Pamja e një ushtarit derisa po ua kalon rrugën nga përmbytjet dy fëmijëve është bërë virale në rrjetet sociale. Shihet se ai bartë në krahë, dy fëmijë, djalë e vajzë, gjest ky që është çmuar shumë nga qytetarët.
Raportohet se fotografia është shkrepur në zonën e Gjilanit, komunë kjo që nuk ka kaluar lehtë nga përmbytjet që u shkaktuan nga reshjet e shumta të shiut.
Vendi ynë është përballur me reshje të shumta të shiut ditëve të fundit, për shkak të kësaj situate në teren kanë vepruar edhe ekipet e FSK-së. / express/ KultPlus.com
Forca e Sigurisë së Kosovës, pritet që në mars 2021, të zbarkojë në misionin e parë paqeruajtës, që nga shndërrimi i saj në ushtri në dhjetor të vitit 2018.
Kontingjenti i ushtarëve të Kosovës do të jetë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas të Ushtrisë amerikane dhe destinacion i parë pritet të jetë Kuvajti. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka zbuluar më 6 janar se në shqyrtim janë dy vende.
“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën”, ka deklaruar Rama.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë shtetërorë se opsioni i Irakut është më pak i mundshëm, pasi ky shtet ende nuk e ka njohur Kosovën.
Këto detaje janë zbuluar një ditë pasi Kuvendi i Kosovës me 92 vota për dhe asnjë votë kundër, miratoi vendimin e 31 dhjetorit 2020 të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Çfarë njësish do të marrin pjesë?
Zyrtarisht ende nuk dihet se sa do të jetë numri i kontingjentit të Kosovës në këtë mision, edhe pse përgatitjet për të ka shumë kohë që kanë nisur. Besa Kabashi -Ramaj, eksperte në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, tha Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrja pritet të jetë simbolike, por e një rëndësie të veçantë.
“Është konfirmuar se njësitë që kanë për të shërbyer bashkë me Forcat e Ushtrisë së SHBA-së, do të jenë nga Mirëmbajtja dhe Logjistika, pra këto janë dy fushat në të cilat FSK-ja do të ndihmojë në kuadër të misionit të përbashkët me SHBA-në”, tha Kabashi-Ramaj.
Por kjo sipas saj, nuk e zbeh rëndësinë dhe rrezikshmërinë e misionit.
“Të gjithë duhet ta kuptojnë se kjo vjen me rreziqe, por të gjithë oficerët, nënoficerët e FSK-së e kanë këtë parasysh në momentin që bëhen anëtarë të kësaj force. Kështu që ata janë shumë mirë të përgatitur që të marrin përsipër edhe rreziqe të tilla”, shtoi ajo.
Pjesëmarrje simbolike, hap historik
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se misioni mund të jetë simbolik, por i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin.
“Është lajm i mirë, historik, neve tani na mbetet të kryejmë obligimet tona në aspektin profesional. Ne qysh në start kemi punuar në bazë të standardeve të NATO-s, dhe vetë fakti që e kemi NATO-n brenda institucionit tonë, kjo e ka rëndësinë e vet”, tha gjenerallejtënant Rama duke rikujtuar se NATO-ja ka qenë pjesë aktive e zhvillimit të FSK-së që nga viti 2009.
Për Besa Kabashi-Ramajn, vendimi për dërgimin e FSK-së në misione jashtë vendit, që është marrë me partnerin kryesor strategjik, dëshmon se “Kosova ka ndërtuar një forcë që e ka standardin dhe besueshmërinë paralel me ushtarët e Ushtrisë më të fuqishme në botë”.
“FSK-ja ka filluar transformimin si rezultat i Rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë në vitet 2012-2014, dhe aty ka filluar edhe qëllimi FSK-së për zbarkimin jashtë vendit si shenjë e profesionalizmit, por edhe dëshirës së Kosovës për të dhënë për të tjerët, atë që partnerët e Kosovës e kanë dhënë në vitin 1999 e tutje. Kështu që ky është kontributi i Kosovës për botën dhe për partnerët e saj strategjik”, tha ajo.
