Artistja Fitore Berisha Alisdottir ftohet nga Presidentja Osmani, diskutohet për ndikimin e artit

Artistja Fitore Berisha Alisdottir është ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar rreth ndikimit të artit që mund të ketë për përmirësim të vazhdueshëm, shkruan KultPlus.

Artistja Berisha e cila së fundmi ka realizuar një mural nën titullin “Andrrat e thyera”, mural ky që i dedikohet grave dhe vajzave që u vranë nga burrat, gjithashtu ia ka bërë një dhuratë Presidentes Osmani.

Ajo me këtë rast ka realizuar një vepër të cilën e ka punuar duke u bazuar në metodat tradicionale të leshit që janë përdorur me shekuj në vendin tonë.

“Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani më ftoi të diskutojmë ndikimin që mund të ketë arti për përmirësim të vazhdueshëm. Ajo pranoi dhuratën time për të, një vepër të cilën e punova duke u bazuar në metodat tradicionale të leshit që janë përdorur me shekuj në vendin tonë”, ka shkruar Berisha në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Fitore Berisha: Jam në gjendje të sakrifikoj shumë për art sepse gjithçka që bëj, e bëj me dashuri

Xhemile Hysenaj

”A mund ta shohësh të bukurën, nëse nuk është e hijshme”, është kjo motoja që karakterizon artin e Fitore Berishës, një artiste kjo që përmes artit të saj shpalos ndjenjat dhe emocionet më të fuqishme që secili individ i ka të thelluara në brendësinë e vet.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Fitore Berisha tregon më detajisht për artin e saj, për sakrificat që është dashur t’i bëjë, për momentet më të bukura e më të dhimbshme të jetës së saj si artiste, shpalos rrugëtimin e një nëne prej një moshe të re e deri në ditët e sotme ku përmes artit dhe punës së palodhshme të saj, ajo ka arritur të krijojë stilin e vet dhe të njihet shumë lehtë përmes tij.

Fitorja është një artiste që nuk pushon kurrë se zbuluari diçka të re te vetja dhe sidomos te arti i saj. Ajo tregon për KultPlus se qysh fëmijë ka pikturuar dhe e ka shijuar çdo moment, mirëpo edhe pse artin e ka dashur shumë, ajo tregon se dikur ka ëndërruar të jetë gazetare, duke vazhduar shkollimin e mesëm pikërisht në këtë drejtim. Ndër të tjerash Fitorja tregon se shtysën më të madhe për të vazhduar studimet në Akademinë e Arteve e ka pasur vëllaun e saj.

”Vendosa të shkoj në Akademi të Arteve vetëm për të ushtruar, aty kisha miq që më ndihmuan dhe më motivuan shumë edhe kur unë nuk besoja në artin tim ata më përkrahën shumë. Pas një kohe kur vendosa të vazhdoj studimet në Akademi, ia tregova të gjitha punimet babait tim, i cili u befasua shumë nga pikturat e mia të cilat i konsideronte të ishin aq të fuqishme dhe më në fund u bind që të vazhdoja studimet në këtë drejtim”, tregon Fitore Berisha për KultPlus.

Të jesh një artiste femër në një vend me mundësi të kufizuara nuk është aspak e lehtë, e sidomos në një kohë kur trazirat veçsa vinin e rriteshin. Fitorja u bë nënë dhe pas fëmijës së dytë, tregon të ketë marrë një pauzë nga arti dhe puna, një periudhë kjo e cila nuk ka qenë aspak e lehtë për artisten, mirëpo që sipas saj gjithçka është e mundur nëse punon në atë drejtim.

”Nëse posedon një karakter të fortë, asgjë nuk është e pamundur. Nëse thellë në vete ke vlera artistike, njerëzit do të të shohin sepse e gjitha varet sa shumë punojmë, sa shumë e duam punën që e bëjme dhe çfarë dëshirojmë të tregojmë përmes artit tonë”, vazhdon tutje Fitorja duke rrëfyer me një pasion të pashoq për artin.

