Libri ‘Gjuha filmit’, bisturia e dilemave bashkëkohore

Recension dhe diskutim me “Gjuha e filmit” autor Bardh Rugova

Nga Ballsor Hoxha

1.

Libri “Gjuha e filmit” është libër enciklopedi për filmin. Libri “Gjuha e filmit” është libër i cili trajton disa nga fenomenet dhe thekset më problematike, më komplekse dhe më aktuale globale, jo vetëm prej perspektivës së linguistikës, por duke e mishëruar edhe kulturën e edhe filmin brenda tyre.

Në të vërtetë në këtë libër mund të gjejmë një përshkallëzim të trajtimit të fenomenit bashkëkohësi përmes asaj që autori e ka titulluar si “Gjuha e filmit” e në të vërtetë është shumë më shumë: prerja copë e fenomeneve të cilat ka pësuar lëvizje të boshtit të vlerës, dhe aq më shumë janë shndë-rruar në pafundësi refleksionesh të të njohurës.

Autori Bardh Rugova, merr përsipër të trajtoj fenomenet më esenciale të njeriut, prej – të të vërtetës -, – eststikës/të bukurës -, – të mirës dhe të keqes -, – dashurisë -, e deri tek shndërrimi i estetikës apo estetizimit të – dhunës – dhe estetizimit të – jashtëqitjes, gjithnjë përmes filmave si gjuhë e përmbajtur tanimë në shtjellat e vetëdijes dhe diskursit global. Kjo gjithnjë duke u argumentuar qoftë në histori, dhe po ashtu edhe përmes përkufizimeve që nisen nga teoritë linguistike, e që kalojnë deri në filozofi e filozof të mirënjohur dhe aktual global.

Qysh në hyrje të filmit diskutohet, mjeshtërisht nga autori, problemi apo çështja apo fenomenologjia e – estetizimit të jashtëqitjes -. Jo si një ikje/eskapizëm në të parëndomtën, por pikërisht si përballje me po të njëjtën lëvizje të boshtit të vlerës, dhe shndë-rrimit të refleksionit të të njohurës. Autori merr shembull filmin “Trainspotting” dhe në të vërtetë “obseisionimin” e regjisorit të “Transpotting” me jashtëqitjen si paraqitje në të gjithë filmat e tij. Autori e sheh këtë si zanafillë qysh në modernizmin e Duchamp (artistit të mirënjohur të filleve të modernizmit) përmes ekspozimit të urinalit në një ekspozitë serioze artistike. Autori pyetet ç’ është më estetika, pa e mohuar edhe artin në këtë proces, pa e mohuar edhe idenë në këtë proces, pa e mohuar edhe arritjen në këtë proces.

Më tutje Bardh Rugova si autor i “Gjuha e filmit” merr shembull një nga filmat tanimë klasik mbi dhunën. Aq më shumë ai bën një elabrorim të kalimit të estetikës në kinematografi dhe konsum kulturor, sidomos gjatë viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, duke ardhur tek filmi “The Wild Bunch” të Sam Packinpah. Sipas Rugovës, për të bërë këtë elaborim e krahason këtë film me filmin re-make të po të njëjtit në kohën tonë, gjithnjë dhuna e shfaqur në filmin e Packinpah duke qenë një shfaqje e re dhe krejtësisht e shfaqur në natyrën e saj më brutale dhe më reale gjë që, në një mënyrë e – disektuar – kirurgjikisht dhuna del të jetë – kalim i njerëzimit nga një strata e shprehjes dhe konsumit, dhe sidomos diskutimit të saj, në një strata krejtësisht të re.

Në të vërtetë, libri fillon me lamentin bashkëkohor të Tarantinos ndaj modernizmit, gjë që do të mund të ishte quajtur me lamentin ndaj naives në kalim në modernizëm, dhe më tutje, kalon në diskutimin, dhe përkufizimin e fenomeneve të reja (siç u cekën më lartë estetizimi i jashtëqitjes, dhuna, etj. kjo duke e hapur librin si ballë-për-ballje me të renë, me ndryshimin, me lëvizjen e boshtit të vlerave dhe me shndë -rrimin e vlerave.