Vendimi ka hyrë në fuqi
Një ditë pas miratimit në kuvend, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës.
Ajo i ka uruar paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët do të marrin pjesë në këtë mision.
“Si presidente në detyrë dhe Komandante Supreme e FSK-së, i uroj paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët bënë historinë dhe do të jenë në funksion të paqes krahas SHBA-së, aleatëve tanë strategjik”, ka thënë Osmani.
Edhe Ambasada e SHBA-së e ka mirëpritur vendimin.
“Votimi unanim i kuvendit për lejimin që Forca e Sigurisë së Kosovë të ketë partneritet me Ushtrinë e SHBA-së në misionet e ardhshme paqeruajtëse, demostron se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj të përbashkët për paqen dhe sigurinë në botë” thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.
Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Turqinë e kanë mbështetur FSK-në me pajisje ushtarake dhe trajnimin e kuadrit të saj profesional.
Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.
Aktualisht, FSK-ja ka 2,747 ushtarë aktivë, ndërkaq synimi është që kjo forcë të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një forcë rezervë prej 3 mijë vetash.
FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.
Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet. /express/ KultPlus.com
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar pro kërkesës së dërgimit të trupave të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Iowa në mision paqeruajtës, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur sot, shkruan KultPlus.
Pas këtij lajmi ka reaguar edhe Vasjfije Krasniqi Goodman e cila ka uruar për vendimin e marrë dhe ka thënë se FSK-ja do të rrisë nderin e Kosovës.
Gjithashtu ajo ka shkruar se po lutet për shërimin e qytetarëve që pësuan nga shpërthimi që ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Ferizaj.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Kosova tani edhe aktivisht paqëndërtuese në botë!
Tanimë pas vendimit që mori Kuvendi i Kosovës, unë dua t’ju uroi të gjithë atyre që në të ardhmen do të angazhohen për të ofruar, siguruar apo mbrojtur paqën në botë shëndet dhe përfaqësim dinjitoz!
Ushtarë të dashur, bota ka nevoi për ushtar sikurse ju, ushtar që dhurojnë e ofrojnë paqe e dhembshuri, mos lejoni që dikush dikun të përdhunoi, të vras, e të bëj ç’farë të dëshiroj, shërbeni paqës dhe miqësisë.
Sot e përgjithmonë do të lutem për ju, sikurse që në këtë moment lutem për shërimi e qytetarëve të cilët pësuan nga shpërthimi në Ferizaj.
Kosovë tani FSK-ja do ta rris nderin tënd!/ KultPlus.com
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar pro kërkesës së dërgimit të trupave të Forcave të Sigursë së Kosovës në Iowa në mision paqeruajtës, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur sot.
Përpara kësaj, ata votuan me 82 vota për që të shmangin rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së dërgimit të kontigjentit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Iowa.
Fjalë rasti para votimit morën edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni. Këta të fundit e vlerësuan lart kërkesën e SHBA’së për bashkëpunim me FSK’në në misione paqëruajtëse.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ligjore për dërgimin e FSK’së në Iowa. Qeveria e Republikës Kosovës, sipas kërkesave ligjore, vendimin e saj e ka dërguar në Kuvendin e Kosovës. Sot, së bashku, iu ftoj ta pohojmë para miqve të botës se jemi në gjendje t’i bëjmë ballë përgjegjësisë që na takon. Duke e votuar këtë propozim, ju do ta shkruani një faqe të re dhe jashtzëakonisht të rëndësishme në udhën e sigurisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Populli i Kosovës si pak popuj në botë e kupton rëndësinë e misioneve paqëruejtëse”, deklaroi kryeministri Hoti.
Kryesuesi i dikasterit të Mbrojtjes, ka thënë se puna e FSK’së po vlerësohet edhe përtej kufinjve.
