Libri ‘Gjuha filmit’, bisturia e dilemave bashkëkohore

Recension dhe diskutim me “Gjuha e filmit” autor Bardh Rugova

Nga Ballsor Hoxha

1.

Libri “Gjuha e filmit” është libër enciklopedi për filmin. Libri “Gjuha e filmit” është libër i cili trajton disa nga fenomenet dhe thekset më problematike, më komplekse dhe më aktuale globale, jo vetëm prej perspektivës së linguistikës, por duke e mishëruar edhe kulturën e edhe filmin brenda tyre.

Në të vërtetë në këtë libër mund të gjejmë një përshkallëzim të trajtimit të fenomenit bashkëkohësi përmes asaj që autori e ka titulluar si “Gjuha e filmit” e në të vërtetë është shumë më shumë: prerja copë e fenomeneve të cilat ka pësuar lëvizje të boshtit të vlerës, dhe aq më shumë janë shndë-rruar në pafundësi refleksionesh të të njohurës.

Autori Bardh Rugova, merr përsipër të trajtoj fenomenet më esenciale të njeriut, prej – të të vërtetës -, – eststikës/të bukurës -, – të mirës dhe të keqes -, – dashurisë -, e deri tek shndërrimi i estetikës apo estetizimit të – dhunës – dhe estetizimit të – jashtëqitjes, gjithnjë përmes filmave si gjuhë e përmbajtur tanimë në shtjellat e vetëdijes dhe diskursit global. Kjo gjithnjë duke u argumentuar qoftë në histori, dhe po ashtu edhe përmes përkufizimeve që nisen nga teoritë linguistike, e që kalojnë deri në filozofi e filozof të mirënjohur dhe aktual global.

Qysh në hyrje të filmit diskutohet, mjeshtërisht nga autori, problemi apo çështja apo fenomenologjia e – estetizimit të jashtëqitjes -. Jo si një ikje/eskapizëm në të parëndomtën, por pikërisht si përballje me po të njëjtën lëvizje të boshtit të vlerës, dhe shndë-rrimit të refleksionit të të njohurës. Autori merr shembull filmin “Trainspotting” dhe në të vërtetë “obseisionimin” e regjisorit të “Transpotting” me jashtëqitjen si paraqitje në të gjithë filmat e tij. Autori e sheh këtë si zanafillë qysh në modernizmin e Duchamp (artistit të mirënjohur të filleve të modernizmit) përmes ekspozimit të urinalit në një ekspozitë serioze artistike. Autori pyetet ç’ është më estetika, pa e mohuar edhe artin në këtë proces, pa e mohuar edhe idenë në këtë proces, pa e mohuar edhe arritjen në këtë proces.

Më tutje Bardh Rugova si autor i “Gjuha e filmit” merr shembull një nga filmat tanimë klasik mbi dhunën. Aq më shumë ai bën një elabrorim të kalimit të estetikës në kinematografi dhe konsum kulturor, sidomos gjatë viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, duke ardhur tek filmi “The Wild Bunch” të Sam Packinpah. Sipas Rugovës, për të bërë këtë elaborim e krahason këtë film me filmin re-make të po të njëjtit në kohën tonë, gjithnjë dhuna e shfaqur në filmin e Packinpah duke qenë një shfaqje e re dhe krejtësisht e shfaqur në natyrën e saj më brutale dhe më reale gjë që, në një mënyrë e – disektuar – kirurgjikisht dhuna del të jetë – kalim i njerëzimit nga një strata e shprehjes dhe konsumit, dhe sidomos diskutimit të saj, në një strata krejtësisht të re.

Në të vërtetë, libri fillon me lamentin bashkëkohor të Tarantinos ndaj modernizmit, gjë që do të mund të ishte quajtur me lamentin ndaj naives në kalim në modernizëm, dhe më tutje, kalon në diskutimin, dhe përkufizimin e fenomeneve të reja (siç u cekën më lartë estetizimi i jashtëqitjes, dhuna, etj. kjo duke e hapur librin si ballë-për-ballje me të renë, me ndryshimin, me lëvizjen e boshtit të vlerave dhe me shndë -rrimin e vlerave.

Libri “gjuha e filmit” është pafundësi diskutimesh, mbi filmin, estetikën, fenomenet bashkëkohore, dilemat bashkëkohore, thekset e konflikteve bashkëkohore, dhe krijon një përmbledhje krejtësisht

origjinale, të përmbledhur dhe të përmbushur të kësaj gjuhe – gjuhës së bashkëkohësisë përmes filmit si pikënisje ose si përmbajtje.

2.

Diskutimi brenda librit është tri shkallësh: filmi, si gjuhë, teoritë linguistike e tutje, të ulura në nivel të të kuptuarit të zakonshëm, dhe të mishërimit të këtyre dyjave me bashkëkohësinë tonë, me preokupimet tona dhe me dilemat tona bashkëkohore qoftë në nivel lokal dhe qoftë në nivel global.

Një nga trajtimet më interesante dhe më origjinale është ai mbi dashurinë si fenomen njerëzor i cili megjithëse njihet prej të gjithëve, sipas autorit, është i pashpjegushëm, nuk gjen një përkufizim të qëndrueshëm , dhe aq më shumë prodhon pafundësi eksplikimesh rreth tij.

Autori këtij fenomeni njerëzor i qaset përmes linguistikës strukturaliste, që do të thotë e ndanë atë në objekt dhe në rezonimin e këtij objekti. Më tutje pyetet se cili është: objekti; apo rezonimi/asocimi i këtij objekti që është, e bën dashurinë?

Në të vërtetë ndarë në këtë metodë të strukturalizimit çdo gjë humb të vërtetën e përhershme (për të mos thënë të vërtetën absolute) dhe me këtë kalon në diçka krejtësisht racionale (lexo: të lakueshme në raport tonin me atë).

Aq më shumë autori merr përsipër të trajtoj edhe tema të tjera që kanë ngjallë dhe ngjallin diskutim dhe debat të pafundmë në njerëzim. Ai trajton fenomenet universale prej bukurisë si fenomen i veçantë, e deri tek arti si abstraksion të cilin e shijojmë, gjithnjë sipas autorit, por rezonon në pafundësi eksplikimesh dhe përkufizimesh.

Në të vërtetë, derisa autori flet për artin, ai merr shembull filmin me Lady Gaga, edhe në filmin e njohur bashkëkohor e edhe personalitetin e saj në realitet, kështu duke hyrë tutje në përafrimin e teorisë, prej postmodernitetit, lojës së tij me simulacran (të simuluarën e filmit në veçanti) e deri tek kalimi i këtij simulimi në realitet. Dhe tutje në teori të tjera.

Në esenë për artin, eksplikuar përmes filmit “Amadeus”, autori Rugova bënë një odiseadë rrënjësore të lindjes, zhvillimit dhe debatit mbi artin. Ai niset nga atomistët që e shpjegonin çdo gjë si kauzalitet dhe platonistët që çdo gjë e shpjegonin si pjesëmarrje, krejt kjo në Greqinë e lashtë. Më tutje Rugova i gjurmon përkufizimet mbi artin si: mbamendje, si imitim i natyrës, apo imitim i imitimit të natyrës siç e thonë Platoni dhe Aristoteli. Mirëpo, autori, para se të kalojë në eksplikimin e artit përmes filmit legjendar “Amadeus”, arrin në një kompromis të teorive dhe përkufizimeve se arti megjithatë është komunikim.

Më tutje Rugova del në teorinë bashkëkohore të – njohtueshmërisë (sipas De Beaugrande dhe Dressle, cit B. Rugova). Duke e ndarë përjetimin e artit në tri shkallë: të pritshëm; të angazhimit; dhe të të papriturës. Por ajo që është interesante në këtë ese është interpretimi i autorit Rugova për Mozartin si personazh në filmin “Amadeus”:

Mozarti i filmit Amadeus nuk është heroi që presim , gjeni autoritativ, , por është një çun agalluç , dashamir me një çeshje naive. …ai është artist jo për shkak të sjelljeve a të çehres, por për shkak që ka “për të thënë”.

3.

Në esenë “Për relativizmin gjuhësor, të imagjinuar”, dhe me këtë edhe për nj poezi të Sabri Hamitit, dhe filmin dhe “Arrival”, autori Rugova duke trajtuar dallimet mes dy shkollave të procesit të gjuhës në shoqërinë njerëzore, si relativizëm dhe si nativizëm, ai tregon se në Babiloni nuk do të mund të përkthehej romani “Krimi dhe ndëshkimi” pasi që në të njëjtën gjuhë e njëjta fjalë përdoret për të dy nocionet dhe funksionet.

Më tutje derisa Rugova teoretizon mbi të ardhmen, paskajoren (si veçori gege) përmes poezisë së Sabri Hamitit, ai ndalet tek dy vargjet e poezisë së Sabri Hamitit

… kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes

Sepse unë nuk due të vdes por kam me vdekë”

Autori Rugova, kohën e ardhme e sheh si dëshirë, si diçka që nuk relativizohet, por ndaj të cilës njeriu mbetet në gjendje statike. Mirëpo, prej këtu ai shkon më tutje, duke marrë shembullin e këtyre dy vargjeve, të cilat thyejnë edhe barrierën e vdekjes me dashurinë e tyre. Në këtë dashuria, siç edhe thekson autori Rugova, është përtej statikes së lartëcekur dhe përtej dëshirës, ajo në këto vargje realizohet në të ardhmen, si shenjë, si peshë dhe si gjurmë.

