Eliza Hoxha: Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe akademiku Frashër i cilëson gratë e Kosovës si bagëti

LETËR E HAPUR

Akademisë së Shkencave dhe ArteveMinistrisë së Arsimit dhe Shkencës Institutit të Historisë.

Po e nisë këtë letër me shqetësimin e madh si qytetare e këtij vendi, si aktiviste e artiste e poashtu edhe si deputete e Kuvendit të Kosovës dhe Anëtare e Komisionit për Arsim , Shkëncë dhe Kulturë, Rini dhe Sport.

Ndër vite cështja e historisë së Kosovës e sidomos historisë së re të saj diskutohet. Libra të ndryshëm shkollor dhe të tjerë kanë casje e të dhëna të ndryshme, jo të harmonizuara e shpesh edhe të shtrembëruara. Pa dashur të hyj në cilësime sepse nuk I takojë fushës së historisë kjo brengë tani shpërthen në problem kur përtej shtrembërimeve e mohimeve historike që na bëhen nga të tjerët , tani jemi ne vet ata që mohojmë fakte dhe përbuzim gra e viktima.Rasti I fundit I projektit të historisë së përbashkët (Joint history project) nga CDRSEE – Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe në Selaniku tregon se përkundër një qëllimi fisnik për një histori të përbashkët me synim në pajtim e paqetim në Ballkan, materia mund të devijoj dhe të paraqesë të pavërteta apo të mohoj fakte e momente historike krejt për hirë të “pajtimit”, apo?Pjesë e këtij botimi si co-autorë janë edhe historianët shqiptar nga Kosova Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi dhe Frasher Demaj të cilët pavarësisht shpjegimeve se nuk kanë qenë pjesë e ekipit editorial nuk mund të shmangen nga përgjegjësia në atë se cfarë mbartin librat si histori nga Kosova duke e pasur aty tyre si burim.

Brenda materialit nuk do fokusohem të ato se cfarë të tjerët kanë shkruar shkarazi për Kosovën, si e kanë cilësuar atë dhe si I janë adresuar asaj the topionimeve brenda saj. Ajo që shqetëson është se midis ekipit të historianëve Kosovar njëri nga ta përfaqëson instancat më të larta shtetërore dhe InstitucionaleDeputeti I Kuvendit të Kosovës dhe akademiku Frashër Demaj bashkë me kolegët e tij cilëson gratë e Kosovës si bagëti, masakrën e Recakut e quan Incident apo rast, masakra të tjera nuk përmenden fare, përmendën dëmet e bombardimeve të Natos por jo edhe dëmet e shkaktuara nga Serbia, përmenden kishat e shkatërruara në 2004 njëkohësisht të hartëzuara por nuk përmendet se janë rikonstruktuar më para të buxhetit të Kosovës… nuk flitet për 1,133 fëmijë të vrarë, nuk flitet për protestat, marrshet, peticionet e shumta që ishin organizuar kundër dhunës dhe luftës në Kosovë, sulmet e UCK-së paskan sjellur emigrimin e serbëve nga Kosova, etj, etj, etj…Dhe këtu vijmë tek ajo që është qenësore e që në Kosovë ka humbur rëndësinë e vet qëmoti, e që është pesha e fjalës publike dhe përgjegjësia që vjen me te. E kur jemi tek kjo z. Demaj nuk e përfaqëson më vec veten e tij, por edhe Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës e edhe Kuvendin e Kosovës.

• Udhëheqësi I akademisë, z. Kraja kishte një distancim personal medial karshi z. Demaj, por kjo nuk ka të bëjë më me cështjet e individit. Institucioni I Akademisë së Shkencave dhe Arteve duhet zyrtarisht të deklarohet a distancohet nga këto qëndrime të Akademikut të tyre korrespodent. Diku në botën e civilizuar në këso raste do t’i tërhiqej titulli me automatizëm.

• Kuvendi I Kosovës apo deputetet brenda tij duhet të deklarohën se a janë në vijë me z. Demaj dhe kolegët e tij apo mendojnë ndryshe, sepse heshtja në këso situatash është miratim.