Libri “gjuha e filmit” është pafundësi diskutimesh, mbi filmin, estetikën, fenomenet bashkëkohore, dilemat bashkëkohore, thekset e konflikteve bashkëkohore, dhe krijon një përmbledhje krejtësisht

origjinale, të përmbledhur dhe të përmbushur të kësaj gjuhe – gjuhës së bashkëkohësisë përmes filmit si pikënisje ose si përmbajtje.

2.

Diskutimi brenda librit është tri shkallësh: filmi, si gjuhë, teoritë linguistike e tutje, të ulura në nivel të të kuptuarit të zakonshëm, dhe të mishërimit të këtyre dyjave me bashkëkohësinë tonë, me preokupimet tona dhe me dilemat tona bashkëkohore qoftë në nivel lokal dhe qoftë në nivel global.

Një nga trajtimet më interesante dhe më origjinale është ai mbi dashurinë si fenomen njerëzor i cili megjithëse njihet prej të gjithëve, sipas autorit, është i pashpjegushëm, nuk gjen një përkufizim të qëndrueshëm , dhe aq më shumë prodhon pafundësi eksplikimesh rreth tij.

Autori këtij fenomeni njerëzor i qaset përmes linguistikës strukturaliste, që do të thotë e ndanë atë në objekt dhe në rezonimin e këtij objekti. Më tutje pyetet se cili është: objekti; apo rezonimi/asocimi i këtij objekti që është, e bën dashurinë?

Në të vërtetë ndarë në këtë metodë të strukturalizimit çdo gjë humb të vërtetën e përhershme (për të mos thënë të vërtetën absolute) dhe me këtë kalon në diçka krejtësisht racionale (lexo: të lakueshme në raport tonin me atë).

Aq më shumë autori merr përsipër të trajtoj edhe tema të tjera që kanë ngjallë dhe ngjallin diskutim dhe debat të pafundmë në njerëzim. Ai trajton fenomenet universale prej bukurisë si fenomen i veçantë, e deri tek arti si abstraksion të cilin e shijojmë, gjithnjë sipas autorit, por rezonon në pafundësi eksplikimesh dhe përkufizimesh.

Në të vërtetë, derisa autori flet për artin, ai merr shembull filmin me Lady Gaga, edhe në filmin e njohur bashkëkohor e edhe personalitetin e saj në realitet, kështu duke hyrë tutje në përafrimin e teorisë, prej postmodernitetit, lojës së tij me simulacran (të simuluarën e filmit në veçanti) e deri tek kalimi i këtij simulimi në realitet. Dhe tutje në teori të tjera.

Në esenë për artin, eksplikuar përmes filmit “Amadeus”, autori Rugova bënë një odiseadë rrënjësore të lindjes, zhvillimit dhe debatit mbi artin. Ai niset nga atomistët që e shpjegonin çdo gjë si kauzalitet dhe platonistët që çdo gjë e shpjegonin si pjesëmarrje, krejt kjo në Greqinë e lashtë. Më tutje Rugova i gjurmon përkufizimet mbi artin si: mbamendje, si imitim i natyrës, apo imitim i imitimit të natyrës siç e thonë Platoni dhe Aristoteli. Mirëpo, autori, para se të kalojë në eksplikimin e artit përmes filmit legjendar “Amadeus”, arrin në një kompromis të teorive dhe përkufizimeve se arti megjithatë është komunikim.

Më tutje Rugova del në teorinë bashkëkohore të – njohtueshmërisë (sipas De Beaugrande dhe Dressle, cit B. Rugova). Duke e ndarë përjetimin e artit në tri shkallë: të pritshëm; të angazhimit; dhe të të papriturës. Por ajo që është interesante në këtë ese është interpretimi i autorit Rugova për Mozartin si personazh në filmin “Amadeus”:

Mozarti i filmit Amadeus nuk është heroi që presim , gjeni autoritativ, , por është një çun agalluç , dashamir me një çeshje naive. …ai është artist jo për shkak të sjelljeve a të çehres, por për shkak që ka “për të thënë”.

3.