”Kur e din se ke shumë potencial dhe akoma nuk e ke shfrytëzuar aq sa duhet, është kjo ajo që mua më mban gjallë. Jetoj për momentet kur befasohem nga puna ime, për mua ky është sukses shpirtëror, sepse asnjëherë nuk të del saktë ajo çfarë e ke në mendje, mirëpo shpesh del shumë më mirë se ajo që e ke menduar”, tregon tutje Fitorja për KultPlus.

Fitorja njihet edhe si artisja që ka bërë shumë murale në Kosovë, murali i saj më i njohur dhe më i fuqishëm është murali që është realizuar me mbështjeten e Komunës së Prishtinës, në rrugën Rexhep Luci

Fitore Berisha tregon sesi ra për here të parë në dashuri me muralet dhe si ka qenë përvoja e muralit të saj të parë

”Jam dashuruar në murale kur kam qenë në Philadelphia, aty e kam parë se çka mundet të krijoj një njeri. Dhe, kur erdha në Prishtinë si një nënë e re që nuk është se kisha bërë ndonjë gjë të madhe në art, të paktën jo diçka që të tjerët e kishin parë, projekti im i parë ishte murali tek Fakulteti Filologjik që quhej ”Simboli i Rinisë”. Ka qenë një punë shumë e vështirë për mua, ka pasur ditë që as nuk bëja gjumë. Shumica nuk besonin se do të mund të ia dilja, mirëpo pas një pune të palodhshme dhe me shumë vullnet, arrita që ta përfundoj dhe doli mjaft mirë saqë në përfundim të tij unë qaja dhe qeshja nga gëzimi i madh”, rrëfen Fitore Berisha me entuziazem të madh për punën e saj të parë.

Artistat çdoherë dijnë të na mahnisin me botëkuptimet e tyre, me mënyrën e veçantë se si i shohin gjërat. Fitorja tregon të jetë e lidhur shumë ngushtë me budizmin, pasiqë budizmi e ka ndihmuar shumë në një periudhë jetësore që për të ka qenë shumë e errët. Budizmi asaj i ka ndihmuar të marrë veten emocionalisht si asgjë tjetër më parë.

”Kur jam shpërngulur në Islandë, kam pasur nevojë me mbajtë shpirtin gjallë, atje jam lidhur me budista të cilët më kanë ndihmuar shumë. Kryesisht jam marrur me meditimin sepse kam pasur nevojë të vetëshërohem prej të gjitha traumave që i kemi përjetuar së pari si shoqëri, si femër e më pas si nënë, sepse vetëm përmes shërimit shpirtëror unë do të mundja të krijoja përsëri.”, tregon ajo.

Për Fitoren arti nuk është një mjet për të pikturuar lule, femra të bukura apo natyra të qeta, për të arti vjen nga emocionet, qofshin ato të thyera apo të burgosura. Ajo tregon për ekspozitën e vitit 2016 në Prishtinë, ku ka trajtuar femrat me brina, ekspozitë kjo që artistja tregon se ka ngjallur mjaft debate, mirëpo që kjo ka qenë arti i saj, një art që shpreh një revoltë.

”Unë iu kam thënë të gjithëve se kjo është së pari revolta ime personale, pastaj revolta që dua të gjithë ta kenë, fillmisht gratë. Kur kam qenë fëmijë nëna ime gjithmonë më ka thënë se veç brinat më mungojnë dhe erdhi një kohë që unë e kuptova se është koha që me të vërtetë të më dalin ato brina”, shprehet Fitorja.