• Grupi Parlamentar I LDK-së le të shprehet nëse është I mendimit të njejtë, le të shprehen edhe ata që e kanë votuar një zë të tillë brenda Kuvendit si I vetmi shqiptar aty që voton kundër ligjit për vlerat e luftës.

• Thuhet se CDRSEE kishte mbajtur marrdhënie pune me Ministritë e Arsimit nga të gjitha vendet e rajonit dhe nëse është kështu Minsitria e Arsimit e Shkencës duhet poashtu ta deklarojë pozicionin e saj karshi kësaj historie gjysmake e përbuzese të shkruar apo kontribuuar nga vet akterët Kosovar dhe njëkohësisht t’I rishikojë të gjitha tekstet shkollore dhe ato ti harmonizojë bashkë me akterët e Institutit të Historisë

• Instituti I Historise nuk distancohet me shpjegimin se nuk eshte botim I tyre…Por ajo cfarë kemi në fund fare është knaqësia e egove personale vizavi dëmit kolektiv të shkaktuar.Një gjë është e sigurt! Pajtimi me të tjerët nuk mund të ndodhë duke gënjyer veten dhe duke krijuar mospajtime të brendshme.

Pajtimi I vërtetë në Ballkan do të ndodhë kur ta pranojmë të vërtetën e dhimbshme dhe të ecim përpara.Kërkim falja është hapi fillestar.Si për këta akademik aventurier e si për Serbinë ndaj Kosovës.

Kjo letër e hapur është botuar pa asnjë ndërhyrje nga ana e redaksisë së KultPlus. / KultPlus.com

Frashër Demaj sqarohet për librin problematik të historisë ku masakra e Reçakut cilësohet “incident”

Pas disa ditëve ku është vërshuar me kritika, historiani Frashër Demaj ka reaguar me anë të një statusi në Facebook.

Demaj ka marrë kritika për publikimin e një libri për histori të përbashkët të Ballkanit, projekt i financuar nga BE’ja dhe në të cilin morën pjesë historianë nga rajoni. Demaj u kritikua për mënyrën se si është shkruar për Masakrën e Reçakut, por i njëjti ka bërë një postim të gjatë në të cilin i është përgjigjur të gjitha akuzave.

Ky është statusi i plotë i tij:

DEKLARATË PËR OPINION
E ndjejmë për obligim ndaj opinionit publik që të njoftojmë lidhur me të vërtetën rreth
projektit “Joint History Project” (Projekti i Historisë së Përbashkët).
Grupi punues bënë me dije opinionin lidhur me obligimet që ka pasur në kuadër të Projektit:
1. Projekti ishte i mbështetur nga Këshilli i Europës në të cilin morën pjesë: Sllovenia, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Greqia, Rumania, Bullgaria, Turqia, Qipro dhe në fund u ftua edhe Kosova (pas vitit 2008).
2. Detyrat e grupit punues kanë qenë grumbullimi i dokumenteve burimore, fakteve historike, shkrimit të tyre dhe materialeve tjera për historinë e Kosovës që duhej të hulumtoheshin në Agjencionin Shtetëror të Arkivave të Kosovës nga viti 1913.
3. Grupi punues ka dërguar për botim një numër të konsiderueshëm të burimeve për ngjarje të rëndësishme historike, një pjesë e madhe prej të cilave nuk janë marrë parasysh nga redaksia e projektit.
4. Vetëm dokumentet e botuara që mbajnë referencat nga Agjencioni Shtetëror i Arkivave të Kosovës janë burime të hulumtuara dhe të dërguara nga grupi, për të cilat e mbajmë pergjegjësinë e plotë.
5. Për tekstet dhe burimet e botuara nga studiues të shteteve tjera, për tema të caktuara, grupi nga Kosova nuk mund të mbajë asnjë pergjegjësi, meqë nuk ka qenë i konsultuar.
6. Pavarësisht pamundësisë së ndikimit (meqë asnjëri nga ne nuk ishte anëtar i redaksisë) ne kemi shfaqur indinjatën tonë lidhur me tema të caktuara të cilat fyejnë popullin shqiptar.
7. Grupi punues pas botimit të edicionit ka reaguar dhe ka shfaqur pakënaqësi lidhur me numrin e vogël të teksteve dhe burimeve të botuara për ngjarje të rëndësishme nga historia e Kosovës si dhe për mënyrën jo korrekte të përfshirjes së teksteve dhe faktografisë.
8. Redaksia e edicionit ka premtuar që me rastin e ribotimit do të ketë parasysh vërejtjet dhe kërkesat e grupit punues të Kosovës.
9. Vërejtjet e ditëve të fundit që na atribuohen pa të drejtë për Masakren e Reçakut janë të pa qëndrueshme dhe spekulative sepse në burimet tona të botuara ngjarja quhet me emrin e vertetë “Masakër në Reçak”.
10. Një nga pershkrimet për gruan shqiptare ku fyhet dinjiteti i saj ka zgjuar indinjatë me plot të drejtë. Ky përshkrim është burim i huaj ndaj të cilit nderkohë (pas vitit 2008) kemi shfaqur mospajtimin tonë duke e quajtur të pa pranueshëm dhe tendencioz. E gjithë pergjegjësia i takon redaksisë së botimit.
11. Jemi të hapur për diskutim me studiuesit e historisë dhe me grupe tjera të interesuara në mënyrë që vërejtjet dhe sygjerimet që mund të dërgohen më rastin e ribotimit të edicionit të jenë sa më të kompletuara.
12. Shprehim kundërshtimin për etiketimet dhe spekulimet tendencioze me emrat tanë.