Në esenë “Për relativizmin gjuhësor, të imagjinuar”, dhe me këtë edhe për nj poezi të Sabri Hamitit, dhe filmin dhe “Arrival”, autori Rugova duke trajtuar dallimet mes dy shkollave të procesit të gjuhës në shoqërinë njerëzore, si relativizëm dhe si nativizëm, ai tregon se në Babiloni nuk do të mund të përkthehej romani “Krimi dhe ndëshkimi” pasi që në të njëjtën gjuhë e njëjta fjalë përdoret për të dy nocionet dhe funksionet.

Më tutje derisa Rugova teoretizon mbi të ardhmen, paskajoren (si veçori gege) përmes poezisë së Sabri Hamitit, ai ndalet tek dy vargjet e poezisë së Sabri Hamitit

… kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes

Sepse unë nuk due të vdes por kam me vdekë”

Autori Rugova, kohën e ardhme e sheh si dëshirë, si diçka që nuk relativizohet, por ndaj të cilës njeriu mbetet në gjendje statike. Mirëpo, prej këtu ai shkon më tutje, duke marrë shembullin e këtyre dy vargjeve, të cilat thyejnë edhe barrierën e vdekjes me dashurinë e tyre. Në këtë dashuria, siç edhe thekson autori Rugova, është përtej statikes së lartëcekur dhe përtej dëshirës, ajo në këto vargje realizohet në të ardhmen, si shenjë, si peshë dhe si gjurmë.

Në po të njëjtin ese, në krahasim me filmin “Arrival” sipas autorit Rugova, filmi dështon, duke e parë të ardhmen si të relativizueshme dhe të manipulueshme, në film.

Aq më shumë duke shpjeguar për shkollat e liguistikës, asaj të nativizimit dhe asaj të relativizmit, Rugova e sheh gjuhën të skematizueshme, brenda kulturores në shkollën e relativizmit, apo të gjenetikes, aftësisë së trurit që plotëson një pëlhurë të bardhë me shprehjen e tij. Gjë që si shkencëtar lë jashtë mundësinë e rregullit të përjashtimit, apo edhe të përjashtimit vetë. Mundësisë së të tërës, antropologjisë së njeriut, si shkëmbim dhe – kalim ndër-njerëzor, i lindur me automatizëm në njeriun nga ripordhimi i natyrës në njeriun dhe i ndeshur dhe devijuar në kohë gjatë kontakteve ndër-njerëzore. Sigurisht, kjo hyn në njërën prej shkollave, aq më shumë ka pjesë në të dy shkollat e lartëcekura por anashkalon jetën që ndodh, që është e tëra rastësi dhe që jetësohet e pakrahasim me një tjetër (Kundera).

Në këtë, duke debatuar me autorin Rugova, duke iu kthyer filmit “Arrival”, megjithatë filmi ka një ide, që është se me – kalimin e njeriut në të ardhmen, sidomos duke kapur të ardhmen e kohës, e që është vetë kulturorja, vetë relativizimi i gjuhës dhe edhe trurit të njeriut dhe edhe të statikes së perspektivës së të folurit, ideja e filmit se thika e sjellë dhuratë, nga alienët, për njerëzimin, si shenja më dalluese e njeriut në tërë historinë e tij, është në të vërtetë ardhmëria e njeriut. Gjë që do të thotë se gjuha “e cila ka relativizuar, racionalizuar të ardhmen” është në të vërtetë shenja, pesha, dhe gjurma të cilën e ka lënë njeriu, jo në kohën e gurit apo të metalit, por në tërësinë e tij dhe në tërë të rrënjësishmen e tij.

Kështu gjuha duke kaluar në dëshirën e realizuar, apo në dashurinë e realizuar?

Prej këtu duke iu kthyer vargjeve të Sabri Hamitit

… kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes…

kjo mund të shihet edhe si qark jo vetëm dashurie, jo vetëm gjakimi dhe jo vetëm -kalimi të statikes së mundësisë së njeriut, por edhe si gjurmë e cila rikthen motivin e mungesës: gjuhës, të pranuar, të njohur dhe si kognicion i pavarur.