“Ministria e Mbrojtjes si dikaster përgjegjës qeveritar për mbrojtje dhe siguri, sipas kërkesës së SHBA’ve, lidhur me bashkëzbarkimin e misioneve për ofrimin e misioneve për stabilitet rajonal, ka konsideruar kërkesën dhe i është përgjigjur pozitivisht. Ministria e Mbrojtjes i ka bashkërenduar veprimet përmes rrugëve diplomatike dhe ligjore. Kosova tashmë ka një traditë bashkëpunimi me Iowa-n. Përkushtimi, integriteti dhe profesionalizmi i FSK’së, jo vetëm që po vlerësohet në normat më të larta nga qytetarët e Kosovës, por ajo po vlerësohet edhe ndërkombëtarisht”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku, ka pasur kritika për qeverinë aktuale për shkurtimet buxhetore ndaj FSK’së, të cilës iu bënë përgjatë vitit të kaluar.
“Shkurtimi i buxhetit për FSK që ka pasur pikëpyetje, si ka mundur të ndodh kjo. Vendimet që ka marrë kjo qeveri janë në shpërputhje të plotë me planin e tranzicionit të FSK’së në ushtri. Me këtë buxhet që ka paraparë kjo qeveri, nuk mund të avancohen kapacitete të reja”, ka deklaruar ajo.
Komisioni për Çështje të Sigurisë për Mbrojtje i ka rekomanduar Kuvendit që të miratohet propozimi i këtillë nga deputetët e Kuvendit.
Opozita e legjislaturës së shtatë ka akuzuar qeverinë për vonesën e parashtrimit të kërkesës së dërgimit të trupave të FSK’së jashtë vendit. Ata përkujtuan se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, po të vinte, do ta rrëzonte qeverinë dhe do ta pamundësonte një votim të tillë.
FSK, për të satin vit radhazi, është votuar si institucioni më i besueshëm në Kosovë. /Gazeta Express/KultPlus.com
Në këto ditë festash kur të gjithë mblidhen me më të dashurit e tyre, janë mjekët e policët ata që pikërisht në këto ditë mobilizohen më shumë se kurrë për t’u vënë në dispozicion të popullit, shkruan KultPlus.
Natën e kaluar të ndërrimit të motmoteve, ishte FSK-ja ajo që i bëri vizitë Ferdonije Qerkezit.
Vetë Ferdonija ka publikuar dy fotografi me disa pjestarë të FSK-së që i kishin bërë vizitë në shtëpinë e saj. ‘Falemnderit për vizitën FSK’, kishte shkruar ajo në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com
Ushtarakut i duhej një sfidë e re, e cila do ta përmbushte, por përmes së cilës do t’i ndihmonte një ndryshimi të madh.
Britaniku Ade Clewlow zgjodhi Kosovën.
Këtë ia mundësoi KFOR-it duke e caktuar si oficer ndërlidhës në mes misionit të tyre në Kosovë dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të cilat synonin të shndërroheshin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Clewlow veç që ndërmjetësoi, ndihmoi ish krerët e TMK-së për ta arritur qëllimin. Megjithatë sipas tij, KFOR-i nuk bëri gjithë çka mundi për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
”Dhe nuk besoj që ata donin të arrinin sukses, dhe sikur që keni mundur ta lexoni, ka pasur disa raste kur unë e kam ndjerë se KFOR-i do të mund të ishte më aktiv në proces, sepse shndërrimi i TMK-së në FSK ishte i lidhur dhe nuk bënin njëra pa tjetrën. Ata mund të bënin më shumë por për disa arsye nuk e bënë”, ka thënë Clewlow në intervistën e tij të parë ndonjëherë për televizion.
Një pjesë të përvojës së tij gjashtëmujore në Kosovë nga gushti i 2008-ës, Clewlow e rrëfeu në Klan Kosova, derisa gjithë çfarë ngjau me shndërrimin e TMK-së në FSK britaniku e ka përmbledhur në librin e tij ”Nën një qiell me pupla”, po akoma vetëm në gjuhën angleze./klankosova/KultPlus.com
Dy vite më parë, Kuvendi i Kosovës, me 106 vota pro miratoi ndryshimet e nevojshme ligjore që hapën rrugën për transformimin e FSK-së në Ushtri të shtetit të Kosovës dhe themeluan Ministrinë tonë të mbrojtjes.
Kjo votë, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës sonë si ndër momentet kulminante të përpjekjeve tona të përbashkëta për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO.