GRUPI PUNUES
Jusuf Bajraktari
Fehmi Rexhepi
Frashër Demaj/ KultPlus.com

DEKLARATË PËR OPINIONE ndjejmë për obligim ndaj opinionit publik që të njoftojmë lidhur me të vërtetën rreth projektit…

Gepostet von Frasher Demaj am Mittwoch, 7. Oktober 2020

Profesori universitar me kritika të ashpra për librin e ri të historisë ballkanike të financuar nga BE’ja

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka kritikuar ashpër librin e ri të historisë ballkanike në shkrimin e të cilit mori pjesë edhe historiani, Frashër Demaj.

“Edhe ky projekt tregon që ide të mira përfundojnë me realizime katastrofale dhe pothuajse idiotike. Ideja që të largohen ato ngarkesat e rënda mes popujve. Mënyra e realizimit është diçka afër të pabesueshmes. Ma dërgoi një mik dhe e lexova pjesën për luftërat ballkanike, pasi aty jam marrë shumë gjatë viteve. Ka qenë katastrfoale. Me deklarata të mbretërve dhe liderëve të rregulluara më së miri. Por cka nuk ka aty? Nuk është dëbimi dhe vrasja masive e shqiptarëve. Autorë amerikanë kanë treguar që 60% e popullsisë shqiptare është larguar nga trojet e tyre. 28% janë vrarë, pjesa e tyre janë dëbuar. Qasja ka qenë zhdukja biologjike. Jo spastrimi etnik. Por zhdukja. Kënd e kanë zënë të gjallë e kanë djegur e masakruar barbarisht”, ka thënë ai.

“Nuk ma ka marrë mendja që historianë që i thonë vetit akademik mund të injorojnë gjenocidin dhe spastrimin etnik.”, shtoi ai. /Express/ KultPlus.com

Frashër Demaj i kundërpërgjigjet Shkëlzen Gashit, i quan gënjeshtra deklarimet e tij

Publicisti Shkëlzen Gashi, ka thënë se në librat “Projekti i Historisë së Përbashkët”, masakra e Reçakut nuk paraqitet si masakër, por si incident.

Gashi ka thënë se është tmerruar me mënyrën si prezantohet lufta e Kosovës në këto vëllime.

Lidhur me këtë i është kundërpërgjigjur historiani Frashër Demaj në një edicion në Klan Kosova, i cili i ka quajtur të pavërteta këto deklarata të Gashit.

