“Honeyland” nga Oscar vjen me premierë në Kosovë

Krahas asaj se, “Honeyland” (Toka e Mjaltë), nuk fitoi Oscar, famë nuk i mungoi aspak. Të gjithë janë krenarë për madhështinë e këtij filmi, për rëndësinë e mesazhit që e transmeton, për fuqinë e tregimeve të pafundme që fshihen në këtë vend dhe për aktorët të cilët dinë sesi këto tregime t’ia përcjellin publikut, shkruan KultPlus.

Ky film i cili hyri në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe në historinë e nominimeve për “Oscar”, duke u bërë filmi i parë i nominuar në dy kategori, për Filmin më të mirë dokumentar dhe Filmin më të mirë në gjuhë të huaj, jo anglisht.

Me gjithë historinë e tij, “Honeyland” këtë muaj do të shfaqet edhe në Kosovë. “DokuKino” në Prizren, do të mirëpres filmin më datë 5 mars në ora 19:30

Dokumentari “Honeyland” tregon historinë e Atixhes, gruaja e fundit që kultivon bletë të egra në Evropë dhe jeton vetëm me nënën e saj në Maqedoninë qendrore. Ideja është të tregohet lidhja e njeriut me natyrën dhe prishja e ekuilibrit natyror. Regjisorë janë Ljubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska, produksioni dhe montazhi janë nga Atanas Georgiev ndërsa kameraman janë Samir Luma dhe Fejmi Dauti.

Në kategorinë e filmave dokumentarëve, Oscar fitoi “Fabrika Amerikane”, ndërsa “Paraziti” i Koresë së Jugut u shpall filmi më i mirë ndërkombëtar, duke fituar katër statuja ari në total. / KultPlus.com

“Tallja e Krishtit”, film maqedonas për t’i paraqitur shqiptarët vrasës e përdhunues

Një prodhim i fundit kinematografik nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë ka shkaktuar reagime të ashpra në radhët e shqiptarëve.

Filmi kontravers me titull “Mocking of Christ” , në shqip “Tallja me Krishtin” trajton konfliktin e armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve në 2001.

Në filmin e financuar me paratë publike, ushtarët e UÇK-së prezantohen si vrasës dhe përdhunues të civilëve maqedonas.

Kjo solli një valë reagimesh, nga përfaqësues të institucioneve por edhe ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët kërkuan tërheqjen e filmit dhe hetim mbi këtë çështje.

Jashtë këtij debati nuk mbeti as kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Në reagimin e tij të parë disa ditë pas daljes së filmit, Zaev doli me akuza të rënda, duke thënë se paratë e buxhetit janë shpenzuar për qëllime politike nga Agjencia e Filmit, e cila ka qenë vegël e pushtetit të kaluar në mbjelljen e urrejtjes ndëretnike.

Ai e cilësoi të politizuar Agjencinë dhe bordin drejtues të saj, por garantoi se këto veprime do të marrin fund, duke iu dhënë detyrë konkrete ministrisë së Kulturës dhe Agjencisë se re që të ndalin aktivitete të tilla nxitëse dhe të paligjshme.

Zoran Zaev: E di që ajo që është e financuar nga fondi i Filmit në vitin 2015 është absolutisht me prapavijë politike. Gjithçka që është financuar nga qeveria e kaluar në frymën e asaj politike dhe dhënien e një ambienti të panevojshëm për Maqedoninë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe të gjitha ata porosi që shpërndajnë urrejtje dhe që përcjellin ndjenja të pa këndshme unë mundem vetëm t’i dënoj dhe nuk mund ta kthejmë kohën mbas, por e di që i dhashë detyrë ministrit të Kulturës të bisedojë me drejtorin e Fondit të Filmit që t’i pengojnë dhe t’i ndalojnë në mënyrë ligjore të gjitha aktivitetet e tilla që promovojnë veprime të tilla.

Ish-sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudun Shehapi, gjatë kohës së të cilit ndodhi skandali me filmin në fjalë, i kontaktuar nga Alsat thotë se nuk ka qenë në dijeni të këtij keqpërdorimi, duke insistuar se filmi ka kaluar në mënyrë të fshehtë në filtrat përzgjedhës. Në një postim në Facebook, Shehapi theksonte:

Behixhudun Shehapi: “Personalisht, për herë të parë dëgjoj për këtë film, ku ofendohen shqiptarët dhe vlerat e UÇK-së. Por dihet se si ka funksionuar ai sistem. Ka qenë një periudhë, kur shumë projekte janë fshehur nga shqiptarët dhe kjo ka qenë e mundur veçanërisht në subjektet e mëvetësishme, siç është Agjencia e Filmit, e cila është e pavarur, ku nuk kemi pasur qasje se çfarë dhe si punohet atje. Unë, personalisht, e dënoj këtë projekt filmik të kësaj agjencie dhe kërkoj urgjentisht që, ata që e kanë prodhuar dhe lejuar këtë projekt të përgjigjen. Ndërkaq, sa i përket filmit, ai patjetër të hiqet nga emetimi në publik”.

Filmi nuk ishte mbështetur nga recensentët fillimisht, por mbetet e paqartë mënyra se si kaloi filtrin final për t’u realizuar. Ofendimet në film janë dënuar edhe nga aktori dhe producenti Refet Abazi, I cili thotë se edhe aktorët duhet të mbajnë përgjegjësi, veçanërisht për një projekt të tillë i financuar me para nga buxheti i shtetit.

Abazi madje shpreh dyshime edhe te përbërja e re e Agjencisë së Filmit, nëse do të jetë e aftë të pengojë skandale të tilla në të ardhmen.

Filmi “Tallja me Krishtin” u prit me tone të ashpra nga opinioni publik, dhe menjëherë pas kësaj, vetë ministri i Kulturës Asaf Ademi angazhoi inspektoratin e kulturës për të shqyrtuar punën e agjencisë dhe miratimin e filmit të fjalë.

Kostoja e filmit është 300 mijë euro para të buxhetit, dhe në të shfaqen skena ku ushtarët e UÇK-së paraqiten si dhunues dhe vrasës të civilëve maqedonas./KultPlus.com