Djemtë e vajzat tona në FSK, po vazhdojnë të na bëjnë krenar dhe ta mbajnë Kosovën në piedestalin më të lartë duke lartësuar flamurin tonë e Ushtrinë tonë të përbashkët.
Është detyrë e jona kombëtare që të kontribuojmë në fuqizimin e mëtejmë të ushtrisë sonë, në mënyrë që në bashkëpunim me miqtë e partnerët tanë strategjik, ta shohim atë si ndër ushtritë më të sukseshshme që kontribuojnë në paqe e siguri në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të gëzojmë Ushtrinë e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Në akademinë ushtarake më prestigjioze në botë West Point, për herë të parë u thirr edhe emri i Kosovës. Madje, kjo ndodhi dy herë!
Kjo falë dy pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Yll Dalladaku e Arelena Shala, që u bënë të parët nga Kosova që përfunduan akademinë në West Point.
Diplomimin e tyre, Ylli e Arelena e bënë para presidentit amerikan, Donald Trump.
Tash e tre muaj, Ylli është kthyer dhe po shërben në Ushtrinë e Kosovës. Përvoja që e ka marrë në West Point, po del të jetë tejet e nevojshme për shërbimin e tij në FSK.
“Bashkëpunimi i FSK me ushtrinë amerikane ka qenë edhe më herët, prandaj kjo është vazhdimësi e bashkëpunimit. Patjetër që njohuritë që i kam marrë në West Point, do të më ndihmojnë shumë në FSK”, thotë Ylli për RTK.
Sfidat ishin të shumta. Por, kishte diçka që Yll Dalladakun nuk e kishte lënë asnjëherë të dorëzohet, ashtu siç ndodhi me 300 kadetë tjerë.
“Kur e kam ditur cilin shtet e përfaqësoj, të kaluarën tonë, motivi ka qenë shumë më i madh”, shprehet ai.
Në gjithë këtë histori, pati edhe momente interesante të cilat i rrëfen Ylli.
“Shoku i dhomës, ushtar amerikan, para du vitesh ka ardhur në Kosovë. Jam i lumtur që ai tash ka mendim të mirë për ne, dhe i kanë dalur të sakta fjalët që ia kam thënë për Kosovën”, shprehet Ylli.
Bashkë me Yllin ishte edhe Arelena Shala. Ajo tashmë po vazhdon studimet master në Amerikë. Por, në një rrëfim që kishte dhënë për West Point, kishte treguar shumëçka, duke nisur nga historia e Kosovës, FSK-së, arritja në akademi dhe planet e së ardhmes.
“Kur kam qenë 4 ose 5 vjeçe, lufta filloi në Kosovë, dhe ne u detyruam të ikim nga shtëpia dhe shkuam si refugjatë në Shqipëri. Në rrugë shihja zjarre të ndezura, tanke. Por jo shumë kohë më pas, gjithçka u rregullua, dhe për motrën time që ka lindur pas luftës, ajo çfarë ka ndodhur është diçcka e paimagjinueshme”, rrëfen Arelena.
“Në të ardhmen jam e interesuar të punojë për sigurinë ndërkombëtare, dhe kjo është arsyeja pse jam këtu. Sidomos në Ballkan, ku ka ende tentime për konflikt, dhe situata e sigurisë është e paqëndrueshme. Të gjitha shtetet kanë luftuar për pavarësi, kur tash po mundohen ta fuqizojnë këtë pavarësi, dhe ta rrisin sigurinë. Ky është synimi, të punojë për rritjen e sigurisë në Ballkan”, shprehet ajo.
Ylli dhe Arelena ishin të parët që shkruan këtë histori, por ata shpresojnë se këtë rrugë do ta vazhdojnë edhe shumë kadetë të FSK-së./ rtk/ KultPlus.com
Sot në Akademinë Mbretërore Ushtarake, ka diplomuar Nëntoger Klevis Elezaj, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Kosovës në Londër, e cila diplomimin e Elezajt e konsideron edhe një sukses tjetër të pjesëmarrjes së FSK-së në këtë Akademi prestigjioze.