Arti i Fitores shpalos çdo gjë që është njerëzore, ajo gërmon thellë në thellësinë e emocioneve të secilit dhe i paraqet në artin e saj, duke i mundësuar secilit të gjej veten aty. Mirëpo si shumë artistë edhe Fitorja ka ata të cilët e inspirojnë. Fitorja tregon se së fundi e ka inspiruar shumë një autore norvegjeze, Siri Husdtvert, ku sipas Fitores autorja në fjalë krijon një lidhje të jashtëzakonshme në mes të artit dhe shëndetit mendor.

Fitore Berisha e cila tash e sa vite jeton dhe vepron në Islandë, tregon se ai vend i ka falur shumë kujtime e momente të mira. Ka njohur njerëz të mirë dhe ndjehet shumë fatlume që tash e sa kohë jeton atje.

”Artistat duhet të lëjnë diçka pas vetes, diçka që nuk do të harrohej me shekuj të tërë. Unë mendoj që arti duhet të provokojë, duhet të shpreh revoltë”, pohon Fitorja teksa flet për rolin e artistit në shoqëri.

Kosova si një shtet ku më shumë se gjysma e popullatës ka lëvizje të kufizuar, është një shqetësim edhe per Fitoren, pasiqë ky fakt sipas saj e vështirëson shumë punën e një artisti.
”Gjatë gjithë kohës kam luftuar shumë për të pasur statusin që e kam tani, bota e artistit është shumë e thellë dhe e gjerë për të qëndruar e kufizuar brenda një vendi”, thotë ajo.

”Jam në gjendje të sakrifikoj shumë për art, sepse arti për mua është një brendësi e bukur dhe jo një sipërfaqësore e bukur. Arti është bukuria e jetës. Për mua arti është forma më e bukur e njohjes së vetvetes, mënyra se si unë mësoj ta dua vetveten, Gjithçka që bëj e bëj me dashuri”, potencon Fitorja. / KultPlus.com

Fitore Berisha vjen me “Black in White”, shpalosë ndjenja të fuqishme personale

Xhemile Hysenaj

Arti i Fitore Berishës, tashmë është i njohur si një art që përpiqet të shpalos emocionet më të fuqishme që burojnë nga brendësia e secilit prej nesh, shkruan KultPlus.

Arti i saj, siç ka treguar edhe vetë artistja, ka për qëllim të shpalos ndjenjat më të fuqishme që jetojnë në brendësinë e secilit, ato të pikëllimit, mallit, mërzisë, gëzimit e dëshpërimit.

Për t’i përcjellë këto ndjenja përsëri tek artdashësit, Fitore Berisha, kësaj radhe erdhi me ekspozitën e saj të radhës që mbante titullin ‘’Black in White’’, që në shqip do të thotë “E Zeza mbi të Bardhën”. Ekspozita kishte zënë një hapësirë të vogël e modeste në Tillt Radio, ku pikturat përpos se shkonin shumë mirë me hapësirën e Radios, dukej se ishin punuar pikërisht për muret e asaj hapësire.

“Më pëlqejnë shumë këto dy ngjyra, janë të sofistikuara. Këto punime nuk kanë vetëm ngjyrë të bardhë dhe të zezë, ideja është se ekziston një lojë ngjyrash në mes të këtyre dy kryesoreve”, potencoi ajo për KultPlus.

Fitore Berisha poashtu tregoi se fytyrat e pikturave të saj ishin shpesh edhe ajo, vetja e saj.

“Ajo jam edhe unë, aty gjenden edhe emocionet e ndjenjat e mia”, shprehet ajo më tutje.

Në punimet që vareshin në muret e ekspozitës, paraqiteshin përvojat jetësore të secilit individ, e sigurisht se secili mund të gjente veten aty. Paraqiteshin uljet e ngritjet që i përjetojmë gjatë jetës, mbështetja te njëri tjetri, dashuria, humbja, gëzimi e hidhërimi.