Në po të njëjtin ese, në krahasim me filmin “Arrival” sipas autorit Rugova, filmi dështon, duke e parë të ardhmen si të relativizueshme dhe të manipulueshme, në film.

Aq më shumë duke shpjeguar për shkollat e liguistikës, asaj të nativizimit dhe asaj të relativizmit, Rugova e sheh gjuhën të skematizueshme, brenda kulturores në shkollën e relativizmit, apo të gjenetikes, aftësisë së trurit që plotëson një pëlhurë të bardhë me shprehjen e tij. Gjë që si shkencëtar lë jashtë mundësinë e rregullit të përjashtimit, apo edhe të përjashtimit vetë. Mundësisë së të tërës, antropologjisë së njeriut, si shkëmbim dhe – kalim ndër-njerëzor, i lindur me automatizëm në njeriun nga ripordhimi i natyrës në njeriun dhe i ndeshur dhe devijuar në kohë gjatë kontakteve ndër-njerëzore. Sigurisht, kjo hyn në njërën prej shkollave, aq më shumë ka pjesë në të dy shkollat e lartëcekura por anashkalon jetën që ndodh, që është e tëra rastësi dhe që jetësohet e pakrahasim me një tjetër (Kundera).

Në këtë, duke debatuar me autorin Rugova, duke iu kthyer filmit “Arrival”, megjithatë filmi ka një ide, që është se me – kalimin e njeriut në të ardhmen, sidomos duke kapur të ardhmen e kohës, e që është vetë kulturorja, vetë relativizimi i gjuhës dhe edhe trurit të njeriut dhe edhe të statikes së perspektivës së të folurit, ideja e filmit se thika e sjellë dhuratë, nga alienët, për njerëzimin, si shenja më dalluese e njeriut në tërë historinë e tij, është në të vërtetë ardhmëria e njeriut. Gjë që do të thotë se gjuha “e cila ka relativizuar, racionalizuar të ardhmen” është në të vërtetë shenja, pesha, dhe gjurma të cilën e ka lënë njeriu, jo në kohën e gurit apo të metalit, por në tërësinë e tij dhe në tërë të rrënjësishmen e tij.

Kështu gjuha duke kaluar në dëshirën e realizuar, apo në dashurinë e realizuar?

Prej këtu duke iu kthyer vargjeve të Sabri Hamitit

… kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes…

kjo mund të shihet edhe si qark jo vetëm dashurie, jo vetëm gjakimi dhe jo vetëm -kalimi të statikes së mundësisë së njeriut, por edhe si gjurmë e cila rikthen motivin e mungesës: gjuhës, të pranuar, të njohur dhe si kognicion i pavarur.

Në të vërtetë, prej esesë së shkëlqyeshme të autorit Rugova, poezia e Sabri Hamitit sikur motivi i Konstantinit në Besën e shqiptarit, dashuria arri në besë tutje kognicionit. Ajo që kjo ese arrin të krijoj është – diskutimin – e kognicionit, si njohje, si provë, si -kalim. Kognicioni është i tejshkueshëm, imagjinata e bartë atë tutje dhe e sjellë në shërbim të dashurisë.

Por duke iu kthyer edhe një herë pjesës për filmin “Arrival” dhe elementit të thikës sjellë si dhuratë në këtë film nga alienët, për njerëzimin, shtrohet pyetja nëse mund të lëmë ne vetë gjurmën e njeriut/njerëzimit në tokë (qoftë edhe për alienët e Hollywood-it) apo nëse ajo është ndër-njerëzorja në ne dhe që e krijojmë dhe -kalojmë vetë ne.

Thika, në kognicionin tonë kalon në devijim të ndër-njerëzores dhe në kontakt të ndër-njerëzores, por e pamotivuar si gjurmë as testament, derisa dashuria e Sabri Hamitit për gjuhën në poezinë e tij është motiv, motiv po ashtu ndër-njerëzor por i varur nga perspektiva e shprehjes, imagjinatës dhe vetë motivimit.

Në të vërtetë referenca e “Kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes” kaluar tanimë në dashuri jashtë filozofikes dhe në shpallje, është përpjekja e njeriut për të udhërrëfyer një të ardhme. Paradoksalisht referenca/perspektiva duke qenë fat individual, fat tragjik dhe fat pafuqie të njeriut, i cili e përmbushë fatin e tij mbi pafuqinë e tij.

Derisa kolektivja, njerëzorja, duke iu kthyer fillimit me shembullin e gjuhës babilonase ku krimi dhe ndëshkimi kishin të njëjtin nocion, na bën të pyetemi ku është dilema e gjuhës, dhe me këtë – arritja e njeriut tutje me imagjinatë , dashuri dhe kognicion? Nëse gjuha mund të relativizohet (jo si për nevoja të alienëve, apo pse jo gjuha e tyre për nevoja tona?) në diçka tutje përcaktimit, determinimit, dhe edhe shpalljes, apo thënë ndryshe nëse gjuha është e vetëformësueshme dhe e vetë – kalueshme nëpër përvojat njerëzore.

Nëse krim dhe ndëshkim janë e njëjta gjë, nëse thikë dhe njeri janë e njëjta gjë, nëse gjuhë dhe dashuri janë e njëjta gjë, sikur përafërsisht në esenë e autorit Rugova, gjuha nuk e ka bartur njeriun tutje, por njeriu e ka bartur jetën, e ka jetësuar atë në kufi me dhe përballë asaj që më herët në libër autori Rugova kur flet për platonistët thotë se mendonin se jeta dhe çdo gjë është pjesëmarrje.

Në këtë vetë thika në filmin “Arrival” vetë gjuha në poezinë e Sabri Hamitit është pjesëmarrja, dhe me këtë pandashmëria e njeriut nga jetësimi i tij.

4. Përfundim

Libri “Gjuha e filmit” i autorit Bardh Rugova, është libër gjigant. Ai tenton të kyç botën tonë të izoluar brenda mbijetesës me botën globale. Me gjuhën e filmit, me gjuhën e debatimit dhe diskutimit të fenomeneve të -kalimit të njeriut dhe njerëzimit. Me preokupimet tona që janë identikisht fenomene globale.

Është libër i motivuar nga historia e rëndë e marrjes së informatës në jetët tona, historia e rëndë e procesimit të teorisë në radhë të parë, kulturës së filmit dhe globales në radhë të dytë dhe po ashtu edhe histori e rëndë e moskomunikimit ndërnjerëzor në shoqërinë tonë. Ai është i mallkuar të mbetet si një libër i specializuar, me gjithë përpjekjen gjigante për të përafruar të gjitha gjuhët dhe shprehjet globale të përjetimit tonë.

Ndoshta kjo është e meta e këtij libri – motivi i tij gjigant patriotik dhe përpjekja për një themelim të një kulture të diskutimit të gjuhës/gjuhëve për secilin prej nesh.

Në të vërtetë libri “gjuha e filmit” është libër i përkryer. Ai – disekton – tërë dilemën, dhe dilemat e njeriut të sotëm, në mënyrë krejtësisht origjinale dhe të argumentuar, qoftë në teori dhe qoftë në motivin e tij kryesor në – film. Ai mundëson hapjen e një bote të tërë, për të cilën gjithmonë kemi dashur të dimë dhe kurrë nuk kemi guxuar të pyesim, hapjen e një pamjeje dhe prekjeje krejtësisht të qartë dhe të kapshme të dilemës dhe dilemave globale.

Libri “Gjuha e filmit” është libër që trajton bashkëkohoren, shtjellën e saj si dhe thekset e konfliktit global. Ai është menduar si debatim i bashkëkohores. Është rikrijim i një korpusi masiv të diskutimeve të bashkëkohores. Dhe në këtë është trajtimi më serioz deri më tani, qoftë në linguistikë, në sociologji dhe në filozofi, i bashkëkohores.

Por, le të marrim parasysh, edhe se libri në fjalë në dëm të përmbajtjes dhe të trajtimit më introspektiv të – disktimeve – të tij, i jep përparësi mosnjohjes (lexo: mosinformimit) të lexuesit. Libri “Gjuha e filmit” është serioz në gjetjet dhe penetrimet e tij, qoftë edhe në përzgjedhjen e trajtimit të fenomeneve bashkëkohore, por mbetet peng i mosnjohjes së shoqërisë sonë, qoftë edhe injorimit të shoqërisë sonë dhe me këtë edhe injorancës së shoqërisë sonë.

Ku mbetet, dhe ku do të mbetet kjo përpjekje serioze, shkencore dhe sociologjike (prej kësaj perspektive) në shoqërinë tonë?

Derisa filmi është edhe shprehja më e trajtuar nga filozofët më të mëdhenj që nga vitet gjashtëdhjetë, si shembull i ndër-njerëzores, e deri më sot, tek ne ai është krejtësisht i mbetur peng i kënaqësive të adrenalinës dhe i kopjimit të sjelljes. Derisa filmi sot është stadiumi i ndër-njerëzores, në shoqërinë tonë ai ende mbetet i panjohur dhe i papranuar, si në filozofi të jetës, po ashtu edhe në fuqi amalgamimi të njeriut të masës dhe të globit.