Në ceremoninë e diplomimit në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst morrën pjesë e Ngarkuara me punë, znj. Arrita Gjakova dhe Nënkolonel Beton Retkoceri, Atashe i Mbrojtës. / KultPlus.com
Ndihmat dhe reagimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhënë viktimave pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, e ka ngritur lartë reputacionin e kësaj force sigurie, që prej një viti kur ka hyrë në rrugën për t’u shndërruar në ushtri profesioniste.
Nëse kthehemi pas në historinë e FSK-së shohim se për herë të parë kur FSK-ja kishte dalë jashtë kufijve të Kosovës, ishte po ashtu në Shqipëri.
Pikërisht sot, bëhen 10 vjet nga zbarkimi i parë i Forcë së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, zbarkim ky që pati ngjarë në prefekturat e Shkodrës dhe Lezhës, ku zona të tëra qenë përmbytur nga uji pas reshjeve të shumta dhe daljes nga shtrati të lumenjve e rrjedhave të tjera ujore.
Më 5 janar 2010 një kontingjent i FSK-së i përbërë nga Njësia e Kërkim Shpëtimit, Policia e FSK-së, togu i transportit dhe ekipet mjekësore, të komanduar nga Major Ejup Maqedonci, patën evakuuar dhe shpëtuar qindra njerëz nga përmbytjet.
Ky intervenim ka pas shumë rëndësi meqë ishte hera e parë që FSK-ja dilte jashtë shtetit, çka pati nxitur shumë reagime dhe kundërshti atë kohë. /koha.net/ KultPlus.com
Ushtria e Kosovës kohët e fundit na ka bërë shumë krenarë, duke treguar se edhe pse një shtet i ri e me një ushtri të re, nuk posedon asgjë më pak se ushtritë e shteteve tjera, shkruan KultPlus.
Pjesëtarët e FSK’së, gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore, ashtu që jeta, figura dhe dinjitetit i pjesëtarit dhe familjes janë të paprekshme.
Detyrat e përgjithshme të Ushtrisë së Kosovës janë: Mbrojtja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, Mbrojtja e qytetarëve dhe komuniteteve të Republikës së Kosovës, Mbështetja ushtarake autoriteteve civile si dhe Pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare.
Armatimet që ka të drejtë t’i zotërojë do të jenë të gjitha armatimet që janë anti blind duke përfshirë edhe topat deri në 105 mm, ndërkaq do të ketë akses të plotë në gjitha llojet e armëve kundërairore.
Ministria e Mbrojtjes, kakompetencë mbikëqyrjen dhe menaxhimin e të gjitha veprimtarive të inteligjencës dhe informacioneve të klasifikuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në vijim mund të shikoni disa fotografi që paraqesin Ushtarët e Kosovës, gjatë detyrës së tyre. / KultPlus.com
Forca e Sigurisë së Kosovës sivjet do të shënojë Ditën e Forcës me flamuj e emblema të reja për secilën njësi. Ato janë dekretuar nga presidenti i Kosovës dhe të mërkurën ushtarët e FSK-së do të parakalojnë për herë të parë me mandat të ri ushtarak.
Të mërkurën Forca e Sigurisë së Kosovës do të shënojë ditën e saj, me një ceremoni në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Kjo është hera e parë që FSK shënon “Ditën e Forcës” me mision dhe mandat të ri ushtarak, pas fillimit të fazës së tranzicionit që erdhi pas miratimit të ligjeve për FSK-në në Kuvendin e Kosovës.
Andaj edhe kjo ceremoni nuk do të jetë krejt e zakonshme.
Njësitë e FSK-së do të paraqitën me flamuj dhe emblema të reja, të dekretuara për çdo njësi nga presidenti i Republikës së Kosovës.
Gjeneral Rama thotë se faza e tranzicionit ka sfida, por shprehet i bindur se do të vazhdojnë me realizimin e objektivave bazuar në planin afatgjatë të paraparë për tranzicionin e FSK-së.
