët tanë të argëtohen dhe të mësojnë gjuhën shqipe, nga kjo nevojë e madhee nisi ky projekt i madh dhe gjithçka filloi me dromca idesh, por që ideatori kryesor ishte Artan Korenica. Me përulje ju falenderoj gjithë ju që jeni të pranishëm në emrin e gjithë ekipës, për gatishmërinë për të na mbështetur”, u shpreh tutje Kastrati.

I pranishëm ishte edhe Uranik Bega, drejtori ekzekutiv i ICK-së, qendër kjo që kishte mbështetur këtë projekt që nga fillimi. Bega theksoi para ta pranishmëve se misioni i ”Rritu e Mëso” është shumë fisnik, pasi sipas tij kjo platformë ka kontribuar në një pjesë të shoqërisë e cila shpeshë herë me ose pa qëllim, po lihet anash.

”Në momentin që kemi diskutuar për realizimin e kësaj platforme, i kemi ofruar mbështetjen tonë si komunitet që në një far forme me mundësitë dhe hapësirën tonë me ofru një mbështetje e cila sado pak do të ndihmonte këtë platformë të zhvillohej. Gjithsesi nga përvoja jonë, e kemi parë që jo idetë më të mira gjithmonë janë ato që kanë sukses, çdo ideje të mirë në fakt i duhet edhe një ekip që punon me përkushtim e cila përtej çdo barriere e sheh mundësinë për me ecë tutje dhe nuk ndalet”, u shpreh Bega duke theksuar po ashtu se ishte pikërisht Artan Korenica dhe i gjithë ekipi që punuan shumë në këtë projekt dhe arritën ta realizonin edhe në kushtet e vështira që erdhën si pasojë e pandemisë globale.

Aty ishte edhe këngëtari nga Shqipëria, Alban Skënderaj i cili është edhe zëri që qëndron pas lojërave të këtij aplikacioni për fëmijë. Ai theksoi para të pranishmëve se ishte shumë i lumtur që ndodhej e njëherit edhe shumë mirënjohus që pati rastin të punonte në një projekt kaq të madh.

”Për mua është diçka e re të bëhem pjesë e një projekti të tillë, por ky është një projekt aq motivues, i pastër e gjenial, duke marrë parasysh faktin se në Shqipëri e Kosovë nuk ka ndonjë platformë të tillë, saqë pa hapur e mbyllë sytë edhe unë pranova të jem pjesë e këtij projekti”, pohoi Skënderaj.

Tutje, këngëtari Skënderaj deklaroi se ajo që e bën edhe më të lidhur me këtë projekt është fakti se edhe ai është baba i dy fëmijëve dhe se e kupton sa e vështirë është që në kohët e sotme të rrisësh fëmijë me vlerat evropiane duke mos harruar gjuhën dhe traditën e pasur shqiptare. ”Fëmijët tanë po flasin më shumë anglisht sesa shqip, prandaj shpresoj shumë që kjo platformë të jetë një fillim për t’i dhënë një dorë fëmijëve tanë”, përfundoi Skënderaj.

E në fund, fjalën e mori Korenica, ai i cili edhe i kishte mbledhur të gjithë për të shpalosur punën e tij dhe ekipës së tij, e që duke u treguar shumë modest nuk foli aspak për punën e tij, përveç se falenderoi të gjithë ata që kishin punuar në krijimin e kësaj platforme që u dedikohet fëmijëve.

Marrë parasysh digjitalizimin e aktiviteteve në këto kohë dhe qasjen e fëmijëve në teknologji, ”Rritu e Mëso” ofron përmbajtje përpos të sigurt, njëkohësisht edhe edukativo-argëtuese. Pra, të rritemi duke mësuar nëpërmjet lojës.

Aplikacioni ”Rritu e Mëso” është krijuar nga artisti Artan Korenica në bashkëpunim me krijues të fushave të ndryshme në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut. Pjesë e ekipës kreative të aplikacionit janë Alban Skenderaj, Miriam Cani, Klea Huta, Elgit Doda e shumë profesionistë të tjerë.

”Rritu e Mëso” është ideuar e realizuar për fëmijë nga mosha zero, ashtu që të argëtohen duke mësuar shqip. Aplikacioni përbëhet nga gjithsej tetë njësi: gjuha, matematika, vizatimi, përrallat, loja e kujtesës, puzzle, si dhe gjëgjëzat. / KultPlus.com

Së shpejti lansohet platforma ‘RRITU E MËSO’ në gjuhën shqipe

Aplikacioni ‘RRITU E MËSO’ është krijuar nga artisti Artan Korenica në bashkëpunim me krijues të fushave të ndryshme në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Pjesë e ekipës kreative të aplikacionit janë Alban Skenderaj, Miriam Cani, Klea Huta, Elgit Doda e shumë profesionistë të tjerë.