Udhë të mbarë një prej përpjekjeve më serioze të këtyre viteve të pasluftës, në një shoqëri që shikon filma e nuk i percepton ata, derisa perceptimi është vetë filmi. / KultPlus.com

Një libër i ri mbresëlënës i shkrimtarit Viron Kona

Recension nga Fran Gjoka

Sapo doli nga shtypi libri më i ri i shkrimtarit Viron Kona: “Populli nuk e pëson duke qenë i ditur”, një titull mbresëlënës, i bazuar në një shprehje të  Pjetër Bogdanit, figurë e ndritur e letërsisë së vjetër shqiptare. Gjithçka e shkruar në këtë libër është një këndvështrim i autorit për jetën, artin dhe letërsinë, i paraqitur në 24 intervista, të cilat përfshijnë harkun kohor 2000 – 2020 dhe ruajnë me korrektesë origjinalin e botimit dhe kohën kur janë shkruar.

Në fjalën hyrëse shkrimtari Kona shprehet me konsiderata për intervistuesit dhe shpjegon rolin dhe raportet që ekzistojnë mes intervistuesit dhe të intervistuarit. “Një intervistë, bisedim me pyetje e përgjigje, -nënvizon ai,- është vlerë dhe kontribut edhe e atij që bënë pyetjet, edhe e atij që përgjigjet.  Intervista është bashkëbisedim në të cilin kanë rëndësinë e duhur, edhe intervistuesi, edhe i intervistuari. Pyetjet dhe përgjigjet janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, janë si dy shina mbi të cilat vërshon “treni” i mendimit. Me këtë rast ai falenderon gazetarët dhe shkrimtarët: Muharrem Dardha, Mentor Hoxha, Artan Dragusha, Dhimitër Xhoga, Nuri Dragoj, Bujar Ferhati, Albert Zholi, Raimonda Moisiu, Sejdo Harka, Kadri Tarelli, Fran Gjoka, Bashkim Saliasi, të cilët e kanë intervistuar dhe, me pyetjet e tyre, janë bërë pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e këtyre intervistave. Ai iu përcellë atyre mirënjohje të thellë, që i kanë dhënë mundësinë të shprehet për gjëra që kanë të bëjnë me jetën e përditëshme, me të kaluarën dhe me të ardhmen, me zhvillimet në disa fusha të jetës e, veçanërisht me fushën e letërsisë dhe të arteve. Gjithashtu ai nuk harron të falënderojë botuesit dhe redaksitë  e shtëpive botuese, gazetave dhe revistave në Shqipëri dhe jashtë vendit, që i kanë publikuar këto intervista. Në hyrje të çdo interviste shkrimtari ka shkruar vargje apo strofa të shkëputura nga librat e tij me poezi, të cilat shprehin simbolikisht disa ide dhe mesazhe të rëndësishme të intervistave. Libri është i pajisur me forografi dhe ilustrime  që i përgjigjen përmbajtjeve të  intervistave. Me këtë rast autori shpreh falenderime për piktorët: Zef Shoshi, Sabaudin Xhaferi, Eni Jakupi dhe Ymer Metaliaj, si dhe miqtë e mi që kanë bërë fotografitë: Sokol Demaku, Kadri Tarelli, Murat Gecaj, Bardhyl Xhama, Bashkim Saliasi, Bahtir Latifi, Dhimitër Xhoga. I sinqertë deri në fund, Viron Kona  shpjegon se diku ka edhe përsëritje pyetjesh dhe përgjigjesh, të cilat ai nuk ka mundur t`i shmangë, pasi ato ruajnë autorësinë e intervistuesve dhe kohën kur janë shkruar. Duke i falënderuar të gjithë  shokët, ish-kolegët dhe miqtë, ai u lutet atyre që për disa çaste t`u japin krahë përfytyrimeve dhe, si të ishim duke pirë kafenë, t`i lexonin këto intervista.

Në rubrikën “Përmbajtja e librit”, autori zgjon kureshjen e lexuesit me titujt e intervistave: “Nuk e di pse më kujtohet shpesh “Gryka e Djallit”!” dhënë gazetarit Muharrem Dardha; “Në Tiranë shkruaja libra, në Athinë ngrija thasë”, dhënë gazetarit Mentor Hoxha; “Arti i vërtetë lind në truall të shëndetshëm”, dhënë gazetarit Artan Dragusha; “Fëmijët janë mrekullia më e madhe e natyrës njerëzore”, dhënë gazetarit dhe studiuesit Nuri Dragoj; “Ai që punon me fëmijët bën punën e hyjnive”, dhënë gazetarit Bujar Ferhati; “Botën e dëshiroj një “shtëpi” të ngrohtë për të gjithë”, dhënë gazetares Raimonda Moisiu;  “Është më lehtë të lëvizësh një mal, sesa një mendim”, dhënë gazetarit Robert Zholi; “Jeta është e bukur, duke shkruar e botuar”, dhënë studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka; “Populli nuk e pëson, duke qenë i ditur”, përgjigje pyetjeve të lexuesve gjatë takimeve letrare të shkrimtarit në Suedi; “Libri i mirë,  ashtu si lumi, e gjen vetë rrugën e tij”, dhënë gazetarit dhe publicistit Kadri Tarelli; “Mund të përkëdhelësh veten, por jeta dhe shoqëria nuk të përkëdhelin” apo “Marigoja shqiptare në Norvegji”, dhënë gazetarit Fran Gjoka; “Shkrimtari Viron Kona rrëfen fëmijërinë e tij”, dhënë publicistit Bashkim Saliasi etj.

Në këtë vit të 70 vjetorit të tij, Viron Kona, duke qenë autor i rreth 50 librave, vëllime me tregime, novela, romane, poezi, epigrame, fabula, artikuj studimorë e kritikë, shfaq nëpërmjet intervistave mendimet dhe opinionet e tij rreth krijimtarisë artistike, shpalos ide dhe mendime origjinale për  stilin e të shkruarit, gjetjen dhe gjurimimin e  subjektit, zbulon çastet frymëzuese të krijimit, metodologjinë krijuese, përkushtimin, studimin  dhe mjeshtërinë artistike, rëndësinë dhe vlerën e detajit në një krijim letrar, figuracionin artistik, freskinë, kolorin, portretizmin e tipave dhe të karaktereve, gjendjen psikologjike etj. Gjithçka e shkruar, pas pyetjeve të intervistuesve, vjen natyrshëm dhe më e spikatur sidomos kur shkrimtari shprehet për letërsinë për fëmijë, që e ka pasion të veçantë. Sikurse, po aq origjinal dhe i pëlqyer është ai kur rrëfimet i shpreh në vetën e parë dhe ku vet autori është në rolin e protagonistit.

Në letërsinë që shkruan, Viron Kona është i thjeshtë, ai nuk sajon, nuk improvizon, por rrëfen me sinqeritet dhe me një gjuhë të pastër, plotë thellësi e kolor mendime e mesazhe mbresëlënëse sesi e përfshin brenda vetes së tij subjektin, si e përpunon në imagjinatëne  tij krijuese, si e lëmon, e “krasit” dhe e përpunon pa u lodhur deri në fund, duke pritur pastaj me emocion opinionet dhe mendimet që shprehin lexuesit për atë krijim. Shkrimtari nënvizon se subjektet i merr nga jeta dhe, më së shumti ato janë vet përvoja e jetës së tij, e cila për hir të së vërtetës është mjaft e pasur, pasi, siç shprehet edhe sociologu i njohur Gëzim Tushi: “Letërsia e Viron Konës, është e ngjizur me kurbën e kalvarit të tij jetësor. Vironi i ka provuar në jetë të  gjitha punët, nga ato më të vlerësuarat në shoqëri, në të cilat ai ka spikatur si vlerë shoqërore e njohur, deri në punët që në mënyrë të pamerituar e kanë çuar në zgrip të jetës. Ai ka provuar të jetë edhe në Olimp edhe në ferr. Kurba e jetës së tij, fillon nga aulat e larta të administratës shtetërore, e deri në punëtor i thjesht krahu, madje në emigracion…”.