Në të vërtetë, prej esesë së shkëlqyeshme të autorit Rugova, poezia e Sabri Hamitit sikur motivi i Konstantinit në Besën e shqiptarit, dashuria arri në besë tutje kognicionit. Ajo që kjo ese arrin të krijoj është – diskutimin – e kognicionit, si njohje, si provë, si -kalim. Kognicioni është i tejshkueshëm, imagjinata e bartë atë tutje dhe e sjellë në shërbim të dashurisë.

Por duke iu kthyer edhe një herë pjesës për filmin “Arrival” dhe elementit të thikës sjellë si dhuratë në këtë film nga alienët, për njerëzimin, shtrohet pyetja nëse mund të lëmë ne vetë gjurmën e njeriut/njerëzimit në tokë (qoftë edhe për alienët e Hollywood-it) apo nëse ajo është ndër-njerëzorja në ne dhe që e krijojmë dhe -kalojmë vetë ne.

Thika, në kognicionin tonë kalon në devijim të ndër-njerëzores dhe në kontakt të ndër-njerëzores, por e pamotivuar si gjurmë as testament, derisa dashuria e Sabri Hamitit për gjuhën në poezinë e tij është motiv, motiv po ashtu ndër-njerëzor por i varur nga perspektiva e shprehjes, imagjinatës dhe vetë motivimit.

Në të vërtetë referenca e “Kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes” kaluar tanimë në dashuri jashtë filozofikes dhe në shpallje, është përpjekja e njeriut për të udhërrëfyer një të ardhme. Paradoksalisht referenca/perspektiva duke qenë fat individual, fat tragjik dhe fat pafuqie të njeriut, i cili e përmbushë fatin e tij mbi pafuqinë e tij.

Derisa kolektivja, njerëzorja, duke iu kthyer fillimit me shembullin e gjuhës babilonase ku krimi dhe ndëshkimi kishin të njëjtin nocion, na bën të pyetemi ku është dilema e gjuhës, dhe me këtë – arritja e njeriut tutje me imagjinatë , dashuri dhe kognicion? Nëse gjuha mund të relativizohet (jo si për nevoja të alienëve, apo pse jo gjuha e tyre për nevoja tona?) në diçka tutje përcaktimit, determinimit, dhe edhe shpalljes, apo thënë ndryshe nëse gjuha është e vetëformësueshme dhe e vetë – kalueshme nëpër përvojat njerëzore.

Nëse krim dhe ndëshkim janë e njëjta gjë, nëse thikë dhe njeri janë e njëjta gjë, nëse gjuhë dhe dashuri janë e njëjta gjë, sikur përafërsisht në esenë e autorit Rugova, gjuha nuk e ka bartur njeriun tutje, por njeriu e ka bartur jetën, e ka jetësuar atë në kufi me dhe përballë asaj që më herët në libër autori Rugova kur flet për platonistët thotë se mendonin se jeta dhe çdo gjë është pjesëmarrje.

Në këtë vetë thika në filmin “Arrival” vetë gjuha në poezinë e Sabri Hamitit është pjesëmarrja, dhe me këtë pandashmëria e njeriut nga jetësimi i tij.

4. Përfundim

Libri “Gjuha e filmit” i autorit Bardh Rugova, është libër gjigant. Ai tenton të kyç botën tonë të izoluar brenda mbijetesës me botën globale. Me gjuhën e filmit, me gjuhën e debatimit dhe diskutimit të fenomeneve të -kalimit të njeriut dhe njerëzimit. Me preokupimet tona që janë identikisht fenomene globale.

Është libër i motivuar nga historia e rëndë e marrjes së informatës në jetët tona, historia e rëndë e procesimit të teorisë në radhë të parë, kulturës së filmit dhe globales në radhë të dytë dhe po ashtu edhe histori e rëndë e moskomunikimit ndërnjerëzor në shoqërinë tonë. Ai është i mallkuar të mbetet si një libër i specializuar, me gjithë përpjekjen gjigante për të përafruar të gjitha gjuhët dhe shprehjet globale të përjetimit tonë.