“Me 27 do të dalim me emblema, të çdo njësie, të reja, me flamuj të ri, dhe normalisht prej 27-it shkëputet misioni i kaluar dhe kalojmë në misionin e ri, gjithmonë duke i marrë parasysh, faza e tranzicionit i ka edhe sfidat e veta, por deri tash jemi shumë të kënaqur me të arriturat që i kemi pasur pavarësisht edhe sfidave që kanë dalë gjatë rrugëtimit, por do të vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm me objektivat dhe qëllimet tona, dhe planet tona që i kemi sidomos duke respektuar planin afatgjatë që e kemi”, thotë ai.
Komandanti i Forcës vlerëson se viti 2019, që është viti i parë i tranziocionit, është vit i suksesit për FSK-në. Madje, thotë se janë tejkaluar pritshmëritë.
“Mund të them me përgjegjësi, që viti i parë ka shkuar shumë mirë ndoshta edhe përtej pritjeve tona që i kemi pasur. Jemi në një fazë të tranzicionit dhe ka shkuar shumë mirë dhe pa dyshim që 27 nëntori është një ditë e veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por në të njëjtën kohë është një ditë e veçantë edhe për Kosovën, arsyeja është që për herë të parë me mision dhe mandat të ri, dhe jemi të sigurt që të gjitha këto objektivat tona, planet tona janë në realizim e sipër”, thotë ai.
Këtu gjeneral Rama nuk lë pa përmendur partnerët e FSK-së të cilët po e përkrahin edhe në fazën e tranzicionit. Ai thotë se pa aleatët, Forca nuk do të mund të arrinte ku është aktualisht.
Aktualisht janë dhjetëra kadet të ri të cilët po i përfundojnë shkollimet në këto akademi akademitë ushtarake më prestigjioze në botë.
E vitin e ardhshëm pritet që, për herë të parë, dy oficerë të ri të FSK-së të përfundojnë akademinë në West Point.
Gjithashtu, FSK do të ketë edhe një kadet në West Point dhe një në Forcat Ajrore, e që është hera e parë që Kosova do të marrë pjesë në Forcat Ajrore.
Komandanti i FSK-së thotë se vazhdojnë me ngritjen profesionale të stafit, qoftë në trajnime individuale, akademi ushtarake në botë, por edhe trajnime e aktivitete të tjera, siç janë garat dhe ushtrimet fushore që FSK sivjet ka marrë pjesë në shumë vende të botës./koha.net/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Forcat e Sigurisë së Kosovës, ku është pritur në takim nga gjenerali Enver Cikaqi.
Qëllimi i kësaj vizite ishte dhurimi i librave të botuara dhe të blera nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për bibliotekën e FSK-së.
Më këtë rast, ministri Gashi tha se “ne kemi një iniciativë për t’i furnizuar bibliotekat e komunave me libra, dhe në kuadër të kësaj kemi menduar që të furnizojmë dhe bibliotekën e ushtrisë sonë, po ashtu edhe pjesën lindore të Kosovës, Preshevën, Medvegjën, Bujanocin si dhe Ulqinin dhe Tuzin”.
“Furnizimi me libra nëpër biblioteka të komunave të Kosovës si dhe jashtë territorit të Kosovës është një program i rëndësishëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti dhe në kuadër të këtij programi ne po dhurojmë në çdo bibliotekë nga 135 tituj, të cilët janë më të kërkuar nga publiku kohën e fundit”, tha ai.
Duke pasur parasysh që kohën e fundit nuk ka pasur investime në libra ne kemi vendosur që t’i mbështesim bibliotekat me këtë donacion, i cili besoj që do të vazhdojë edhe në të ardhmen” tha ministri Gashi.
Ndërkaq, gjenerali Enver Cikaqi falënderoi ministrin Gashi për vizitën dhe dhurimin e librave për bibliotekën e FSK-së dhe gjithashtu e njoftoi ministrin rreth bibliotekës dhe interesimin e pjesëtarëve të FSK-së për leximin e librave.
“Këta tituj do t’i ndihmojnë shumë pjesëtarët tanë për formësimin dhe avancimin profesional dhe njëkohësisht do ta kemi një bibliotekë më të begatshme. Ardhja juaj këtu për t’i sjell librat është një mesazh që FSK-ja është mbarë dhe ndihemi të përkrahur edhe nga të tjerët”, u shpreh gjenerali Enver Cikaqi. / KultPlus.com