“Nisja ose angazhimi i studiuesve nga Kosova për këtë projekt të përbashkët, s’ka qenë vetëm ballkanase por ndërmarrje ndërkombëtare; kanë marrë pjesë edhe studiues nga SHBA, Holanda,Sllovenia Bosnja, Serbia, Kosova, e të tjerë. Ka qenë një projekt i përbashkët dhe secili ka pasë për obligim që të sjellë fondet dokumentare për t’u trajtuar në vëllime të veçanta të botimeve. Nga Kosova në këtë projekt  kemi marrë pjesë akademik Jusuff Bajraktari, profesori Fehmi Rexhepi dhe unë”.

“Mbrëmë pashë një reagim të ashpër të Shkëlzen Gashit dhe krijova përshtypjen që publicistika dhe shkenca dallojnë shumë, për shkak se në publicistikë njeriu merr përgjegjësi për fjalën publike kurse në shkencë përgjegjësia është shumë më e madhe”.

“Krijova përshtypjen sikur Gashi nuk e di se çka është tekst shkollor, nuk e ka të qartë për tekstit alternativ dhe s’e ka të qartë se çfarë janë burimet alternative”.

Demaj ka thënë se i demanton të gjitha ato që i ka thënë Gashi mbrëmë.

“Është diskutuar shumë në mënyrë negative për këto tekste. Duhet t’ia sqaroj publikut, se nuk janë tekste bazë, dhe nuk është e detyrueshme të përdoren në shkollat e Kosovës. Nëse dikush i referohet këtij botimi atëherë duhet t’i demantoj të gjithë ato që ka thënë Gashi në studio”.

“Janë përfshirë të gjitha burimet që ne kemi pasë mundësi për t’i dërguar tek redaksia. Kemi qenë tre bashkëpunëtorë shkencorë, të cilët kemi hulumtuar nëpër arkivat e Kosovës. Çdo gjë e kemi të faktuar, sepse kemi hulumtuar në Agjencionin Shtetëror të Arikvave të Kosovës. Është diskutuar dje që Reçaku nuk quhet masakër dhe kjo është totalisht e pavërtetë”.

“Për Masakrën e Reçakut, ka ofruar argumente ‘Humans Rights Watch’, forenzika e BE-së sepse i është bërë autopsia trupave, edhe ambasadori Walker e ka këndvështrimin e vet; kurse këndvështrimin e masakrës së Reçakut të shqiptarëve të Kosovës e kam çuar unë”, ka thënë Demaj. / KultPlus.com

Reagon Mehmet Kraja për shtrembërimet e historisë së Kosovës ku është i përfshirë Frashër Demaj

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK), Mehmet Kraja, ka reaguar në lidhje me Projektin e Historisë së Përbashkët të CDRSEE-së, ku ishte i përfshirë edhe anëtari korrespodent i AShAK-ut, Frashër Demaj.

Sipas Krajës kjo është një ndërhyrje krejtësisht e çmendur në historinë e Kosovës nga e cila hiqen masakrat sërbe dhe toponimet e Kosovës bëhen sërbisht.

Ai tutje kërkon që kjo përgjegjësi duhet të tejkalojë individin dhe të marrë përgjigje institucionale.

Ky është reagimi i plotë i Krajës:

Një ndërhyrje krejtësisht e çmendur në historinë e Kosovës nga e cila hiqen masakrat sërbe dhe toponimet e Kosovës bëhen sërbisht. Përgjegjësia për shkarje të tilla nuk mund të ndalet te individët me mendje të turbullt e të korruptuar, por duhet të marrë përgjigje institucionale: MASHT-i dhe Instituti i Historisë nuk guxojnë ta bëjnë këtë, nuk mund të livadhisin në këtë mënyrë mbi historinë tonë, sepse janë institucione të Kosovës, që duhet të mbajnë përgjegjësi. Tani duket një makiavelizëm i shëmtuar nëse thua se nuk të janë marrë parasysh vërejtjet, por nuk distancohesh nga projekti, madje merr pjesë në panel kur bëhet promovimi i botimit të tij. Brengos fakti se këta njerëz sapo përballen me kritikë ose me përgjegjësi publike përmes një retorike djallëzore, por banale në substancë, i lajnë duart nga përgjegjësia si Ponc Pilati dhe na dalin patriotë të thekur. / KultPlus.com