Është me interes në këto intervista, sidomos ku shkrimtari shpjegon se, përpara se të shkruaj një libër, ai ekspoloron, studion thellë mjedisin, gjeografinë ku do të  vendos teatrin e ngjarjeve dhe rrëfenjave të tij. Kështu, ai jo vetëm bëhet i besueshëm për lexuesin, por librat e tij, veçanërisht ato për fëmijë, janë njëherazi edhe një enciklopedi, informacion real dhe kulturë specifike për atë mjedis për të cilin ai shkruan. Ndaj them se me të drejtë studiuesi dhe kritiku i letërsisë nga Prishtina Xheladin Mjeku, ndër të tjera shkruan:“…Ngjarjet që trajtohen në të gjithë librat e Viron Konës  kanë frymën e jetës plot gjallëri, aromën e detit dhe dashurinë e njeriut për të ardhmen dhe ndryshimet në kohë. Një synim i këtillë i autorit e bën të kërkuar dhe të dëshiruar çdoherë e më shumë, meqë me penën e tij nuk ngurron të sjell risi në akcilin prej botimeve…”

Ullmar Qvick, albanolog suedez, poet dhe përkthyes, “Mik i Madh i Shqiptarëve”, shprehet disa herë me konsiderata për shkrimtarin Viron Kona, por unë do të shkëpusja mesazhin e tij entuziast më 02 dhjetor 2019, pasi ka lexuar në revistën “Dituria”, që botohet në Suedi tregimin “Radioja”: “Oh sa më ka pëlqyer tregimi i Viron Konës për Radion! Besoj se do ta përkthej për revistën DX-Aktuellt, për miqtë suedezë të radios….(Tregimi   “Radioja”, i përkthyer në suedisht nga U. Qvick, është botuar në revistën   “Dituria”, Suedi, në janar të këtij viti). Formën artistike të shkrimtarisë së Viron Konës e vlerëson edhe studiuesi i njohur shqiptar, historian i letërsisë dhe  kritik letrar  Prof. dr. Koço Bihiku, i cili kur ka lexuar librin “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, shkruan:  “Libri i Viron Konës  “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, ka rëndësi, jo vetëm për vlerën e veçantë edukative, por edhe për format artistike, për rrëfimin e natyrshëm e të thjeshtë dhe të rrjedhshëm që e shquan.” Kurse Prof.dr.Pajtim Bejtja(Studiues, autor tekstesh shkollore) i cili në artikujt e tij ka vlerësuar disa herë krijimtarinë realiste të Viron Konës, shkruan: “Kur mbarova romanin (“Drithërimat e yjeve”), i mbushur plot me emocione të këndshme nga mbresat që më kishte lënë, guxova të bëj kritikun, pa qenë i fushës së letërsisë, dhe të deklaroj: “Ky është libri më i mirë që ka shkruar Vironi deri tani! S’do ta shkruante dot, pa pasur përjetime personale!”. Dhe, papritmas, filloi të mos më vijë keq për vuajtjet e pamerituara të tij dhe të mos i gjykoj aq rreptë pronarët dhe policët grekë… E vlejnë tre muaj vuajtje, kur arrijnë të frymëzojnë për të shkruar një kryevepër…!”

Libri “Populli nuk e pëson duke qenë i ditur” është njëherazi një përvojë sa jetësore dhe realiste,  aq edhe metodologjike shkrimore, që të frymëzon dhe të ngjallë dashuri e respekt më të madh për krijuesit, madje mund të themi pa e tepruar se ai shërben edhe si një “shkollëz” për krijuesit e rinj, ku ata njihen me përvojën e një shkrimtari pasionant, që e do dhe e respekton lexuesin dhe shkruan me shumë sinqeritet dhe bukuri tronditëse. Do të dëshiroja ta mbyllja këtë artikull prezantues për librin “Populli nuk e pëson duke qenë i ditur” me fjalët e studiuesit dhe kritikut të letërsisë Sejdo Harka, i cili shkruan: “Kur shfleton krijimtarinë e shkrimtarit të mirënjohur Viron Kona, prek me sytë e mendjes dhe të shpirtit realitete dhe fantazi që projektojnë ëndrrat e njerëzve të sotshëm dhe të ardhshëm. Me vizionin dhe këndvështrimin e tij shumëplanësh, zhbiron shpirtra njerëzorë, ndërton dhe rindërton karaktere të papërsëritshme, sa realë aq dhe paradoksalë, sa të zakonshëm, aq dhe të çuditshëm, zbulon dhe projekton vlera dhe zhbën antivlera. Përmes magjisë së fjalës dhe intuitës krijuese, ai shpalos ngjarje e realitete që flasin me gjuhën e kohërave, ndërton kështjella lirie e jete, ushqen shpresa për të vrarë zhgënjimet, projekton ëndrra të bukura për të mbytur frikën, vdekjen dhe skllavërinë, rrit embrione të mirësisë për të shkatërruar larvat e së keqes. Si rezultat i akumulimit të gjatë dhe të njohjes së thellë, V. Kona është bërë, jo vetëm një nga shkrimtarët më prodhimtarë të kohës, por edhe më i lexueshmi, sidomos nga fëmijët”. /KultPlus.com

Një amerikan në Kosovë dhe një shqiptar në Amerikë

Recension nga Ibrahim Berisha

(Muhamet Mjeku: Një jetë në mes Kosovës dhe Amerikës. New York, 2008)

Libri “Një Jetë në mes Amerikës dhe Kosovës” për Familjen Bajraktari, për Bajraktarët e Vranocit dhe të Amerikës, për Kullat tradicionale, kulturën dhe bizneset e Bajraktarëve ka 400 faqe. I shkruar me një stil të lehtë e mjeshtëror nga publicisti Muhamet Mjeku, që jeton ka vite në Nju Jork të SHBA, përmban në vete aq shumë pjesë, ide, filozofi, ngjarje, memorie, dhe njerëz me perspektivat antropologjike, historike, sociologjike e publicistike.

Jeta, Liria dhe Ndjekja e Lumturisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me idetë e Etërve Themelues, u patën ngritur mbi këto tre ideale, që janë pazgjidhshmërisht të lidhura me njëra tjetrën. Ose i ke të tre ose nuk e ke asnjërin. Mbi këto ideale, duke pasur si model Kushtetutën Amerikane, me kalimin e shekujve, janë themeluar shumë shtete moderne. Po mbi këto ideale është shpallur edhe shteti më i ri në Evropë, në vitin 2008, Kosova.

Familja Bajraktari, sikur edhe shumë familje të tjera shqiptare atdhedashëse gjatë fundit të shek XIX, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, dhe gjatë gjithë shek XX, ishin detyruar të sakrifikojnë, por edhe të jetojnë pa të drejtën themelore, pa lirinë.

Atyre pushteti jugosllav ua ndalonte të ndiqnin mirëqenien dhe lumturinë e tyre dhe të mos jetosh i lumtur do të thotë të kesh kaluar jetën tënde dëm.

Kështu, baba i Harryt, Metë Bajraktari, në kërkim të një ardhmërie më të mirë për familjen e tij, vendosi të bëjë atë që pak vetë e bënin: të ndiqte ëndrrën amerikane nisur nga Vranoci i largët.

Ky do të ishte fillimi i një jete më të mirë, i një suksesi në biznes dhe i një kontributi të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës.

Por, emigrimi nga Vranoci i shtypur nga Jugosllavia Komuniste për në Amerikën e largët, në vitin 1969, natyrisht se nuk ishte vendim i lehtë. Për këtë arsye kuraja për të mposhtur frikën e të panjohurës dhe guximi për të ndjekur lumturinë, siç bëri Metë Barjaktari, meriton konsideratën dhe nderimin tonë të thellë.

Nëse Metë Bajraktari, nuk do kishte besuar në guximin e tij, përballë mospajtimit të rrethit familjar dhe shoqëror, askush asnjëherë nuk do të kishte dëgjuar për gazetën e njohur Illyria, dhe shumë nga aktivitetet Shqiptaro-Amerikanëve për çështjen e Kosovës, dhe kosovarët sot, nuk do të kishin si model një Biznismen dhe veprimtar të jashtëzakonshëm të çështjes kombëtare në Amerikë dhe në Kosovë, si Harry Bajraktari.

Udhëtimi i Metë Bajraktarit nuk kishte pasur pëlqimin e të shoqes së tij dhe nënës së Harryt, Zizë Gecaj-Bajraktari. Është e kuptueshme brengosja e saj prej nëne, kur nuk do të kishte më shikim që do të kapte fushën e butë të Dukagjinit, kur diheshin pasiguritë që përmbante rruga e familjes Bajraktari drejt lirisë.

Sidoqoftë, edhe pse mospajtimi i saj ishte i pashkrirë, kjo nuk e pengoi atë që në SHBA të pajtonte nostaligjinë dhe mërzinë për Gecajt dhe Bajraktarët e mbetur në Dukagjin, me dashurinë për familjen në Neë York dhe të punonte për gjashtëmbëdhjetë vjet, pa ditur shkrim lexim dhe pa njohur gjuhën angleze, në një bankë në Ëall Street.

Në po këtë Bankë ku ajo kish punuar, do të vinte pas disa viteve një biznesmen i ri dhe ambicioz nga Kosova, që ende ishte në fillimet ëndrrës së tij, për të marrë një kredi 12 milionë dollarë me qëllim të zhvillimit të biznesit. Ai quhej Harry Bajraktari dhe për herë të parë kishte ardhur në atë bankë si 13 vjeçar për ta shoqëruar nënën e tij në ditën e parë të punës.

I përmenda këto tre inserte me qëllim të vënies në pah të tre vlerave të rëndësishme të familjes Bajraktari. E para, guximin e z. Metë Bajraktari për të kërkuar me çdo kusht një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tij, e dyta, punën e palodhshme të zonjës Zizë, në rrethana jo të këndshme, që më vonë do të bëhet virtyt i fëmijëve të saj dhe do shpaguhet me sukseset e tyre ,

dhe e treta, Harry kish filluar jetën si një fëmijë i guximshëm dhe realist sa shqiptar po kaq edhe amerikan.