RRITU E MËSO është ideuar e realizuar për fëmijë nga mosha zero, ashtu që të argëtohen duke mësuar shqip.

Aplikacioni përbëhet nga 8 njësi: gjuha, matematika, vizatimi, përrallat, loja e memories, puzzle, si dhe gjëgjëzat.

Ashtu që të njoftoheni më nga afër me rrjedhën e aplikacionit, ekipën, si dhe planet afatgjata të platformës ‘RRITU E MËSO’, ftohet audienca që të marrin pjesë në eventin për lansimin e aplikacionit me 1 tetor 2021 në ICK, nga ora 17:30. / KultPlus.com

Tri ditë rrugë për fotosesionin 30 minutësh, Korenica sjell Emina Çunmulajn me pamje të re

Gjithsej katër foto të shkrepura nën manovrimin e duarve të fotografit Artan Korenica së fundmi kanë gjetur protagonisten e tyre. Modelja shqiptare, Emina Çunmulaj është shndërruar në muzën e momenteve të veçanta që vetëm një nënë mund ti përjetojë e që kësaj radhe këto momente janë shpalosur në një fotosesion të realizuar nga kjo dyshe, shkruan KultPlus.

Ndonëse këto foto vijnë në versionin bardh e zi, është ngjyra e bardhë ajo që kap vëmendjen e shikuesve duke lënë përshtypjen se ndjenjat të cilat përçohen përmes këtyre fotografive janë pikërisht ato të mirësisë, paqes e elegancës.

Modelja Emina Çunmulaj kësaj radhe erdhi në një frymë krejtësisht spontane, nëpërmjet së cilës dallohet dëshira që këto foto të duken sikur janë shkrepur në një kohë relativisht të shkurtër e që në realitet ashtu edhe janë realizuar.

Andaj, për të treguar më shumë rreth realizimit të këtij fotosesioni, për KultPlus foli fotografi Artan Korenica.

“Ideja e këtij fotosesioni ka ardhur gjatë verës ku kemi dashur të realizojmë këtë sesion pikërisht në vendlindjen e Emines por kjo gjë nuk ndodhi për disa arsye. Pastaj, Emina më ftoj në Los Angelos ku edhe e realizuam më në fund’, tregon Korenica.

Sipas tij, e veçanta e këtij sesioni është realizimi i të gjitha fotove për gjithsej 30 minuta në kuadër të një udhëtimi tre ditor.

Ky bashkëpunim i cili nuk vjen për herë të parë duket se ka marrë kaq pak kohë jo vetëm për arsye se dyshja kanë një miqësi të vërtetë por edhe se puna e tyre e veçantë dhe fakti se ata janë në kontakt vazhdimisht, gjithmonë përfundon në një rezultat të tillë të cilën edhe publiku ka mundësi ta shoh e ta admiroj.

Në anën tjetër, Korenica për KultPlus bëri të ditur se ai po planifikon disa projekte në të ardhmen por për momentin ai është fokusuar tek filmi i shkurtër artistik së bashku me ekspozitën, i titulluar ‘Pritja’ e që në fokus ka të pagjeturit e Kosovës.

Ndërkohë, më poshtë gjeni fotografitë në të cilat modelja duket se na dërgon drejt një rrugëtimi të panjohur përmes këtyre fotove të cilat dhurojnë iluzionin se janë porsi një film në lëvizje të vazhdueshme. / KultPlus.com

Jeta e Ferdonije Qerkezit edhe në film, Artan Korenica fillon xhirimet

Kanë filluar xhirimet e filmit ‘Pritja’, që bazohet në jetën e Ferdonije Qerkezit, shkruan KultPlus.

Filmi ‘Pritja’ me regji dhe skenar të Artan Korenicës trajton një realitet të hidhur të të gjithë atyre që akoma presin më të dashurit e tyre.

Aktorja që luan në këtë film është Arta Muçaj kurse producent është Edi Kastrati.

Filmi është mundësuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe DKRS-Gjakovë./ KultPlus.com

Sot ishte kllapa e parë e filmit “Pritja” me regji dhe skenarë të Artan Korenica, me aktoren Arta Mucaj me producent Edi…

Posted by Edi Kastrati on Sunday, May 30, 2021

‘Në Pritje’ (FOTO)

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve në Ballkan.

Dy vite më parë, fotografi Artan Korenica, publikoi një seri fotografishë të personave që akoma janë në pritje të më të dashurëve të tyre, që tashmë po shënojnë dy dekada në zhdukje, shkruan KultPlus.

Këto fotografi paraqesin shumë familjarë të cilët ende janë në pritje të më të dashurve të tyre, që nga dita kur forcat paramilitare serbe i morën ata për të mos i kthyer kurrë më në familjet e tyre.