Shkëlzen Gashi reagon për librat e “Projekti i Historisë së Përbashkët”: Frashër Demaj ka masakruar historinë tonë, Masakrën e Reçakut e prezanton si incident

Suada Qorraj

Vendi nuk do të ekzistonte dot pa historinë, të kaluarën, të bëmat, popujt e shumtë që kanë ikur e kanë ardhur, heronjtë, të rënët, themelet mbi të cilat sot ngritet e ardhmja jonë. Historia që shekuj më parë mësohej përmes këngëve e gojëdhënave, tashmë është shkruar në libra, e fillon të mësohet që në ditën e parë kur fëmijët ulen në bankat shkollore, shkruan KultPlus.

Ndonëse për popujt e Ballkanit ekzistonin libra të veçantë që tregonin historinë e secilit vend, themeluesit e  OJQ-së “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe”, me seli në Selanik, kishin angazhuar historianë nga të gjitha vendet e Ballkanit për hartimin e gjashtë librave mësimorë alternativë të historisë, të titulluar “Projekti i Historisë së Përbashkët”, të cilat tashmë janë botuar në njëmbëdhjetë gjuhë të botës.

Por, në këta libra të botuar në vitin 2016 ekzistojnë mangësi të shumta, shtrembërime të mëdha dhe fshehje të fakteve lidhur me historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve që nga periudha e Perandorisë Osmane. Mbase një gjë e tillë do të kishte kaluar nën hije, do mbetej e panjohur për opinionin, sikur të mos fillonte botimi i analizave për këta libra nga Shkëlzen Gashi.

Në një intervistë për KultPlus, Gashi ka treguar se fillimisht ai kishte analizuar librin e gjashtë që flet për luftën e fundit në ish Jugosllavi. Sipas tij, ishte pikërisht prezantimi jo i denjë dhe mungesa e fakteve që e shtyu atë të lexonte edhe librat tjerë dhe të analizonte përfaqësimin e historisë së Kosovës në to.

“Vitin e kaluar lexova vetëm librin e gjashtë se më interesonte të shoh se si janë prezantuar luftërat e fundit në ish Jugosllavi, e sidomos lufta në Kosovë. Lufta e fundit në Kosovë ishte prezantuar shumë keq, prandaj dhe e bëra një shkrim për të. Pas publikimit mendova që është më mirë të analizohen se si prezantohen shqiptarët edhe në pesë librat e tjerë”, ka pohuar ai.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që të analizohen këta libra dhe të shihet se si prezantohet Kosova, sepse këta libra të shkruar në anglisht, tashmë janë përkthyer në gjuhët e të gjitha vendeve të Ballkanit, madje edhe në japonisht. Gashi ka thënë se rëndësia e analizimit të këtyre teksteve qëndron edhe në faktin që Kosova e ka pasur përfaqësuesin e saj në Selanik dhe ka dhënë pëlqimin për përdorimin e tyre.

Të gjashtë librat u promovuan në shumë nga kryeqytetet e vendeve rajonale, e edhe në Prishtinë në vitin 2018, ku pjesëmarrës në këtë promovim ishte edhe bashkautori i këtyre librave, akademiku Frashër Demaj.

Shkëlzen Gashi ka pohuar se nuk ka mundur ta besoj që autori i cili ka prezantuar Kosovën në këtë projekt, Frashër Demaj, nuk i ka prezantuar krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve, përderisa në librat shkollorë në Kosovë ai i ekzagjeron këto krime.