Shoqëria amerikane si shoqëri multikulturore, në diversitetin e pasur të saj, fokusohet në vlerat që individi i lirë mund t’i ofrojë shoqërisë, pavarësisht racës dhe etnisë. Këtë e dëshmon Barry Levites që përvojën dhe dijen ia përcjellë Harry-t, një shqiptari në Amerikë, me të cilin e lidhë një vlerë, dhe ajo është dëshira për punë dhe arritje në shoqërinë amerikane.

Dhe në një shoqëri të barbartë, dëshira për punë e arritje kurrë nuk të lë vetëm dhe gjithherë të gjen një mik më shumë.

Janë pikërisht këto baza mbi të cilat edhe ne duhet të ndërtojmë shtetin tonë të ri. Pluralizmi, toleranca dhe liria individuale duhet të jenë fundamente të shtetit të Kosovës dhe për këtë si model kanë qenë dhe mbeten SHBA-të.

Lidhja e shqiptarëve të Kosovës me Amerikën është lidhje e zhvilluar në kohë të vështira, por e veçantë në të gjitha etapat e ekzistencës së saj. Për këtë meritorë janë natyrisht, shqiptarët që për arsye ekonomike e politike, lanë vendlindjen dhe jetuan e punuan ndershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke dhënë shumë kështu edhe për vendlindjen dhe popullin e tyre në Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.

Emigracioni nacionalist i shqiptarëve, në modelin e miqve të Familjes Bajraktari, si Mulosmanaj, Rashkoci, Kërnaja, Emra, Deva etj. dhe shqiptarët e Amerikës, kanë qenë dhe mbeten një pikë kyçe e përfaqësimit dhe përkrahjes së interesave të popullit tonë për dekada me radhë, duke bashkvuajtur me ne dhe duke punuar çdo ditë për ne nga larg.

Ndërsa ne, shoqëria shqiptare, këtë ndihmë e vlerësojmë dhe e kujtojmë sot, në kohë paqe. Për këtë edhe jemi mbledhur këtu sonte të promovojmë aktivitetin dhe kontributin 25 vjeçar të Harry Bajraktarit për çështjen shqiptare në Ëashington.

Emigrimi i familjes Bajraktari në Amerikë doli të ishte storie suksesi dhe kjo mund të thuhet për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Të dy këto udhëtime, janë të lidhura me njëra tjetrën. Janë po të njëjtat vlera të familjes Bajraktari- kuraja, guximi, puna e ndershme, sakrifica e solidariteti- që kanë shtyer mërgimtarët shqiptarë në diasporë, veçmas në Amerikë, për dekada, të themelojnë

shoqata dhe organizime politike, të themelojnë gazeta dhe revista, të lobojnë në qarqe diplomatike, të shkrijnë pasurinë e tyre, për të shfaqur gjendjen e rëndë të popullit të Kosovës para syve të botës. Janë po këto vlera që kanë shtyer njerëzit të thonë mendimin e tyre kur shqiptimi i mendimit ishte i barbartë me burg e shumë herë me vdekje, në kohën e Jugosllavisë komuniste.

Janë po të njëjtat vlera, që në vitet ‘90 shtyn shqiptarët të ngrehin një sistem kundërshtues paralel; mësues e mjekë të punojnë pa apo me pagesa simbolike, çdo ditë për vite me radhë; që shtyri politikanë, biznismenë, diplomatë, gazetarë brenda dhe jashtë Kosovës të bëjnë gjithçka që çështja e Kosovës të ndërkombëtarizohej; dhe mijëra e mijëra njerëz me të gjitha mundësitë që kishin – duke mos kursyer as jetën përmes organizimit ushtarak- të kontribuonin për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kudo në këto veprimtari ishte fryma, shpirti, mendimi dhe paraja e Harry Bajraktarit dhe e Familjes së tij.

Mbas vitit 1999, shqiptari në Amerikë Harry kthehet si amerikan në Kosovë, për të investuar mbi 40 milionë dollarë për të hapur vende të reja pune, për të dhënë shembullin e tij bashkë me Rrustem Gecin, se begatia dhe lumturia krahas lirisë, qëndron vetëm në punë.

Është mirënjohja më e çiltër dhe me e thjeshtë e atdheut për kontributin e veprimtarit dhe biznesmenit të mirënjohur, Harry Bajraktari.

Në fillim të fjalës thashë se libri “Një Jetë mes Kosovës e Amerikës” përmban aq shumë pjesë dhe elemente për t’u përmendur sa është e vështirë të nxirren për një fjalim kaq të shkurtër. Kjo për faktin se kemi të bëjmë me një libër prej të cilit mund të marrë diçka secili që i bie në dorë, pavarësisht çfarë tip lexuesi është ai apo ajo. Nëse do të kishte një fjalë që e përshkruan këtë libër, ajo është: Udhëtim. Mbi të gjitha, ky libër është udhëtim; udhëtim prej Vranocit të Lugut të Baranit në Amerikë, udhëtim prej shtypjes në liri dhe, udhëtim i një populli drejt lirisë dhe pavarësisë.

Dhe edhe pse udhëtimet mund të jenë të gjata, të mundimshme e ndonjëherë të rrezikshme, të tre këto udhëtime kanë një fund të lumtur.

Përpos shkrimit të kontributit të çmueshëm të Harry Bajraktarit dhe familjes së tij për dekada me radhë, nga gjenerata në gjeneratë, libri posedon edhe dimensionin e vet filozofik mbi zgjedhjet që bëjmë si individ dhe dëshirat që materializojmë në përballje me vështirësitë. Mendimi im i parë posa e përfundova “Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës” të autorit Muhamet Mjeku ishte, ky libër do duhej të jetë libër shkollor për shqiptarët e rinj.

Ata gjithsesi do gjejnë gjëra të çmueshme në të. Përmes këtij libri do ta kuptojnë më mirë dhe më thellë vetëveten dhe fatin tragjik të popullit të tyre. Do të kuptojnë ndihmën e shoqërisë amerikane dhe të njerëzve tanë që shkuan atje në kërkim të lirisë dhe na dhanë pjesë të saj të çmueshme edhe neve këtu në Kosovë. Një shembull tipik i kësaj paradigme është Harry Bajraktari, i cili bëri aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me miqtë e tij amerikanë.

Libra të tillë i duhen shqiptarëve më shumë se kurrë për të parë qartë imazhin e vet real në pasqyrë. E përpos kësaj, ata të rinj do të gjejnë në të edhe dy mësime të cilat mund t’i kujtojnë si forcë motivuese sa herë jeta i demoralizon e gjërat nuk shkojnë si duan ata.

E para se: gjithherë puna sjell fatin. E dyta se, humbja është përherë me ne e fitoren s’kemi rrugë tjetër pos ta marrim vetë siç bëri Familja Bajraktari nga Kosova në Amerikë dhe nga Amerika në Kosovë. / KultPlus.com

Gostia letrare e artistike e Aliut

(Recension për librin “Gosti në natën e parë të vjeshtës” të Gëzim Aliut)                                                       

Nga: Qëndresa Kuleta

Romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës”  i autorit Gëzim Aliu  shfleton përpara lexuesit shumë ngjarje e personazhe, lojë,erotizëm, ironi e trishtim.Një roman i gjatë që degëzohet në disa gjëra tjera.

Ideja apo vizioni i autorit na shfaqet  pa tituj por me një ndarje, të cilat shfaqen si storie në mes të romanit, një rrjetë fabulare që lexuesi mund ta sheh se ku fillon një  ide e ku po mbaron tjetra.

Një roman që përmes protagonistit Cen Berisha shpreh një distancim të autorit  nga ngjarjet e treguara,  qoftë  ajo për luftën e fundit në Kosovë, qoftë  lufta me vetveten.

Një lidhje ideore e ndarë  në tri periudha  paraluftës, gjatëluftës dhe pasluftës ,që shkëputen në ndërkohë për t’u bashkuar më vonë në lexim e tutje –një fiksion në mënyrë kronologjike .

Organizimi i lumtur në natën e stinës plot surpriza, protagonistin kryesor Cenin, së bashku me gruan e tij Anitën i gjenë si një biom i një rrëfimi me plot gjendje emocionale e psikologjike.

Anita një juriste dhe artiste e pastër që kujdeset tepër për veshjen e për pamjen e jashtme, organizon “Gostinë kulturore”, ku hahej, pihej, flitej e filozofohej me fantazmat e kulturës, artit e të letërsisë.Ndërsa, Ceni skenaristi kryesor ishte ai që e përjetone këtë furishëm që përkundër vullnetit të tij bëhet nikoqir i artistëve, gjysmë-artistëve, pak-artistëve dhe asnjëtrohë artistëve të  këtij organizimi kulturor.