Në Kosovë mbi 1600 persona vazhdojnë të mbesin të zhdukur nga lufta e fundit. / KultPlus.com

Artan Korenica me film për Ferdonijen, shpërfaq pritjen e saj

Xhemile Hysenaj

Filmat dhe dokumentarët që shpërfaqin dëmet dhe dhimbjet që la lufta e fundit në Kosovë, nuk janë kurrë pak, madje ka prej atyre që mendojnë se nuk mjafton asnjëherë që përmes artit, të vihet në pah ajo që kosovarët përjetuan gjatë luftës.

Së fundi, fotografi i njohur Artan Korenica, ka paralajmëruar një film të metrazhit të shkurtër, ku do të shpaloset një ditë e zonjës Ferdonije Qerkezi. Një ditë vetmie, dhimbjeje e vuajtje të kësaj zonjeje që përjetoi humbje të mëdha gjatë luftës, shkruan KultPlus.

Korenica i cili kësaj radhe vjen si regjisor dhe skenarist i këtij filmi të metrazhit të shkurtër, ka treguar për KultPlus se ky projekt është ideuar qysh moti, dhe se ky film dallon shumë nga filmat tjera që deri tashmë janë realizuar mbi jetën e Ferdonije Qerkezit.

‘Nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur pritet të publikohet ky projekt, pasiqë pretendojmë ta shfaqim njëherë në festivale ndërkombëtare, pastaj edhe në Kosovë’, ka thënë tutje Korenica për KultPlus.

Protagonistja e vetme e këtij filmi është aktorja Arta Muçaj, përmes së cilës do të paraqitet Ferdonija në pritje, në një pritje e cila nuk përfundon kurrë.
Korenica ndër të tjera ka treguar se filmi do të realizohet në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit, gjë e cila është aprovuar nga kjo e fundit.

‘Ky projekt dallon shumë nga projektet tjera, ka një skenar ndryshe dhe për mënyrën se si e kam trajtuar këtë temë’, shprehet Korenica.

Secili film zakonisht realizohet për të shpalosur diçka, për të përçuar një mesazh që supozohet të prekë direkt tek publiku. Sigurisht se edhe ky projekt tenton të përçojë mesazhin e vet, i cili sipas Korenicës ky projekt më shumë se që përçon një mesazh, parashtron pyetjen: Ku janë ata që i keni marrë në shtëpinë e tyre?! / KultPlus.com

Dhembja e shekullit

Ditën e djeshme nënat gjakovare dhe qytetarët e Gjakovës kanë protestuar kundër ardhjes së një grupi njerëzish nga Serbia, e që për qytetarët e Gjakovës ata janë thjesht kriminelë të maskuar si pelegrinë që vijnë në territorin e tyre.

Dihet se Serbia ka vrarë njerëz edhe në Gjakovë, i cili mbetet ndër qytetet më të prekura në luftën e fundit në Kosovë.

Ferdane Qerkezi mbetet një prej personave që sapo t’i përmendet emri të ngjallë një ndjenjë dhimbjeje e trishtimi për fatin e trishtë të kësaj gruaje të fortë.

27 marsi i ’99-ës e la nënën Ferdane Qerkezi të vetme. Policia serbe atë ditë ia vrau pesë burrat e shtëpisë. Nga shtëpia e familjes Qerkezi u morën pa asnjë faj Halim Qerkezi me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin.

Tash e vetme, zonja Qerkezi shtëpinë e saj e ka kthyer në Muze. Ajo vështirë e gëlltit një kafshatë bukë në ditë, sepse për të ende s’ka qetësi. Ajo vazhdon e pret ndonjë lajm për burrat e shtëpisë së saj.

Nisur nga rrëfimi i nënës Ferdane, fotografi i njohur Artan Korenica pati realizuar një foto me shumë domethënie.

“Më mungon…”, është mbishkrimi që autori i ka lënë kësaj foto, në të cilën shihet nëna Ferdane e ulur në tavolinën e bukës në shtëpinë e saj, në të cilën janë të vëna gjashtë pjata, që simbolizojnë pritjen e pesë të munguarve në këtë shtëpi.

Faqja “Heroinat e Kosovës, ka shpërndarë sot fotografinë e Ferdane Qerkezit e ku sipër saj janë thurur edhe disa vargje që përshkruajnë dhimbjen e kësaj nënë për familjen e humbur.

– Pesë pjata shtrohen çdo mëngjes.
Avulli i gjellës djeg shpirtin e nënlokes.
Njeriu qenka më i fortë se guri !
Ooh, katër djem pret, pret t’i kthehet burri. /KultPlus.com

“Në Pritje”

Në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, fotografi Artan Korenica na sjellë fotografitë e njerëzve që janë “Në Pritje”, shkruan KultPlus.

Këto fotografi paraqesin shumë familjarë të cilët ende janë në pritje të më të dashurve të tyre, që nga dita kur forcat paramilitare serbe i morën ata për të mos i kthyer kurrë më në familjet e tyre.

Edhe 1648 persona janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Në Pritje! / KultPlus.com