Ndërsa, Fitore Berisha, tashmë ka krijuar stilin e saj mjaft të veçantë, për të cilin shprehet se e ka pasur të vështirë të arrijë deri në gjetjen e tij. “Ka qenë një proces i vështirë derisa unë kam arritur të krijoj stilin tim, ka diçka që mua më flenë nga artistët e tjerë, por unë dua të jem unë jo ata. Dua të jem Fitorja’’, deklaroi ajo për KultPlus.

Qëllimi i artistes në fjalë, është që përmes pikturave të saj, të arrijë të gjejë atë që njerëzve iu pëlqen dhe iu flenë në brendësinë e tyre.

Fitore Berisha ka lindur në vitin 1971 në Prishtinë. Studioi në Akademinë e Arteve – dega pikturë. Në vitin 2003 e themeloi organizatën Mural Art Group (MAG) ku me ekipin e saj krijuan disa murale në qendër, poashtu projekte tjera të financuara. Qëllimi i organizatës ka qenë të punojë me artistë të cilët janë të inspiruar ta zbukurojnë qytetin e Prishtinës dhe të inspirojnë qytetet tjera.

Fitore Berisha në 2006 është shpërngulur në Islandë në kryeqytetin Reykjavik ku ajo jetoi 10 vite dhe krijimtaria e saj ka vazhduar në pikturë, teatër, vallëzim. Prej disa muajsh është kthyer në vendlindje dhe ka hapur një artstudio dhe vazhdon të merret me murale, grafiti, pikturë./ KultPlus.com

Fitore Berisha nesër me ekspozitë në Raiffaisen Gallery

Fitore Berisha, artistja e cila njihet për stilin e saj të veçantë, po vjen me një ekspozitë të radhës, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të hapet nesër në ora 10:30 në Raiffaisen Gallery në Albi Mall.

Raiffeisen Gallery në Albi Mall po rikthehet pas një pauzë me artistë dhe ekspozita të reja.

Fitore Berisha ka lindur në vitin 1971 në Prishtinë. Studioi në Akademinë e Arteve – dega pikturë. Në vitin 2003 e themeloi organizatën Mural Art Group (MAG) ku me ekipin e saj krijuan disa murale në qendër, poashtu projekte tjera të financuara. Qëllimi i organizatës ka qenë të punojë me artistë të cilët janë të inspiruar ta zbukurojnë qytetin e Prishtinës dhe të inspirojnë qytetet tjera.

Fitore Berisha në 2006 është shpërngulur në Islandë në kryeqytetin Reykjavik ku ajo jetoi 10 vite dhe krijimtaria e saj ka vazhduar në pikturë, teatër, vallëzim. Prej disa muajsh është kthyer në vendlindje dhe ka hapur një artstudio dhe vazhdon të merret me murale, graffiti, pikturë. / KultPlus.com

Eksplorimi i shoqërisë përmes artit

Sot, në kuadër të Festivalit HAPU, u mbajt “Arti i fshehur” ku si protagoniste kryesore kishte artisten Fitore Alisdottir Berisha, shkruan KultPlus.

“Arti i fshehur” u zhvillua përmes një loje, ku pjesëmarrësit ishin të të gjitha moshave por kryesisht dominohej nga fëmijet.

Me udhëheqje të vetë artistes, ata me një hartë të prezantuar në fillim të lojës, duhej të gjenin pikturat e fshehura nga artistja. Rregullat ishin të thjeshta, ai që gjente pikturën fitonte një medalion dhe ai që mbledhte më shumë medaliona shpallej fituesi i kësaj gare.

 Fituesit e tre vendeve të parë shpërbleheshin me njërën prej punimeve artistike të piktores Fitore Berisha. Loja u zhvillua në një mënyrë mjaft atraktive për pjesëmarrësit pasi që pikturat ishin të fshehura në vende aspak të zakonshme, mirëpo mesa dukej për fëmijët pjesëmarrës nuk ishte aspak e vështirë gjetja e tyre.

 Fitore Berisha është një artiste, pikturat e të cilës kryesisht bartin një frymë abstrakte./KultPlus.com