Ndoshta kjo është e meta e këtij libri – motivi i tij gjigant patriotik dhe përpjekja për një themelim të një kulture të diskutimit të gjuhës/gjuhëve për secilin prej nesh.

Në të vërtetë libri “gjuha e filmit” është libër i përkryer. Ai – disekton – tërë dilemën, dhe dilemat e njeriut të sotëm, në mënyrë krejtësisht origjinale dhe të argumentuar, qoftë në teori dhe qoftë në motivin e tij kryesor në – film. Ai mundëson hapjen e një bote të tërë, për të cilën gjithmonë kemi dashur të dimë dhe kurrë nuk kemi guxuar të pyesim, hapjen e një pamjeje dhe prekjeje krejtësisht të qartë dhe të kapshme të dilemës dhe dilemave globale.

Libri “Gjuha e filmit” është libër që trajton bashkëkohoren, shtjellën e saj si dhe thekset e konfliktit global. Ai është menduar si debatim i bashkëkohores. Është rikrijim i një korpusi masiv të diskutimeve të bashkëkohores. Dhe në këtë është trajtimi më serioz deri më tani, qoftë në linguistikë, në sociologji dhe në filozofi, i bashkëkohores.

Por, le të marrim parasysh, edhe se libri në fjalë në dëm të përmbajtjes dhe të trajtimit më introspektiv të – disktimeve – të tij, i jep përparësi mosnjohjes (lexo: mosinformimit) të lexuesit. Libri “Gjuha e filmit” është serioz në gjetjet dhe penetrimet e tij, qoftë edhe në përzgjedhjen e trajtimit të fenomeneve bashkëkohore, por mbetet peng i mosnjohjes së shoqërisë sonë, qoftë edhe injorimit të shoqërisë sonë dhe me këtë edhe injorancës së shoqërisë sonë.

Ku mbetet, dhe ku do të mbetet kjo përpjekje serioze, shkencore dhe sociologjike (prej kësaj perspektive) në shoqërinë tonë?

Derisa filmi është edhe shprehja më e trajtuar nga filozofët më të mëdhenj që nga vitet gjashtëdhjetë, si shembull i ndër-njerëzores, e deri më sot, tek ne ai është krejtësisht i mbetur peng i kënaqësive të adrenalinës dhe i kopjimit të sjelljes. Derisa filmi sot është stadiumi i ndër-njerëzores, në shoqërinë tonë ai ende mbetet i panjohur dhe i papranuar, si në filozofi të jetës, po ashtu edhe në fuqi amalgamimi të njeriut të masës dhe të globit.

Udhë të mbarë një prej përpjekjeve më serioze të këtyre viteve të pasluftës, në një shoqëri që shikon filma e nuk i percepton ata, derisa perceptimi është vetë filmi. / KultPlus.com

Bardh Rugova publikon “Gjuha e filmit”, një përmbledhje me ese ku filmat analizohen si tekste

Gjuhëtari, publicisti, përkthyesi dhe profesori, Bardh Rugova gjatë ditës së djeshme ka botuar librin e tij të fundit “Gjuha e filmit”, në të cilin ai ka bërë një përmbledhje me ese, ku filmat analizohen si tekste. Ky libër konsiderohet i pari i kësaj natyre në studimet shqiptare, shkruan KultPlus.

Në parathënien e këtij libri Bardh Rugova shpjegon se përmbledhja e eseve dhe analizimi i teksteve është bërë me metodat e gjuhëtarit dhe kushdo që e merr librin në dorë do të gjejë aty këtu edhe analiza e shpjegime kinema-tografike. Por, brenda librit lexuesit do të gjejnë edhe besnikërinë ndaj metodës linguistike, si synim për të mbetur brenda kornizave të një gjuhëtari.

Aty shpjegohet se brenda vëllimit janë diskutuar probleme të gjuhësisë e të tekstit si ndërtekstualiteti, njoftueshmëria, koherenca, synu-eshmëria e pranueshmëria, si edhe efikasiteti e efektshmëria tekstore.