E vendimi i prerë i  Cenit për ta djegur dorëshkrimin e tij në këtë organizim,të cilin assesi nuk po mund ta botonte është  ideali i tërë romanit. Gjuha e pastër e qartë, rrëfyese, emocionale e ironike është ajo që sjell tek lexuesit kuptimin e këtij romani, e që rrëfimtari arrin saktë të depërtojë thellë mbrenda duke i mbështetë idetë  autoriale. Autori personazhet e gostit, i seleksionon me mbiemra të paqartë, por i vlerëson si njerëz të dashur, intelektual ,vizionar e me një qëndrim dinjitoz. Një ndërlidhje ironike në mes përshkrimit të tyre dhe profesionit që kanë. Shpesh herë ai i ironizon  për punën e tyre dhe shfaq një kritikë për artin në përgjithësi. Pra, janë personazhe që pajtohen se arti është subjektiv. Duke kritikuar edhe tenorët e piktorët, pasi sipas tyre arti shihej si pasuri materiale e jo artistike. Nuk mungon as bota poetike, ku përmes vargjeve interesante personazhi Gazmendi,  na i shpalos disa poezi klasike .

“Po të ishe ti Kishë/ e po të isha unë/ Besimtar/ do të vija të lutesha/ në gjunjë te ti/ por ti nuk je Kishë/ as unë Besimtar.”[1]

Tregimet, e rrëfyera në gosti, qoftë përmes Cenit ose vetë  narratorit

reflektojnë, shoqërinë, luftën, politikën, krimin, njeriun e zakonshëm dhe atë të pazakonshmin. Janë ato tregimet që vijnë si episode filmike, por që në thelb përbëjnë një vijë fabulare të romanit. “Pëllumbat e luftës” është një nga tregimet dramatike ku përveç sakrificës për t’i vrarë pëllumbat, vjen edhe sakrifica për të nxjerrë kafshatën e gojës –një fat i shkatërruar nga lufta.

Një gërshetim rrethanash e ngjarjesh  që ndodhin fatkeqësisht, por përfundojnë me një fund të mbarë e të lumtur, autori e rrëfen edhe në  sinopsisin e një skenari të gjatë, midis dajës së Cenit, Skënderbegut dhe Shehides, me të cilën bën lojra sa për të shkuar kohën, mirëpo nuk don ta martoj . Ndikimi i ushtruar me forcë nga vëllau i Shehides dhe nga sulmi me thikë nga policia serbe , Skënderbegun e kthen në hero, patriot ,duke martuar atë  dhe duke ndihmuar atdheun.

Lufta, marrëzia e dashuria janë edhe disa nga temat që autori na i servon në tregimet “Heronjtë”,”Ujku” ,”Njeriu i zakonshëm” që autori herë fshihet në personazh e herë shfaqet  në mendimet e tyre duke i seleksionuar me disa nga citatet qëllimore në eksperiencën e rrëfimit.

 “Nëse veprën letrare nuk e ngroh gjaku i vërtetë i autorit , ajo nuk është e gjallë” [2]

“Nëse grimcat elemtare i kemi të njëjta ,ato do të duhej të bashkoheshin .Ndarja jonë dëshmi se ligjet e kozmosit janë ligje të kaosit “[3]

Aliu është realist në vizatimin e ngjarjeve, jo duke gjykuar, por duke rrëfyer dhe jo atë me zërin e vet , por me anë të atyre që përbëjnë gostinë e përditshmërinë, jetën e romanit.

Duke prekur pikën kulminante autori arrinë të na jap njëkohësisht edhe  përfundimin e romanit, me vendoshmërinë e Cenit për ta djegur dorëshkrimin. Siç e thotë edhe vetë vepra….kishte ardhur momenti i ekzekutimit. Kishte ardhur pika kur duhej nisur fundi. Kishte ardhur çasti kur do ta braktiste shkrimin [4]…Distancimi i protagonistit nga dorëshkrimi shfaqet në një vijë me distancimin e autorit nga skena e shthurur pseudoelitash ,që në realitet ky distancim demaskon gënjeshtrën si në art, ashtu edhe në jetë.

Shpejt, tha me vete. Kur vjen çasti , çdo gjë ndodh shpejt. Jeta është e këtillë. Fat dhe rastësi që rrjetëzohen pakëputur, mendoi [5]

Pasqyrimin e komikes të  kthyer tashmë  në  gjendje tragjike,  Aliu e zbërthen,në momentin kur personazhin kryesor  e lënë me dorëshkrimin e tij, tashmë të lagur e të nxirë, ani pse çdo gjë rreth tij ishte djegur nga zjarri i ndezur, vetëm arti-dorëshkrimi i kishte mbetur në duar , pa dyshi, një gjendje pa rrugëdalje që vjen nga mospërputhja ndërmjet synimeve të protagonistit e mundësisë së realizimit. Përmes këtij akti brutal autori na dokumenton pushtetin e artit dhe pafuqinë e artistit.

Si përfundim mund të themi se sinteza e fjalive në fillim të  romanit   “Jeta është rrëfim …..i shkatërruar …bërë copë-copë brutalisht….Nuk mund të jetë ndryshe! Është fenomeni i  tërë  natyrës teorike që autori parashtron  , duke na bërë me dije që duhet të  rrëfejmë  për jetën. Përndryshe ajo mbetet ashtu siç është, duke u zhvilluar pa dëshmitar. Ashtu siç arrin Aliu që përmes rrëfimeve postmoderniste të na jap tri dimensione kohore të ndryshme  në një rrëfim filozofik duke kuptuar e përjetuar pa ndjeshmëri të tepruar, pa frikë e vuajtje. Një ndërlidhje  e kohës moderne me atë të shkuar, një pasqyrë e rrëfimeve sociale, psikologjike e erotike të jetës

 Vepra “Gosti  në natën e parë të vjeshtës” kërkon një lexues të palodhur dhe mjaft të përgatitur si nga ana psikologjike e realiste, pasi  që nuk janë minimizuese rrëfimet e jetës së  narratorit, ngjarjet e vitit, dimensioni kohor, kulturor e social.

“ Gosti  në natën e parë të vjeshtës” është një roman i rëndësishëm në prozën e sotme shqipe.

[1]Gëzim Aliu: “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, Koha, Prishtinë, f. 64.

 [2]Aty, f.198.

[3]Aty, f. 223.

[4] Aty, f. 230.

[5] Aty, f. 232.

(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë). /KultPlus.com

Ofshama e hijes, mes letërsisë dhe sociologjisë

Recension nga Lundrim Shabani

(Ibrahim Berisha: “Ofshama e hijes”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2019)

Kur kupton se do të lexosh një përmbledhje me poezi nga një sociolog,fillon e i bën ato projeksionet e para në shkallën e paragjykimit, se çfarë mund të gjesh në ato poezi, sidomos kur je i apasionuar për fushën e sociologjisë, por që ka rastisur të merresh me letërsi. Ky nuk është paradoks, përkundrazi, territori mjaft i gjerë i poezisë, për të mbushur boshllëkun, duket se ka nevojë për të gjitha rezervuaret e dijes që e karakterizojnë qenien njerëzore dhe organizimin e saj në shoqëri që nga antika e para-antika e këndejmi, e njëra ndër fushat që mbushë këtë boshllëk është edhe sociologjia.

Megjithatë edhe sociologu, ashtu si çdo tjetër njeri prej mishi e prej gjaku, ka përjetime e dhimbje të cilat edhe të bëjnë të ofshash e gjëmosh sa që harron se çka thotë sociologjia, harron Karl Marksin e Maks Weberin e i nënshrtohesh dhimbjes sate që të detyron të bësh edhe hapin më dëshpërues në tentimin e kapërcimit të asaj dhimbje, pra të shkruash. Këtë e bën edhe poeti, profesor i sociologjisë, Ibrahim Berisha me “Ofshamën e hijes”.

Sa i përket titullit, përveç onomatopesë, si kuptim të dytë ofshamën mund ta marrim edhe si mallkim, ndërsa figurën e hijes si dhimbje, pasi që hija shkaktohet kur një objekt i caktuar pengon rrezet e dritës dhe si pasojë e atij pengimi, ose restrikcioni, apo ndalese, përfitohet hija, ose  shenja, apo njolla, e shumë sinonime tjera që mund t’i nxjerrim nga kjo. Pra, kemi Ofshamën e mungesës së dritës. Këtë mundgesë  do ta shohim më poshtë.
Vepra është e ndarë në disa cikle që përmbajnë numër të ndryshëm të poezive nga njëri-tjetri dhe poezitë janë të shkruara në kolona. Titulli i veprës është edhe titulli i ciklit të parë, pra “Ofshama e hijes”. Ky cikël fillon me poezinë “E pathënë e përhershme” dhe katër vargjet a para të kësaj poezie janë:
 
“Çfarë ke për t’i thënë lirisë kur ajo nuk është
Kur nuk u shijua nga zemra e një gruaje
As nga shpirti i një burri që shpërndan ofshamë
Nëpër dhimbjen e humbjes së vet