“Kam kritikuar tekstet mësimore të historisë në Kosovë, autor i të cilave është Frashër Demaj, i cili ka marrë pjesë në këtë projekt në Selanik. Kam kritikuar këto tekste për shumë arsye: këto tekste përmbajnë gjuhë të urrejtjes, pasaktësi e ekzagjerime. Në librat tonë të historisë krimet që janë kryer nga shteti serb ndaj shqiptarëve të Kosovës prej vitit 1878 e deri më 1999 dyfishohen. Kam problem me tekstet e hartuara në Kosovë sepse i ekzagjerojnë këto krime, por edhe me tekstet e hartuara në Selanik sepse nuk i prezantojnë fare këto krime, te cilat duhet të prezantohen saktë. Si të shpjegohet që i njëjti person – Frashër Demaj – në Prishtinë i dyfishon krimet e forcave serbe, në Selanik nuk i prezanton fare?”, ka thënë ai.

Sipas tij, Frashër Demaj duhet të bëjë një distancim publik, jo vetëm moral por të bëjë një distancim duke u dërguar letra botuesve të librit dhe të kërkoj ndryshimin e këtyre teksteve.

“Ky duhet jo një distancim publik veç moral, por duhet ta bëjë një distancim duke ju dërguar letër të gjithë përfaqësuesve në Selanik, duke kërkuar jo vetëm distancim por edhe ndryshim të këtyre teksteve”, ka thënë Gashi.

Shkëlzen Gashi për KultPlus ka dhënë disa nga pikat kryesore të analizës që i ka bërë deri më tani, prej aty që janë publikuar e deri tek ato që priten të publikohen gjatë javëve në vazhdim.

Në librin e parë mungojnë faktet për kryengritjet shqiptare kundër Perandorisë Osmane të udhëhequra nga Skënderbeu, nuk përmenden fare kryengritjet e shqiptarëve, nuk jepen fakte se si shqiptarët arritën të bëheshin pushtetarë në pozita të larta gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Madje, shqiptarët përgjatë këtij libri shfaqen si ushtarë që punonin me pagesë dhe u ndihmonin ushtrive të armikut si dhe prezantohen si njerëz që nuk dinin se ç’është dashuria, e madje edhe i përbuznin gratë. Kurse gratë shqiptare paraqiten të paarsimuara që nuk flisnin gjuhë tjetër përpos asaj amtare.

Kurse në librin e dytë të kësaj serie gjashtë pjesëshe nuk theksohet synimi i vërtetë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mungojnë të dhënat për dëbimin e shqiptarëve nga trevat e Sanxhakut të Nishit, mungojnë elementet kryesore të Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. E mbi të gjitha, mungon edhe shpjegimi për domethënien e flamurit të Kosovës, vetë flamuri i Kosovës, të dhënat për himnin dhe stemën e saj.

Edhe në librin e tretë ekziston një numër i madh i pasaktësive,  por edhe i mosprezentimit të fakteve. Në këtë pjesë, shqiptarët fajësohen për humbjen e forcave osmane përgjatë luftërave ballkanike, nuk ka të dhëna për krimet e forcave serbe dhe malazeze ndaj shqiptarëve, si dhe figurojnë të dhënat për viktimat e të gjitha vendeve përgjatë luftërave ballkanike, përjashtuar shqiptarët. Libri i katërt i këtij vëllimi “Lufta e Dytë Botërore” nuk përmban asgjë për Kosovën dhe shqiptarët në ish Jugosllavi.

Ndërkaq, në librin e pestë ku trajtohet periudha prej Luftës së Dytë Botërore e deri tek rënia e Ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë, Aleksander Rankovic më 1966 nuk jepen të dhëna për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi. Në këtë libër edhe demonstratat e vitit 1968 trajtohen në mënyrë krejtësisht sipërfaqësore. Nuk ekzistojnë as të dhëna për reformën agrare që preku edhe shqiptarët e Kosovës, si dhe nuk ka të dhëna mbi faktin se si regjimi serb nxiti myslimanët e Kosovës të deklaroheshin si turq, duke e fryrë kështu numrin e turqve në vend.