“Brenda këtij vëllimi janë diskutuar probleme të gjuhësisë së tekstit: si ndërtekstualiteti, njoftueshmëria, koherenca, synu-eshmëria e pranueshmëria, si edhe efikasiteti e efektshmëria tekstore. Janë trajtuar probleme të gramatikës së tekstit si kompozicioni, duke diskutuar çështje të makrostrukturës tekstore dhe të superstrukturës tekstore; dhe konteksti: psikologjik dhe ai social, duke pasur raste të daljes edhe në fushën e sociolinguistikës. Kemi bërë përpjekje që të diskutojmë nocionin ‘figurë’ në gjuhësi” thuhet në parathënien e librit “Gjuha e filmit”.

Tutje tregohet se filmat e përzgjedhur janë marrë vetëm si shkas për të trajtuar problemet gjuhësore, si dhe për faktin që ka pasur një mungesë diskutimi rreth tyre. Në këtë parathënie Rugova tregon se lista e filmave të paraqitur në këtë libër nuk pasqyron listën e filmave të tij të preferuar.

“Pa dyshim, zgjedhja e filmave ka qenë subjektive dhe e rastit, por kjo nuk do të thotë se zgjedhja është bërë vetëm sipas vlerësimit personal ose shijes artistike – ndonëse nuk mohoj se mund të ketë rol edhe shija personale. Lista e filmave të paraqitur në këtë vëllim nuk pasqyron listën e filmave të mi të preferuar”, shkruan ai.

Sipas shkrimtarit sikur të bënte analizimin e filmave të tij të preferuar, vëllimi i këtij libri do të përfshinte edhe filmat ‘Godfather” dhe “Lord of the Rings” – në artikuj të gjatë. Madje ai shkruan se për “Lord of the Rings” ai kohë më parë kishte planifikuar të shkruante një libër të tërë, por nuk premton se një gjë e tillë mund të ndodhë në të ardhmen.

Tutje ai ka shpjeguar se ky libër nuk është vëllim për filmin, por për gjuhën dhe gjuhësinë. Filmi në këtë libër ka vetëm rolin e korpusit të analizës gjuhësore. Rugova madje ka shkruar se e kishte menduar që në libër të mos përshinte filma shqiptar, por ishte një diskutim jashtë filmit më vete që e shtyu atë që të përfshinte edhe një ese për filmin “Shok”.

“Për një listë të tërë arsyesh, kam menduar të mos përfshija asnjë film shqiptar. I kam shikuar thuajse të gjithë që janë xhiruar kohët e fundit dhe, natyrisht, i di thuajse të gjithë që janë xhiruar më parë. Do të kisha diçka për të thënë rreth shumicës prej tyre – nga këndvështrimi i gjuhëtarit dhe i analizës së tekstit. Megjithatë, një diskutim jashtë filmit më vete më shtyu të ofroja një ese për filmin ‘Shok’.”

Libri “Gjuha e filmit” ishte projektuar katër vite më parë, kur autori ishte në vlugun e punimeve të shumta, hartimeve të librave dhe projekteve që lidheshin me strukturën e shqipes. Por, pikërisht gjatë kohës së pandemisë, siç shpjegon autori në parathënie, ju rikthye shkrimit të eseve dhe redaktimit të atyre që kishte shkruar më parë, si mënyrë për të kaluar kohën. Ai ka shpjeguar se libri mund t’ju hyj në punë studentëve të gjuhësisë, studiuesve të filmit por edhe entuziasteve të kulturës.  Gjuha e artikujve në këtë libër ju është përshtatur (të gjitha kategorive të mundshme që konsiderohen lexues potencialë).

Krejt në fund ai ka shkruar se filmat i kishte shikuar së bashku më vëllaun e tij, mendimi i të cilit është shtruar brenda eseve të këtij libri. Sipas tij libri i shërbeu atij që të mos mërzitej gjatë pandemisë.

““Gjuha e filmit” bën bashkë më shumë pasione të miat: gjuhësinë në radhë të parë dhe pastaj filmit, leximin – letërsinë, shkencën, muzikën… sporti, besa. Është një libër që ma përmbush pasionin” ka thënë autori i librit, Bardh Rugova./ KultPlus.com