Pra, qysh në vargjet e para shohim se kemi të bëjmë me ofshamën e një dhimbjeje të shkaktuar nga një humbje dhe mendoj se ky është edhe thelbi i subjektit të kësaj përmbledhje me poezi të Ibrahim Berishës.
Në vazhdim, në këtë cikël kemi figura të ndryshme që dalin më të theksuara se të tjerat si: drita, dielli, shiu bora, terri, era, zjarri etj, por edhe figura si: patatet, domatet, kumbulla, bimët, ujitja etj, që simbolizojnë punimin e tokës e cilat lidhet me ekzistencën. Një pikëpamje ekzsitencialiste e kemi edhe te poezia “ Flijimi i milingonës” që gjinden po në këtë cikël. Apo edhe te poezia “Pa krahë” ku autori përmes pyetjes retorike pyet pse një zog i hareshëm nuk sheh mundësinë e kthetrave të skifterit.
 Komunikimi me mitologjinë është i pranishëm në këtë përmbledhje të paktën në një rast në poezinë “Cila e vërtetë” me mitin e Sizifit, ku autori shpreh pikëpamjet e tij filozofike duke e vënë në mëdyshje forcën e Siziifit që është vetëm një mit, e në anën tjetër duke tërhequr paralele me buburrecin qe shtyen tokën përkundër erës e vesës deri në gju, gjë që është një realitet. Pyetje të tilla filozofike mund të hasim në vazhdimësi në këtë përmbledhje.
Një poezi tjetër interesante në këtë cikël është edhe “Lufta kundër luftës”, ku autori ngreh shqetesimin e tij për luftën dhe nevojën për të luftuar që kanë njerëzit derisa harrojnë “për shtëpitë e tyre të ngrohta” e dalin në fushëbetejë,  ku “mbesin shumë rroba të ftohta”.
Cikli tjetër në vijim titullohet “Kurrgjë më e përsëritshme”, titull ky që e mbanë edhe njëra nga poezitë e këtij cikli, vargjet e së cilës thonë:

“Kurrgjë më e zakonshme se urrejta pas dashurisë
Shkretëtira pas thatësisë së përsëritur
Lulëzimi i pemës pas shiut të butë e të gjatë
Pjekja e frutave në degët me pamje të kërrusur”

Duke i listuar kështu disa gjëra që vijnë natyrshëm pas disa gjërave tjera dhe poezia përfundon me vargjet:

“Kurrgjë më e përsëritshme se falja pas mëkatit
Dhe lumturia pas dënimit të paharruar plotësisht
Psherëtima e rivendosur në mburrjen boshe dhe kjo
Mëri e errët e kujtesës”

Këtu na del se mëria e errët e kujtesës është bërë po aq e zakonshme sa fenomenet e listuara në këtë poezi, po aq natyrshëm sa lulzimi pas shiut, pjekja e frutave në degën e kërrusur, falja pas mëkatit etj.
Mes poezive tjera te ky cikël, përpos pikpamjeve filozofike, gjejmë edhe vargje ku na kthejnë te thelbi i kësaj përmbledhje, te mungesa, apo dhimbja dhe këtë e gjejmë te vargjet e poezisë “Është e mundur”

“Kjo është e mundur në këtë moment
kur zgjohem sall ofshamë
Ndërsa ti pikë për pikë mallëngjim
Ngase unë jam larg, dhe nuk arrijë kurrë atje”Cikli i radhës titullohet “Nuk më sheh plotësisht”, në të cilën, thuajse në çdo poezi, del figura e ndarjes dhe e mungesës, sidomos te poezia “Nuk është më”. Por nuk mungon gjithashtu edhe shpalimi i ideve interesante që autori mjeshtërisht i shtron. Njëra nga këto është te poezia “Lëvizja e lirë”, ku merr shembullin e hajnit i cili:

“…Asnjëherë nuk do të na falë
Pse i kemi kyçur dyert e shtëpive
Për të fshehur vetveten e padukshme…”

“…Hajnat gjithmonë kanë të drejtë
të ushtrojnë profesionin që mundëson lëvizjen e lirë,
hyrjen dhe daljen…”

Kjo mënyrë e shtrimit të problemeve përmes shembujve që shpërfaqin të metat e sistemeve ose të metat e konvencave shoqërore, është mjaft intriguese për lexuesit dhe gjithashtu e vështirë për t`u realizuar.

Në ciklin e radhës mungesa është e shprehur tani më drejtëpërdrejtë, si në titullin e ciklit  “Përsëri mungon”, poashtu edhe në tituj të poezive si poezia “Kur mungon”, apo poezia “Ti s`je” ose tjetra “As ti nuk je më” gjithashtu edhe në vargjet hyrëse te disa poezi tjera si për shembull te poezia “Kot”:

Ti ke qenë rreze domethënëse
Hënëz lundruese dhe fantastike”

Apo te poezia tjeter me titullin “ Dritarja mbi det”,  ku vargjet nistore janë:

“Nuk je kthyer ta hapësh dritaren
As nuk i ke prekë moti krahët e lopatave që notojnë”
Në këtë cikël medoj se është realizuar indicja e autorit sa i përket pjesës së dhimbjes së shkaktuar nga mungesa ku  poeti paraqet edhe nevojën e domosdoshme për tejkalimin e dhimbjes dhe përpjeket e arritjes së paqes apo qetësisë siç është edhe poezia me titullin “Paqe”


“Gjatësi e përkohshme” titullohet cikli i radhës në të cilin logjika e ndërtimit është e njëjtë me ciklet e mëparshme, por këtu bie në pah përdorimi i termeve të fizikës si: gjatësia, sipërfaqja, koha, shtrirja, rrezja etj., duke i përdorur në funksion të ideve metafizike, ide këto që hasen me bollëk te ky autor.
Si reminishencë, në këtë cikël, vjen edhe poezia “Ndërtuesit”,  ku autori kujton punëtorët e Ramiz Sadikut në përplasje me helmetat e bardha e uniforma blu, me thirrjet “Duam parat tona, hajnat në burg” etj., dhe rrugëtimin e tyre drejt fitores së paarritshme. Kjo është poezia e vetme që përputhet me projeksionin që përmendëm në fillim të këtij teksti kur kupton se do të lexosh poezi nga një sociolog.
Cikli përmbyllës i kësaj përmbledhje me poezi titullohet “E përsëritshme”, titull ky që paraqet diçka të vazhdueshme, diçka që nuk përfundon ose nëse mund të themi figurativisht, autori dështon t`i jap fund dhimbjes dhe në njëfarë mënyre dorëzohet. Edhe poezia e fundit titullohet “Herën tjetër” duke na vënë në dijeni se me siguri do të ketë një herë tjetër ku do të përballemi me ofshamat e hijes.
Në këtë përmledhje, përveç mjeshtërisë dhe përvojës së poetit me dekada në poezi, të bjen në sy edhe përdorimi i pastër i gjuhës shqipe, ku pothuajse në tërë tekstin nuk mund të gjeni as edhe një fjalë të huazar apo ndonjë ndikim nga gjuhët  tjera, gjë që pasuron dhe pastron poezinë shqipe në përgjithësi. Të bije në sy, gjithashtu, edhe përdorimi i shprehjeve të thjeshta, nëse mund t’i quajmë kushtimisht, në emërtimin e poezive ku shpeshëherë ato emërtohen me një folje, ndajfolje, apo edhe togfjalësha qe të jep përshtypjen se janë marrë nga ndonjë fjali e rëndomtë dhe janë përdorur si tituj, në këtë mënyrë duke i ikur titujve bombastikë që bëhen vetëm për të tërhequr vëmendjen. Gjithashtu,  ikja nga rima dhe përdorimi i aliteracionit dhe asonancës është veti që këtë vepër e afron kah modernja. Megjithatë, ikja më e rëndësishme në këtë vepër është ikja nga shoqërorja, kah personalja që për një sociolog është shumë e vështirë, gjë të cilën Ibrahim Berisha ia del me sukses.

Vepra “Ofshama e hijes” hyn në mesin e shumë “ofshamave” tjera që poezisë shqipe i kanë dhënë dhe i japin ngjyrat që i mungojnë ose që i janë zbehur, kurse lexuesit ndjenjën që e kërkon dhe atë që e suprizon.

(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë) /KultPlus.com

Identiteti i humbur në romanin “Në kërkim të fëmijës së humbur”

Recension nga Shqipnora Dauti për romanin “Në kërkim të fëmijës së humbur” të Rivdan Dibrës

Vepra “Në kërkim të fëmijës së humbur”, teorikisht cilësohet si roman, por praktikisht lexohet si përmbledhje me tregime. Vepra  përbëhet nga gjithsej 28 tregime, të shpalosura në një vijueshmëri ngjarjesh që rrekin jetën, përkatësisht fëmijërinë e autorit. Bota e perceptuar nga një këndvështrim ndryshe, i realizuar në mënyrë mjeshtërore arrin t’i ofrojë lexuesit një realitet të shprishur me rrethanat në të cilat zhvilloheshin secila ndodhi apo ngjarje.

Te romani i Dibrës narratori-personazh është fëmijë dhe quhet Ridvan, vetëm se në fund të secilit tregim shfaqet i rritur. Bashkudhëtarët e tij nëpër këtë vijë rrëfimore janë babai dhe Ili. Njëri e mëson me ashpërsinë e zbatuar në emër të edukatës, ndërsa tjetri e “detyron” të rrezikojë për të zbuluar enigmat e jetës. Dibra, kujtimet e tij i fillon me dashurinë për librin, më saktësisht librin e parë për të rritur “Manastiri i Parmës” nga Stendal. Sado i vogël që ishte, entuziamin e kishte shumë të madh, ndërsa babai kishte drojën: “Do të luaj mendsh!”.