Dhe në fund, në librin që edhe e shtyu Shkëlzen Gashin që të bëjë një analizë më të detajuar të këtij vëllimi, pra në librin e gjashtë, ‘Luftërat, Ndarjet dhe Integrimi’, lufta e fundit në Kosovë nuk paraqitet me faktet që kanë ndodhur, tentohet të bëhet fshehja e tyre dhe njëkohësisht zbehja e tyre.

Shkëlzen Gashi ka pohuar se në librin e gjashtë prezantohen vetëm dy monumente, që të dyja në Serbi, kurse për masakrën e Reçakut, të vetmen që prezantohet në këtë libër, thuhet se ishte vetëm një incident.

“Tek lufta e fundit në Kosovë prezantohen dy memoriale për luftën në Kosovë, por të dyja janë në Serbi. Prezantohet një monument për punëtoret e vrarë të Radio Televizionit të Serbisë që janë vrarë prej bombardimeve të NATO-s dhe një memorial në një park në Beograd për fëmijët e vrarë si pasojë e bombardimeve të NATO-s. Nuk prezantohet asnjë memorial nga Kosova. Për më shumë, nuk prezantohet asnjë prej masakrave në Kosovë, përveç masakrës së Reçakut, madje edhe për të thuhet se ishte incident, masakër kontraverse, sepse ka dy versione: versioni i shqiptarëve dhe i ndërkombëtarëve në njërën anë, dhe versioni serb në anën tjetër. Kjo është shumë shqetësuese”, ka shtuar tutje ai.

Në librin e gjashtë të këtij vëllimi theksohet se ishin sulmet e UÇK-së ato që sollën migrimin e popullsisë serbe. Kurse për dëbimet e mbi 80% të kosovarëve thuhet se u bë gjatë bombardimeve të NATO-s, por nuk jep të dhëna se kush i dëboi refugjatët gjatë luftës. Madje, në këtë libër tregohet edhe për shkatërrimin e 39 kishave ortodoksë serbe pas luftës në Kosovë, por nuk jepen të dhëna që ishin kosovarët ata që me taksat e tyre mundësuan renovimin e tyre. Lufta e fundit ilustrohet vetëm me dy fotografi, që të dyja për dëmet në Serbi nga bombardimet e NATO-s. Kurse për të dënuarit dhe të liruarit nga Tribunali i Hagës për ish Jugosllavinë, përmendet vetëm aktakuza për krime kundër njerëzimit ndaj Millosheviq, por jo edhe lirimi i komandantëve të UÇK-së.

Shklëzen Gashi ka thënë se pas publikimit të të gjithë artikujve duhet të reagojnë të gjitha institucionet përgjegjëse në Kosovë e në Shqipëri. Ai ka shtuar se është i nevojshëm edhe distancimi nga ana e BE-së, meqenëse këta libra janë të financuar prej BE-së. Madje, ai ka pohuar se ekziston një tendencë e ndërrimit të versionit në gjuhën shqipe të këtyre librave.

“Kur të përfundon publikimi i këtyre artikujve do të ishte mirë që të reagonin Instituti i Historisë në Prishtinë e Instituti i historisë në Tiranë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, komisionet parlamentare për Arsim të të dyja vendeve dhe ministritë e Arsimit të të dy vendeve. Ka pasur një tendencë për ta ndryshuar versionin shqip të këtyre librave, por gjëra triviale”, ka thënë tutje ai.

Gashi krejt në fund ka shtuar se pas publikimit të artikujve do të bëhet përmbledhja e tyre në një libër të vetëm nga “ADMOVERE”, me mbështetje nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe do t’u dorëzohet Instituteve të Historisë në Kosovë e në Shqipëri, Instituteve Albanologjike, Akademive të Shkencave, Komisioneve Parlamentare për Arsim, Ministrive të Arsimit, e edhe Ministrive të Jashtme.

KultPlus ka kontaktuar edhe Frashër Demaj, por ky i fundit nuk i është përgjigjur pyetjeve të bëra nga ana e redaksisë tonë./ KultPlus.com