Bota e tij nuk kënaqej me përralla si çdo fëmijë tjetër, e nga kjo babai mbylli bibliotekën.

Përshkrimi i pastër i një fëmije me aq gjallëri në atë moshë minore, jepte edhe tablot e ndodhive të shumta që kishte kaluar, padyshim me iniciativë të shokut të tij, Ilit. Ndër to janë: vizita te shtëpia e shtrigave, shikimi i filmit të parë, kopjimi i çelësit të bibliotekës së babait, përgjimi te tualeti i vajzave etj. Ndërthurja rrëfimore e romanit lëviz rrjedhshëm duke u shëndrruar  nga përjetuesi dhe  dëshmitari i gjallë i të  gjitha ngjarjeve, në personazhin kryesor të romanit.

Me anë të kujtimeve  dhe përfundimeve të papritura shfaqen lidhjet  që e gërshetojnë.

Lidhja koherente mes ngjarjeve pasqyron një botë të humbur të autorit, një Ridi që jeton i shtypur, pa qenë i udhëzuar të vetëmësohet me hapat fëmijëror të jetës së tij. Preokupimet kundrejt moshës, ishin jashtë normales së një fëmije të zakonshëm. Këtë e shohim më së miri  tek entuaziami për të lexuar një vepër voluminoze dhe duke i vënë vetes një urdhër  leximi me pesëdhjetë faqe në ditë. Sfidat që i dilnin përballë nuk e tundonin shpirtin e tij kërkues. Konceptin e humbur jetësor e rikthen në të kaluarën me anë të reminishencës. Autori ngre lart dyshimet pse jeta e tij vazhdoi në këtë mënyrë, madje duke i ndërlidhur ngjarjet  me ato të kohës së sotme, duke i dhënë kuptim më të fuqishëm. Fëmijëria nuk ishte më fatlumja. Autori  sa qëndron në fëmijëri, kthehet  në kohën që është i rritur. Një raport misterioz njeri-gjarpër që, s’dihej se çfarë baze dhe burimi kishte, e jep tregimi “Dervishi dhe gjarpri”.  Pasioni i femrës ishte çështje ngërthyese e shpirtit, autori e quan gjarpër, që po se pate njëherë në gji, nuk ia di kuptimin jetës.

Tregimi “Lakuriqët e natës”, në kuptim të parë del lufta e fëmijëve kundër gjitarëve të lashtë që gjahun e bëjnë natën. Në postmodernizëm,  janë femrat që “gjahun” e zhvillojnë nëpër errësirë, m’u si lakuriqët.  Në kuadër të kësaj tematike hyn edhe tregimi “Shtëpia e shtrigave”. Kush ishin ato, që të vegjëlit e rrugicës kishin frikë dhe kishin dëgjuar mendime të ndryshme për to, kurse të rriturit i urrenin. Kurioziteti për të zbuluar çdo enigmë që i dilte para, Ili gjithnjë e tërheq Ridin, për ta parë realitetin e tyre. Me guxim të fortë kapërcejnë murin. Ato shtriga ishin femrat më të bukura të lagjes. E këtu qëndron habia e një fëmije. Pse ato quhen shtriga kur nuri i tyre ishte përrallor? Quhen shtriga sepse bëjnë dashuri pa qenë të martuara – tha Ili.

Nëpërmjet ngjarjeve jemi më afër konceptit fëmijëror, madje disa edhe mund të na kujtojnë fëmijërinë tonë. E veçanta e romanit qëndron për faktin sepse secili tregim ka një lidhje mes së kaluarës dhe së tashmes, jep një shpjegim çfarë e shtyu dhe çfarë e ndërlidh kujtimin me raportet e kohës se sotme. Një pikë interesante që tregon autori padyshim që është edhe lakmia për gjërat e tjetrit: fatin, lumturinë, pasurinë, gruan apo shtëpinë. Përmes tregimit “Arrat e Fanit”, qëndron lakmia për arrat e komshisë, por duke harruar gjithë ato begati që gjendeshin në bahçen e tij. Sa më lakmitar, aq më i pangopur është njeriu.

Personazhi sa luan ( tregimi “Balonat”), sa mëson (Mësimi i notit, biçikletës, loja e shahut), sa shkel rregullat ( Shenjat e mëkatit). Tek mësimi i notit, kemi zhvillim të personanzhit, tek mësimi i biçikletës, autori tregon hapur për ngecjen e vozitjes së makinës. Sado që e mbulon me arsyetime të ndryshme si: frika nga aksidentet, dëshira për të ecur këmbë, pamundësia për të blerë makinë; nuk e mbulojnë boshllëkun që i ati nuk ia mësoi gjërat si dikur.

Si fëmijë, ishte nxënës i mirë i babait, që e falënderon për mësimet (not, biçikletë) që i kishte dhënë, madje të gjitha vështirësitë pos tij, askujt nuk ia besonte.  Sado që dëshironte të mësonte gjithçka që e rrethonte, ai dinte të ishte edhe rebelues. Në tregimin “Në kamp”, nuk arriti të përshtatej me mjedisin e ri dhe me rregullat që përmbante. Ai kishte shkuar si nxënës i dalluar, por  nuk ndihej i tillë në atë kamp veror. As nuk shoqërohej me fëmijë.

Përvoja e tij sa duket tërheqëse, po aq edhe e palumtur dhe dramatike, jo që ai s’ka qenë i prirë të jetojë siç duhet, por kryekëput për shkak të rrethanave dhe marrëdhënieve që kanë mbizotëruar brenda familjes, por njëherazi edhe brenda shoqërisë në përgjithësi. E tek sot, përpiqet të gjurmojë balancin jetësor dhe të gjejë shkak/pasojën e asaj jete të çrregulluar. Fazat e tij kanë qenë të dhimbshme duke i dhënë një rritje të panatyrshme. Obligimet ndaj shtëpisë, leximi i librit tinëzisht, shtypja nga shoqëria, mospërkrahja për avansimin intelektual të tij, pasivitetit ndaj çdo pune, frika për t’i shkelur rregullat familjare dhe ato të jetës, përplasin botën me realitetin që jetonte. Pjekja e parakohshme lidhet me zhvendosjen nga bota përkatëse me një zhvillim të mbrapshtë të personalitetit të fëmijës.

Pra, pos që kemi ndeshje kohore, kemi edhe lidhshmëri të rrjedhës së ngjarjeve mes kohëve të ndryshme. Sa herë që devijonte rrugën e tij, shihte pasojat që i kanoseshin. Tregimi “Ferrmacat”, e shpjegon më së miri, duke paraqitur shpërfilljen e parave përtej të zakonshmeve. Ngjarjet e rrëfyera brenda vetes ngërthejnë një botë të lidhur me përjetime të vërteta. Fëmijëri  e  përshkruar në mënyrë besnike.

Një ndër mikrotemat që përbën tema e madhe e romanit, është edhe aftësia e tij e botës krijuese, duke u shpallur si njëri ndër tre fituesit e parë në revistën “Pioneri”. Në tregimin “Tri vjersha me nga tri strofa”, janë e gjithë pasqyra shpirtërore e hapave të parë drejt rrugës së artit krijues. Si fëmijë meritoi shumë, e mori pak. Nuk e pa entuziazmin e babait, kur i biri ishte shpallur fitues dhe u shqua si shkrimtar, madje ai edhe u nënvlerësua: “ Vetë i ke bërë këto? Në rregulll… A e ke mbushur shportën me fiqa?”. Ja, deri ku shkon përkrahja e tij, sado që kishte një lidhshmëri me të atin. 

Sado që na duket e pabesueshme për gjërat që bën si fëmijë i mitur, aq më shumë na befasojnë detyrat që e ngarkojnë prindërit rreth punëve të shtëpisë. Thënë shkurt ka qenë fëmijë i shfytëzuar duke arrirë një pjekje të parakohshme.

Tek në tregimin “Me dorën e majtë”, dha jetën e kohës komuniste, Në këtë tregim nëpërmjet fëmijës majtak ironizohet diktatura majtiste, që kërkonte nga fëmija të shkruante me dorë të djathtë. Në fund të secilit tregim, janë dhënë edhe arsyet të cilat e kanë shpënë autorin deri tek ato kujtime fëmijërie. Ndikimet e tij lidheshin me faktorët e brendshëm  shpirtëror dhe ata të jashtëm njerëzor. Ndodh një përplasje midis dy kohëve të largëta, një reminishencë interesante midis asaj sesi e kishte zbuluar të vërtetën atëherë dhe sesi e zbulon atë tani. Ndodhia reale e periudhës së kaluar, transformohet në ndodhi artistike të shkruar. Zhvendosja ndodh me aktivizim dhe shkarkim të kujtesës, që poashtu ka një shtysë, një reagim për të nxjerrë në pah gjurmët e pashlyera në qenien e tij te brishtë.  Kështu shkrimtari  shpalos portretin dhe identitetin fëmijëror brenda kohës dhe hapësirës ekzistenciale, duke e ngritur aq më lart edhe identitetin e tij artistik përpara lexuesit. Kërkon identitetin e tij të humbur e të papranishën në kohën e duhur.

(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë) /KultPlus.com